Klodi Stralla: Sinoptikë pesimiste

315
Sigal

Nga Klodi Stralla

Ka muaj që, pothuajse çdo javë, një mendje djallëzore, që e njeh mirë mentalitetin tonë shqiptar për kuriozitetin, na furnizon me ngjarje njëra më sensacionale se tjetra: Një herë, me gojën e Paskal Milos, na thotë se nëna e Skënderbeut ishte sllave; herën tjetër, një i ashtuquajtur Sgarbi na thotë se qyteti antik i Bylysit na qenka grek dhe, tani së fundi, Auron Tare hedh dyshime se Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, dy personalitete të njohura të kulturës shqiptare, na qenkëshin përzierë me shërbimet sekrete të kohës, vendase dhe të huaja. Natyrisht, të gjitha këto tema nuk duhet të jenë tabu, por ato duhet të studiohen nga institucionet tona të specializuara, (akademia e shkencave) apo edhe studiues të veçantë të fushës, siç bëhet në çdo vend tjetër të botës të qytetëruar në raste të tilla. Njerëzit e thjeshtë, por edhe personalitetet kombëtare, nuk janë kurrë bardh e zi, ose në piedestal, ose pa varr. Pastaj, këto sensacione, i marrin mediet tona të “kazanit”, i amplifikojnë ekraneve televizive dhe portaleve në rrjetet sociale, që, prej kohësh, kanë zevendësuar filmat apo teatrot e dikurshme me frymë edukative.
E gjithë kjo bëhet vetëm për një qëllim: të largohet vëmendja e popullit nga problemet e shumta madhore, kryesisht dy prej tyre, njëra me karakter mbarëkombëtar dhe tjetra shtetëror shqiptar:

– Sot kombi shqiptar, si askush tjetër në hapësirën ballkanike, është i ndarë në pesë shtetet fqinjë ku, në secilin prej tyre, gëlon konflikti e përçarja mes shqiptarëve. Shteti amë, Shqipëria, nuk ka një Platformë përbashkuese, jo për ndryshim kufijsh fizikë, por për të krijuar tregun ekonomik e kulturor mbarëshqiptar. Përkundrazi, ka shumë fakte qe tregojnë se Tirana bën lojë të dyfishtë, i vret natën dhe i qan ditën. E kam fjalën, kryesisht, për Kosovën që tani gjendet në pikën e saj më kritike në këto 20 vjetët e fundit: me një qeveri qëndrushmërinë e të cilës e dikton Beogradi, me një president të akuzuar për krime lufte, me një klasë politike jobashkëpunuese, të korruptuar e nepotike, tipike me atë të shtetit amë. Një SHBA që, mesa duket, është tërhequr (shpresojmë të jetë e përkohëshme), duke ia lenë “zgjidhjen” BE-së, kryesisht Francës pro serbe.
– Një shtet shqiptar pa institucione bazike (gjykatat), me opozitë reale jashtë parlamentit, me qeverisje tejet të korruptuar e administratë partiake, me pasuritë kombëtare në duart e të huajve të dyshimtë, pa prodhim vendas, e zhytur në borxhe, në prag falimentimi të shtetit. Informaliteti, krimi i organizuar, trafiqet ilegale, bashkëpunimi qeveritar me një grup të ngushtë oligarkësh me të cilët ajo ndan paratë publike – janë disa prej indicieve që të futin frikën për të ardhmen e këtij vendi, që Natyra i ka falur gjithçka, veç njerëzve, që nuk kanë aftësinë të ndërgjegjësohen për fatin e tyre dhe zgjedhin të braktisin masivisht vendin.