Izet S.Çulli: Kur je i politizuar tejskajshmërisht…

878
Sigal

Ky shkrim vëzhgues i kësaj here mund të ngjallë diskutime, por më mirë le të flasim çiltas. Në disa emisione televizive të mbrëmjes, kur zhvillohen intervista të ndryshme, të bien në sy disa dukuri:

Intervistuesit apo moderatorët i ndajnë personat për diskutim në dy grupe kundërshtare duke i vënë përballë njëri-tjetrit për të krijuar një farë konflikti midis tyre, si në drama, në të cilat pa një element të tillë s’mund të ketë zhvillim të kësaj gjinie letrare.

Nganjëherë (jo vetëm tek ne) këto përplasje janë të rënda e konfliktuore sa mund të përfundojnë në mënyrë të padëshiruar dhe jo etike. Jo rrallë protagonistët fyejnë shoqi-shoqin, si dhe i lëshohen titullarit të lartë p.sh. kryeministrit duke iu hakërryer me fjalët “ti”, “ti”- duke i drejtuar gishtin tregues si të jenë në gjykatore. Një gjë e tillë ndodh sidomos kur i intervistuari nuk çon ujin në mokrën e “mullirit” të televizionit nga ku drejton. Pra, është i detyruar të zbatojë dhe të shkojë në kahun e urdhrave të pronarit në fjalë. Ai nuk mund të veprojë ndryshe dhe të dalë nga “shinat” e paracaktuara.

Tjetër problem është i pjesëmarrësve në këto intervistime. Mirë moderatorët, të cilët duke mos qenë specialistë të mirëfilltë të fushës, iu duhet ta përgatisin audiencën, si ai nxënësi provimin, po diskutantët si është e mundur, të marrin pjesë për çështje të ndryshme, duke e hequr veten tepër kompetentë e të aftë për gjithçka që hidhet në tavolinë! Ishte ky shkaku kur njëri syresh iu drejtua tjetrit: “Po ti qenke krunde nga mendja” apo më tej: “Mos i ngjaj atij yllit të detit që anatomikisht s’ka tru”. Në përgjithësi janë 4-5 veta kryesisht, që na kanë mbirë në të tilla ekrane prej shumë vitesh, duke na ndryshkur ato karrige të shkreta…Gjithashtu vëmë re që për ato problematika për të cilat nuk janë shprehur gjykatat apo prokuroria, tirren paraprakisht e diskutohen vend e pa vend në ato emisione që mund të dëmtojnë hetimet!

Përfundimisht mund të shprehemi se askush nuk mund të dijë çdo gjë. Kam lexuar në një libër për Hoxhë Hasan Tahsinin, i cili ishte në gjendje t’i përgjigjej çdo pyetjeje që mund t’i drejtohej. “Ajo që dimë, -shkruante Isak Njutoni,- është një pikë ujë. Ajo që nuk dimë është një det i tërë.