Gëzim Tushi: Pandemi Covid-19 dhe shoqëria

479
Sigal

Gëzim Tushi

Sociolog,  Mjeshtër i Madh

Padyshim që u bë një kohë e gjatë që jo vetëm ne shqiptarët, por dhe gjithë banorët e planetit tonë, janë vënë  “dhunshëm”  përballë rrezikut social dhe  nën ethet e forta të pandemisë së virusit Covid -19. I cili ka gati gjysëm viti që ka sjellë dhe vazhdon të shfaqet me një intensitet të frikshëm dhe me jo pak turbulencë mjekësore. Pasojat  janë evidente,  sepse tashmë pandemia e Covid -19,  është shndërruar në një lloj “psikovampiri” që ka kosto të jetëve njerëzore dhe mbi të gjitha,  tani akoma më keq,  kërkon të thithë e paralizojë energjitë pozitive të individit. E shoqëruar  kjo me një lloj hutimi social që kalon shoqëria, e cila ka raste kur duket e paqartë për të sotmen dhe të ardhmen e saj. Kjo sepse pasojat duket që janë të shumëllojta e të shumëfishta, medikale e financiare, psikologjike dhe ontologjike.

Sociologjia e pandemisë Covid -19 është bërë shqetësim i madh e i zgjeruar universal. Një fenomen sociomedikal  kompleks, i panjohur dhe për fat të keq i padominuar akoma nga mjekësia. Mjekësia është akoma në një terren të këshillave empirike për mjetet mekanike që duhen për t’u mbrojtur prej saj duke respektuar distancën fizike, hapësirat e nevojshme të mbrojtjes sociale, përdorimin me kulturë të maskave mbrojtëse dhe respektimin e detyruar të higjienës  personale. Të përgjithshme  e specifike. Në këto kushte një gjë  është sociologjikisht e sigurt, që po na bën të gjithë të ndërgjegjshëm përballë këtij rreziku. Kujdesi në këtë situatë jo vetëm nuk është i “tepërt” por është më shumë se kurrë i domosdosheëm, jetik. Edhe për ata që e kanë frikë virulencën e virusit, pasojat e saj shpesh herë tragjike, edhe ata që përjetojnë ankth të tepërt apo të zgjatur psikologjik, që janë të hutuar nga pesha e kësaj dukurie, që akoma nuk është diagnostikuar  saktë dhe të cilës akoma nuk i është gjetur terapia adekuate e dominimit medikal.

Padyshim, turbulencat mjekësore janë evidente. Po ashtu vështirësitë dhe kapacitetet e pamjaftueshme  mjekësore në përballjen me këtë pandemi dinake, të rrezikshme, me pasoja të paparashikueshme, tragjike. Por besoj se komplikacionet më të mëdha dhe pasojat më evidente duket se janë me natyrë ekonomike, financiare, kulturore e sociale. Sepse në mënyrë evidente dhe pa asnjë frikë sociale apo paranojë patologjike, kemi hyrë në një epokë të re, të paprashikuar nga prognozat sociologjike për sfidat e reja të këtij shekulli postmodern dhe i mbushur me fenomene likuide. Kjo nga që në mënyrë të papritur erdhi një virus mikoroskopik, por me përmasa globale, që ka filluar të ketë efekte dhe të japë pasoja evidente me ndikime mikro e makro në strukturat e jetës sociale, në modalitetet e ndërtimit ndryshe të sjelljes individuale. Qoftë në raport me veten apo në kontekstin e gjerë të jetës sociale.

Të gjithë njerëzit janë të shqetësuar, në shumë raste edhe në gjendje paqartësie me natyrën, ontologjinë, shkaqet e kësaj pandemie. Sepse ky virus i padukshëm dhe mikroskopik, ka sjellë përmbysje të shumë koncepteve  sociale e medikale, ka ndikuar dhe imponuar ndryshimin e sistemit  tradicional të vlerave dhe të disa prej mënyrave arkaike të sjelljes. Pandemia në shumë pikëpamje, do të jetë një “pikë kthese”, “moment social” ndryshimesh të mëdha. Të cilat sapo kanë filluar të duken, por që në të ardhmen e afërt do të inkludohen dhe konsolidohen në sistemin e ri të vlerave dhe mënyrave të reja të sjelljes së njerëzve tanë.

Personalisht mendoj se në rrafshin e gjërë sociologjik, shoqëria shqiptare duhet të ndryshojë shumë gjëra në sistemin e vlerave sociale, arkaike, e tradicionale, në mënyrën e sjelljes individuale, e të komportimit  social. Kjo do të thotë se gradualisht është duke filluar një revolucion i vërtetë, që po sjell ndryshime thelbësore në sistemin e dikurshëm  të “gjeometrisë” së lidhjeve sociale të njeriut me grupet komunitare dhe shoqërinë në tërësi. Doemos ka filluar të duket qartë një proces i thellimit të sjelljeve me natyrë individuale, të imponuara jo vetëm nga modulet detyruese të jetës liberale e postmoderne, por dhe si pasojë e shfaqjes së imponimeve të reja determinuese që ndikojnë në thellimin e “artitmetikës” së të Menduarit Individualist.

Të gjitha këto ndryshime sociale janë pasojë direkte e faktit që njerëzit tanë dhe shoqëria shqiptare në tërësi, po binden se në kohën kur rreziqet e shëndetit janë bërë kaq evidente e eminente, është e rëndësishme të mendojmë e sillemi, duke vendosur “parimet e shëndetit” mbi gjithka. Nuk ka dyshim që shumë gjëra do të ndryshojnë, dhe sipas mendimit tim asgjë nuk mund të jetë sikurse ka qënë më parë. Gjëja që ka filluar të duket në sjelljet individuale dhe marrëdhëniet sociale, është padyshim ndryshimi thelbësor i disa parimeve të vjetra në “artin e bashkëjetesës” dhe mënyrës së ndërtimit të lidhjeve sociale. Sepse modeli tradicional i të jetuarit “ngjitur” me njëri tjetrin dhe shoqërinë në emër të socialitetit, humanizmit, kolektivitetit e solidaritetit të dikurshëm gati mekanik, duket se do të tërhiqet, duke i hapur rrugë një modeli të ri social të “bashkëjetesës ndryshe”. Kjo do të thotë se vendin e sjelljes shoqërore dominuese, dhe modelit të dikurshëm supersocial do ta zërë gradualisht një model i ri socialiteti që do të bazohet në mënyrë detyruese në disa “piketa të reja” të orientimit social.

Në këtë situatë ka shumë sfida, paqartësi dhe ide konfuze. Përplasje të njerëzve që janë të shqetësuar nga këto ndryshime thelbësore të sistemit të vlerave sociale, mënyrave të sjelljes individuale, duke u trembur nga thellimi i detyruar i procesit të sjelljes gjithnjë e më shumë të kujdesshme dhe të individualizuar. Edhe pse në koherencë me natyrën e këtij modeli demokratik e turbokapitalist, njerëzit që kanë në ontologjinë dhe AND e tyre prirjet e zgjeruara sociologjizante e supersociale, nuk duan ta kuptojnë se sjellja e kujdeshme, mbrojtja nga “tjetri” dhe kontaktet e panevojshme me të ‘tjerët”, jo vetëm nuk kanë gjë të keqe, por përkundrazi janë një “modus Vivendi” dhe “modus operandi”, një reagim social tejet i shëndetshëm.

Nuk ka pse tronditemi si shoqëri nga ndryshimet që duhen bërë, në emër të dominimit dhe triumfit të parimeve të shëndetit mbi disa module sociale  të “ndryshkura”, të abadonuara nga koha që jetojmë. Covid -19 është një sinjal i fortë jo vetëm medical, por dhe social, që kërkon në mënyrë imperative të reflektojmë, të mos “ngulim këmbë në ajër”, duke penguar apo mos pranuar procesin progresiv të shpërbërjes së disa paradigmave arkaike të “socialitetit tradicional” ballkanik. Koha e kërkon kujdesin e lidhjeve dhe ndërvartësive sociale. Sidomos ndryshimin e thelbit dhe mënyrave të shfaqjes së tyre në jetën aktuale, gjatë dhe pas pandemisë së Covid- 19. Duket  shqetësues për disa thirrja për më shumë izolim social, hollim e zbehje të socalitetit dhe lidhjeve sociale të tepërta e të panevojshme.

Nëse i shikojmë me optikën e vjetër të humanizmit, kolektivizmit dhe sjelljes sociale tradicionale me “tutkall të fortë” social, ashtu të duket. Por Covid -19, mbase edhe sëmundjet e tjera që mund ta bashkëshoqërojnë atë, na kanë bërë të ndërgjegjshëm për një tolerance koherente, mendje të hapur, për të pranuar sfidën detyruese të përballjes së pashmangshme me rreziqet e diagnozës së Covid -19, e cila në thelb kërkon në mënyrë detyruese një model të re të jetës dhe sjelljes sociale. Që në thelb është ca individualist dhe që shfaqet më shumë se asnjëherë tjetër si sjellje e detyruar “vetmitare”.

Murit nuk mund ti bihet me kokë. Shoqëria jonë dhe njerëzit tanë janë qënie të arsyeshme, me aftësi adekuate të reflektimit social. Kjo do të thotë se ajo që na kërkohet sot, është të bëjmë llogari të sakta sociale dhe individuale, të kujdesshme e me përgjegjësi për pasojat që sjell kokëfortësia individuale, mendjemadhësia  sociale, sjellja private e publike e pakujdesshme.