Gentian Çala: Goditja shkatërruese ndaj Ramës

352
Sigal

Nga Gentian Çala

Rama duke bërë Yes Man-in ndaj qarqeve të caktuara ndërkombëtare të përfshira në një zgjidhje shqiptaro-serbe, kishte menduar se kjo do ti shërbente si mundësi për ti zgjatur pushtetin vetes. Deri diku kjo i funksionoi. I gjendur në skemën Thaçi-Vuçiç, Rama do të kishte rolin e tij, por e gjitha mori një kthesë para disa ditëve me pengimin e Thaçit për të udhëtuar drejt Uashingtonit. Dje, foli në media një nga njerëzit kyç të kësaj historie, ish-Këshilltari i Sigurisë të Presidentit Trump, Z.Bolton, duke i faturuar dy Presidentëve, të Kosovës dhe të Serbisë, idenë e shkëmbimit të territoreve.

Kjo do të ishte goditja shkatërruese për Ramën. Ai që nuk e pranoi kurrë publikisht idenë, duket se ka gënjyer qytetarët dhe bashkëatdhetarët e tij për diçka kaq sensitive. Nuk ka dyshim se ai ka ditur gjithçka që në fillim dhe ka qenë i përfshirë. Ai është në mes të ciklonit diplomatik që krijon një ngjarje e tillë, ku nuk është në pyetje vetëm zgjidhja e një konflikti të vjetër rajonal, por siguria në Ballkan dhe më gjerë. Kjo shkatërron përfundimisht ëndrrën e Ramës për një mandat tjetër dhe “gojët e liga” thonë se kjo e ka dëshpëruar tej mase KM-në. Ai kishte plot andralla të brendëshme të krijuara nga keqqeverisja dhe autoritarizmi i tij, të cilat mendonte se mund ti tejkalonte duke u mbështetur te qarqe të caktuara ndërkombëtare.

Rama na del sërisht thjesht një pazarxhi pa skrupull, i cili kur vjen puna për pushtetin e tij nuk kursen asgjë. Mungesa e transparencës lidhur me çështjet e rëndësishme kombëtare duket më shumë se thjesht një gabim, është një faj i rëndë. Rama nuk do të shpjegohet për përfshirjen e tij, së paku për aq kohë sa do të jetë në pushtet, madje pêr të kompensuar këtë ai do të veshë petkun e patriotit, e cila nuk i rri aspak mirë. Ai nuk do të mundet ta rikuperojë përfshirjen dhe angazhimin e tij në këtë histori. Rama e ngarkoi prapë kurrizin e tij dhe në diplomaci mund të themi se ai dështoi si me fqinjët, në planin rajonal, ashtu edhe në procesin integrues.

Ish-Këshilltari Bolton deklaroi diçka që e mendonim prej shumë kohësh. Asgjë befasuese për ne lidhur me Ramën, ai mbeti njeriu i skandaleve që nuk u bë dot kurrë një shqiptar i devotshëm.