Genc Ruli, njeriu i aferave dhe pazareve që zgjedh listën e PD-së

349
Sigal

Kaosi që që ka shpërthyer këto ditë në ambientin e opozitës për vendimet e të ashtuquajturit “Komisioni Ruli” në lidhje me eliminime dhe kandidime të mjaft emrave të njohur në PD, realisht ishte diçka e pritshme.

Kjo për arsye, të vetë profilit të njeriut që u thirr të drejtojë një proces, i cili kërkon integritet, paanshmëri dhe shmangie nga skemat e intrigat e pushtetit.

Ishte e pritshme, pasi e gjithë jeta politike e Genc Rulit është një përvijim apo mbizotërim i intrigës dhe pazareve politike.

Por, ajo që është më e rëndësishme është pikërisht aspekti i besimit apo perceptimit publik ndaj figurës së Genc Rulit që është njeriu omnipotent i komisionit, që heq e vë njerëz në karrierën politike të opozitës.

E ky besim vjen pikërisht prej karrierës së vetë Rulit që prej 30 vjetësh në politikën shqiptare, që ka qenë më shumë me hije sesa me dritë.

Ai, gjatë karrierës së tij politike të gjatë, është aktivizuar gjithmonë vetëm kur i është dhënë një post i lartë qeverisës, përndryshe është larguar menjëherë dhe nuk ka pranuar një rol të dorës së dytë apo të politikës përfaqësuese. Pra, një tipik njeri i establishmentit.

Ruli, përfaqëson edhe zyrtarin e parë të lartë që është hetuar nga Prokuroria dhe që i është kërkuar t’i heqë imunitetin në Parlament për të ashtuquajturën “Aferë të Drurit të Arrës”. Por Ruli, u mbrojt nga pushteti dhe nuk shkoi në Prokurori, pasi arriti që të bindë deputetët e PD-së që të mos e çojnë për hetim, duke kërcënuar që edhe ai do të hapë “Kutinë e Pandorës”.

Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 1994, kur genc Ruli ishte Superministër i Financave dhe Ekonomisë. Pasi u largua nga ky post në vitin 1996, i pasuar nga Ridvan Bode, Ruli lë PD-në dhe bëhet një kundërshtar politik i saj. Në fillim formon një parti së bashku me të larguarit, por më pas me një OJF lotuese, punon me qeverinë e Fatos Nanos, duke thithur fonde e mjete, si pasojë e kritikave që i bënte herë pas herë Berishës.

Ky i fundit, në vitin 2005 e afron sërish në PD, duke i dhënë si shkëmbim Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës, dikaster nga më të “majmët” e qeverisë.

Në krye të këtij dikasteri Ruli qëndron komplet mandatin e parë të qeverisë “Berisha”.

Është pikërisht njeriu që ka nisur privatizimin e OSHE-së tek kompania ceke: CEZ. Pikërisht për këtë proces, Ruli është denoncuar në Prokurori nga ministri i Energjitikës në vitin 2013, Damian Gjiknuri. Po ashtu, Rulin e kanë denoncuar në Prokurori edhe Komisioneri i posaçëm hetimor i Kuvendit për çështjen CEZ-DIA.

Gjithashtu, Ruli është akuzuar zyrtarisht nga opozita e atëhershme që çoi edhe letrat në prokurori, pasi në korrik 2009 favorizoi një kompani që operonte në Bulqizë, duke i falur borxhet, me anë të një vendimi që suprimonte Kuvendin dhe Ministrinë e Financave.

E pikërisht në periudhën tranzitore pas zgjedhjeve të qershorit 2009 deri në krijimin e qeverisë së re, Ruli firmosi një numër të madh konçensionesh e kontratash të dyshimta.

I ndjeri Dritan Prifti, i cili e pasoi Rulin si ministër i Energjisë, ngriti një grup auditimi, i cili arriti në përfundimin se kishte shkelje të shumta. Dokumentin, Prifti ja dorëzoi kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, i cili e la në sirtar “pezull” pa e shqyrtuar.

Ministri i atëhershëm i Ekonomisë dhe Energjitikës u akuzua edhe për aferën e ekspozitës “Shqipëria Sot” ku largoi nga ambientet Top Channel që kishte disa studio atje dhe e shiti truallin për t’u kthyer më pas një terren për të ngritur pallat.

Në mandatin e dytë të qeverisë “Berisha”, ku PD qeverisi me LSI-në, kryeministri emëroi Rulin sërish ministër, nga droja se do të  largohej nga Partia Demokratike, siç kishte bërë në të shkuarën. Ai ishte deputet dhe vota e çdo parlamentari atëherë ishte shumë e rëndësishme pasi si PD si PS ishin gati-gati në barazim.

Por, edhe në krye të ministrisë së Bujqësisë Ruli nuk mbeti pa “gjë”. Ndaj tij pati mjaft akuza sidomos nga opozita dhe mediat. Një nga më të “famshmet” ishte pagesa prej 400 mijë dollarësh vetëm për reklama, ndërkohë që situata e bujqësisë ishte e dobët e bujqit nuk merrnin subvencionet që kishte vendosur qeveria.

E ishin pikërisht këto akuza ndaj Rulit dhe shokëve të tij në qeveri që shkaktuan edhe tërmetin e zgjedhjeve të vitit 2013, ku PD arriti një nga humbjet më të mëdha në historinë e saj.

Si pasojë e logjikës së pastrimit të PD-së nga ish-ministrat Lulzim Basha, nuk e kandidoi Genc Rulin në zgjedhjet e vitit 2017. Dhe ky i fundit e sulmoi kreun e PD-së më egër se kushdo prej të larguarve.

“Ju them atyre që që ende e duan PD, e jo që ende ju duhet PD, në qoftë se ai nuk jep dorëheqjen vetë deri nesër, shkoni te selia e PD dhe përzini atë, gruan e kunatin, siç përzuri Jezusi tregtaret nga Tempulli”, tha Ruli në qershorin e vitit 2017.

Që prej asaj kohe nuk “puthi” më në selinë, veç një ditë kur Lulzim Basha e thirri që të drejtojë një komision për t’i hequr atij “telashet” e skarcimit të njerëzve që duan të bëhen deputetë.

Vërtetë ai nuk ka pranuar të kandidojë për deputet në këto zgjedhje, pasi Basha, i ka premtuar se do ta kandidojë për President të Republikës, sapo t’i mbarojë mandati Ilir Metës. Normal, ndryshe ministri më jetëgjatë në PD do të ishte sipas të gjitha gjasave kolegu i Topallit në partinë e re….