VOA/ Institucionet kryesore në Shqipëri po humbin integritetin ligjor

262
Sigal

Në Tiranë, qarqet politike iu kthyen polemikave për reformën zgjedhore. Presidenti Meta i kërkoi një Opinion Urgjent Komisionit të Venecias për ndryshimet që parlamenti i bëri Kodit Zgjedhor. Komisioneri Europian për Zgjerimin Varheli, bëri thirrje që parlamenti të presë këshillat e Komisionit të Venecias para se të rivotojë Kodin Zgjedhor. Vëzhgues të jetës politike pohojnë se shumica socialiste po përcjell me arrogancë çdo kritikë të faktorëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë, duke e shtyrë vendin drejt një përplasje të re politike. Presidenti i Republikës, Ilir Meta ktheu në parlament ndryshimet e Kodit Zgjedhor, ndërsa sot publikoi kërkesën për një Opinion Urgjent Komisionit të Venecias, nisur javën e shkuar. Zoti Meta tha se ndryshimet e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor ishin të njëanshme dhe të përshpejtuara, nga një parlament i kontestuar, ndaj iu drejtua Komisionit të Venecias me një seri prej 8 pyetjesh, ku kërkon një rrugëdalje për të shmangur, siç shprehet ai, një krizë të re zgjedhore dhe politike. “Është bërë një punë shumë e përgjegjshme si nga stafi i presidentit edhe nga ekspertët ndërkombëtarë, të shqetësuar për shkeljen brutale të marrëveshjes së 5 qershorit. Megjithatë secili mban përgjegjësi për aktet dhe vendimet e veta.

Mazhoranca shqiptare vuan nga sëmundja: nevoja për të ruajtur patjetër pushtetin dhe për të fituar sa më shumë privilegje elektorale në garën e ardhshme zgjedhore përmes ligjeve dhe mjeteve të tjera që ofron pushteti

Aktet dhe vendimet e presidentit të Republikës janë si përherë transparente dhe në interes të gjithë popullit shqiptar, stabilitetit politik në vend, të ardhmes europiane të Shqipërisë” – tha zoti Meta. I menjëhershëm ishte reagimi i komisionerit europian për zgjerimin, Oliver Varheli, i cili sapo u mbyll konferenca e presidentit, shkroi në mesazhin e tij përmes rrjeteve sociale, se “Komisioni i Venecias do të sigurojë këshilla të shpejta për palët e interesuara shqiptare mbi zbatimin e Ndryshimeve Kushtetuese të 30 korrikut”.  Reagimin e Komisionerit Europian për Zgjerimin, e mirëpriti Kryetari i PD, Lulzim Basha, i tha se ndryshimet e njënashme të Kodit Zgjedhor ishin një goditje e rëndë ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për t’u integruar në BE dhe për të mbajtur zgjedhje të lira e drejta. Ndërsa kryeministri Rama shkroi në rrjetet sociale se “Mendimi i Venecias është gjithnjë i mirëseardhur, por për një ligj të votuar dhe të refuzuar nga Presidenti, procedura është e qartë: Refuzimi i Presidentit pranohet ose rrëzohet nga parlamenti. Parlamenti do të rishprehet pa humbur asnjë ditë”. Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, thotë se kthimi në parlament për ridiskutim i Kodit Zgjedhor nga Presidenti Meta është një shans i mirë që palët politike të gjejnë mjete dhe rrugë të përbashkëta për të arritur një reform sa më konsensuale, si e kërkuan BE dhe OSBE-ja. “Maxhoranca shqiptare vuan nga sëmundja e njëjtë e gjithë maxhorancave në fund të mandatit të dytë: nevoja për të ruajtur patjetër pushtetin dhe për të fituar sa më shumë privilegje elektorale në garën e ardhshme zgjedhore përmes ligjeve dhe mjeteve të tjera që ofron pushteti.

Mazhoranca aktuale ka një ndjenjë të dukshme arrogance ndaj faktorit ndërkombëtar, ndaj kritikave të brendshme, ndaj institucioneve, duke e shtyrë vendin gati gati drejt një përplasjeje të re politike    

Maxhoranca aktuale ka një ndjenjë të dukshme arrogance ndaj faktorit ndërkombëtar, ndaj kritikave të brendshme, ndaj institucioneve, duke e shtyrë vendin gati gati drejt një përplasjeje të re politike” – thotë zoti Krasniqi dhe shton se institucionet kryesore të Shqipërisë po humbin integritetin dhe rolin e tyre ligjor në këtë betejë parazgjedhore, duke rënë peng i axhendave personale të drejtuesve të tyre. “Në këto rrethana nuk pritet që parlamenti të reflektojë, për sa kohë që brenda maxhorancës nuk ka asnjë zë kundër. Gjithë deputetët dhe figurat liberale politike në kët parti janë duke u munduar të siguruar mandat të ri parlamentar në një garë të brendshme. Për sa kohë nuk ka një debat publik dhe një reflektim në lidhje me kriteret e përcaktuara nga Bundestagu dhe nga Bashkimi Europian në raport me Shqipërinë, në këto kushte pritet që jeta politike në Shqipëri të agravohet dhe ne të shkojmë në fushatën e ardhshme zgjedhore në një klimë krejt tjetër nga ajo që ka nevojë vërtet Shqipëria” – tha zoti Krasniqi.