Frank Shkreli: Fletërrufeja kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt

73

Nga Frank Shkreli

Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Miqtë e mi mos u shqetësoni shumë me shkrimin e ditëve të fundit të Auron Tares për Ernest Koliqin dhe Martin Camajn.  Pikësëpari, aty nuk ka asgjë të re që nuk e kemi ditur më parë mbi veprimtarinë e këtyre dy shkrimtarëve të njohur shqiptarë në megrim, por edhe të tjerëve më pak të rëndësishëm, të akuzuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës si tradhëtarë dhe kolaboracionistë, gjatë Luftës së dytë Botërore dhe menjëherë pas Luftës II, si dhe gjatë luftës së ftohtë, 1945-90. As rruga drejt zyrave ku Tare thotë se i ka “zbuluar” dokumentet, nuk është aq e panjohur për të tjerë individë të interesuar për atë periudhë, ashtu siç nuk janë të panjohur edhe dokumentet nga të cilat ai pretendon se ka nxjerrë informacionin.  Gjithashtu, në këtë shkrim, nuk ka asgjë të re mbi veprimtarinë e tyre në periudhën për të cilën bëhet fjalë e që vetë Koliqi dhe Camaj, nuk e kanë bërë të njohur kur ata ishin gjallë, të dhëna këto, disa prej të cilave janë edhe pjesë e biografisë së tyre. Unë kam qenë me fat se kam njohur dhe jam takuar dhe biseduar me Ernest Koliqin disa here, gjatë qëndrimit tim si refugjat politik në Romë në vitet 1969-1970, dhe me Martin Camajn kam qenë në komunikim. Asnjëri, as tjetri, kurrë nuk kanë mohuar asgjë nga veprimtaria e tyre publike ose zyrtare, përfshirë bashkëpunimin me agjencitë perendimore për të rrëzuar regjimin komunist të Enver Hoxhës. Kështuqë, shkrimi “Dritëhije në histori”, megjithë pretendimet e autorit Tare dhe të botuesit, “studimi” në fjalë, nuk është as i rrallë, as origjinal. Janë shkruar libra dhe artikuj sa të duash në lidhje me këto ngjarje dhe me atë periudhë, si dhe mbi rolin e diasporës shqiptare, në përgjithësi, në përpjekjet e saj për të rrëzuar regjimin komunist të Enver Hoxhës. Ata që nuk kanë hequr gjë nga ai regjim, siç mund të jetë Auron Tare dhe ndonjë tjetër përkrahës i ideve të tij, mendojeni veten duke jetuar në Itali, në Europë ose në Amerikë, në periudhën për të cilën bëhet fjalë, duke ditur se si pasojë e arratisjes tënde për të shpëtuar jetën nga vdekja e sigurt në dorë të regjimit komunist, Enver Hoxha kishte burgosur, dënuar, madje edhe me vdekje, ose dërguar në kampe përqëndrimi të afërmit tuaj, vetëm e vetëm, se nuk pajtoheshin me atë regjim. Nuk do punonit ju me perëndimorët për të rrëzuar atë regjim, duke i ditur krimet e tij kundër popullit të vet dhe familjeve tuaja, për të bashkëpunuar, pikërisht, me këta perëndimorë, të cilët sot i konsiderojmë si aleatët më të ngushtë të Kombit shqiptar?

Këto punë duhen shikuar pak edhe në kontekstin historik të kohës. E vërteta është se ajo ishte një periudhë e luftës së ftohtë, kur agjencitë perëndimore ishin të angazhuara, jo vetëm me diasporën shqiptare, por me të gjitha diasporat, sidomos në Shtetet e Bashkuara, nga vendet komuniste lindore, në përpjekje për të rrëzuar regjimet komuniste në Europën Lindore, të instaluara dhe të kontrolluara nga komunizmi ndërkombëtar. Duke lexuar shkrimin në fjalë, m’u kujtuan programet e Radio Tiranës, në atë kohë, kur fliste për “tradhëtinë” dhe për “kolaboracionizmin” e tradhëtarëve të kombit: Koliqit, Fishtës, klerit katolik e shumë intelektualëve të tjerë shqiptarë të larguar nga Atdheu, për të cilët Auron Tare “zbulon” të “fshehtat” në shkrimin e tij të ditëve të fundit.  Ky artikull i gjatë, i cili pasi është prej disa faqesh, nuk mund të konsiderohet ndoshta si fletërrufe tradicionale e kohës së komunizmit, por për nga mesazhi definitisht është si dikur, në frymën e “një goditje të shfaqjeve të huaja”, kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt, por, fatkeqësisht, ndodh  jo në kulmin e luftës së ftohtë, por në kohën e sotme nën rrethana krejt ndryshe nga koha e komunizmit, në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s, e kësaj organizate  “imperialiste” ushtarake e botës perëndimore, që strehoi kundërshtarët e komunizmit, si Koliqët edhe Camajt e botës shqiptare, për t’i shpëtuar nga komunizmi, ndërkohë që pretendohet se Shqipëria është një demokraci me synime për anëtarësim në Bashkimin Europian. Intelektualët shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në diasporë, si Auron Tare me shokë, ose janë të konfuzuar moralisht dhe intelektualisht, ose janë të djallëzuar në pikëpamjet e tyre. Botimi i shkrimeve të tilla, siç duket në vijim, pasi botuesi premton pjesën e dytë së shpejti, duket gati si një masë deshpëruese për të justifikuar të kaluarën enveriste dhe krimet e saj duke krahasuar xhelatin me viktimën, regjimin enverist vrarës e kriminal, me kundërshtarët politikë të atij regjimi që bridhnin rrugëve të botës, pa shpresë dhe pa perspektivë. Më thoni zotërinj të ndershëm, nëqoftëse ju ka mbetur sadopak ndershmëri intelektuale, kush kishte të drejtë për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar: Enver Hoxha me regjimin dhe mbështetësit e tij apo intelektualët me prirje dhe edukatë perëndimore, siç ishin kundërshtarët e atij regjimi, Profesorët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj? Mua nuk më shqetëson aspak “studimi” i Auron Tares, sepse ky shkrim -fletërrufe nuk mund të dëmtojë hiç asnjërin prej këtyre personaliteteve të letrave shqipe.  Po të mund të bëhej një gjë e tillë, do e kishte bërë Enver Hoxha për 50-vjet, por as ai nuk ia doli dhe nuk do ia dalin as Auron Taret me shokë. Veprat e Koliqit, Camajt e Fishtës janë të përjetëshme, madje sa më shumë baltë të mundoheni të hidhni kundër tyre, aq më e fortë bëhet mbështetja për ta dhe për veprat e tyre. Por gjëja që duhet të shqetësojë çdo shqiptar anë e mbanë trojeve tona dhe në diasporë,  është ajo që vihet re, si një përpjekje e hapur aktuale në Shqipëri,  madje edhe në qarqet intelektuale, akademike dhe mediatike, për të krahasuar xhelatin me viktimën, me qëllim për të justifikuar krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, ndaj kundërshtarëve të tij, me pretendimin se të gjithë kundërshtarët e atij regjimi ishin tradhëtarë, siç ishin anti-komunistët Koliqi e Camaj, kolaboracionistë me pushtuesit dhe si të tillë meritojnë që të fshihen nga historia dhe të denigrohen, ose të pakën kontributi i tyre të minimizohet. Ernest Koliqin, ashtu siç e njoha megjithëse për një kohë të shkurtër, nuk do të shqetësohej për shkrimin e Tares.  Përkundrazi do kënaqej prej gazit duke qeshur me zë, i vetëdijshëm për efektet pozitive afatgjata të punës së tij të palodhshme dhe veprës së tij patriotike, në dobi të Kombit të vet,  por edhe i lënduar, për mosnjohjen e këtij kontributi nga bashkatdhetarët e vet.  Në një letër që Koliqi i ka dërguar mikut të vet, Karl Gurakuqit më 3 dhjetor, 1960, për të shënuar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, i shpreh këto ndjenja: “Karl i dashtun, të falemnderit për fjalët që më drejton me rasën e 28 Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar. Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes, ka me u njoftë si tharm rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi. Unë, dhe shpresoj të gjithë ata “dashamirës të paktë” të tij, të cilëve iu referohej Koliqi në letrën dërguar mikut të tij Karl Gurakuqit, 60-vjetë më parë, e kujtojmë sot këtë burrë të madh të Kombit, me bindje të plotë se vepra e tij patriotike dhe e bashkëpunëtorëve të tij në Kosovë në vitet 1941-1944, ka shërbyer gjatë dekadave të vështira që pasuan, jo vetëm në Kosovë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare pas Luftës II Botërore,  si “tharm rilindjeje” që çoi, më në fund, në atë që sot e njohim si Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik. Në bashkëpunim me aleatët më të mirë të Kombit shqiptar, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qëllimi i Koliqit dhe Camajt ishte, “me hy në valle me popuj të tjerë jo si europianë të mbrapambetur e të denjë për muze, por si nji Komb që ndien thellësisht nevojën e naltësimit moral e shoqnuer dhe që ka në mendje e në zemër të vet mundësitë me u ngjitë në shkallë e me u vu në radhë qytetënore baras me shokë”, pa kërkuar asgjë për veten.  Ndryshe nga “auron taret” e botës shqiptare, ky është Ernest Koliqi që dua të kujtoj unë sot dhe gjithmonë, por edhe Martin Camajn, bashkëpunëtorin e tij të ngushtë në zhvillimin shpirtëror të popullit shqiptar, gjatë atyre ditëve dhe viteve të gjata në mërgim.