Feti Zeneli: Basha përballë politikës së “çekiçit”

993
Sigal

Një ndër 10 psikologët më të cituar të shekullit të kaluar, amerikani Abraham Maslou, shprehjen: “nëse mjeti juaj i vetëm është çekiçi, keni tendencën ta shihni çdo problem si një gozhdë”, e formuloi për të theksuar rëndësinë e teorisë së përqëndrimit në cilësitë pozitive të njerëzve, në krahasim me trajtimin e tyre si një “thes i simptomave”.

Zhvillimet politike të këtyre 6 viteve të fundit, ku Partia Demokratike dhe lideri i saj Lulzim Basha nuk kanë patur mundësi të bëjnë opozitë normale, por luftë për mbrojtjen e demokracisë dhe pluralizmit në Shqipëri, më sollën ndërmend shprehjen që citova nga psikologu amerikan, pasi “Rilindja” dhe kreu i saj, demokracinë dhe institucionet publike po i nxjerrin nga “thesi i simptomave” duke ua paraqitur shqiptarëve si vlera pozitive. Mbi bazën e një këndvështrimi të tillë kriminelëve me tesër partie dhe atyre me lidhje shoqërie me ta u është garantuar mbrotja dhe bashkëpunimi total i ligjit. Ndërkohë që u është krijuar çdo mundësi të bëjnë para me thasë, atyre u është garantuar nga ana tjetër, se do t’i gëzojnë paratë e pasuritë të vëna në rrugë të paligjshme, mjafton të financojnë konsolidimin e “pushtetit të përfituesve”, siç e kosideronte Durant.

Përballë politikës, që si mjet të vetëm ka “çekiçin”, dhe çdo problem e trajton si “gozhdë”, ndodhet Lulzim Basha dhe opozita e bashkuar, që po sakrifikojnë veten për t’u treguar njerëzve të thjeshtë të këtij vendi gjithçka që politikanët e “thesit të simptomave” duan t’ua fshehin, duke u maskuar me demagogjinë e interesit kombëtar dhe drejtësisë për të gjithë. Kur Basha e pa që në Parlament nuk mund të bëhej politikë me programe ekonomike dhe reforma demokratike, me instiktin e një lideri, që i kupton siç duhet rrethanat e jashtëzakonshme, në të cilët është thirrur të drejtoj një komb, “dogji mandatet” dhe u bë njësh me qytetarët, për t’mos përdorur mjete makiaveliste pushteti.

Megjithëse shumë gjëra janë thënë shumë herë publikisht, përsëritja qoftë dhe në mënyrë të përmbledhur e tyre, ngacmon ndërgjegjien njerëzore dhe na bën të reflektojmë. Pa u ndalur tek niveli dramatik i treguesve të ndryshëm social-ekonomik, si shtimi i varfërisë, papunësisë, borxhit publik, korrupsionit të shtrirë në të gjitha nivelet e qeverisjes, shpërdorimi dhe gllabërimi i parasë publike nga PPP-të, mungesa e vestimeve të huaja direkte dhe e investimeve të rëndësishme publike, humbja e shpresës dhe largimi masiv i rinisë jashtë vendit, ngecja “në vend numëro” me procesin e integrimit, paralajmërimi hollandez për rikthimin e regjimit të vizave, etj., etj., goditjen më të fundit shokuese demokracia e mori në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ku Rilindja u refuzua nga 85 për qind e qytetarëve shqiptarë, pa folur këtu që tek ky “15 për qindësh” u mbërrit duke manipuluar e falsifikuar në mënyrë të rëndomt. Edhe këtë herë gjithçka vazhdoi në traditën e turpshme të zgjedhjeve të 2017-ës, ku qeveria e Rilindjes, bazuar në raportet e OSBE-ODIHR bleu “nën dorë”, të paktën 20 për qind të votave qytetare, me paratë e drogës krimit të organizuar. Kjo bëri, që para 2 vitesh, në “Zis”-in e saj ilegjitim, “m’u në mes të ditës” dhe në sytë e ndërkombëtarëve, të ngarkoheshin të gjithë institucionet e pavaruara dhe mbetjet e reformimit të tyre, përfshi dhe ato të dala nga e ashtuquajtuara Reformë në Drejtësi, për të shmangur përfundimisht rrugën perëndimore të demokracisë dhe për t’u futur tinëzisht në rrugën e instalimit të autokracisë Erdogan-ore. Nëse perifrazojmë De Gol-in, siç ndodh rëndom në raste të tilla, rilindasit “…u bënë zotër duke pozuar si shërbëtorë” të qytetarëve.

Por, po të mos ishte opozita denoncuese, largpamëse dhe këmbëngulëse sipas standardeve perëndimore e Bashës, pjesa dërrmuese e shqiptarëve, më shumë se sa syve, do vazhdonin t’u besonin ende veshëve të tyre, madje njerit vesh, atij të majtë. Basha e nisi këtë rrugëtim të vështirë ndërkohë, që jo vetëm trashëgoi një PD të “rrahur” me “një milion shuplaka” majtiste në zgjedhjet e 2013-ës, por që nuk kishte mundësi të “hakmerrej” as në Parlament, pasi çdo deputet demokrat kishte përballë 2 kundështarë, 20 për qind e të cilëve nga radhët banditëve dhe kriminelëve, shumica “me damkë” europiane, të cilët të agresonin jo vetëm verbalisht, por edhe fizikisht në ambientet e “Tepullit të Demokracisë”.

30032-22

Ndërkohë, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi po terrorizoheshin, ndoshta dhe me synimin djallëzor për ndrydhur mundësitë e jashtëzakonshme demokratike të opozitës për të reaguar. Në biseda të zakonshme familjare apo shoqërore nuk flitej më për “të fortin e lagjes” po për “të fortin e pushtetit”, që u shndërrua në një supermen të vërtetë sapo krah tij u rreshtuan të gjithë ndërkombëtarët, pa dallim gjinie, moshe apo kombësie. Pastaj këshillimi ndërkombëtar i tipit “buono per Albania” mori në dorë frenat e Reformës në Drejtësi për të ngarkuar si hedhurinë në “Zis”-in e “Rilindjes”; Gjykatën Kushtetuese, Prokurorinë e Përgjithëshme, Gjykatën e Lartë, atë të Apelit, e kështu me radhë. Në fillim të këtij viti, ashtu siç denoncoi këto ditë edhe Presidenti Meta, po bëheshin përgatitje të ethëshme nga krerët e mazhorancës, që për “skrap” të dërgohej edhe Opozita, i vetmi institucion “i pareformuar” sipas metodave Soros-iane, në mënyrë që të mbyllej përfundimisht kapitulli i zgjimit të “mundësive të jashtëzakonshme” qytetare në Shqipëri. Kreu demokrat e nuhati në kohë këtë kurth të ri dhe rrugëzgjidhjen “e jashtëzakonshme” e kërkoi tek njerëzit e zakonshëm; pra tek demokratët dhe opozitarët e tjerë të regjimit autokratik të “Rilindjes”, që i thirri në protestën e 16 shkurtit. Ishte pikërisht pjesmarrja e lartë e njerëzve në këtë protest, që ofroi si rrugëzgjidhje djegjen e mandateve dhe braktisjen e Parlamentit nga opozita e bashkuar, për të vijuar protestat qytetare, si e vetmja mundësi reale për të stopuar revanshin antidemokratik të mazhorancës aktuale dhe për të rikthyer në jetën politiko-shoqërore të vendit tonë, mekanizmin balancues të votës së lirë, i cili qëndron në themelin e çdo pushteti demokratik.

Me guxim, vendosmëri dhe vizion lideri, ai arriti t’i jap këto 6 vite në opozitë, “rendin e ditës” politikës dhe shoqërisë shqiptare, pavarësisht makinacioneve, rezistencës dhe përdorimit të forcës së kartonit parlamentar nga mazhoranca e majtë. I tillë besoj do të jetë “rendi i ditës” edhe për datën 8 korrik…