KRYEMINISTËR DO TË THOTË, TË JESH SERIOZ NË GJITHÇKA

586
Sigal

Prof. Dr. Zamira Çavo

Të jesh kryeministër, do të thotë të jesh serioz në gjithçka

Sapo pashë një video që kryeministri im e ka shpërndarë sot. Një vidio humoristike që kërkon të bëjë qesharakë dy liderët e opozitës. Jo, se këta të fundit nuk janë bërë karagjozë me sjelljet e tyre infantile e shpesh qesharake, por nuk po u besoja syve, që kryeministri rri e poston video të kësaj natyre. Dikush do të thotë se, edhe ai Njeri është. Sigurisht është njeri, si ne të gjithë, por ai është Kryeminsitër, është Lideri im, lideri ynë me të cilin ne përfaqësohemi edhe në botë. Një kryeministër që e shikon “luftën” politike si humor dhe popullin si bagëti apo si një tufë çiliminjsh që gajasen së qeshuri, nuk ka ç’të më krijojë Besim për të ardhme time.
E dini? Një lider karakterizohet në rradhë të parë nga serioziteti. Dhe kur them, seriozitet nuk e kam fjalën për kërcitje dhëmbësh e grushtash në tavolinë, as për arrogancë e fyerje të bashkëpunuesve të tij. Seriozitet, do të thotë të zgjedhësh ekipin që të përfaqëson e, nga i cili varet suksesi i liderit. Të jesh serioz do të thotë të mbash përgjegjësi për çdo fjalë që thua e për çdo veprim që bën. Të jesh serioz do të thotë të jesh i vëmendshëm ndaj interesave të popullit e të vendit. Të jesh serioz do të thotë të përkushtohesh maksimalisht për problemet e vendit, që fatkeqësisht tek ne janë shumë të mëdha. Të jesh serioz do të thotë që, edhe në momente të vështira të gjesh forcë për të gjeneruar besim te të tjerët. Çfarë mesazhi më përcjell mua kryeminsitri im kur më fton të shikoj këtë video? A nuk me shtyn që ta marr me humor të gjithë politikën shqiptare? Çfarë domethënie ka kjo? Hajt gajasuni, o njerëz e merruni me këtë, se ne bëjmë “luftë” politike. E teksa njerëzit vërtet mund të gajasen e merren me video të kësaj natyre, politika vazhdon e na rrjepë kurrizin me koncesione të pafundme. Rrini shikoni videot e harroni sa para nga buxheti i xhepave tanë do shkojnë për pak kilometra rrugë, të cilën ne sërish do ta paguajmë dyfish.Dhe dy fjalë për median shqiptare: Po e vrisni këtë popull, çdo ditë me paaftësinë tuaj profesionale, me interesat tuaja meskine e klanore, po e vrisni të ardhmen tuaj e të fëmijëve tuaj! Boll u bëtë shpërndarësi më i madh i gjysmë-të-vërtetave, shpërndarësi i veseve dhe karagjosllëkut politik!