Gentian Çala: Pafytyrësia e Sandër Lleshit dhe policia e shtetit

375
Nga Gentian Çala
Në daljen e parë publike në Nëntor 2018, Ministri i Brendshëm aktual Sandër Lleshaj do të deklaronte se Policia e Shtetit do të kishte fytyrën dhe sjelljen e drejtuesit, pra të tij. Koha do të tregonte se Sandri Ministër do të kthente Policinë e Shtetit në shërbim të Qeverisë dhe se nuk do të linte rast pa e tepruar me përdorimin e forcës. Kuptohet që ai bën gjithmonë atë që i kërkon Rama. I ftohtë në daljet publike, me një karrierë ushtarake, Ministri aktual, e shiti fytyrën e tij duke e kthyer Policinë e Shtetit në mjet represioni mbi qytetarët.
Ngjarjet e ditëve të fundit ku aktorë, qytetarë, politikanë, gazetarë, studentë madje edhe të mitur, nuk janë kursyer nga përdorimi i forcës joproporcionale me rrezikun. Zelli i disa prej tyre, të kujton fytyrën e Sandrit. Tashmë ajo duket më shumë si “policia politike” e regjimit, e gatshme të rrahë dhe të marrë zvarrë protestues paqësor, qytetarë dhe të pafajshëm. Mungesa e kontrollit mbi institucionet dhe një drejtësi e përgjumur, lehtëson abuzimin me përdorimin e forcës, posaçërisht tani që vendi drejtohet me fejsbuk dhe me akte normative.
Depolitizimi i Policisë së Shtetit jo vetëm që nuk kanë ndodhur, por tashmë, Policia e Shtetit po humbet besimin dhe përkrahjen e qytetarëve. Kredibiliteti është dëmtuar nga regjimi i Ramës dhe vendimet e tij. Brenda strukturave të Policisë së Shtetit ka edhe njerëz të ndershëm dhe profesionistë, por zinxhiri i komandimit duket krejtësisht nën urdhrat e Sandrit, ku kjo kategori është nën trysninë e urdhërave që duhen zbatuar edhe në rastet kur ata nuk janë dakord me ato. Ashtu siç ka edhe një kategori “të zellshmësh” të cilët nuk përtojnë të shkelin ligjin duke ushtruar dhunë mbi këdo që u del kundër shefave të tyre dhe regjimit.
Pamjet i keni parë të gjithë dhe besoj se gazi i tepruar, forca joproprcionale, sharjet, arrestimet e paligjshme, goditjet e panevojshme ju kanë bërë përshtypje. Dje dhe sot, e kishte radhën dikush tjetër, nesër mund ta keni ju. Ndaj duhet të reagoni që kjo të mos ndodhë!
Sigal