ANALIZA/ Prof. Dr. Arben Malaj: Vetëm një Evropë solidare do ta ruajë dhe përmbushë misionin e saj në sfidat ekonomike dhe politike

1550
Sigal

Vetëm një Evropë solidare mund ta ruajë dhe përmbushë misionin e saj

Macron, Presidenti i Francës

“Sot duhet të hapim një kapitull të ri, këtë ia kemi borxh Evropës. Evropa dhe në të, çifti gjermano-francez ka detyrimin, që të mos e lërë botën të rrëshqasë në kaos”

Festimet e përvjetorëve të marrëveshjeve të paqes janë momente të veçanta për të kujtuar pasojat e luftërave dhe veçanërisht për të ndier detyrimin për të hequr çdo hije të së kaluarës nga horizonti ynë i së ardhmes. Emigrimi masiv, papunësia, varfëria, pabarazia, tkurrja e klasës së mesme, zbehja dhe tkurrja e kohezionit dhe solidaritet sociale, zhgënjimi dhe pesimizmi janë ushqimet e përditshme ku populistët, radikalët, ekstremistët, ushqehen bollshëm. Avancimi i përkohshëm i tyre nuk vjen nga ideologjitë, politikat apo agjendat respektive, por nga dështimet e BE-së dhe i disa vendeve evropiane disa prej sfidave të së ardhmes. Një faktor jo më pak i rëndësishëm është edhe cilësia e lidershipit kombëtare, evropian dhe globalë. Vizioni, përgjegjësia, vendim-marrja dhe përkushtimi i udhëheqësve që frymëzuan, projektuan, mbështetën dhe zbatuan projektin e BE-së -duket se aktualisht mungojnë. Udhëheqësit evropianë të viteve ’50 që promovuan dhe filluan këtë projekt, vetëm pesë vite pas mbarimit të luftës së dytë botërore, u ulën së bashku fitues dhe humbës të kësaj lufte, me misionin për eliminimin e luftërave, për arritjen e paqes dhe rritjen e prosperitetit.

Ata bënë pajtimin e madh, i cili u çimentuar me dorëzimin në mënyrë vullnetare nga ana e tyre të pjesëve të veçanta të sovranitetit të vendeve të tyre. Nuk ka qenë e lehtë për këta liderë, krijimi i tregut te përbashkët deri drejtë bashkimit ekonomik, doganat midis vendeve të BE u hoqën, doganat u unifikuan për vendet jo-evropiane, u liberalizua lëvizja e mallrave, shërbimeve dhe kapitalit dhe u ndërmorën hapa konkret për të hapjen graduale të tregut të punës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për vendimet e vështira për të krijuar institucionin e vetëm federativ brenda BE-së, që është Banka Qendrore Evropiane, me 19 anëtarë. Liderët evropianë nuk e kishin te lehte të dorëzonin sovranitetin kombëtar në politikat monetare, ata nuk e kishin te lehte te dorëzonin monedhat e tyre kombëtare, që përfaqësojnë simbolet dhe etapat identifikuese të qytetërimit të çdo vendi. Mund të ketë vërejtje ndaj funksionimit të euros dhe eurozonës, por

  • thellimi i bashkimit ekonomik;
  • ulja e risqeve të kurseve të këmbimit dhe
  • ulja e kostos së transaksioneve të këmbimit valutor janë tre nga përfitimet kryesore të biznesit.

Në ekonomi shpesh i referohemi konceptit “trade off” kompromisit mes dy objektivave/dëshirave. Pra, nëse synohet një Evropë më e madhe, duhet të integrohen në BE edhe vende më pak të zhvilluara sesa vendet anëtare. Nëse nuk do të integrohen vendet e varfra, BE do te mbetet më e vogël përball konkurrencës globale që bëhet përherë më e madhe dhe më e ashpër. Eksperienca e deri tanishme e tetë zgjerimeve të BE tregon se në shtatë raste në BE janë anëtarësuar vende më të varfra se vendet anëtare. Fluksi më i madh i këtyre zgjerimeve ka qenë në vitin 2004 ku u anëtarësuan 10 vende të reja nga ish-Evropa Lindore. Ato i kishin të ardhurat për frymë mesatarisht sa 75% e vendeve anëtare. E vërteta është se pas zgjerimeve më vende më të varfra se vendet anëtare BE-ja duket si më e varfër por në fakt ajo është bërë një fuqi më e madhe jo vetëm ekonomike. Po kështu tregu për mallra, shërbimeve, investime fizike dhe financiare i 13 vendeve të reja u bë një mundësi e jashtëzakonshme për eksportet dhe investimet e vendeve të BE-15. Në gjeopolitikën e shekullit të 21 BE-ja rrezikohet nga deficitet e larta demografike, çka rrezikon tkurrjen e saj. Deficiti demografik, mungesat e fuqisë punëtorë janë kërcënime reale më të mëdha se flukset e kontrolluara migratore. Përballë konkurrencës globale BE ka nevojë të rrit produktivitetin e saj, të investoj më shumë në kërkim dhe zhvillim, por ka nevoje për edhe për rritjen e saj nëpërmjet zgjerimit. Vizioni i Churchillit për të krijuar Shtetet e Bashkuara të Evropës tingëllon përherë e më aktual.

Nëse Evropa dëshiron të jetë e fortë duhet të jetë me solidare, çfarë do të thotë se me politika dhe instrumente më efektive së bashku me vendet evropiane ne zhvillim, të zvogëlojnë hendekun jo vetëm të ardhurave midis të vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim brenda saj. BE përballet me krizat në rritje të populistëve, radikalëve, ekstremistëve, ajo ka vetëm një mënyrë për të plotësuar misionin e saj te paqes dhe mirëqenies, jo thjesht duke ri-shpërndarë fonde, por duke rishpërndarë mundësi më të mira zhvillimi për vendet në zhvillim. Është njësoj siç ndodh sot brenda një familje që ndihmohet më i dobëti, brenda një rajoni që ndihmohen zonat më të varfra, brenda një shteti ndihmohen rajonet më të varfra, apo brenda një bashkësi shtetesh në organizimet federative apo unione ku ndihmohen shtetet më pak të zhvilluara. Në të gjitha këto raste ka elemente transferimi nga shtetet më të zhvilluara/më të pasura drejtë shteteve e rajoneve më pak te zhvilluara. Madhësia e kostove për kohezion dhe solidaritet social mund të ulen, zbuten, reduktohen duke u mbështetur tek strategjitë e rritjeve gjithëpërfshirëse dhe një pjesë nga transfertat financiare .Larmia e vizioneve, strategjive, politikave, projekteve, programeve dhe instrumenteve të reduktimit të diferencave të zhvillimit mund të mbështetet tek novacionet. Populistët, radikalët, ekstremistët apo terroristet fitojnë terren te përkohshëm jo për shkak të “avantazheve “ të tyre, por për shkak të dështimeve të udhëheqësve, institucioneve dhe politikave të BE-së, të ushqyera ndjeshëm nga dështimet në vendet e saj anëtare. Një Evropë më solidare mund ta ruaj dhe përmbush misionin e saj të paqes dhe mirëqenies. Një Evropë jo solidare do të mbetet e dobët. Vetëm një Evropë më solidare mund të jetë një Evropë më e fortë ne sfidat e saj ekonomike, politike dhe të mbrojtjes, në nivel evropian dhe globalë.