Sigal

Një gjykim dhe disa çështje…

IZET S.ÇULLI

Jam munduar të njoh jetën e lavdishme të Tre vëllezërve Frashëri, për të cilët kam shkruar disa libra. Nuk jam asfare dakord që figurat dhe personalitetet e një kombi, kushdoqofshin ato, të paraqiten ashtu bardhezi. Secilit t’i nxjerrim në pah si vlerat ashtu edhe mangësitë në shtigjet e ndërliksura të jetës, pra t’i shohim e t’i studiojmë në kompleksitetin e tyre. Kur më së pari mësova p.sh. për jetën dhe sakrificat e panumërta të shqiptarit të madh -Abdyl Frashërit, jam tronditur dhe njëherësh jam ndjerë krenar. Nuk po i përmend sot këtu ato vepra të larta të tij në të mirë të Atdheut, sepse janë paraqitur nëpër studime e libra nga studiues e historianë të mirëfilltë. Këtë nuk do ta bëj as për birin e tij, Mithatin. Jo. po assesi nuk mund të dakordësohem me ndonjërin, kur çështje të tilla politizohen tejskajshmërisht dhe kësisoj s’mund të jesh, as i drejtë dhe as i saktë. Me Mithat Frashërin ndodhi ao që nuk duhej të ndodhte: Ai drejtoi një organizatë, si ajo e Ballit Kombëtar, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore, u vu në shërbim të pushtuesve, gjë që e rëndon shumë pozitën e birit të Frashërlinjve të pavdekshëm. Po nëse ai e bëri këtë se nuk i pëlqente komunizmi, ky nuk është argument bindës.

Po pse Rusvelti dhe Çurçilli i kishin për zemër ideologjinë dhe sistemin komunist, të cilët krijuan koalicionin e madh Antifashit Botëror sovjeto-anglo-amerikan?! Absolutisht jo. Ata dy burrështetas, si dhe me Stalinin komunist, u bashkuan me këtë të fundit, edhe përkohësisht, për të luftuar murtajën fashiste, e cila ishte përhapur si pandemi në një pjesë të madhe të globit. Ja këtë të kishte bërë edhe Mithat Frashëri këtu në Shqipërinë tonë me atë organizatën e tij të Ballit Kombëtar. Dhe kur të ishte përballuar e keqja dhe shporrur nazistofashizmi, atëherë ai le të kishte vazhduar rrugën e vet, sipas bindjeve, ashtu siç bëri mbas asaj Luftës heroike Nacionalçlirimtare të popullit tonë, pra të largohej (sepse paratë nuk i mungonin!). Ai vërtet asokohe s’u bë ndonjëherë ministër gjatë pushtimit fashist, por në qeverinë kuislinge kush i emëronte dhe kush i paraqiste tek të huajt ata, anëtarët e kabinetit me personazhet kukulla, në zyrat e të cilëve, Mithati me siguri hynte e delte lirshëm edhe për shkak të detyrës dhe postit që mbante. Bashkëpunimi i organizatës së mësipërme me armiqtë është vërtetuar nga mendjet e shëndosha e deri-diku të paanshme të huaja e të vendit dhe s’duhet mbrojtur me kokëfortësi një kauzë e dështuar dhe dëmsjellëse. Po të ecësh në këtë rrugë të qorrollisur e të mbrosh atë edhe mbas kaq dekadash, mendoj se je duke shumëfishuar fajin tënd me mendime të mbrapshta e paradoksale. Historia që është kryer, nuk mund të rikthehet, as të përsëritet e aq më pak të korrigjohet…Për sa i përket veprës së tij të disallojshme letrare, ajo as mund të mohohet e as të hidhet poshtë nga askush; por mirë do të ishte që krijuesi i saj të qe konsekuent edhe në përditshmërinë e tijj praktike me atë që shkruan, se ndryshe quhesh moralist që vetëm kllapuris. Problemi tjetër i përket asaj të prehjes së Mithat frashërit në Shqipëri, kjo le të ndodhë për çdocilin, por jo të madhështohet procesi funeral, po të shkohet sipas asaj këngës popullore:

“Jo lart e përmbi re

po ashtu sikundër qe!”

Ne asnjëherë nuk duhet të kalojmë nga skaji në skaj dhe të veprojmë me hiperbolizma e thurje lavdesh, se po të ecet me të këtilla mendësi, siç më tha një beratas këto ditë, ne duhet t’i ngremë shtatore edhe Musolinit, mbasi ai paska investuar tek ne miliarda lireta. Po kështu të veprojmë edhe me Hitlerin, ngase ushtria e tij fashiste nuk paskërka ardhur si pushtuese, por vetëm për të hapur rrugët e kalimit për më tej! Po ç’kërkuan me urë zjarri në dorë nazistët gjermanë b.f. në malësitë me dëborë të Progonatit stoik të Labërisë? Dihet mirë se asohere atje kishte udhishta dhish dhe nuk parashikohej të vinte ndonjë regjiment apo makineri ushtarake në ato vende me rrugë e pa rrugë! Më në fund, shpreh mendimin se një çast apo veprim që kryen në jetë, për mirë, por sidomos për keq, jo rrallë merr rëndësinë e një jete të tërë.