Akademik Artan Fuga: Edi Rama në dilemën e Enverit në 1955-n. Të tijtë e kanë rrëzuar, duke e lënë qirambajtës të godinës së kryemnistrisë

524
Sigal

Edi Rama në dilemën e Enverit në 1955!

Akademik Artan Fuga

Në vitin 1955 ndodh diçka e fortë simbolike. Sovjetikët ftojnë një delegacion qeveritar shqiptar në Moskë. Për rrjedhojë atë do të duhej ta udhëhiqte kryeministri prosovjetik i kohës Mehmet Shehu. Deri këtu nuk dukej ndonjë kurth a gjë e pazakontë. Mirëpo sovjetikët ftojnë edhe Enverin në delegacion jo si sekretar i parë i partisë, por thjesht si anëtar i presidiumit të Kuvendit Popullor. Pra, ai edhe duhej të ishte në delegacion, por edhe nuk mund ta drejtonte delegacionin. Kështu përgjatë vizitës disajavëshe në Bashkimin Sovjetik Enveri duhej të pranonte të ishte poshtë Mehmetit. Për të përballuar sulmin nga jashtë, pra nga sovjetikët, ai pranon të lëshojë vendin e parë dhe të kalojë në rangje më të ulëta në delegacion. Atë e kishin rrëzuar të tijtë! Ku e shoh krahasimin dhe ngjashmërinë me Edin Ramën sot si kryeministër? Edi Rama deri para lëvizjes studentore ishte pushtetari i parë dhe i pakundërshtueshëm, drejtuesi i pakontestuar i aradhes së vet pushtetare! I daroviste të tijtë kur donte, i fyente kur donte, i tallte kur donte, i lëvizte nga postet kur donte! Erdhën revoltat studentore, por ai nuk e kuptoi se ato ishin paralajmërimi i një tërmeti që tashmë e kishte lëvizur shtresën gjeologjike dhe valën e lëkundjes po e sillte mbi tokë. Opozita la mandatet dhe populli nisi të dalë në rrugë. Përpara kërkesës të opozitës për të mos hyrë në zgjedhje pa ikur ai nga froni kryeministror, Edi Rama fillimisht u soll me arrogancë pastaj pak e nga pak e kuptoi se ishte përballë një sulmi serioz. Sikurse Enverin që e çuan bashkë me të tjerët thjesht si anëtar në delegacion, e fyen, e poshtëruan, por titullin e sekretarit të parë nuk ia hoqën! Atyre që e rrëzuan për aq javë sa vazhdoi vizita, nuk u interesonte kjo gjë, i lanë ofiqin, por i rrëmbyen pushtetin! Edhe sot Edi Rama vazhdon të jetë kryeministër, përballë revoltave deklaron se nuk jep dorëheqjen, kurse në kampin e tij as e kanë pyetur fare, sepse tashmë e kanë hequr. Titullin e ofiqit ia kanë lënë, kryeministër i thonë, por në fakt ka tashmë çelësat e kashtës! Përpara disa muajsh Edi Rama krenohej që do ta bënte reformën e plotë në Akademinë e Shkencave, angazhohej publikisht, kurse tani jo vetëm u detyrua të kthehet te ish-ministri i diktaturës për ta bërë kryetar akademie, por edhe i pranoi si engjëj, nga halli, si Çeçua, edhe akademikët që më parë i përbuzte si të paaftë dhe Akademinë si farsë. Madje u detyrua që edhe të bënte sikur nuk e kishte problem që ta dhunonte edhe deputetja e vet Eglantina Gjermeni që bashkë me disa të tjerë bëri siç thonë francezët një “mutinëri” – kryengritje në pallat – duke ia dhunuar Edi Ramës ministren dhe zëvendësministrin e arsimit, duke e detyruar kryeministrin të lëpijë atë që kishte pështyrë, duke u a marrë nga dora variantin ligjor të s. gj. dhe e çuar vetë në Kuvend. Pa ia fërshëllyer fare ekzekutivit dhe Edi Ramës! Çfarë turpërimi i pranuar gjoja duke bërë sikur ishte edhe dëshira e tij, ose duke heshtur. Hesht si Enveri në 1955-n! Edi Rama bën sikur nuk e kupton se e kanë hequr “ujqit” dhe “dhelprat” brenda kampit të vet. Nuk dorëhiqet përpara protestave popullore, por në fakt pranon ta kenë hequr brenda kampit të tij! Është hequr tashmë në tre kuptime.

E para, në kuptimin partiak. Brenda kampit të tij para disa kohësh kishte tri parti që integroheshin dhe mbivendoseshin me njëra tjetrën. Sundonte Rilindja me partinë e 99 e nënçave, pastaj vinte partia e punës dhe në fund Partia Socialiste. Kurse tani e para vjen Partia e Punës, më pas vjen Partia Socialiste që rivalizon me Rilindjen. Gjithsesi kupola drejtuese tani është ajo e vitit 1980 dhe më parë. Kjo u konkretizua në kreun e Akademisë të Shkencave. Brenda kampit qeveritar Rilindja është përmbysur.

E dyta, në planin e statusit pushtetar personal. Edi Rama tani në radhën e drejtuesve shtetërorë realë është, besoj, figura e katërt ose e pestë, ndofta edhe e gjashta ose e shtata. Vjen i pari, AI që ka pushtetin, pastaj vjen kryetari i akademisë së shkencave, më pas vjen dikush që formalisht është nën Ramën, vijnë më poshtë edhe një ose dy ministra dhe në fund dikush që është përzënë nga qeveria, por që në hije ka pushtetin e kërcënimit. Pastaj në radhë më poshtë vjen kryeministri ynë. Shumë më poshtë! Prandaj gjendja është bërë delikate për vendin, sepse ai që ka titullin për të qeverisur është përzënë nga të tijtë me vetë dëshirën e tij, për t’u mbrojtur nga protestat e drejta popullore, kurse ata që e ushtrojnë realisht pushtetin nuk e kanë tagrin për të qenë ushtruesit e tij.

E treta, janë përmbysur funksionet dhe nuk e njeh më “qeni të zonë”. Deputetët janë bërë të pa komandueshëm nga Edi Rama, asnjë prej ministrave tashmë nuk heq dot nga posti, socialistët e vjetër as që duan të dinë për të dhe i bëjnë puçe natën e ditën dhe, madje i dalin edhe me foto andej nga hanë darka e dreka. Kandidati për kryetar bashkie ia mori me hir e me pahir të drejtën e kandidimit, ndonëse flirtonte hapur me kundërshtarët e kryeministrit të tij! E ironizojnë hapur dhe ai bën sikur nuk e kupton lojën e tyre dhe luan ende me postin e kryeministrit pa pushtet. Ata që e kanë rrëzuar e lenë të vuajë duke e lënë të jetë qirambajtësi i ndërtesës të kryeministrisë ku nuk është më pushteti. Kryeministri ynë mbron me policë një ndërtesë ku nuk ka më asgjë. Mbrojtësit e tij, pra ata që e kanë rrëzuar nga pushteti dëshirojnë që opozita ta sulmojë sa më fort kryeministrin e gjorë, sepse sa më i dobët të jetë ai, aq më shumë do të kërkojë ndihmën e tyre, dhe aq më poshtë ata gradualisht do ta radhisin Edi Ramën në hierarkinë e pushtetit. Nga i shtati mund ta radhisin te vendi i dhjetë apo edhe më poshtë sepse në politikë po të rrëshqiti këmba, e pata paralajmëruar vite më parë, as Henri Çili dhe as liberalizmi rural nuk të njeh më për udhëheqës reformash si ato të vitit 1936 (sikurse e ka pas deklaruar në shtyp), lëre pastaj të tjerët. I ka ndodhur një revoltë në anije, e kanë përmbysur, ka rënë viktimë e një “mutinërie”, sikurse thuhet në frëngjisht kur detarët ngrihen në revoltë ndaj kapitenit dhe marrin komandën e anijes! Ministret apo ministrat e hequr bëjnë sikur merren me punë të tjera dhe heshtin duke treguar se e kanë braktisur anijen! Ia bëjnë me isharet opozitës! Çfarë i mbetej të bënte Enverit në 1955-n për ta zgjidhur hallin e tij! Alternativa ta rimerrte pushtetin, t’i qëronte armiqtë e brendshëm, të kthehej te stalinizmi, dhe të izolohej nga e gjithë bota.