Gentian Çala: Vetëm ky po bëri shtet..!?

850
Sigal

Nga Gentian Çala

VETËM KY PO BËRI SHTET..!?

Ithtarët e tij dhe disa naivë, kur donin të thonin diçka për të mbështetur Ramën, shpesh e nisnin ose e mbyllnin fjalimin e tyre me fjalët: “Vetëm ky po bëri shtet, se të tjerët i pamë”! Ndërsa shumë të tjerë që nuk binin dakord ose kishin dyshimet e tyre për Ramën, e përcillnin me skepticizëm dhe disa me neveri duke nënvizuar se ky nuk ishte aspak njeriu i shtetit, por vetëm i xhepave dhe fjalëve.

Shteti i tij jo vetëm që u duk i shkërmoqur dhe i pafuqishëm përballë një fatkeqësie, por edhe ndaj Kosovës së pasluftës dukej inferior. Forcat e përballimit të fatkeqësive të pafinancuara, të papajisura e të patrajnuara, ishin vetëm një pjesëz e vogël e shtetit të arnuar që drejton Rama. Mjafton një detaj jo pak i rëndësishëm për të kuptuar shtetin e Ramës: mjafton të dëgjosh Drejtorin e Institutit të Ndërtimit, i cili firmos akt-konstatimin për prishjen e Teatrit Kombëtar për interesa të Ramës dhe të “ofertave të pakërkuara”, por nuk arrin deri në Thumanë të bllokojë pallate gjysëm të rrënuara, të cilat shkaktuan vdekje.

Për cilin shtet po flisni, për atë që prish gjithë mllef banesat e qytetarëve të Astirit e të bregdetit dhe që kërkon lëmoshë për të ndërtuar ato të të pastrehëve nga fatkeqësia. Nëse dëgjojmë këdo që jep sot, ne ende nuk dimë se çfarë vlere është në gjendje të financojë shteti ynë?! As këtë nuk e tha! Se arka është bosh, se njerëzit ikin dhe paratë po i marrin koncensionet e atyre rreth tij. Pa fond emergjence dhe pa rezerva shteti, çfarë shteti është ky.

Cilin shtet bëri?! Këtë që nuk e beson kush, që pasi ka bërë çdo gjë për të zhvatur, pasi këtu nuk kontrollon askush askënd, dhe në fund të thotë se duhet të ndihmosh sërisht, jo mua, por njerëzit në nevojë. Bëri shtet që nuk ka menduar për një ditë të ligë. Bëri shtet që bën dosje, ku prodhimi i fotove, duhet të jetë thelbi, i fotove që do t’ia servirim të huajve, duke shpresuar tu prekim telat e ndjenjave që të zgjidhin qesen.

E mos ju lodh më shumë, as ky nuk bëri shtet. Bëri veç propagandë dhe një armatë kçk-sh, që i ka rrotull dhe e lëpijnë, se i duhen paratë publike dhe lehtësirat që u krijon shteti i tij. Disa mund të thonë se po përdor fatkeqësinë, jo aspak, madje këto ditë jemi munduar të solidarizohemi me shtetin, me qytetarët, por të vërtetat duhen thënë. Ato e shëndoshin shtetin dhe qeverisjen.

Heshtja dhe mungesa e transparencës, varros shpresën për ndryshim. Ndaj nuk po përdor asgjë dhe nuk po përfitoj nga askush. Po vulos thjesht akt-konstatimin tim për shtetin që kemi. Unë jam taksapagues dhe kontribues në vendin tim dhe kam të drejtë sot e gjithë ditën të them atë që mendoj. Kjo fatkeqësi duhet respektuar dhe shenjë respekti është të thuash të vërtetën, jo ta deformosh atë.

Dimri erdhi keq, me një fatkeqësi që nxorri zbuluar shtetin e Atij që nuk diti kurrë ta bëjë!