Luan Shtëpani: Këshillat e punëtorëve, modeli ish- jugosllav, që po “varros” sindikalizmin shqiptar

646
Sigal

Nga Luan Shtëpani

Kanë kaluar shumë vite, ku Shqipëria ishte nën influencën e politikës jugosllave, dhe ku sistemi ekonomik kopjoi atë jugosllav. Kjo ndodhi në çdo fushë të jetës, pa harruar dhe ish- Bashkimet Profesionale. Ashtu si në ish- Jugosllavi edhe në Shqipëri në ndërmarrje dhe institucione me urdhër të drejtorëve, pranë tyre u krijuan këshillat e punëtorëve.

Historia përsëritet. Sipas ligjit në Shqipëri këshillat e punëmarrësve do të kryejë “rolin” e sindikatave do  të mbrojnë të drejtat e punëmarrësve lidhur me pagat, fitimet, sistemin e pensioneve etj.  Ligji “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” parashikon krijimin e këshillave të punëmarrësve, si dhe përcakton kompetencat këshilluese dhe informuese për çështjet më me rëndësi për shoqërinë.

Punëmarrësit e një shoqërie tregtare, e cila ka më shumë se 50 punëmarrës, krijojnë këshillin e punëmarrësve me mandat maksimal prej 5 vitesh. Funksionet e një shoqërie tregtare, e cila ka mbi 20 punëmarrës, por më pak se 50, kryhen nga një përfaqësues për çdo 10 punëmarrës, i cili zgjidhet me votim të fshehtë nga asambleja e punëmarrësve të shoqërisë. Asambleja e punëmarrësve zgjedh një përfaqësues të ri për çdo 20 punëmarrës shtesë të shoqërisë. Në çdo rast, këshilli i punëmarrësve, nuk mund të ketë më shumë se 30 anëtarë. Këshilli mund të nxjerrë rregullore të brendshme për të organizuar procedurat e veta. Përfaqësuesi ligjor i shoqërisë tregtare dhe këshilli i punëmarrësve, mund të bien dakord që të emërojnë persona për të përfaqësuar punëmarrësit në nivelin e administrimit.

Këshilli i punëmarrësve monitoron zbatimin e ligjeve dhe të kontratave kolektive dhe dispozitave të Statutit të shoqërisë ( firmës), si dhe përfaqëson interesat e punëmarrësve të shoqërisë. Këshilli merr pjesë në vendimmarrjen për shfrytëzimin e fondeve të posaçme dhe të aktiveve të tjerë të shoqërisë, të parashikuara në kontratat kolektive dhe në statut, si dhe shpërndarjen e pjesës së fitimeve, që Asambleja e Përgjithshme vendos t’ia shpërndajë punëmarrësve. Këshilli gjithashtu, mund të informojë veten drejtpërdrejtë për performancën e shoqërisë tregtare dhe të shikojë librat dhe dokumentet e shoqërisë, duke u dhënë mendime dhe sugjerime organeve drejtuese për çështjet të tilla, si pagat, ndryshimin e statutit, sistemin e pensioneve etj. Këshilli i punëmarrësve i raporton asamblesë së punëmarrësve të shoqërisë për veprimtarinë e vet, të paktën dy herë në vit, ose sa herë e kërkon shumica e punëmarrësve. Kostot e zgjedhjes dhe të funksionimit të këshillit të punëmarrësve mbulohen nga shoqëria tregtare. Përcaktohet qartë edhe regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

Sindikatat  shqiptare me përjashtime e kanë pranuar nënshtrimin ndaj modelit komunist, tw cilën vetë ish- jugosllavët e kanë abandonuar.  Sot me “bekimin” e organizatave të punëdhënësve  del sërish në skenë ky model, ku viktima e radhës janë sindikatat. Këta të fundit mendojnë se do të ringrihen nëpërmjet tyre, por harrojnë se më shumë do fundosen. Një fenomen tepër negativ që ka shoqëruar  në vite “avokaten e punëmarrësve” ka qenë devijimi  nga sindikatat e vërteta në pseudosindikata,  apo e shprehur në fjalorin e Organizatës Botërore të Punës, ( ILO)  sindikatat e  “verdha” të cilat kanë dhunuar të drejtat e punonjësve, ndërsa ndarja në dy fronte,  (me qeverinë ose kundër saj ) e ka dëmtuar në themel lëvizjen sindikaliste shqiptare.