Shumëzërëshi vokal toskë, simbol identiteti dhe rrugë komunikimi artistik ndërshqiptar

528
Sigal

INTERVISTA/ Flet studiuesi i folklorit, Klodian Qafoku

Shumëzërëshi vokal shqiptar është një monument kulture, pasi dihet që ai është vlerësuar nga UNESCO si kryevepër e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit. Si terminologji, shumëzërësh në folklorin muzikor do të thotë i kënduar me shumë zëra. Së bashku me dialektin muzikor lab dhe dialektin toskë përfaqësojnë shumëzërëshin e muzikës popullore të Shqipërisë jugore.

 Z. Klodian, si do ta përkufizonit nga ana shkencore polifoninë në përgjithësi?

Këtë lloj praktike e gjejmë të klasifikuar në terma shkencorë dhe terma popullorë. Në shkencë ajo paraqitet me terma si, polifonia, polifoni me iso ose shumëzërësh vokal. Ndërsa në popull e gjejmë me termat këngë labe apo këngë toske, mbajmë e ose ja marrim. Vendi që zë shumëzërëshi vokal toskë në shumëzërëshin vokal shqiptar është në fakt si lidhja që ka njeriu me veten e tij.

Ju vazhdimisht keni folur për të veçantat e shumëzërëshit toskë. Si do ta përkufizoni këtë lloj të kënduari?

Duke arsyetuar se shumëzërëshi vokal shqiptar është një botë artistike dhe produkti  i ardhur direkt nga kohëra të largëta, pohojmë se shumëzërëshi vokal toskë paraqitet si një bosht i tij. Identifikimi dhe rëndësia e këtij shumëzërëshi është e vështirë të thuhet me pak fjalë. Sot studiues të folklorit muzikorë si shqiptarë dhe të huaj kanë dhënë kontributin e tyre në lidhje me këtë dukuri të të kënduarit toskë. Nevojitet një studim më i qartë nga krijimi i tij e deri më sot, i cili duhet të paraqitet si një monografi. Gjithsesi, shumëzërëshi vokal toskë, është një nga pjesët më të rëndësishme të trashëgimisë muzikore popullore. Sot, tek ajo, konsistojnë të dhënat kryesore që burojnë përtej etnosit në melodi, polifoni, harmoni, ritmikë, forma, strukturë, etj…e në kombinimet e tyre të gjendura përgjithësisht në shumëzërëshin vokal shqiptar.

 Mjafton që përmendim marrësin, prerësin dhe ison, dhe atëherë kuptojmë që këto elemente strukturë të shumëzërëshit toskë, janë pjesë përbërëse të shumëzërëshit vokal shqiptar. Tjetër veçori dhe rëndësi, është fakti se shumëzërëshi vokal toskë ekspozohet si kulturë humane, si prodhim vetëm i zërit njerëzor, i pandikuar nga muzika instrumentale popullore. I shkëputur nga karakteri thjesht utilitar, i zhvilluar, pasuruar dhe ridimensionuar, shumëzërëshi vokal toskë ka marrë tiparet e një gjuhe muzikore të plotë, të individualizuar dhe tepër të domosdoshme.

Si mund të gjykohen vlera dhe vendi  i shumëzërëshit toskë?

Vlera dhe vendi i tij duhen gjykuar të lidhura ngushtë me botën e tingujve shumëzërësh, të cilët mbartin në mënyrë origjinale informacionet për alfabetin muzikor shqiptar, format e shfaqjes së tij, me potencën artistike në dhënien e situatave dhe të gjendjeve emocionale dhe me vetë afirmimin e gjuhës muzikore të shumëzërëshit, si zëdhënëse shpirtërore e popullit. Shumëzërëshi vokal toskë,  është simbol njësie dhe identiteti, duke përshkruar të njëjtën rrugë historike që ka kaluar kombi dhe kultura shqiptare. Si e tillë, ai gjallon nga origjinaliteti dhe diversiteti i shfaqjeve, nga pavarësia me pjesën tjetër të shumëzërëshit vokal shqiptar, gjithashtu dhe në unitet me të, si karakteristika të vitalitetit të tij.

Si shihet dhe komentohet sot shumëzërëshi toskë?

Aktualisht, shumëzërëshin vokal toskë e shohim si një element thelbësor të krijimtarisë, një nga rrugët e komunikimit artistik ndërshqiptar dhe faktor mbartës i traditës, për ruajtjen e karakterit kombëtar. Në këtë kuptim, shumëzërëshi vokal toskë, është një drejtim zhvillimi specifik, një formë ekzistence dhe vazhdimësie e shumëzërëshit vokal shqiptar dhe folklorit muzikor shqiptar në përgjithësi. Këto të dhëna lindën dhe u zhvilluan në hapësirën e krijimit të etnosit shqiptar, e më pas u evidentuan dy pjesët më të mëdha të tij, Toskëria dhe Labëria.