Sigal

Aktivitetet e Shoqatës bëhen festa popullore që nuk i organizon dot asnjë parti

Shoqata “LABËRIA” Kuvendin e saj të 6-të do ta zhvillojë në datat 8-9 dhjetor, në qytetin e mbushur me histori e plot lavdi, në Vlorën e flamurit, të trimërisë, mençurisë e bujarisë, që kombëtarisht na mbush me krenari, kjo Perëndeshë e Pavarësisë. U rikthyem përsëri pas 17 vjetësh nga Kuvendi i Dytë që u mbajt në Maj të vitit 2001, por tashmë në një lartësi tjetër, me një profil të ri, që s’i ngjan të parit. Ky kuvend mbahet në kuadër të Vitit të Skënderbeut, 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe 110-vjetorit të krijimit të Klubit Labëria, që e krijoi themeluesi i shtetit Shqiptar, plaku i mençur Ismail Qemal Vlora, tre ngjarje këto që shënjojnë pika kulmore në historinë e popullit shqiptar.

Rruga katër vjeçare e Shoqatës “Labëria” ka kaluar përmes veprimtarive promovuese të vlerave atdhetare-kulturore

Rruga që ka ndjekur Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, nga Kuvendi i Parë te i Gjashti, ka qenë e vështirë, duke kaluar mes baticave dhe zbaticave për të arritur në majat e suksesit ku ndodhet sot, si simbol i kombit. Për të rrokur këto lartësi investimet kanë qenë në tre dimensione: Së pari, ka pasur një angazhim, mirëkuptim, harmoni dhe kontribute kapilare duke filluar nga qendra në bazë, që kanë bërë të mundur organizimin e veprimtarive të shumta, me shtrirje sasiore dhe cilësore, me karakter atdhetar e kulturor, duke filluar nga degët në rrethe deri te Kryesia në qendër.

Së dyti, ka pasur prurje të mëdha me intelektual të shquar që kanë krijuar një sfond të shndritshëm për performancën e shoqatës.

Së treti, numri i biznesmenëve me tipare altruiste, që kanë mbështetur me investime financiare veprimtaritë e shoqatës, ka ardhur duke u rritur progresivisht. Ky kooperim harmonik, i ngjan tre këmbëve të perustisë, që i ka dhënë suksese jetës së Labërisë. Veprimtaritë e degëve në rrethe, kanë pasur oshilacionet e tyre evidente, me ngritje dhe ulje, që në refleksion, kanë treguar dhe avantazhet dhe disavantazhet e forumit drejtues. Por kemi pasur dhe degë që kanë ditur të ngrihen në lartësinë e modelit se si mund të funksionojë një organizëm shoqëror, me parametra bashkëkohor. Dhe ky model, e ka emrin Shoqata “Labëria Dega Vlorë, me Kryetar Ahmet Demën dhe sekretar Albert Abazin. Një tjetër eksperiencë pozitive është dhe ajo e degës së Tiranës me kryetar Benard Zotaj dhe sekretar Hasan Hoxhën, që e ka organizuar shoqatën mbi bazën e rajoneve dhe ka 7 minidegë që funksionojnë në kuadrin e degës së Tiranës,që nëpërmjet veprimtarive të saj vlerëson personalitete nga krahina të ndryshme të Labërisë dhe më kryesorja është se i pasqyron mjaft mirë në gazetën “Labëria”. Një eksperiencë specifike është edhe ajo e degës së Fierit dhe Patosit me Kryetarët dhe sekretarët respektiv Pasho Zhupa dhe Engjëll Shameti, dhe Mersin Balili dhe Myfit Mema, që kanë organizuar ekskursione në zona të thella të Labërisë, ku komuniteti lab që jeton në Fier, e Patos të njihet me vend origjinën e tyre. Secila prej degëve sjell përvojën e vetë, duke filluar nga Gjirokastra, me kryetar Murat Kërri, Saranda, me Rustem Dukën,Tepelena, me Qemal Danaj, Orikumi, me Neki Haskoçelën e Saimir Brahimi dhe Durrësi, me Julian Mehmeti, që në mënyrë të ndërsjellë, duhet njohur e implementuar në kushte konkrete. Një dukuri negative që vërehet te të gjitha degët dhe që në të ardhmen kërkon më shumë vëmendje nga forumi shoqatës, është mungesa e pjesëmarrjes së rinisë në shoqatë.

Ndjeshmëria dhe reagimi i Shoqatës “Labëria”

Ndjeshmëria dhe reagimi i Shoqatës “Labëria”, ndaj ngjarjeve dhe fenomeneve që cenojnë integritetin e vendit tonë, ka qenë në kohezion me situatat konkrete që kalon vendi ynë, duke i ndjekur rast pas rasti. Mjafton të sjellim në vëmendjen e këtij kuvendi qëndrimet refraktare të shoqatës “Labëria”, ndaj ngritjes së varrezave greke në trojet shqiptare si në Boboshticë të Korçës dhe në Kosinjë të Përmetit, hapjen e shkollave greke në Himarë dhe Korçë, ndërhyrjet e herë pas hershme të qarqeve shoviniste greke të alternuar me Shoqatën OMONIA të përkrahura dhe nga deputetë dhe përfaqësues politik të PBDNJ-së dhe disa sillogje nacionaliste greke me qendër në Athinë, që duan ta quajnë minoritet popullatën himarjote, që dihet se dikur ka qenë kryeqendra e Labërisë, me 52 fshatra nën juridiksionin e saj. Kjo frymë antishqiptare, u shfaq dukshëm dhe në manifestimet e fundit në incidentin e Bularatit, që ishte tejet sfidues. Ne reaguam me një herë me një deklaratë për ngjarjen ekstreme të Bularatit. Shoqata “Labëria” i bëri apel qeverisë që të vendosë standarde reciproke në tërë marrëdhëniet që funksionojnë me Greqinë, duke kërkuar partneritet dhe barazi për kërkesat preferenciale që ka pala greke. Krijimi i varrezave me eshtrat ushtarëve grek në territorin shqiptar të rënë në luftën italo-greke, është një precedent i rrezikshëm, që do jetë mollë sherri, do acarojë klimën mes dy vendeve dhe do krijojë tensione të vazhdueshme nëpërmjet pelegrinazhit që do kryhet në vite, për ritualin e të rënëve. Këto lëshime ndaj palës greke duhet të kompensohen me kërkesa analoge për komunitetin çam që, jo vetëm nuk i është kërkuar falje për masakrën çnjerëzore ndaj këtij komuniteti të pafajshëm, por i është mohuar vendlindja, gjuha, shkolla, prona si dhe varrezat e të parëve të tyre. Ne, si Shoqatë “Labëria” në mënyrë koherente kemi qenë përkrah Shoqatës “Çamëria”, në çdo tubim që kanë demonstruar për të drejtat e tyre të mohuara nga qeveritë greke dhe i kemi mbështetur edhe nëpërmjet deklaratave eventuale. Po kaq kritik jemi deklaruar dhe për krijimin e asosacioneve serbe në Kosovë, që rrezikojnë të krijojnë shtet brenda shtetit, me synime afatgjata,uzurpuese. Shoqata Labëria ka qenë përkrah vëllezërve tanë kosovar në situatat më kritike që ka kaluar Kosova martire nga represionet ç’njerëzore serbe. Në të gjitha rastet kur është krijuar ngërç institucional dhe është acaruar situata politike, Shoqata Labëria ka ndërhyrë me opinionin e saj duke marrë rolin e liderit dhe tërhequr pas vetes dhe shumë shoqata të tjera për të ç’tensionuar situatat kritike që janë krijuar nga politika konfliktuale, siç ishte rasti i zbatimit të reformës në drejtësi, për vettingun, për çështjen e detit, etj. Në vështrimin tonë, ka një shpërfillje dhe harresë ndaj shumë ngjarjeve dhe figurave që kanë bërë histori për kombin shqiptar. Kremtimi i 70-vjetorit të çlirimit të vendit dhe 100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë, nuk morën vlerësimin e merituar nga strukturat shtetërore. Është për të ardhur keq, që themeluesi i shtetit shqiptar, plaku Ismail Qemal Vlora, që e shpalli Shqipërinë të pavarur nga Perandoria Osmane, që për nga rëndësia historike vjen pas heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, në 100-vjetorin e Pavarësisë, u mor një monument sallonesh nga Muzeu Historik Kombëtar, me bazorelief të thyer dhe u vendos në një vend të papërshtatshëm. Për këtë sjellje indinjuese dhe përçmuese për krijuesin e shtetit shqiptar, kemi bërë peticione dy herë radhazi në harkun kohor prej katër vjetësh, instancave më të larta të legjislativit dhe ekzekutivit, duke filluar nga Presidenti i Republikës, Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të Bashkisë dhe jo vetëm që s’kemi marrë përgjigje, por nuk shohim asnjë reflektim për këtë akt të turpshëm për një komb me histori. Monumenti i Ismail Qemalit, është vendosur në një shesh qendror në Prishtinë, me kontributin e biznesmenëve vlonjatë nën kujdesin e Dr. Bujar Leskaj. Bashkia e Tiranës, e prirur nga preferenca politike apo oportuniste, ka gjetur vend kryesor për të vendosur buste e monumente për figura të pamerituara, deri edhe tradhtarë, por nuk arrin dot të gjej një vend nderi për një monument madhështor për Ismail Qemalin. Një shkëndijë që na ndezi fantazinë për më lartë, ishte takimi që realizuam në Preshevë me 100 gra dhe vajza me emrin Vlora në bashkëpunim me Shoqatën “Nermin Vlora”?. Ka një fenomen shqetësues, ku shohim se në kuadrin e globalizmit, vërehen tendenca për të vënë emra të huaj fëmijëve, objekteve sociale, e deri te ndonjë emision televiziv, siç është “Provokacia”, që autori i emisionit na e paraqet nënën e Skënderbeut, Vojsavën sllave. Këta djallëzorë ,që duan të përbaltin figura madhore kombëtare, mbështeten nga media që i shërbejnë antikombtarizmit. Mediat transmetojnë gjithfarë lajmesh, por veprimtaritë atdhetare-kulturore të shoqatave e kanë vështirë t’i përcjellin për publikun. Për këtë dukuri,që lidhen me emrat e huaj, ne ju referuam shembullit të Kosovës që kanë pasur ndjesinë patriotike për të vënë emra nga qytete të Labërisë dhe për më gjerë, emra shqip, për të ruajtur identitetin kombëtar, nën terrorin e një regjimi gjakatar, siç ishte regjimi serb. Ky ishte aktiviteti kulmor si ide dhe realizim.

Në përshëndetjet që përcollën Akademiku Rexhep Qosja, Profesor Pëllumb Xhufi, Ambasadori Qemal Minxhozi etj., e vunë theksin te rëndësia që merr ky problem në situatën e sotme që ka një hapje diversive me botën perëndimore, shoqëruar me pasojat që sjell emigracioni, globalizmi si dhe snobizmi që ka prekur mendësi provinciale, përbën një rrezik për identitetin e popullit tonë. Profesor Qosja, në fjalën e tij të mençur, e vlerësoi lartë këtë veprimtari si një gjetje të mprehtë tepër aktuale, që nuk e ka bërë as shteti dhe hodhi idenë që shoqata “Labëria”, duhet të organizojë një sesion shkencor në një nga Universitet në krahinën e Labërisë dhe, pse jo në Universitetin “Ismail Qemali”. Shoqata Labëria i ka kualitetet intelektuale për të organizuar një sesion me këto pretendime, pasi në përbërje të saj ka intelektual të shquar, që i bëjnë nder, jo vetëm Labërisë, por gjithë Shqipërisë. Ata, nuk janë kursyer me kontributin e tyre kur jua ka kërkuar shoqata si Profesorët e nderuar Pëllumb Xhufi, Moikom Zeqo, Sabit Broka, Ethem Ruka, Arben Malaj, Bardhosh Gaçe, Bilal Shkurtaj, Bejkush Birçe, Neki Dredha, Robert Çelo, Kastriot Muço, Axhem Gjoni, etj, si dhe artistët e popullit Muntas Dhrami e Skënder Kamberi, Bujar Asqeriu, Birçe Hasko, Albert Minga, e shumë të tjerë që meritojnë falënderimet e forumit të shoqatës Labëria.

Falënderim të veçantë

Një falënderim të veçantë duam t’u përcjellim artistëve që nuk janë lebër si “Nderi i Kombit” Margarita Xhepa, Mirush Kabashi, “Artisti i popullit” Luftar Pajo, që mbajnë dhe titullin mirënjohje të Labërisë, por që kanë qenë më tepër se lab, të pa kursyer dhe pjesëmarrës aktiv në shumë veprimtari të shoqatës. Një rol aktiv ka luajtur dhe forumi i shoqatës, në ndjekjen operative të problemeve, sipas ndarjes së detyrave, kryesisht për gruan znj. Lavdie Nanaj. Qëndrimin nënvleftësues të shtetit ndaj shoqatave dhe pse janë lokomotiva të demokracisë, e shohim te qëndrimi ndaj Shoqatës Labëria, që për 25 vjet rresht mblidhesh lokaleve të Tiranës, pasi nuk kishte një zyrë, edhe pse është e vetmja shoqatë “Nderi i Kombit”. Këtë nevojë e përmbushi Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, z. Aldrin Dalipi, që me iniciativën e tij na krijoi një mjedis të përshtatshëm te ish “Zëri i Popullit”, të cilin e falënderojmë publikisht. Shteti nga pasuria e popullit është i pakursyer, pajis me zyra e lokale parti parazitare, që s’kanë anëtar, por kanë kryetar gaztor. Aktivitetet cilësore, mbresëlënëse të Shoqatës Labëria, janë realizuar me angazhimin e forcave intelektuale dhe biznesmenëve lab, që kanë kontribuar me sponsorizimet e tyre, si dhe sot për këtë kuvend dhe që çdo aktivitet ka një kosto financiare. Me këtë rast, dua të falënderoj biznesmenin veteran, z. Gafurr Duda, që si është ndarë shoqatës qysh nga krijimi i saj si dhe pasuesit e tij Bujar Leskaj, Agim Çiraku, Agim Rrapi, Vullnet Sina, Ardian Resuli, Olsi Idrizi etj., që shembulli i tyre duhet të rrezatojë dhe te shumë biznesmenë labë, që kanë pasuri ekonomike, por u mungon pasuria shpirtërore dhe patriotike, e gjenit lab. Nga Kuvendi i Pestë te i Gjashti ka pasur një afrim të konsiderueshëm të intelektualëve labë, relativisht edhe të kontribuesve financiarë. Mjafton të përmendim që në përbërje të Këshillit Drejtues ka 25 anëtarë me tituj dhe grada shkencore, që është baras me 30% të të zgjedhurve. Kemi skulptorë dhe piktorë të popullit, mjeshtër të mëdhenj në krijimtari, personalitete të shquara të arsimit dhe shkencës, që kanë krijuar një sfond të shndritshëm dhe panoramë rrezatuese mediatike.

Jehona tek gazeta “Telegraf” dhe “Labëria”

Veprimtaritë e Shoqatës “Labëria”, kanë pasur jehonë duke u zbukuruar me grupet polifonike labe, që janë perla, gurë xhevahiri në gjerdanin e artë të polifonisë shqiptare. Fatkeqësisht, kjo pasuri e madhe kulturore vjen duke u shuar sepse nuk ka vëmendjen dhe interesimin e shtetit nga ana e Ministrisë së Kulturës, që i qan zemra për miset e botës dhe këtë thesar popullor e ka braktisur, e lënë në harresë.

E gjithë kjo pasuri shoqërore e shoqatës “Labëria”, nuk ka mbetur e izoluar brenda sallave promovuese, por është transmetuar në mjedisin lab e më gjerë, nëpërmjet zëdhënëses së saj Gazetës “Labëria”. Përkujdesja e botuesve Agim Çiraku dhe Gafurr Duda, angazhimi i anëtarit të Këshillit Botues, Drejtori i Gazetës “Telegraf “ z. Ëngjëll Musai si dhe puna e pa lodhur, korrekte dhe krijuese e Kryeredaktorit të gazetës z. Albert Zholi, ka bërë që gazeta të bëhet tepër e kërkuar për cilësinë dhe koloritin e problemeve që pasqyron në rubrikat e saja. Falënderimin jua përcjellim të dyfishtë si shoqatë dhe si lexues. Problematikat dhe aktivitetet e “Labërisë” në këto katër vjet kanë qenë të shumta dhe të larmishme, por ne u ndalëm në ato më përfaqësueset ë veprimtarisë tonë.