Muzika ‘live’ është emocion më vete, së shpejti albumi i rradhës

735
Hermes NIKAJ 
Muzikë/ Këngëtarja e diasporës Florida Meshi: Energjike, e zgjuar & e suksesshme… 
Florida Meshi është dhe do të ngelet një ndër këngëtaret më të njohura të trevave të Veriut të Shqipërisë. Së fundi, ajo vjen me këngën ‘Ti e vrave dashurinë’ që pritej prej kohësh nga fansat e saj dhe që më në fund përmbylli rrugëtimin me një klip profesional dhe mjaft të arrirë. Jo vetëm për këngën, por edhe për shumë gjëra të tjera të jetës së saj personale, Florida na dha kënaqësinë të realizojmë intervistën e mëposhtme! 

1. Klipi juaj më i fundit, cilët ishin bashkëpunëtorët dhe si u prit? 
‘Ti e vrave dashurinë’ , është klipi im i ri me muzikë nga Edmond Zhulali dhe me tekst të Jetmir Ndokës. Është pritur shumë mirë, akoma më mirë se e prisja dhe jam shumë e kënaqur. 

2. Çfarë është muzika për ju? 
Muzika më jep frymë për të jetuar, është pasioni im. E kam shumë të vështirë të jetoj pa muzikë.

3. E ndjeni veten me fat? 
Po e ndjej dhe e falënderoj zotin për gjithçka që më ka dhënë. 

4. Si do ta përkufizonit veten me tri fjalë të vetme? 
Energjike, e zgjuar dhe e suksesshme. 

5. Ku do t’ju shohim së shpejti, a kini ndonjë projekt të afërt? 
Projekti im më i afërt është album i radhës në bashkëpunim me mjeshtrin e madh Edmond Zhulali. 

6. Planet e kësaj vere, cilat janë? 
Vera është shumë e ngjeshur për ne këngëtarët, jam e zënë me koncerte e dasma dhe aktivitete të ndryshme. 

7. Dëshira juaj më e madhe për momentin, cila është? 
Sikur të më binte telebingo! (qesh) 

8. Cila është motoja juaj? 
Dua të shoh dhe të dëgjoj mirë për të gjithë. 

9. Jetoni mes Londrës dhe Shqipërisë, ku ndiheni më mirë?
Unë ndihem shumë mirë në Shqipëri, sepse kam njerëzit e mi të afërt, por edhe në Londër jam shumë mirë. 

10. Nuk kini hequr dorë kurrë prej kostumit popullor. Pse? 
Veshjen popullore, kostumin e bukur të viseve të mia, ma pëlqejnë gjithandej, ma preferojnë, madje, edhe ma kërkojnë. Veçanërisht në Angli, të gjithë më shtrojnë kërkesën për kostumin popullor. Tani vlerësohet dhe në Shqipëri. Më vjen mirë që është rikthyer dëshira për të respektuar bukurinë e kostumit popullor shqiptar. 

11. A janë të mërzitshme udhëtimet për ju? 
Janë të mërzitshme ngaqë janë shumë. Udhëtoj vazhdimisht. Por unë jam shumë energjike dhe, jo gjithmonë më lodhin. Secili është i veçantë dhe gjithmonë kam se çfarë të kujtoj, jo vetëm nga koncertet, por edhe nga udhëtimet. 

12. Nga repertori juaj muzikor, cilën këngë do të veçonit? 
Mua, nëse nuk më pëlqen një këngë, nuk e bëj pjesë të repertorit tim. Të gjitha këngët e mia më pëlqejnë, por ka edhe disa që do t’i veçoja si: “Dervish Muharrem Bilahi” , “Po po” etj. 

13. Si e shihni këngën shqipe sot? 
Ah, kënga shqipe sot! Kanë hyrë shumë rryma. Por, kënga popullore dhe muzika e lehtë do të ngelen në jetën e shqiptarëve, brez pas brezi. Nuk ka më mirë se të jemi origjinalë. Gjithçka që është fals, del e shihet, pastaj vdes shpejt. Kemi këngë të bukura dhe e kemi një kulturë të lashtë. Është më mirë të investojmë më shumë në artin e mirëfilltë, sesa në kulturën e huaj. Ne duhet t’i duam dhe t’i respektojmë të tjerët, por tonën duhet ta duam pak më shumë.

14. Çfarë do të thotë për ju të këndosh “live”? 
Muzika “live” është emocion më vete dhe nuk mund të krahasohet me asgjë. E adhuroj të kënduarin “live”, jo vetëm sepse në këtë mënyrë këngëtari/ja evidenton vlerat e veta vokalistike, por edhe sepse ndjesitë që përcjell tek publiku janë më të forta, më të gjalla. 

15. Florida , ju falënderoj edhe një herë, duke mbetur me shpresë se përsëri do të kemi mundësi takimi dhe bashkëbisedimi. 
Ju falënderoj edhe ju dhe i përshëndes të gjithë lexuesit tuaj, kudo që ata ndodhen!
Sigal