Rrëfimi i Koço Qendros/ Teatri i Korçës lindi në lagjet e Kasabasë. Ja cilat ishin 6 vajzat që dolën në skenë për herë të parë. Cili ishte ndikimi i djemve të Stambollit

953
Sigal

Për herë të parë, historiku i plotë i Korçës, rrëfyer nga Koço Qendro

Teatri i Korçës lindi në lagjet e Kasabasë, u nxit nga djemtë e Stambollit
Nga Vepror Hasani   

Teatri i Korçës lindi në lagjet e Kasabasë, aty ku përfshihet edhe Pazari i Korcëcs. Aktorë u bënë njerëzit e shkolluar në universitetet e ndryshme të Perandorisë: mësues, avokatë, inxhinierë, arkitektë, nëpunës të bankës, të kadastrës, oficerë, ushtarë etj. Në skenë ngjiteshin veprat më të mira; ato që flisnin për atdhetari, siç ishte drama “Besa” e Sami Frashërit. Kjo dramë me gjashtë pamje, 108 faqe, e cila rrëfente jetën dhe vetitë e Shqiptarëve, nëpërmjet një ngjarjeje në Labëri, ishte përkthyer nga  Abdyl Ypi Kolonja. Si teatër shërbeu “Klubi i Osmanllinjve”, i njohur ndryshe “Kafene Panda”, pasi në këtë lokal mund të akomodoheshin deri në 600 veta. Krijimi i teatrit në lagjet e vjetra të qytetit të Korçës u nxit nga djemtë shqiptarë të Stambollit. Ata ishin të parët që ngjitën në skenë dramën “Besa”. “Pas përgatitjeve të gjata u dha çfaqësina në mbremjen e së shtunës më 24 nëntor 1908 në një nga theatrot e Bejollës në “Odeon” dhe pati sukses të pashpresuar. Gjithë plazha dhe lozhat e theatrit qenë plot të mbushura me popull, i cili kishte vrapuar të shohi të parën shfaqësinë që jepesh në gjuhën shqip”. (Gazeta “Java”, 1937, f. 18)

NDIKIMI I DJEMËVE TË STAMBOLLIT

Sipas gazetës së lartpërmendur, shfaqja u interpretua nga Sh.Leskoviku si Merushja, Pandeli Papalilo si Rexhepi, i ndjeri Mustafa Qulli si Zyberi, Skëndo Pojani si Selfua, Karaman Frashëri si Rrapua, Sulejman Përmeti si Asllani, Fejzi Leskoviku si Fetahu, Sabri Qyteza si Demir beu, Sadedin Ohri si Evrenozi, Sami Berati si Xhakua, Ahmet Korça si Sulçeja, Faik Dëshnica si kalorës, Myin Vlora si Vahideja, Fuat Gjirokastra si Telhaj, Faik Emin Korça si Saideja dhe Haki Vlora si Selmani. Shpesh djemtë e Stambollit bëheshin regjisorë të pjesëve teatrale, kur vinin në Korçë. Kjo frymë atdhetari nxiti djemtë e Korçës të krijonin edhe “Bandën e Lirisë”. Teatri dhe “Banda e Lirisë”, ishin dy kryeveprat shqiptare nga më të realizuarat, që lindën në lagjet e Kasabasë në vitin 1908 fal shoqërisë “Dituria” të Orhan Pojanit dhe ndjekësve të tij. Gjithçka interpretohej në gjuhën shqipe. Pjesë teatrale të ndryshme shfaqeshin herë pas herë. Të ardhurat që siguroheshin nga shitja e biletave ose u jepeshin familjeve të varfëra myslimane dhe ortodokse ose ndihmoheshin shkollat e fëmijëve myslimanë. Teatri i Kasabasë, nën kujdesin e shoqërisë “Dituria” synonte afrimin dhe vëllazërimin mes dy komuniteteve fetare: “Ca ditë më parë oficerët e Korçës lojtën një thjatro, ku u mblodhën 3.500 grosh. Këto të holla u ndanë nëpër të varfërit myslimanë e të krishterë. Oficerët nga kjo mirëbërje i urojmë”. (Gazeta “Korça”, 31 mars 1909). Në përkrahje të teatrit kishte dalë edhe mytesarifi (prefekti) i Korçës: “Këto ditë, nën kryesinë e mytesarifit të Korçës, për të ndihmuar shkollat e myslimanëve që ndodhen nëpër fshatrat e Korçës do të luhet një thjatro nga nëpunësit e nga gjithë mësonjësit e shkollave oficiale. Shpresohet se mjaft të holla do të mblidhen. Pa dyshim asnjeri do të mos mbetet pa vajtur të shohë këtë thjatro, e cila do të bëhet (ndiqet) me vërejtje (vëmendje) të madhe. Urojmë gjithë ata zotërinj që mejtojnë të këtilla mirëbërje që janë të dobishme për atdhenë”. (Gazeta “Korça”, 1 vjesht’ e II-të 1909).

DRAMA “BESA”

Për përgatitjen e shfaqes të rinjtë do të ndihmoheshin nga Skënder Pojani, i cili kishte marrë pjesë në shfaqjen e kësaj drame në Stamboll, ku kishte luajtur rolin e Selfos: “Më 24 të këtij muaji në sallën e Klubit Panda me shtytjen dhe nën mprojtjen (kujdesin) e mytesarifit zotit Nazmi, i cili është një zot i zotëruar sipas kohës dhe pas dëshirës t’atyre që dëshirojnë lirinë dhe mbrothësinë e mbretërisë, për fitim të shkollave të myslimanëve nga ana e oficerëve dhe të nëpunësve përpara 600 shpirteve u lojt një dramë fort e bukur sa të gjithë dëgjonjësit mbetën nën habitje dhe në kënaqje të madhe. Atë natë “Banda e Lirisë” lojti marshet e bukura, si mbylleshe nap (perdja) e thjatros, secili do i përgëzohej dhe i luftonte zemra dyke dëgjuar ato këngët e shijme që delnin prej atyre veglave që mbanin ata të lartrit djem shqiptarë. Kjo thjatro, thomi, se la më shumë se 60 lira turke, një fitim, të cilat do të prishen për mbrothësinë (përparimin) e shkollave që thamë më sipër. Urojmë gjithë nismëtarët e kësaj vepre të nevojshme q’është një çap për përparimin e vendit, dhe u lutemi që gjithnjë të mendojnë të këtilla shërbime që t’i qeshë syri dhe fytyra kombit…”. (Gazeta “Korça” e enjte, 29 vjesht’ e II-të 1909)

SPEKTATORI

Drama “Besa” u prit me ngazëllim nga spektatori: “Pas zëdhënies që botuam në Korçën (është fjala për gazetën “Korça”), edhe afisheve që u ngjitnë nëpër muret, të djelën që shkoj, më 13 të këtij, u lojt drama “Besa” prej amatorësh shqiptarë. Biletat, të cilat nisnë të përndahen që dy-tri ditë më parë u shitnë pothuaj që të gjitha; pa sikur të ishte salla më e madhe do të ishin shitur edhe më bileta, po komisioni i theatros kishte vendosur që të shesë vetëm aq bileta sa frona nxinte salla që të mos rrinte bota në këmbë. Nisjen e theatros e bëri “Banda e Lirisë”, dyke lojtur ca marshe shumë të bukura. Pastaj u ngrit napa (perdja) dhe nisi pamja e parë, e cila u mbarua me një trokitje duarsh të pareshtur. Gjithë kështu, në mest të një enthuziazmi të pa anët, u nisnë dhe mbaruan edhe pamjet e tjera gjer në e gjashta. Ne mes të këtyre pamjeve “Banda e Lirisë” lozte shumë gjëra të bukura, kështu që habiti të mbledhurit me mbrothësinë që kanë bërë në pak kohë e sipër… Kronika e mësipërme jep edhe vlerësime për dramën dhe aktorët: “Çdo amator, si amator e lojti rol e tij si jo më mirë. Z. Skënder Pojani, i cili e ka lojtur tri herë “Besën” në Stamboll, si edhe të tjerë zotërinj që panë “Besën” në Bukuresht dhe gjetkë të lohet, na siguruan se më bukur se ç’u lojt “Besa” në Korçë, asgjëkundi gjetkë s’u lojt…” (Gazeta “Korça”, 18 dhjetor 1909).

NË QYTETIN E MANASTIRIT

Ndërkaq mbërriti një lajm tjetër: Sabri Qyteza kishte përkthyer dramën “Vatan”: “Mëmdhetarin e flaktë z. Sabri Qyteza e përgëzojmë nga zemra për të përkthyerit të dramës turqisht “vatani” në gjuhën shqipe “Mëmëdheu”. Zoti e dhëntë të vështrojmë të tjera vepra nga dor’ e zotërisë së tij”.(Gazeta “Lidhja ortodokse” , e shtunë, 17 Vjesht’ e II-të 1909). U mendua që edhe drama “Vatan” të vihej në skenë por ende nuk ishte harruar suksesi i dramës “Besa”. Shqiptarët e Manastirit i bënë kërkesë shoqërisë “Dituria” që të vinte në Manastir me grupin që luajti dramën e përmendur më sipër: “Një tejshkrim nga klubi shqiptar i Manastirit për klubin e këtushëm “Dituria”,  edhe Bandën e Lirisë thotë të venë prej këtej amatorët që lojtën “Besën”, edhe “Banda e Lirisë” për të lojtur atje theatron “Besa”. Pleqësia e Klubit u mblodhë dhe vendosën të venë”. (Gazeta “Korça”, e enjte, 31 dhjetor 1909). Mirëpo kësaj radhe, shfaqja ose jo e dramës “Besa” në qytetin e Manastirit ishte në dorën e Dhespotit, pasi i vetmi ambient i përshtatshme ku mund të jepej shfaqja ishte salla e “Nipagonios”, për famulli që ishte në varësi të Mitropolisë së Korçës. Për këtë arsye, u krijua një komision i përbërë nga zotërinjtë: Aleks Koçi, Thanas Floqi dhe Llambi Bimbli. Ata morën përsipër t’i merrnin lejen e kërkuar dhespotit, por çfarë ndodhi në të vërtetë.  Komisioni i ngarkuar për këtë qëllim, vuri në në dukje që në fillim se të gjitha të ardhurat nga shfaqjet e kësaj drame atje në Manastir do t’u shpërndaheshin të varfërve të qytetit pa dallim feje!…  Dhespoti pasi dëgjoi me vëmendje kërkesën e parashtruar nga komisioni dha përgjigjen e tij ironike:
Dhespoti: Yve jeni të zgjuar që të bëni këtë kërkim, por duhet ta dini, neve jemi më të ditur!..
Zoti Aleksi: Ne këtu nuk kemi ardhur për të treguar se kush është më “i ditur” e kush është më “i zgjuar”!… Ne kemi ardhur t’ju kërkojmë të na jepni lejë që dramën “Besa” ta shfaqim në sallën e “Nipagonios” atje në Manastir për shqiptarët! Dhespoti: As edhe një dramë shqipe… as edhe një herë nuk do të shfaqet në një shkollë greke!… Shfaqja nuk u lejua.
(Gazeta “Korça” 12 janar 1910)

RRËFEN AKTORI KOÇO QENDRO

TEATRI I VITEVE 20

Jeta teatrore nisi të merrte jetë sërish aty nga mesi i vitit 1920. Në këtë vit u krijua shoqëria e “Arteve të bukura”, e cila la gjurmë në skenën korçare. Drama “Fe e kombësi” u shfaq më 23-24 korrik të vitit 1920. U vunë në skenë edhe komdi dhe drama të tjera. Gjithsesi, duke filluar nga viti 1924 korçarët morën përsipër të sillnin në skenë  vepra teatrale mjaft të vështira për t’u realizuar, si “Nata e mëshirës” e dramaturgut të madh anglez, U. Shekspir, e cila nuk ishte gjë tjetër veçse një kopje e transformuar e “Otellos”. Më 24 prill të vitit 1925, licesitët me shoqatën e tyre studentore “Shpresa”  vunë në skenë komedinë “Doktor pa dorashka” të komediografit të madh frances, Molier, me regji të Vasil Antoniut. Dekori i kësaj komedie u përgatit nga Vangjush Mio. Një teatër i tillë, i kompletuar edhe me një dekor të mrekullueshëm nuk ishte parë deri atë ditë. Njerëzit mbeten të mrekulluar, por edhe të befasuar. Ishte një gjë tepër e veçantë. Në shkurt të vitit 1926 “Djelmuria korçare” rishfaqi për të katërtën herë dramën “I mjeri djalë”, si dhe komedinë “Merre ta marrim”. Tashmë kjo shoqëri po bënte emër të madh. Më 26 dhe 27 prill të vitit 1927, sërish nga grupi amator “Djelmuria korçare” u shfaq tragjedia “Romeo dhe Zhuljeta” .

TEATRI I VITEVE 30

Edhe gjatë viteve 30 ka patur jetë teatrore.  Disa mbahen mend edhe sot. Më 17 gusht 1934 në kinema maxhestik të qytetit të Korçës u vu në skenë “Fshatari zotni” i dramaturgut L. Holbeger, me regji të  Sokrat Mios. Mund të thuhet se ka qënë një nga dramat më të bukura. Teatri amator kishte hyrë në fazën e tij më të rëndësishme. Nga viti 1887 deri në vitin 1937 ishin shfaqur më shumë se 80 drama dhe komedi. Shfaqje teatrale, përveç qytetit të Korçës, kishin nisur të jepeshin edhe edhe në fshatrat Dardhë, Kamenicë,  Progër etj. Gjithsesi, në skenë ende nuk ishin ngjitur gratë e Korçës që të luanin së bashku me burrat

6 VAJZAT E PARA AKTORE

Pore më në fund edhe vajzat u bënë pjesë e teatrit. 6 vajza që morën përsipër të delnin në skenën e teatrit ishin” Eli Shano, Aliqi Denasi, Efigjeni Vaso, Eleni Furxhi, Marjeta Spiro, dhe Praksidhe Dardha. Që të gjitha ishin studente të shkollës femërore. Ato shfaqën dramën “E tradhëtuara!”. Kjo dramë u shfaq më 6 qershor të vitit 1936. Ishte një çudi. Ku e gjetën guximin vajazat? Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë deri atëherë. Studentet nuk aktruan bashkë me djemtë. Jo, ishin të gjitha vajza, por ato kishin mundur të thyenin përjetësisht një tabu. Ishin ngjitur në skenën e qytetit. Nuk do të vononte shumë, kur  më 19 dhjetor të vitit 1936 do të shfaqej komedia “Dy të paguximshmit” e shkrimtarit frances Labice. Në këtë shfaqe morën pjesë edhe dy aktore vajza: Dhorkë Sheri dhe Kostandina Grabocka. Ato kishin vendosur të luanin bashkë me meshkujt. Kurajoja e tyre kishte dalë mbi atë  çfarë kishin kapërcyer 6 studentet e shkollës femërore. Tashmë gjithçka ishte kapërcyer. Teatri kishte nisur të krijonte fizionominë e tij të vërtetë. Megjithatë një rol të rëndësishëm për të mbërritur deri këtu kishin luajtur klubi i “Xhemiljotit”, Shoqëria e grave korçare “Ylli i mëngjesit”, banda “Vatra”, klubi “Sportive artistik”, banda  e “Lirisë”, klubi “Dituria”, Shoqëria “Djelmuria korçare” Shoqëria dhe klubi “Shpresa” e licesitëve, Shoqëria “Puna”, Shoqëria e vajzave “Çvillimi”, Shoqëria “Përparimi”, Shoqëria jashtëshkollore  “Rinia korçare” dhe “Artet e Bukura”. Lëvizja teatrore dhe arsimi po sillnin përparimin në qytetin e Korçës për t’i dhënë atij një emër të madh, të cilin e mban edhe sot e kësaj dite

NË KOHËN E TEATRIT PARTIZAN

Ishte gushti i vitit 1943. Qarkori i Partisë Komuniste në Korçë, i mbledhur në fshatin Rrëmbec kishte marrë vendimin për ngritjen e teatrit amator partisan, rrëfen aktori i mirënjohur i Korçës, Koço Qendro. Brenda pak kohëve u bë e mundur ngritja e një grupi ku bënin pjesë Stefanaq Pollo, Pavlina Gjata, Misto Nuke, Juli Prifti, Peço Ligori e të tjerë. Regjisori i këtij grupi ishte Dhimitër Trajçe. Ai kishte përvojë sepse kishte marrë pjesë në teatrin amator të Korçës që nga vitet ’30. Grupin e pagëzuan me emrin “Teatri Partizan i Fushë-Rrëzës”. Dhimitër Trajçe dhe Stefanaq Pollo u ulën dhe shkruan dramën “Fashizmi torturon”. Roli kryesor do të luhej nga Stefanaq Pollo. Përveç roleve, aktorëve do t’u duhej të mësonin edhe këngët patriotike. Gjithçka u bë gati brenda pak ditëve. Pas kësaj u vendos që shfaqja e parë të jepej në Pojan, sepse ishte një fshat i madh dhe mund të mbledheshin shumë njerëz. Skena ishte një improvizim i thjeshtë. U vendosën dy shtylla, ku nëpërmjet një litari u vendos një batanije e varur. Prapa saj do të qëndronin aktorët dhe këngëtarët, të cilët do të delnin me radhë sipas skenarit të shfaqjes. Lajmi i mbërritjes së teatrit partizan ishte përhapur edhe në fshatrat përreth Rrëmbec, Pendavinj, Bulgarec, Tërovë, Çiflig, Malavec, Barç, Neviçisht, Plasë, Dishnicë, Zëmblak etj. Fillimisht u bë një prezantim i shkurtër se kush ishte grupi i teatrit që kishte ardhur aty, çfarë përfaqësonte dhe pse quhej “Teatri Partizan i Fushë Rrëzës” dhe menjëherë pas kësaj grupi nisi të këndonte këngën “Zëri i atdheut po na thërret”. Pati një entuziazëm të parrëfyer. Që nga ajo ditë e në vijim Teatri partizan nisi të shkonte në të gjitha fshatrat e Rrëzës dhe të Oparit, madje edhe në fshatra të largët si Lozhan, Senisht, Plovisht, Shipskë, Damjanec, Kolanec, Gjonomadh etj Shfaqja e fundit u dha në fshatin Mazrekë në pranverën e vitit 1944.

vijon