Ramazan Çeka: Sofra e Shkodrës bujare

879
Sigal

Shoqëria Kulturore “Jehona e Shkodrës”, shtron sofrën tradicionale shkodrane.

 

Dhjetori i kishte veshur qytetit petkun shumëngjyrësh të festave të fundvitit, i rrethuar nga një atmosferë mbresëlënëse, duke shërbyer kështu edhe si një dekor gjigand piktoresk, për t’i dhënë kësaj Sofre emrin e mikpritjes së Rozafës së lashtë, që shkodranët e të gjithë brezave meritojnë ta kenë.

Kështu pra, në këtë atmosferë të gëzueshme e entuziaste u shtrua “Sofra Shkodrane” edhe këtë vit. Kjo ngjarje rastisi të organizohej dhe të bëhej edhe më interesante si pjesë e munguar për shkak të pandemisë së tejzgjatur, sepse Shoqëria Kulturore “Jehona e Shkodrës” në bashkëpunim me Televizionin Star Plus, ishin kujdesur që ta risillnin atë në jetën artistike të qytetit me të gjithë madhështinë e spektaklit tradicional të fundvitit të pagëzuar “Sofra Shkodrane”, duke bërë pjesëtare të saj pjesëmarrjen e këngëtarëve dhe humoristëve më të shquar shkodranë, ku natyrisht do të përmendim “Mjeshtrin e Madh” Bujar Qamili, “Mjeshtren e Madhe” Mukades Çanga dhe këngëtarët aq të dashur për publikun shkodran: Eduart Jubani, Adnan Bala, Agim Molla, Ben Goçaj, Laorjan Ejlli, si dhe Gëzim e Egzona Salaj nga Ulqini, shoqëruar nga orkestra me instumentistët e mrekullueshëm Arben Dema, Elvin Unaza dhe Miri Zurali. drejtues muzike. Teknik fonie Sadetin Bajraktari, Inspektor skene Sabah Baxha, regjisor Zef Deda, producent Xhelal Halili.

Këtë spektakël tashmë tradicional e bënë më të këndshëm dhe më popullor humoristët e shquar shkodranë: “Mjeshtrat e Mëdhenj” Zef Deda, Besnik Çinari, Drande Xhai, si dhe Grupi “Gaz e maraz” Gac Kodrina e Qazim Çela. Një vlerë në këtë sofër shkodrane ishte edhe performanca e bejtexhinjve, që me improvizimet e tyre sollën gaz, humor, shpoti e satirë të hollë ashtu si në jetën e përditshme të qytetit, ku vetë qytetarët shkodranë nuk ia përtojnë të venë në lojë vese të ndryshme, personazhe socialë e politikë, që “ia kanë ba vendin”.

Bejtat shkodrane dhe kënga popullore janë gjithmonë të pranishme në ambjentet tona, si një ushqim shpirtëror dhe si një pjesë e pandashme e këtij qyteti. Një larmi pra të veçantë kësaj sofre i dha edhe Grupi i Bejtave Shkodrane me bejtexhinjtë e saj, tashmë të afirmuar si artistë popullorë: Bujar Zurali, Dilaver Cufi, Isuf Çoku, Dila Mataj dhe Agron Zaganjori.

Pavarësisht nga vështirësitë që qyteti i Shkodrës ka përjetuar në këtë kohë pandemie ashtu si gjithë Shqipëria, e pse jo, si e gjithë bota, ditë më të bukura dhe më optimiste kanë ardhur në vazhdim, pasi ky qytet në raste festash, sofrat gjithmonë i ka shtruar me bujarinë dhe mikpritjen që e ka karakterizuar. Kështu që mendoj se shtrimi i kësaj sofre bujare këtë radhë, e cila këtë vit festoi 21-vjetorin e saj si një spektakël shumë popullor, ka një veçori të lavdërueshme, sepse u shtrua në një lokal me një emër shumë domethënës “PANORAMA” me pronar z.Bilal Mehaj. Domethënës, sepse ky ambient tregoi se është thellësisht jo vetëm pronë e qytetit të Shkodrës, por edhe një evokim i dashurisë së madhe që kanë të gjithë shqiptarët e emigruar, e në mënyrë të veçantë Diaspora jonë që na bën aq krenar.

Ashtu siç e kishin menduar organizatorët, ku natyrisht meritat i takojnë ideatorit prej 21 vitesh të këtij evenimenti z.Xhelal Halili, Sofra Shkodrane i mirëpriti miqtë e saj ashtu siç i ka hije, me tingujt e këngëve të pavdekshme shkodrane. Në atmosferën që krijoi me zërin e tij të mrekullueshëm “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili, ku skenë bëri gjithë sallën dhe “partnerë” të gjithë të pranishmit, që në këmbë duartrokitnin, vallëzonin dhe shoqëronin me zërin e tyre, këngët e tij të mrekullueshme, u ngritën dollitë, pjesëmarrësit uruan njëri-tjetrin për një vit të mbarë, për begati e lumturi në familjet e gjithsecilit, duke sfiduar kështu edhe hallet që asnjëherë nuk mungojnë. “Jehona e Shkodrës” me producent z.Xhelal Halili vlerësoi kontributin e këngëtarit Bujar Qamili të dhënë ndër vite me një “Mirënjohje”. Salla u elektrizua, sepse ishte mbushur si rrallë herë me spektatorë artëdashës, siç mbushet një bahçe me lule të bukura në pranverë. E veçantë dhe pozitive ishte se përveç dashamirësve të moshuar të këngëve popullore qytetare shkodrane, freski i jepte audiencës mosha e re e spektatorëve, djem e vajza shkodrane që shpesh pa të drejtë “akuzohen” se rendin pas muzikës moderne dhe harrojnë se qyteti i tyre ka këngë shumë të bukura.

Kjo festë e vërtetë, kjo mbrëmje magjike, ngjasonte me dasmat tradicionale shkodrane që bëheshin dikur në oborre, ku ashikë e dashamirë të këngës rrinin me orë të tëra për të shijuar magjinë e Ahengut shkodran dhe pastërtinë e humorit që nuk mungonte kurrë. I shkojnë këtij qyteti këto lloj festash, këto manifestime sa të bukura aq dhe kulturore e shpirtërore, siç i ka hije edhe “Sofrës shkodrane” me ritme e hove rinore.

“Sofra shkodrane” tregoi se di ta ruajë traditën e bukur të këtij qyteti të shquar të artit dhe të kulturës, ku zërat e papërsëritshëm të këngëtarëve të mrekullueshëm, jehuan në çdo kënd të sallës, përqafuan dhe përkëdhelën të gjithë tavolinat e shtruara në këtë mbrëmje dhe e kthyen këtë sofër në një dasëm të vërtetë shkodrane. Gjithsecili këndonte, gjithsecili cakrronte gotën, duke u ndjerë krenar dhe që në prezantimin e parë u përcollën emocione që spektatorët e pranishëm kishin kohë pa i shijuar.

Për ta mbajtur të gjallë këtë traditë, për të mbajtur në formë interpretuesit e vjetër dhe për të sjellë zëra të rinj, Agjensia e spektakleve “Jehona e Shkodrës” hodhi hapat e parë për të krijuar edhe ajo vetë një traditë, që tradita e vjetër të mbetet e gjallë, autentike, por edhe e freskuar me interpretues të rinj që janë pikërisht ata sot përfaqësues të këtij burimi të pashtershëm.

Sofrat bujare nuk shtrohen kurrë vetëm me njerëzit e shtëpisë. Ata pikërisht pse janë bujare dhe mikpritëse, në vendet e nderit kanë miqtë. E këta nuk ishin pak. Kishin udhëtuar nga larg. Miq dhe artistë, kishin ardhur nga Kosova, nga Labëria, nga Mali i Zi, nga Maqedonia, Europa e deri nga Amerika e largët, për të çuar një dolli në sofrën shkodrane, për t’i treguar Shkodër Loces se gjithmonë e kanë dashur dhe respektuar këtë qytet të mrekullueshëm, këtë qytetari, që gjithmonë i ka dhënë Shqipërisë atë që ky vend i quajtur Atdhe ka pasë nevojë: kulturën, arsimin, artin, shkencën, sportin dhe gjithçka që i ka paraprirë zhvillimit.

Mbrëmja kaloi me një atmosferë jashtëzakonisht të gëzueshme. Ritmet e muzikës, zërat e mrekullueshëm të këngëtarëve, numrat e përzgjedhur të humoristëve shkodranë, si dhe surprizat që sollën, krijuan një atmosferë të tillë, ku akrepat e orës nuk kishin asnjë vlerë në lëvizjen e tyre.

Ky organizim, të rikthehemi edhe një herë, meritat kryesore i ka nga Shoqëria Kulturore “Jehona e Shkodrës”, me producent z.Xhelal Halili, por gjithmonë në sofra edhe disa nga miqtë kanë merita të veçanta, aq më shumë në sofrën shkodrane. Për këtë aktivitet kaq emocionues, por edhe të rëndësishëm të qytetit të Shkodrës, do të prononcoheshin edhe përfaqësues të shquar të jetës kulturore e artistike. Poeti i shquar Agim Doçi “Mjeshtër i Madh” ishte një ndër miqtë më të nderuar, jo vetëm për lidhjet e tij me qytetin e Shkodrës, por në mënyrë të veçantë me lidhjet e tij me artistët e qytetit të Shkodrës, i cili me shumë përmallim u shpreh: “Sofra shkodrane po bëhet një traditë e bukur. Edhe sivjet u kënaqëm dhe u përmalluam me këngën shkodrane që nuk vdes kurrë. Sa mirë do të ishte që në rreshtat e parë të sallës të shihnim ata që i dhanë jetë këngës shkodrane dhe e ngritën aq lart. Mos i harroni ata, ju që organizoni koncerte kaq të bukura. Prania e tyre ia shton bukurinë këtyre veprimtarive. Shkodra gjithmonë ka patur vlera të tilla që e them me bindje se nuk mund t’i ketë çdo qytet”.    Ngrohtësi kësaj sofre tradicionale i solli edhe moderatorja e talentuar Ketlin Pjalmi.

“Sofra Shkodrane” këtë natë nuk njohu limite kohe, por si një sofër e madhe bujare bashkoi rreth saj deri në orët e para të mëngjesit, të zotët e shtëpisë dhe miqtë e ardhur nga gjithë Trevat shqiptare dhe Diaspora, duke treguar kështu se është sofra e një shtëpie që festat gjithmonë i feston me vëllezër, miq dhe dashamirë.