Presidenti i FSHN Agim Çiraku:  Vitin  2021 do ta cilësoja të mbarë dhe me shumë rekorde të thyera

244
Sigal

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit Agim Çiraku

Vitin 2021 do ta cilësoja të mbarë dhe me shumë rekorde të thera. Për vitin 2022 shpresojmë që notarët të realizojnë normat e kualifikimit. Kupa “Klavio Meça”, një detyrim për një notar të talentuar. Ja rezultatet teknike të aktivitetit

 

 

 Për 2022 shpresojmë që notarët të realizojnë normat e kualifikimit

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku: I kemi detyrime Klavios, një notar i talentuar dhe një djalë shumë i mirë

GJERGJ VYSHKA

Një përkujtimore për Klavio Meçan! Ky ishte premtimi i mbajtur i presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, ndërsa të hënën në pishinën e Te Stela, miq e shokë, por dhe trajnerë, janë mbledhur për të përkujtuar në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta ish-notarin e talentuar. Shumë dhimbje, shumë kujtime, por dhe garë njësoj sikur në pishinë të ishte Klavio. Për të parin e notit shqiptar ishte një detyrim i realizuar, ndërsa viti 2021 ka qenë shumë rezultativ, përsa i përket rekordeve. Çiraku beson se shumë shpejt edhe kompleksi i pishinave në Tiranë tek Akuadromi, tashmë dhe me premtimin e kryeministrit Edi Rama, do të jetë vetëm për notin, gjithnjë nën administrimin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Durrësi e Vlora janë pishinat e reja, të cilat përmirësojnë infrastrukturën e notit shqiptar. Ndërkohë që viti 2022 pritet të sjellë të tjera rekorde të përmirësuar për notin shqiptar. Ja dhe intervista e plotë e presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, dhënë për gazetën “Telegraf” në këtë fundviti 2021.

– Një detyrim i përmbushur ndaj Klavio Meças ky aktivitet që organizuat në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të tij?

– Ne si komunitet dhe si Federatë Shqiptare e Notit i kemi detyrime Klavios. E meritonte një përkujtim të tillë, sepse ishte një djalë i mirë, mbi të gjitha një notar dhe një rekordmen i spikatur. Aq më tepër që respekti shkon për familjen e tij, sepse është familje sportistësh. Jo rastësisht sot e motra, Kaltra, është notare kampione dhe rekordmene. Organizuam një aktivitet model në të cilën u thyen disa rekorde. Kryetrajneri Sadik Mema dhe shokët e tij sollën kujtimet për Klavion, ndonëse vazhdon të jetë e rëndë humbja e tij për familjen. Por besoj se Klavio e meritonte këtë respekt nga ana jonë. Për gjithçka që ka dhënë në notin shqiptar.

– Meqë jemi në këtë fundviti 2021, si do ta cilësonit për notin shqiptar?

– Më lejo të them që trajnerë e notarë së bashku kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Mos harroni që vinim nga një vit Pandemie, ku gjithhte e bllokuar, dhe kemi kaluar përsëri një vit të vështirë. Megjithatë ne në çdo aktivitet ndërkombëtar ku dhe kemi marrë pjesë, këtu përfshihet dhe Kampionati Botëror i Abu Dabit në pishinat e mbyllura 25-metërshe, kemi thyer rekorde. Një nivel notarësh, që vjen në rritje, dhe që premton shumë për të ardhmen. Dhe në aktivitetet kombëtare, apo dhe në turne të vogla ku dhe është marrë pjesë kemi thyer rekorde. Mund të jemi i vetmi sport në vend që në vit përmirësojm 25-30 rekorde kombëtare. Dhe kjo nuk është pak.

– Rreth një javë më parë në takimim me kryeministrin Edi Rama keni kërkuar që kompleksi i Pishinave të Akuadromit t’i kalojë nën administrim Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Sa besoni realisht se mund të mbahet si premtim?

– Kjo është e vërtetë. Por duhet të dini dhe një gjë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për çfarë ka premtuar e ka mbajtur fjalën. Duhet të dini që ato pishina janë të Bashkisë së Tiranës, ndërsa atyre që e kanë patur nën mbikqyrje u ka përfunduar kontrata. Kryeministri Rama ka urdhëruar Bashkinë që ato pishina t’i kalojnë nën administrim Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe unë besoj se ky do të jetë premtim i mbajtur. Një kompleks pishinash jo vetëm për notarët profesionist, por dhe për të gjithë ato që e duan këtë sport.

– Duke mbetur gjithnjë tek infrasktruktura në çfarë niveli është?

– Duke e krahasuar me vitin 2000, kur gjithçka ishte zero, besoj se jemi mirë. Mos harroni që kemi përfituar dy pishina 50-metërshe, në Durrës dhe në Vlorë, pishina olimpike, të cilat janë në gjendje të mirë. Nëse marrim dhe këtë të Tiranës, atëherë jemi të plotësuar. Ka dhe më mirë. Por, e theksoj, krahasuar me vitin 2000 jemi shumë më mirë. Dhe unë besoj se noti shqiptar ka mundësi të bëjë dhe më shumë, gjithnjë me infrastrukturë dhe më të plotësuar.

– Së fundi, çfarë prisni për vitin 2022?

– Noti shqiptar gjithnjë ka treguar se përmirëson vit pas viti rekorde. Kështu besoj se do të ndodhë dhe gjatë vitit 2022. Shpresojmë që ata notarë, të cilët janë pranë normave të kualifikimit t’i realizojnë ato. Do të kemi një vit me shumë arritje për notin shqiptar, sikurse kemi bërë gjithmonë.

TONI GROSHI DHE KALTRA MEÇA

MË TË MIRËT E KUPËS “KLAVIO MEÇA”

Dy rekorde të thyera, por dhe shpërblime financiare nga familja për fituesit e tre vendeve të para. Federata Shqiptare e Notit “Mirënjohje” për ish-notarin e talentuar

Toni Groshi dhe Kaltra Meça ishin notarët më të mirë të Kupës “Klavio Meça”, që të hënën u organizua në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-notarit të Stelës. Për meshkuj, me një diferencë të vogël pikësh, në vendin e dytë ka ardhur Sofian Sarrag, kurse në të tretin Paolo Priska. Për femra, pas Kaltra Meças, në vendin e dytë ishte Sara Dande dhe në vendin e tretë Vivian Xhemollari. Një aktivitet në të cilin kanë marrë pjesë notarët e Stelës, Teutës, Tiranës etj, të cilët e kanë shndërruar Kupën “Klavio Meça” në një minikampionat.

NUK MUNGOJNË REKORDET

Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Dy rekorde të reja edhe në Kupën “Klavio Meça”. I pari ka ardhur nga Katra Meça, që në 400 metra stil i lirë për moshën 13-14 vjeç ka dhënë kohën e re 4’31”54. Po kështu edhe në 4×50 metra stil i përzier për femra, tashmë për të rritura, Stela do të jepte kohën e re 2’13”00.  Ndaj dhe të gjithë besojnë e mendojnë se noti është sporti, që jep rekorde në çdo aktivitet.

SHPËRBLIME NGA FAMILJARËT

Edhe pse në dhembje, familjarët e Klavio Meças kanë gjetur mundësinë e shpërblimit për tre vendet e para meshkuj dhe femra. Kështu vendi i parë, sipas informacionit që ka dhënë sekretarja e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Notit, Suela Haxhija, ka marrë nga familja Meça 100 euro. Vendi i dytë 75 euro dhe vendi i tretë 50 euro. Jo vetëm kaq, por Federata Shqiptare e Notit ka dhënë kupë e aktivitetit për tre vendet e para meshkuj dhe femra.

MIRËNJOHJE PËR KLAVION

“Mirënjohje për Klavion!”. Ky ka qenë trofeu që ka dorëzuar Federata Shqiptare e Notit për familjarët e ish-notarit të talentuar në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta. Tanimë shpresohet që një aktivitet i tillë të jetë i përvitshëm në kalendarin e Federatës Shqiptare të Notit me shpresën që çdo vit do të ketë rekorde të reja. Ashtu sikurse do të donte Klavio vetë.

 

REZULTATET TEKNIKE TË KUPA “KLAVIO MEÇA”

MESHKUJ

50 METRA STIL I LIRË                   JONI HALILAJ (TEUTA)                 26”75

100 METRA STIL I LIRË     ALESSANDRO MUKA (TEUTA)   56”59

200 METRA STIL I LIRË     PAOLO PRISKA (STELA)               2’02”68

400 METRA STIL I LIRË     SOFIAN SARRAG (TEUTA)                       4’20”21

50 METRA BRETKOSË                   TONI GROSHI (TEUTA)                 30”53

100 METRA BRETKOSË     TONI GROSHI (TEUTA)                 1’08”47

50 METRA SHPINË              FLAVIO KORA (STELA)                31”19

100 METRA SHPINË                        ALE BEQIRI (TEUTA)                                 1’18”50

50 METRA DELFIN             GRESI KOXHAKU (TIRANA)       27”25

100 METRA DELFIN                       ENDI KOLA (STELA)                                  1’00”69

100 METRA KATËRNOTIM           NIKLAS HOXHA (STELA)             1’10”48

SPORTISTI MË I MIRË: TONI GROSHI (TEUTA) 1093 PIKË FINA

FEMRA

50 METRA STIL I LIRË       ERLA KAÇURRI (STELA)              30”59

100 METRA STIL I LIRË     LIANA MUKA (STELA)                  1’04”82

200 METRA STIL I LIRË     KALTRA MEÇA (STELA)               2’14”09

400 METRA STIL I LIRË     KALTRA MEÇA (STELA)               4’31”54

50 METRA BRETKOSË                   TELMA HARSHOVA (STELA)      37”60

100 METRA BRETKOSË     TELMA HARSHOVA (STELA)      1’18”16

50 METRA SHPINË              ELISA KAÇURRI (STELA)             33”75

100 METRA SHPINË                        VIVIAN XHEMOLLARI (STELA) 1’09”37

50 METRA DELFIN             ARLA DERMISHI (STELA)                        31”93

100 METRA DELFIN                       ARLA DERMISHI (STELA)                        1’12”66

100 METRA KATËRNOTIM           VIVIAN XHEMOLLARI (STELA) 1’10”59

SPORTISTJA MË E MIRË: KALTRA MEÇA (STELA) 1197 PIKË FINA