Rajna Kovaci: Kleopatra e Egjiptit jo vetëm Ikonë, por dhe Perëndesha e dymijëvjeçarit Historik

804
Sigal

Sipas gojëdhanave, legjendave, fakteve, thuhet se, bukuria e Kleopatrës në vetvete nuk ishte krejtësisht e pakrahasueshme dhe as e tillë, që të godiste ata që me shikimin e parë, pra ajo nuk ishte si Nefertiti, që ka hyrë në histori si një nga gratë më të bukura të rruzullit tokësor. Kleopatra kishte tipare shumë të veçanta. Biseda e saj kishte një bukuri të parezistueshme dhe në planin e dytë qëndronte pamja e saj. Ajo bashkë me joshjen e fjalës, bënte që personazhi që ishte përballë ta shijonte bisedën, ajo e ndërtonte në një mënyrë të tillë që bashkëfolësi të përshkohej nga fjalët e saj dhe të qëndronin  njëkohësisht si thumb depërtues tej për tej. Shumë të pakët ishin barbarët me të cilët ajo negocionte nëpërmjet përkthyesit; shumicës ajo u jepte përgjigjet vetë menjëherë, si për etiopianët, trogloditët, hebrenjtë, arabët, sirianët, medët, parthinët. Thuhet se ajo dinte shumë gjuhë, por e njihte dhe e përdorte në mënyrë të përsosur gjuhën egjiptIane, ndërsa mbretërit e mëparshëm as që ishin nënshtruar të mësonin egjiptianisht dhe disa kishin harruar edhe dialektin maqedonas “- Plutarku, biografi dhe shkrimtari greko-romak, e përshkruante kështu Kleopatrën: -Një nga figurat më legjendare të botës antike, mbretëreshën e fundit ptolemeike të Egjiptit përmes dy dashurive të saj të mëdha -Jul Cezarin dhe Mark Antonin. Ajo përbënte një rrezik të madh për Romën, sepse ishte një hap larg  nga shpallja si: “Perandoreshë e Romës edhe e botës”. Siç ndodh shpesh, rreth figurës së saj lindën histori dhe thashetheme  si dhe legjenda të të gjitha llojeve, si për shembull se ishte prostitutë, se pinte shumë dhe se i pëlqente të kënaqej së tepërmi me kënaqësitë e të shijuarit të lojrave seksuale. Horaci e quajti  “Monstër Fatale”e Romës, ndërsa historiani i shekullit të 3-të, Cassius e përshkroi kështu: “Ajo ishte një grua me seksualitet dhe koprraci të pangopur. Aspiratat e saj ishin të fitonte dominimin mbi romakët. por dështoi dhe përfundoi në humbje. Edhe shumë autorë klasikë për personin e saj shpreheshin se ajo ishte një grua imorale. Dante e dënoi në ferr si një epshore “rrëmbyese, mizore dhe lakmuese”, Shekspiri e demonizoi dhe e quajti “gjarpri i Nilit”. Të gjitha paraqitjet e mbretëreshës egjiptiane në histori si edhe  në poezinë e Augustit, u përtërinë dhe u gjallëruan nga e njëjta urrejtje dhe gjithmonë theksonin të njëjtat tipare negative. Ndërsa Ciceroni nuk ia përmendte as emrin pasi kishte përbuzje për të…. Para së gjithash ajo ishte grua me të gjithë kuptimin e fjalës, dhe së dyti ishte një grua me pushtet, kjo e bëri atë një individ jashtëzakonisht kërcënues dhe të rrezikshëm, sigurisht për t’u urryer.

 

Të qenurit grua me pushtet më shumë se burrat në Egjiptin e lashtë ishte diçka e zakonshme: Liria dhe autonomia që gëzonte mbretëresha nuk ishin ekskluzive vetëm për to, në përgjithësi të gjitha egjiptjanet jetonin në një gjendje të emancipuar, dinin të lexonin e të shkruanin, ligjërisht kishin të njëjtat të drejta si burrat, dispononin mallrat lirisht, ata mund të zgjidhnin edhe burrat e tyre.. Të ishe grua në Egjipt, trashëgoje këtë mënyrë jetese të karakterizuar nga liria dhe pavarësia. Që ishte një fenomen i rrallë për gratë që i përkisnin kulturave të tjera të kohës. Por të qenurit joshëse dhe seksuale, në të vërtetë këto cilësi nuk ishin arma e saj më e mirë dhe më e fortë. Kleopatra  ndoshta nuk ka qenë kurrë një grua me bukuri të rrallë, por sigurisht me vitalitet të jashtëzakonshëm dhe inteligjencë të rrallë. Forca e saj e vërtetë ishte personaliteti i saj i fortë, ajo në të vërtetë ishte një grua shumë e kulturuar, inteligjente, e rafinuar, që dinte të fliste për tema të ndryshme, që dinte shumë gjuhë dhe si rezultat mund të them e bindur se ishte e këndshme dhe ishte kënaqësi të bisedoje dhe të kaloje kohën. Ky ishte edhe një nga shkaqet që dy romakët u marrosën prej saj. E donte shumë Egjiptin dhe bëri gjithëshka për ta forcuar dhe prosperuar atë. Kleopatra VII lindi në vitin 69 para Krishtit në Aleksandrinë e Egjiptit nga Ptolemeu XII. Mbretëresha nuk ishte me origjinë egjiptiane, por iliro- greke. Ajo në fakt ishte një pasardhëse e Ptolemeut një nga gjeneralët që së bashku me Aleksandrin e Madh në vitin 332 p.e.s. pushtuan Egjiptin. Pas vdekjes së pushtuesit maqedonas  Aleksandër,Ptolemeu mori kontrollin e rajonit, duke themeluar dinastinë Ptolemeike dhe duke shënuar fillimin e epokës helenike në Egjipt me Aleksandrinë si kryeqytet. Ishte viti 48 para Krishtit, kur Kleopatra  u njoh me Jul Cezarin, njeriun më të fuqishëm të botës së atëhershme, i cili kishte ardhur në Aleksandri në gjurmët e Pompeut pas përfundimit të luftës civile romake.

Për të njohur Cezarin- diktatorin romak, dhe për të hyrë në pallat pa rrezikuar jetën e saj, Kleopatra e rrëzuar dhe e internuar nga vëllai i saj, ishte mbështjellë në një qilim, që miku dhe bashkëpunëtori i saj, Apollodorus Siculus, mbante mbi supe. Në prani të perandorit qilimi u rrokullis në tokë dhe ajo u shfaq si një vegim, me rrobat më të kushtueshme dhe xhevahiret më të çmuara. Duke folur me të në latinisht, ajo kërkoj mbrojtjen e vëllait tëi saj. Me një lëvizje të zgjuar dhe dinake, ajo arriti ta bënte Cezarin të martohet dhe të dy ranë në  dashuri më njëri tjetrin po atë natë. Nga ky bashkim lindi Cezarioni në vitin 47 para Krishtit, djali i vetëm i Cezarit dhe trashëgimtari i tij legjitim. Falë Cezarit, Kleopatra mbeti e vetmja sovrane e Egjiptit. Por Kleopatra nuk e braktisi ëndrrën e saj për një perandori të madhe të Mesdheut Lindor të kryesuar nga Aleksandria. Pas vdekjes së Cezarit, ajo afroi Mark Antonin, i cili u bë guvernatori i Lindjes. I famshëm ishte përshkrimi i takimit të tyre, i cili u zhvillua në Kiliki, ku Kleopatra u prezantua sipas Plutarkut : “me një anije me një stemë të artë me vela të purpurta të shpalosura në drejtim të erës. Vozitësit vozisnin kundër rrymës së erës me rrema argjendi nën tingujt e fyellit të artë shoqëruar me gajde dhe lahuta. Ajo ishte e shtrirë nën një tendë të mbuluar me ar”. Antonio u magjeps nga Kleopatra. Ajo grua ishte një intelektuale, filozofe, kishte një sens të fortë humori dhe argëtimi. Sipas Plutarkut, Antoni e donte marrëzisht Kleopatrën dhe ishte i dominuar dhe i nënshtruar prej saj. Mjaftoi që ajo të vononte disa minuta dhe ai gëlltitste zemrën, prej ankthit nga shqetësimi dhe dehja. Ajo shpesh kërcente që ai ta shihte në distancë. Oktavian Augustus i shpalli luftë Egjiptit, mundi ushtrinë e tyre në betejën e Actium në 31 para Krishtit. Pasi u fitua beteja, ai luajti lojën e tyre duke u bërë perandor i Romës dhe duke përdorur pasurinë e madhe të Egjiptit për të filluar regjimin monarkik. Thesaret egjiptjane ishin aq të bollshme sa rrodhën në Romë. Çmimi i metalit të argjendit u përgjysmua dhe normat e interesit ranë, gruri dhe misri vërshuan pafund në Romë. Oktaviani përgatiti një plan intensiv rindërtimi për ta bërë Romën një qytet të përshtatshëm për mbretërimin e tij. Ai e ndryshoi emrin e tij në Cezar Augustus, një emër i përshtatshëm për një perandor. Ky ishte momenti kryesor ku u formua një perandori që ishte e destinuar të zgjaste për 400 vjet në botën perëndimore me një perandor në krye. U kalua nga një republikë në një perandori dhe disfata e Kleopatrës ishte hap themelor në historinë e imperializmit perëndimor, megjithatë Antoni dhe Kleopatra ishin vërtet një hap larg sundimit të botës, nëse do të kishin fituar të gjithë shtyllën kurrizore të perandorisë Romake. Ata do të kishin sjellë në lindje, gjuhët neolatine, duke përfshirë italishten, nuk do të kishin origjinë latine, por greke dhe sigurisht që do të ishte një botë shumë e ndryshme. Sigurisht sharmi i Kleopatrës, asaj gruaje që zotëronte joshjen e fjalës, pushtoi botën, e cila edhe sot, dy mijë vjet pas vdekjes së saj, e kujton atë magjindjellëse dhe të shkëlqyer si një perëndeshë. Me të në vitin 31 p.k. përfundon epoka helenike dhe filloi ajo romake. Mbeti Mbretëreshë deri në fund. Ajo vendosi të vdesë në mënyrën më fisnike dhe më të veçantë, deri në atë pikë sa të marrë jetën e saj në vend që të poshtërohej para Romës.