Promovohet libri i Prof. Dr. Ago Nezha “Papagajtë e politikës”

609
Sigal

Dje në ambientet e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, u promovua libri publicistik i Prof. Dr. Ago Nezha “Papagajtë e politikës”. Në këtë veprimtari morën pjesë ish -Presidenti Alfred Moisiu, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, Prof .Fatos Klosi, Prof. Bardhosh Gaçe, poetë, shkrimtarë, publicistë, politikanë, gazetar, Drejtori i gazetës “Telegraf”, Egjëll Musai si dhe miq dhe të afërm të autorit. Duhet theksuar se, hyrjen e këtij libri kaq interesant e ka bërë Prof. Dr. Servet Pëllumbi, i cili për arsye pune, me shërbim jashtë shtetit nuk mundi të vijë në këtë promovim.  Drejtuesi i aktivitetit pas fjalës përshëndetëse ja dha fjalën Prof. Dr Pëllumb Xhufit, i cili në fjalën e tij theksoi se Prof. Ago Nezha vitet e fundit është bërë një ndër intelektualët më të spikatur në fushën e publicistikës, i cili me shkrimet e tij, opinionet, komentet, ka qenë njeriu që s’është pajtuar me asnjë qeveri, kur politikat e tyre kanë rënë ndesh me interesat kombëtare dhe ato të shoqërisë shqiptare në tërësi. Prof. Ago Nezha me një kulturë dhe jashtë çdo lloj ngjyrimi ka bërë prezente sidomos problemet në bujqësinë shqiptare, apo dhe ekonominë, ku të ashtuquajturat “çeku i bardhë”, “shkatërrimi i gjithçkaje komuniste” ndikoi jo pak në ekonominë shqiptare. U prenë hektarë të tërë me pyje, u shkatërruan kanalet ujitëse, u shkatërruan fabrikat, uzinat, një pronë e tërë popullore që e bëri Shqipërinë edhe më të varfër. Probleme të tilla si dhe politika jo efikase për rritjen e mirëqenies së popullit janë ato që ngre Prof. Ago në këtë libër theksoi Prof. Xhufi. Por ajo që dua të theksoj më shumë është se në tërë shkrimet e tij Prof. Ago Nezha është treguar patriot, një intelektual i dashuruar me atdheun. Pas tij fjalën e mori Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, i cili e vlerësoi librin si nga ana e tematikës po ashtu dhe nga ana, artistike dhe mesazhore. Sipas tij në këtë libër të shkruar thjesht dhe bukur, Agua do t’u tregojë lexuesit se duhet të jemi më të kujdesshëm ndaj politikës, më të qartë ndaj zhvillimeve politike në vend dhe më të ndërgjegjshëm ndaj votës së lirë. Mesazhi i këtij libri është i qartë, që sidomos intelektualët në jetën e tyre duhet të jenë konkret në idetë dhe punën e tyre ku çdo gjë duhet të bëhet në interes të atdhedashurisë. Ky është dhe mesazhi që përcjell ky libër theksoi Prof. Gaçe. Mbas tij e morën fjalën shumë  publicistë, gazetarë, intelektualë, të cilët folën në mënyrë konkrete për të veçantat e këtij libri voluminoz që është pjesa më e rëndësishme e krijimtarisë së Nezhës.  Në këtë promovim u lexuan dhe pjesë të ndryshme nga libri, ato të cilët  diskutantët i quajtën opinionet më pikante të këtij libri që vërtet i mungonte tregut shqiptar. Në fund të takimit, pati shumë diskutime të lira dhe disa minuta bashkëbisedimi për ato çka sjell ky libër në tregun delikat të lexuesve. Duke i falënderuar për pjesëmarrjen Prof. Agua theksoi se, ky takim, është dhe një përgjegjësi e madhe, pasi “përpara këtij auditori shumë të kualifikuar duhet të jesh i kujdesshëm, pasi çdo vërejtje juaja është një mësim për mua në të ardhmen. Kur libri arrin për lexim deri në nivele të tilla intelektuale, që përbëjnë ajkën e inteligjencës shqiptare, mos cilësia është e pajustifikueshme”, përfundon Prof. Ago Nezha.

PERIKLI JORGONI, PËRKTHYESI BRILANT DHE POETI BOHEM

Dje me nismën e bashkëshortes së përkthyesit dhe poetit Perikli Jorgoniu zonjës Lida  Jorgoni, u përkujtua 6-mujori i ndarjes së tij nga jeta. Në këtë takim përkujtimor ishin mbledhur, shkrimtarë, poetë, piktorë, familjarë, kritikë arti, miq dhe të afërm të  përkthyesit dhe poetit të madh. Kur nuk pritej, para 6 -muajsh Jorgoni humbi aksidentalisht jetën në Durrës, në kulmin e krijimtarisë dhe të përkthimeve të tij.  Në këtë takim përkujtimor merrnin pjesë shkrimtarët dhe poetët, Bardhosh Gaçe,  Qazim Sheme, Vasil Premçi,  Bahri Myftari,  Kujtim Dashi, Klara Kodra, Islam Spoahiu,  Ndini Bardhi, Liden Spasse,  Vsail Bozo, Marin Mema,  vajza e poetit të madh Lasgush Poradeci, Marie Gusho, mbesa e Çerçiz dhe Bajo Topullit, Lumturi Topulli, etj… Në fjalën e hapjes së këtij takimi përkujtimor bashkëshortja e Perikli Jorgonit, Lida Jorgoni, falënderoi të gjithë të pranishmit, për nderin që i bënë për të ardhur në këtë takim dhe për të kujtuar 6- mujorin e ndarjes nga jeta të Perikliut. Ju jeni të gjithë miqtë e tij më të afërmit dhe ju falënderoj që gjetët kohën dhe erdhët në këtë takim përkujtimor. Unë kam shumë kujtime të bukura me të dhe sa më shumë ecën koha, aq më shumë  ai më mungon me këshillat e tij, me punën e tij, me idetë e tij, me vizionin e tij. Unë atë e kisha shok, vëlla, burrë,  prind, çdo gjë. Sa kohe jetova me të unë mësova aq shumë sa nuk mund t’i mësoja as në dy universitete. Gjatë gjithë jetës së tij, unë kam ndjekur disa këshilla që i kishte si orientuese:  Ki kujdes nga makinat- Ha bukë mirë se ndryshe s’punon dot-Vishu mirë të mos kesh ftohtë. Dhe një nga këshillat kryesore të tij, ai nuk e zbatoi vetë dhe konkretisht makina i mori jetën. Mbas saj e mori fjalën shkrimtari Vasil Premçi, i cili e vlerësoi figurën e tij si të një përkthyesi të veçantë dhe të një poeti specifik. Sipas Premçit figura si të Jorgonit janë të rralla në lëmin e përkthyesve të rinj  shqiptarë, duke e cilësuar atë një figurë të tillë që koha po ja lartëson vlerat. Poeti Qazim Sheme përcolli tek të pranishmit poezinë e Jorgonit, si një poezi me një timbër të veçantë, si një poezi që i reziston kohës dhe që është shembull për poetët e rinj. Shkrimtari Kujtim Dashi, e vlerësoi Jorgonin në dy plane në atë  njerëzor dhe atë si krijues, ku secili plan ka rëndësinë e tij, por që në të dy rastet ai mbetet një njeri me vlera të papërsëritshme. Ndërsa Liden Spasse, miku i tij i punës, e quajti Jorgonin, një bohem të kohëve moderne, që asnjëherë nuk  e ndali mendjen dhe punën për t’i shërbyer letërsisë dhe shoqërisë shqiptare në tërësi. Në këtë takim mbresëlënës e morën fjalën  studiuesja  Klara Kodra, Islam Spoahiu,  piktori Ndini Bardhi, Vasil Bozo, Marin Mema,  që sollën tek të pranishmit pjesë jetësore nga njohja e afërt me të. Gjithkush prej të pranishmëve kishte diçka të veçantë, ku tregohej më së miri karakteri, personaliteti, aftësia krijuese, atdhedashuria, vizioni i tij për krijimtarinë.  Në fund të takimit përkujtimor të gjithë të pranishmit, ranë dakord që të përgatisin dokumentacionin e duhur, për t’i propozuar Presidentit që Perikli Jorgoni, për veprën e tij në fushën e përkthimeve dhe të  poezisë t’i jepet Titulli “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Albert ZHOLI

POLIFONIA ZAGORITE, MBUROJË E KULTURËS TRADICIONALE

Në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave Shoqata Patriotike, Atdhetare, Kulturore “Zagoria” organizoi promovimin e një CD-je me 25 këngë polifonike të kënduar nga grupi polifonik “Zagoria” me marrëse këngëtaren e mirënjohur Mimoza Kosturi, bijë e denjë e kësaj krahine. Në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm merrnin pjesë akademikë, shkencëtarë, këngëtarë popullorë, kompozitorë, dirigjent, anëtarë të kësaj shoqate me një veprimtari shumë të veçantë, miq e dashamirës të artit. Drejtues i këtij aktiviteti ishte Akademiku Jorgo Bulo, një ndër gjuhëtarët më të spikatur shqiptar. Ndërsa si një rast i veçantë nderimi ishte pjesëmarrja e Prof. Agron Fico, i cili në fjalën e tij u shpreh se është ndër më të nderuarit në këtë aktivitet për shumë arsye. E para se miqtë e tij më të ngushtë janë nga Zagoria, por dhe se Gjirokastra dhe Zagoria janë pjesë e një kulture dhe tradite në historinë e Shqipërisë. Në fjalën e tij poeti popullor i mirënjohuri Lefter Çipa, theksoi se, kënga polifonike është si fosforin, ajo ndriçon në çdo kohë dhe mban të ndezur patriotizmin e pastër të pa trazuar me asnjë ndjenjë tjetër. Akademiku Vaso Tole bëri një pasqyrë të veçantë të polifonisë Zagorite duke e cilësuar atë të bukur, specifike dhe me ngjyrime të spikatura. Me interes u prit dhe fjala e Kryetarit të Akademisë së Shkencave z. Gudar Beqiraj, i cili shprehu konsideratat më të mira për këtë CD, duke theksuar se, zagoritët janë njerëz me kulturë dhe me dije të gjerë, patriotë, pasi dhe një nga pedagogët e tij ka qenë nga kjo krahinë, ku ai prej tij ka mësuar shumë gjëra. Diskutantë të ndryshëm në këtë aktivitet shprehën idetë, mendimet, kërkesat e tyre për këngët polifonike zagorite e cila dhe pse bën pjesë në të ashtuquajturën këngë labe, ka një timbër të veçantë që mund të dallohet nga çdo specialist i mirëfilltë. Efgjen Peri, mësuesi 82-vjeçar, njeriu enciklopedi i Zagorisë, që i ka pasur nxënës të gjithë të pranishmit në atë sallë, solli pranë të pranishmëve tekste të ndryshme këngësh polifonike, që askush nuk i dinte. Ai me një kujtesë fenomenale, e cilësoi këngën polifonike zagorite si një perlë delikate që duhet ruajtur me kujdes pasi brenda ka një histori të madhe. Shkrimtari Pirro Loli midis të tjerave tha se vetëm kënga polifonike është mburoja më e mirë, e kulturës së kësaj krahine, e cila duhet ruajtur si një thesar i rrallë. Pa këtë mburojë (pra këngën polifonike), kultura zagorite do ishte e pambrojtur dhe në betejat e kohës do të asgjësohej lehtë. Vetë këngëtarja Mimoza Kosturi e quajti nderin më të madh që i është bërë asaj me këtë aktivitet, duke shprehur se pa shoqatën “Zagoria” edhe rezultatet e saj nuk do kishin këto përmasa. Ajo falënderoi në mënyrë të veçantë drejtuesit e shoqatës, Akademinë e Shkencave, që organizuan një aktivitet të tillë në shërbim të këngës së bukur polifonike që është shpallur Monument i mbrojtur nga UNESCO. Ajo përgëzoi dhe të gjithë grupin zagorit të polifonisë që me përkushtimin, profesionalizmin, e ndihmuan dhe ishin promotorët për realizmin e këtij albumi kaq të veçantë. Në fund, kryetari i shoqatës “Zagoria” z. Andon Pango, falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen, duke e vënë theksin se shoqata që ai drejton, do të jetë gjithmonë aktive në ruajtjen dhe përhapjen e vlerave kulturore si një mision i veçantë intelektual dhe patriotik. Sipas tij, vetëm me aktivitete të këtij lloji, vetëm me të tilla këngë, që janë thesare të folklorit shqiptar, kultura shqiptare do të përparojë dhe vendin që zë polifonia shqiptare në kulturën botërore do të justifikohet plotësisht, pasi kudo që këndohet ajo ka ngritur në këmbë platetë e të gjithë botës. Polifonia shqiptare, sikundër dhe ajo zagorite do të mbetet një thesar, një visar i rrallë që Shqipëria do të krenohet, por dhe do të motivohet në shekuj.

Albert ZHOLI