Prof. Dr. Gazmend Pula*/ Pas kryqëzimit vjen ringjallja

662
Sigal

Gëzimeve që po na ofron 100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me veprimtaritë e shumta që po zhvillohen në këtë kuadër, këto ditë, iu shtua edhe një tjetër dalja në dritë e librit ” Antologjia e kryqëzimit: Rusia dhe çështja shqiptare 1878-1912″, me bashkautorë Dr. Islam Lauka, diplomat, politolog dhe kremlinolog i shquar, dhe Prof. Dr. Eshref Ymeri, intelektual i njohur, leksikograf, përkthyes dhe studiues i përkushtuar i çështjes shqiptare. Ky është libri i tyre i dytë në bashkautorësi, pas atij të botuar në vitin 2006, me titull “Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse”.

Është vështirë të gjendet një titull më i qëlluar, sa simbolik aq edhe metaforik, për një vepër që si objekt të saj ka pasqyrimin me vërtetësi të qëndrimit ndaj çështjes shqiptare të një fuqie të madhe si Rusia, në një hark kohor prej 134 vjetësh, si pasojë e të cilit, territoret etnike shqiptare u copëtuan sistematikisht dhe në mënyrë të pamëshirshme. Pasqyrimin e këtij qëndrimi autorët e nderuar Lauka dhe Ymeri e bëjnë jo nëpërmjet vlerësimeve të tërthorta, por drejtpërdrejt, nëpërmjet deklarimeve dhe pohimeve të përfaqësuesve më të lartë të politikës dhe të diplomacisë zyrtare ruse, përfshirë Carët, Sekretarët e Parë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, Kryeministrat, Ministrat e Jashtëm, të Mbrojtjes etj. Të gjithë ata, pavarësisht hierarkisë shtetërore, natyrës së regjimeve që përfaqësojnë apo kushteve dhe kohës kur deklarohen, bashkohen në një pikë – në qëndrimin e egër, armiqësor, sabotues dhe rrënues ndaj çështjes shqiptare, qëndrim që, siç e thotë në mënyrë simbolike titulli i librit, çojnë në kryqëzimin e kësaj çështjeje.

Qëndrimin rrënues ndaj çështjes sonë kombëtare e shpreh brutalisht Car Nikollaj II në një bisedë konfidenciale me ambasadorin e Francës në Rusi, Moris Paleologu, më 21 nëntor 1914, kur i parashtron bashkëbiseduesit objektivat e politikës ruse në Ballkan, gjatë Luftës së Parë Botërore: “Serbia ta pushtojë Bosnjën, Dalmacinë dhe pjesën veriore të Shqipërisë, ndërsa Greqia të marrë Shqipërinë e Jugut, me përjashtim të Vlorës që do t`i lihet Italisë”.

Dyzet e katër vjet pas rrëfimit të Carit Nikollaj II, një tjetër Car, tashmë i kuq, Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të BS, J.Stalini, do t`i deklaronte të dërguarit të J.Titos, Eduard Kardelit: “Ne jemi dakord që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë… Dhe sa më shpejt aq më mirë”. Rreth gjashtëdhjetë vjet më vonë, Cari rus i radhës, V.Putin, me egërsinë dhe vrazhdësinë e paraardhësve të tij, do të ngrihet kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, në mbrojtje të dhunuesit të saj historik, Serbisë. Pra, kryqëzimin e çështjes shqiptare, Rusia e realizoi nëpërmjet klientelës së vet ballkanike, në radhë të parë, Serbisë, si një ndër mëtueset më agresive për hegjemoni rajonale dhe zgjerim territorial, në dëm të shqiptarëve, por pa u kufizuar vetëm me të, natyrisht gjithnjë, në varësi të interesave të saj gjeopolitike, gjeostrategjike dhe gjeo-ekonomike.

Me botimin e këtij libri, mund të thuhet, pa hezitim, se plotësohet një boshllëk që ka ekzistuar me kohë në historiografinë shqiptare, lidhur me qëndrimin rus ndaj çështjes sonë. Jo se nuk ka patur botime që e kanë trajtuar këtë temë në Shqipëri apo në Kosovë, por ato kanë qenë të pjesshme, për segmente të kufizuara kohe apo edhe vetëm për një ngjarje të caktuar. Antologjia që kemi në dorë jep një pamje të plotë, të sistemuar dhe të strukturuar të qëndrimit rus ndaj çështjes shqiptare.

Libri është i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë janë sistemuar dyzet e shtatë dokumente dhe materiale. I pari i përket vitit 1878 dhe ka të bëjë me qëndrimin rus ndaj Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndërsa i fundit është i datës 11 shtator 2012 dhe i referohet deklaratës zyrtare të Presidentit të Rusisë, V. Putin, lidhur me takimin e tij të dytë, brenda këtij viti, me Presidentin e Serbisë, T. Nikoliç.

Në pjesën e dytë të Antologjisë janë përfshirë disa nga vlerësimet dhe qëndrimet themelore të Komisionit të Dumës Shtetërore të Federatës Ruse për hetimin e “krimeve” të NATO-s kundër Jugosllavisë, botuar në librin “Golgota Jugosllave”, me bashkautorë ish-Kryetarin e Këshillit të Ministrave të BS, Nikollaj Rizhkov, njëkohësisht Kryetar i Komisionit  “anti-NATO”, dhe Vjaçeslav Tetjokin, Sekretar Përgjegjës i këtij Komisioni. “Golgota Jugosllave” paraqet platformën më të përpunuar dhe më të sofistikuar të politikës antishqiptare aktuale të Moskës, si të thuash, kuintesencën e saj. Rizhkovi dhe Tetjokini e “arsyetojnë” konstanten antishqiptare ruse me parimet e së drejtës ndërkombëtare. Në të vërtetë, nisur nga interesat e ngushta ruse, në rastin e Kosovës, ata injorojnë plotësisht legjitimitetin politik, historik, moral dhe humanitar të ndërhyrjes së armatosur të komunitetit ndërkombëtar në vitin 1999, siç dihet, në emër të shmangies së një katastrofe të tillë humanitare, që do të ishte e aftë të destabilizojë jo vetëm rajonin e Ballkanit, por edhe krejt Evropën. Kjo logjikë i çoi bashkautorët e “Golgotës Jugosllave” në llogoren e Millosheviçit, duke kërkuar mbrojtjen e kasapit të Ballkanit në bankën e të akuzuarit si kriminel lufte në Tribunalin e Hagës.

Bazën burimore të “Antologjisë së Kryqëzimit” e përbëjnë materialet dhe dokumentet që janë marrë nga botimet periodike të arkivave ruse, nga botimet e Akademisë së Shkencave të Rusisë dhe të Institutit të Sllavistikës pranë kësaj Akademie, nga buletinet periodike të institucioneve qendrore, në mënyrë të veçantë, ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, si dhe nga librat e kujtimeve të disa prej politikë-bërësve kryesorë rusë, të përfshirë drejtpërdrejt në hartimin, përpunimin dhe zbatimin e politikës së Rusisë, lidhur me çështjen shqiptare. Në këtë kuadër, vlejnë për t`u përmendur kujtimet e Ministrave të Punëve të Jashtme, Sazonov dhe Ivanov, të Kryeministrave Primakov dhe Çernomirdin, të Presidentit Jelcin etj..

Në pjesën më të madhe të tyre, mbi 90% e dokumenteve dhe e materialeve të këtij libri, botohen për herë të parë në gjuhën shqipe.

Renditja e dokumenteve dhe e materialeve është bërë në mënyrë kronologjike, duke i dhënë përparësi, si rregull, kronologjisë së ngjarjeve dhe, në raste të veçanta, asaj të kohës së botimit të dokumentit. Sa u takon ngjarjeve, kronologjia e tyre nis me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe mbyllet me zhvillimet e fundit në Kosovë. Ndërkohë, kronologjia e botimeve që kanë shërbyer si burim për Antologjinë përfshin vitet ’20 të shekullit të kaluar ( Sazonov, Paleologu) deri te botimet e viteve 2011 -2012. Duke i qëndruar besnik deri në fund idesë së tyre për një përmbledhje sa më të plotë të qëndrimeve zyrtare ruse për çështjen shqiptare, autorët e librit kanë shmangur përdorimin e vlerësimeve apo të karakterizimeve të politikës ruse nga ana e të tjerëve, qofshin ata edhe autorë rusë. Në të gjithë Antologjinë kemi vetëm dy-tre raste që dalin jashtë këtij rregulli, njëri prej të cilëve është citimi i  librit “Qorrsokaku ballkanik”, me autorë historianët ushtarakë rusë, Nina Vasiljeva dhe Viktor Gavrillov, sipas të cilëve, prania e Serbisë në Kosovë, ashtu si edhe ajo e Rusisë në Kaukaz, ka një “justifikim gjeo-qytetërues”. Është pikërisht përdorimi i këtij termi që shpreh shumëçka për politikën ruso-serbe ndaj popullit shqiptar dhe trojeve të tij që i ka bërë autorët Lauka dhe Ymeri të citojnë një fragment të shkurtër nga ky libër. Dy luftërat e viteve ’90 në Çeçeni dhe lufta e fundit në Kosovë më 1999, me dhunën masive, terrorin e strukturuar shtetëror dhe spastrimin etnik të çeçenëve dhe të shqiptarëve, përbëjnë dëshmitë më të qarta të misionit “gjeoqytetërues” ruso-serb.

Duke vazhduar në këtë linjë, autorët e librit, përgjithësisht, janë përmbajtur edhe vetë nga komentet dhe vlerësimet, lidhur me politikën ruse ndaj çështjes shqiptare, për t`ua lënë ato ekspertëve, studiuesve të specializuar, apo edhe lexuesve të thjeshtë. Megjithatë, Dr. Lauka dhe Prof. Ymeri kanë bërë shënime me shumë vlerë, të cilat janë vendosur në faqen e fundit të çdo dokumenti dhe kanë natyrë kryesisht njohëse dhe informative rreth autorëve të materialeve, rreth protagonistëve të ngjarjeve apo vetë ngjarjeve. Kur është gjykuar e domosdoshme, gjithsesi, është bërë edhe ndonjë koment i shkurtër, por në raste krejt të veçanta, siç ka ndodhur, p.sh., me hedhjen poshtë të spekulimeve ruso-serbe mbi të ashtuquajturat zhvendosje të serbëve nga Kosova dhe gjoja invazionet, po ashtu periodike, të shqiptarëve nga Shqipëria në Kosovë. Në këtë libër, disa dokumente dhe materiale janë dhënë në formën e tyre të plotë, ndërsa të tjerat në mënyrë të pjesshme. Kjo ka ndodhur për shkak se në Antologji janë përfshirë vetëm pjesët që kanë lidhje me çështjen shqiptare, kurse të tjerat janë shmangur. Autorët u janë përmbajtur rigorozisht kritereve shkencore që zbatohen në botimet e kësaj natyre. Në krye të çdo dokumenti apo materiali jepet titulli në shqip, burimi nga është marrë, përfshirë faqet e cituara, viti i daljes në dritë, si dhe autori. Një punë e shkëlqyer është bërë me transkriptimin e titujve të origjinalit, nga cirilika në alfabetin latin, duke u dhënë mundësi edhe lexuesve që nuk i njohin gjuhët sllave, të orientohen sa më mirë lidhur me origjinën e dokumentit për të cilin bëhet fjalë.

Në fund të librit është dhënë treguesi i emrave të njerëzve dhe të vendeve.

Një vlerë tjetër e këtij botimi është cilësia e lartë e përkthimit. Në çdo faqe dhe në çdo rresht haset një shqipe e pastër dhe e pasur, gjë që nuk mund të arrihet pa zotërimin e mjeshtërisë së përkthimit në perfeksion. Pjesa dërrmuese e materialeve janë përkthyer nga rusishtja, por nuk mungojnë as ato nga anglishtja dhe serbishtja. Është meritë e autorëve të librit Dr. Lauka dhe Prof. Ymeri që në morinë e dokumenteve dhe materialeve ruse për shqiptarët dhe trojet e tyre, kanë ditur të zgjedhin ato më

domethënëset, më përfaqësueset, duke na e paraqitur qëndrimin e kësaj fuqie të madhe ndaj nesh, ashtu siç është në fakt, të egër dhe cinik. “Antologjia e Kryqëzimit”, me siguri, do të jetë një libër tavoline për studiuesit e historisë, të politikës dhe të diplomacisë, por edhe për publikun e gjerë. Ajo do të jetë një referencë e përhershme autentike për faktorin shqiptar, akademiko-shkencor, por edhe atë politiko-shtetëror. Jam i bindur se ky botim dinjitoz do të gjenerojë studime e monografi të reja, me analiza, komente, interpretime dhe përfundime me vlerë për të sotmen dhe për të ardhmen e kombit tonë. Sepse politika ruse dhe e klientelës së saj ballkanike, për mbi një shekull, vërtet e kryqëzoi çështjen shqiptare, por, siç dihet, pas kryqëzimit vjen ringjallja. Ajo ka filluar. Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më të lirë dhe më të bashkuar sesa sot. Kosova, tashmë, është shtet i pavarur dhe sovran. Shqipëria është anëtare e Aleancës më të fuqishme të botës, NATO-s, dhe tani ndodhet në prag të marrjes së statusit të kandidatit për në BE. Në këtë kontekst, “Antologjia e Kryqëzimit”, duke hedhur dritë mbi qëndrimin antishqiptar të Rusisë, njëkohësisht, shërben si një thirrje për kujdes dhe maturi në proceset e reja që na presin, të cilat, pa dyshim, tani kanë marrë kah tjetër, atë të ringjalljes shqiptare.

*Ish-Ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Shqipëri