Argjend Lloga: Ëndrra ime të vizitoja Tiranën

832
Sigal

INTERVISTË/ Flet këngëtari i mirënjohur i Strugës, Argjend Lloga: Ishte e rrezikshme të vendosje emër shqiptar në Jugosllavinë titiste

-Kur erdha në Tiranë në 1991 gjeta një Tiranë të varfër me njerëz të dashur

–         Në 7 albume këngët kryesore janë për patriotizmin

–         – Ushtrinë e bëra në ish-Jugosllavi, ku  thuhej që ushtria shqiptare është e pamposhtur

–         TVSH-në në sistemin monist e kishim të shenjtë, e shihnim me frikë se na dënonin

Albert Z. ZHOLI

Një këngëtar mjaft popullor dhe që është i lidhur shumë me Shqipërinë. Ka një emër interesant –Argjend, që familjarët ia vendosën pasi ishte e rrezikshme të vendosje emër shqiptar në Jugosllavinë titiste. Në regjimin komunist përpiqej të shikonte RTSH-në dhe pse përbënte rrezik. Në Tiranë ka ardhur për herë të parë në vitin 1991, dhe thotë se gjeti një Tiranë të virgjër, pa zhurmë dhe pa pallate shumëkatësh, një qytet që i pëlqeu. Ka disa vite që jeton në Amerikë, pasi aty shikon të ardhmen e fëmijëve. Ka realizuar 7 albume, ku shumica është me këngë patriotike, pasi këto këngë pëlqejnë shqiptarët në Amerikë.

-Një emër shumë interesant, konkretisht ju kanë thënë në shtëpi pse ju kanë vendosur  këtë emër metali?

-Në kohën e regjimit komunist babai ka patur vështirësi me vendosjen e emrave shqiptarë që kanë të bëjnë me Shqipërinë, kështu që vendosën emra metali, Florie, Flori dhe Argjend.

-Kur përkojnë hapat tuaja të para në fushën e muzikës?

-Hapat e para në muzikë i kam nisur që në moshën 7 -vjeçare së bashku me villain, Florin, kemi luajtur në fizarmonikë duke ndihmuar njëri -tjetrin me ndihmën dhe të prindërve.

– Po në skenë kur keni dalë për herë të parë?

-Për herë të parë në skenë kam dalë nga mosha 20 -vjeçare, kam interpretuar këngë patriotike dhe kurbeti në Ansamblin  “Drita” në Livadh- Strugë, pastaj kemi marr pjesë në disa festivale koncerte si në Austri, Belgjikë, Hollandë, etj

-Familja juaj ka qenë e gjitha e dashuruar me muzikën?

-Po! Babai kishte qejf shumë atë vegël muzikore dhe kur vinin mysafir në shtëpinë tonë ai merte çiftelinë, nëna dajren, kurse unë me vëllain fizarmonikën dhe gjithë nata na kalonte me këngë.

-A e njihnit Shqipërinë gjatë sistemit komunist, a ndiqnit RTSH-në dhe çfarë ndjenit?

-Në kohën e komunizmit e kemi ndjekur  Shqipërinë nëpërmjet ekranit, dhe për ne ka qenë ëndërr  ta shkelim atë tokë dhe nuk e kemi njohur nga afër. Tirana na dukej si një përrallë dhe vendi shqipeve, si një vend i pamposhtur. TVSH-në kemi ndjekur gjithmonë, por me frikë pasi  shteti Maqedonisë na hapte shumë probleme nëqoftëse  e  merte vesh. Na ndalohej shikimi i RTSH-së dhe ne bënim antena të fshehta për ta parë, kryesisht filmat shqiptarë dhe Festivalet e RTSH-së. Ne kemi vlerësuar gjithçka çfarë është shqiptare, edhe gurët e Shqipërisë me të mirat dhe të këqijat që mund t’i ketë patur ai vend dhe Shqipërinë e kemi parë me syrin e dashurisë ndaj mëmëdheut, e jo me problemet që mund të ketë patur. Për Enverin e quanim udhëheqësin tonë pasi dukej shumë madhështor. Ne nuk dinim shumë gjëra, por donim tokën tonë.

-Ju keni qenë ushtar në ushtrinë Jugosllave, çfarë njohurish kishit për ushtrinë shqiptare?

-Unë personalisht kam dashur të jem ushtar në ushtrinë shqiptare, por fati na ra të jemi në ushtrinë e Jugosllavisë, por kam menduar që ushtria shqiptare ka qenë e përgatitur në çdo aspekt.

 -Kur dhe si je njohur me maestro Panajot Kanaçi pasi e keni përmendur në shumë biseda?

-E kam njohur kur erdha në Tiranë, por ai vinte shpesh në Strugë.  Panajot Kanaçi ka realizuar disa valle me ansamblin “Drita” si dhe Rexhep Çeliku. Që të dy kanë qenë miq të familjes tonë.

-Ju keni qenë pjesëmarrës në “Top fest 1”, me se jeni paraqitur në këtë event?

-Në “Top fest 1”  jam prezantuar me një baladë të orkestruar nga Genti Lako dhe për herë të parë publiku ka reaguar direkt online dhe janë befasuar, pse nuk kam qenë më herët në Shqipëri dhe pas kësaj menjëherë  kam  realizuar  hitin e parë  “Loti verbër”.

 -Sa albume keni realizuar?

-Unë kam realizuar 7 albume, mendoj se të gjitha kanë qenë të mira dhe nuk mund të veçoj ndonjërin.

-Cilët kompozitorë janë pjesë e albumeve dhe këngëve tuaja? Po miqtë e tu në Shqipëri?

– Kam shumë miq kompozitorë,  por edhe artistë të fushave të ndryshme. Me kompozitorin Genti Lako kam realizuar  8 këngë,  kurse miqtë e mi që unë kam bashkëpunuar në Shqipëri janë : Genti Lako, Edmond Zhulali, Naim Gjoshi, Sopot Serica, Gramoz Kozeli, Gjergj Jorgaqi, Silvana Braçe, Soni Malaj, Sabiani, Tani super star, Bledi Bbf, Edmond Rrapi, Altin Nuro, Artur Bejzade, Bojken Lako, Greta Koçi, Adrian Hila, Cekja Beratit, etj..

 Sa vjet keni punuar në Shqipëri dhe si jeni ndjerë?

Në Shqipëri kam punuar 7-8 vite gati në të gjitha qytetet e Shqipërisë në shumë koncerte dasma ambiente, familjare, pube, etj, etj. Kam kënduar nga muzika moderne deri te populloret e të gjitha trevave të Shqipërisë. Në Shqipëri jam ndjerë shumë mirë.

Kur ke ardhur për herë të parë në Shqipëri dhe si e ke gjetur Tiranën?

Për herë të parë në Tiranë kam ardhur nga viti 1991 dhe Tiranën e kam gjetur shumë më ndryshe se tani, por jam ndjerë mirë nga mikpritja shumë njerëzore e ndershme e popullit të Tiranës. Pashë një Tiranë të thjeshtë por të bukur, pa vila, por këndshëm. .

 Prej disa vitesh në Amerikë, si ndiheni në vendin tempull të lirisë?

Unë më mirë ndihem në vendlindje gjithmonë, por Amerika me sistemin,  rregullat,  civilizimin, kushtet, punësimin që ka, nuk po na lëshon. Kurse vendlindja nuk na premton ndonjë perspektivë të ardhme për realizimin e ëndrrave të fëmijëve.

Çfarë këngësh kërkojnë emigrantët?

Emigrantët mosha më e rritur kërkojnë këngë patriotike dhe kurbeti më së shumti, kurse mosha e re, këngë Amerikane.