Për të mbyllur sytë, Reli ka munduar që të “bashkëpunojë” edhe me punonjës shtetërore, në bashki, kadastër apo edhe në Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit
Kryeinspektori i IKMT-së së Korçës, Enver Shahinasi, ka marrë një shumë prej 150 milionë lekë nga Arben Reli, i akuzuar për ndërtim pa leje, mashtrim dhe falsifikim dokumentesh. Kjo shumë dyshohet se është paguar ryshfet nga Arben Reli, me qëllim që IKMT-ja të mos i prishte mijëra metra katrorë ndërtim pa leje në Malin e Moravës në Korçë.
Burime nga Drejtoria Vendore e Tatimeve në Korçë thanë për “Shqip” se subjekti “Korça Gaz”, ku bashkëshortja e kreut të IKMT-së është aksionere, është paguar rregullisht nga Reli, megjithëse në kohë pandemie. Dhe, pas këtyre pagesave, kanë filluar të ngrihen hije të mëdha dyshimi, për një korrupsion nga ana e punonjësve shtetërorË.
Të njëjta burime nga Tatimet raportuan se subjekti “Korça Gaz” është paguar sistematikisht këto vite nga Reli, në të njëjtën kohë që ky person, i ashtuquajtur biznesmen, vijonte të ndërtonte pa leje në Moravë, duke tjetërsuar “Morava Resort” në “Montrelux”. Por, Shahinasi, në vend që të konstatonte këto ndërtime, kishte ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë biznesi me këtë person me precedentë të shumtë penalë, duke shpërdoruar detyrën dhe duke marrë shuma të mëdha parash, të cilat dyshohet se janë dhënë për t’a korruptuar.
Janë siguruar dokumente nga Tatimet, duke filluar nga viti 2020 deri në ditët e sotme. Përkatësisht, sipas listë-pagesës, në vitin 2020, resorti “Montrelux” ka lidhur kontrata me subjektin “Korça Gaz” në shumën 2.003.604 lekë për gaz. Ndërkohë, në vitin 2021, Arben Reli ka blerë 8.907.815 lekë gaz. Por, “pagesa” e Relit ka vijuar për Shahinasin edhe në vitin 2022, ku gjatë këtyre muajve, ai ka blerë 4.359.193 lekë gaz. Në tri vite, sipas dokumenteve që disponon “Shqip”, Reli e ka paguar 150 milionë lekë të vjetra Shahinasin.
Ndërkohë, krahas të dhënave nga Drejtoria e Tatimeve, gazeta ka mësuar se ndaj Shahinasit dhe Relit është hapur një procedim penal për shpërdorim detyre, korrupsion dhe konflikt i pastër interesi. Dosja ndodhet në akuzën e Korçës, pasi ka dyshime të mëdha se shuma prej 150 milionë lekësh është dhënë me qëllim që Kryeinspektori i IKMT-së në Korçë të mbyllte “veshët dhe sytë” për ndërtimet në Moravë. Megjithatë, hetimet vijojnë në Korçë, pasi disa ditë më parë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, i ka dërguar dosjen ndaj Enver Shahinasit.
Janë denoncuar në vijimësi falsifikimet, shpërdorimi i detyrës, prerjen e pyjeve e një seri veprash të tjera penale për tjetërsimin e “Morava Resort” në “Montrelux”, prova të cilat kanë shërbyer si indicie për nisjen e dhjetëra procedimeve penale në Tiranë e Korçë. Madje, kemi denoncuar se falsifikatori serial, Arben Reli, ka krijuar një “bandë” me njerëz të drejtësisë, apo me prokurorë dhe gjyqtarë të shkarkuar nga Vetingu, të cilët vijojnë që të jenë aktiv në korridoret e institucioneve të drejtësisë, kësaj herë me influenca. Ndërkohë, krahas këtyre personazheve, Reli ka munduar që të “bashkëpunojë” edhe me punonjës shtetërore, në bashki, kadastër apo edhe në Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Para pak ditësh, u publikun dokumente sesi bashkëshortja e kreut të IKMT-së së Korçës, Pranvera Shahinasi, është aksionere me 25 % në subjektin “Korça Gaz”. Sipas kontratave dhe faturave tatimore, rezulton se subjekti “Korça Gaz” ka furnizuar me gaz subjektin “Montrelux”. Pra, një marrëdhënie biznesi mes kreut të IKMT-së dhe subjektit që duhet të kontrollonte.






















