Prolog-Epilog në galerinë e artit FAB/ Arti i mjeshtrit të skulpturës Kristo Krisiko, një shkëmb i madh dhe i fortë për kulturën e sotme dhe brezat që do të vijnë. Flasin Ardian Isufi, Sadik Spahija dhe Flamur Kalemi

1146
Sigal

Arti i Prof. Kristo Krisiko një shkëmb i madh dhe i fortë për artin e sotëm kombëtar dhe brezat që do vijnë

Mjeshtri i skulpturës Prof. Kristo Krisiko prezanton veprat e tij për publikun në ekspozitën personale me titullin “Prolog /Epilog”, në galerinë e artit FAB.

Ekspozita që u çel mbrëmjen e 19 dhjetorit 2018 për publikun, por që vijon të qëndrojë e hapur në galerinë e artit FAB deri në 9 janar 2019, ndoshta është e vetmja vlerë kulturore dhe artistike për publikun vendas dhe turistët e paktë që vizituan për fundviti kryeqytetin shqiptar. Ekspozita që do të qëndrojë gjatë kësaj kohe për publikun ishte dhe e fundit për galerinë e artit FAB në vitin 2018. Koleksioni që prezantohet në këtë ekspozitë është një përmbledhje e dy periudhave duke nisur me skulpturën në qeramikë të Bankës së Shqipërisë që daton në fund të viteve ’80-të e deri në ditët tona post moderne të demokracisë dhe lirisë së shprehjes dhe ideimeve. “Prolog” i një kronike të paralajmëruar që zhvillohet përgjatë një eksperience të madhe artistike, vjen në krijimtarinë e Kristo Krisikos si një sintezë e qenies humane e përshkruar në mënyrë të dëlirë në kohë dhe hapësirë. Epilog; Skulptura ka një dimension tjetër në kërkimin artistik, duke evidentuar më shumë procesin e formave në lëvizje sesa aspektin figurativ të një metamorfoze formash të abstraguara, apo thënë ndryshe, “formash në zhvillim”. Ato shfaqin një qasje pothuajse të re në rrugëtimin artistik të viteve të fundit të skulptorit. Kristo Krisiko filloi punën si piktor në fabrikën e porcelanit në Tiranë, në vitet 1958-1968. Në vitet 1969-1973 nisi studimet në Departamentin e Arteve të Aplikuara në Institutin e Lartë të Arteve të Tiranës. Pas diplomimit, ai do t’i përkushtohej qeramikës, duke zgjeruar punën e tij edhe me skulpturën. Puna e tij tashmë është e njohur më së shumti për stilizimin e figurave dhe për modifikimin e modeleve gjeometrike.

Duke nisur me projektin më madhështor sikurse është skulptura në qeramikë e Bankës së Shqipërisë, që daton në fund të viteve ’80-të e deri në të përditshmen tonë post-moderne, Kristo Krisiko vjen para publikut me një ekspozitë ku larmia e veprave përfshin disa periudha. Meraku i Prof. Krisikos ka të bëjë me faktin se projekti skulpturor i dedikuar Bankës së Shqipërisë nuk mundi të afishohej para viteve ’90 në ambientet e kësaj Banke. Vitet e më pasme për shkak edhe të ndryshimeve dhe zhvillimeve të ndryshme të tranzicionit, apo më vonë edhe të rikonstruksionit të godinës së Bankës së Shqipërisë ajo nuk mundi të gjejë vendin aty ku e meriton kjo vepër e përmasave fenomenale. Ndoshta Banka e Shqipërisë, ministria e Kulturës apo edhe të dyja në bashkëpunim duhet ta mendojnë seriozisht që këtë vepër, e cila nderon artin dhe traditën e institucionit tonë Qendror Bankar, ta marrin dhe ta vendosin në vendin që meriton. Nesër do të jetë shumë vonë, nëse një institucion i huaj mund ta thithë këtë vepër, e cila nga përmasat dhe për periudhën të cilës iu kushtua ka vlera të jashtëzakonshme kulturore, artistike dhe kohore.

Flet për “Telegraf”. Prof. Kristo Krisiko:

Ekspozita, dashuria për punimet e baltës dhe pengu për relievin e Bankës së Shqipërisë

Nëse do të veçonim një nga veprat e kësaj ekspozite si pikë kulmore, ndërmjet Prologut dhe Epilogut, cila do të ishte ajo për ju?

Është pyetje pak e vështirë, artisti punimet e tij i do të gjitha, megjithatë nuk diskutohet që relievi i Bankës është një nga veprat më të rëndësishme dhe fakti që nuk arriti të vendoset në Bankë, në vendin e saj, më mbetet një peng. Sigurisht unë parapëlqimet e mia i kam “fshehur” te veprat e sjella përmes prurjeve të reja e për pasojë jam shpirtërisht më afër atyre që kam punuar tani, në kohët e fundit.

Si qëndron e vërteta e relievit të Bankës, i cili ka bërë për vete vizitorët e shumtë të ekspozitës?

Ai vendi që ishte i përcaktuar për ta vendosur Relievin, fatkeqësisht është mbyllur me Rikonstruksionin. Nuk ka më vend atje dhe ajo vepër mbeti e pa vendosur në pozicionin ku ishte ideuar, sepse siç e dinë të gjithë, erdhën vitet ’90 edhe u la çdo gjë në heshtje.

Po mirë, tani ajo mund të bëhet, edhe mund të vendoset, pasi vepra juaj ka një domethënie të sintetizuar estetike, që iu takon ta marrin si kënaqësi jo vetëm bankierët, por në radhë të parë publiku në tërësi?

Të shohim, përpjekjet duhet t’i bëjë Ministria e Kulturës, sinqerisht pres të shikoj tani se ç’do të behet, vërtet nuk e di. Të ishte për mua, ideale do ishte të vendosej diku brenda mjediseve të Bankës së Shqipërisë, në atrium.

Cila është simbolika e materialeve të zgjedhura për interpretimin artistik të veprave tuaja, si sintezë e qenies humane në kohë dhe hapësirë?

Unë veproj me mjete plastike për të shprehur emocionet dhe mendimet e mia që janë të shprehura kryesisht përmes vëllimeve të mëdha, sipërfaqeve të pastra, ku ritmi, stilopsi dhe hapësira konvertojnë.

Si mund të na e përshkruani përthyerjen kohore dhe historike në veprat tuaja që flasin mes volumesh, ngjyrash dhe materies? Cilat ishin shtysat për një ekspozitë të kësaj natyre?

E gjitha kjo vjen natyrshëm në ekspozitën “Prolog /Epilog”, nga që njoh shumë mirë materialin e baltës, i cili që nga lashtësia vazhdon t’i bindet dorës së artistit dhe të vijë para artdashësve, publikut si sintezë të qenies humane në kohë dhe hapësirë. Është i njohur fakti që, përveç ndërtimit fizik që ka çdo material, skulptori duhet të njohë dhe vetitë estetike të çdo materiali që përdor. Vetëm duke i njohur mirë ato, unë mund të shprehem më mirë, madje edhe në materiale elektronike.

01- Kuratori Ardian Isufi: Koleksioni që prezantohet në këtë ekspozitë përmbledh dhe shpreh frymë lirie në çdo kohë. Daton në fund të viteve ’80 e deri në të përditshmen tonë postmoderne

Për krijimtarinë e skulptorit Kristo Krisiko kuratori Ardian Isufi shprehet se, nëse kolegë të tij rendën të ngrenë monumente të vetes nën efektin e temave të “njeriut të ri socialist”, kjo nuk ndodhi në veprat e Kristo Krisikos. “Qendra e qendrës në veprën e tij është figura femërore që sendërtohet në forma poetike dhe në të vërtetat e saj humane. Gjatë hapjes, teksa u tha se shumë artistë nëpërmjet ‘realizmit socialist’ donin të ngrinin vetveten, përmes pompozitetit që shfaqte një metodë arti në skulpturë, sipas Isufit, ai ngriti njeriun. E pra, nëse shumë kolegë të tij sidomos në periudhën e realizmit socialist paradoksalisht rendën të ngrenë monumentin e vetes së tyre nën efektin e temave të mëdha të “njeriut të ri socialist”, ka ndodhur e kundërta në krijimtarinë e Krisikos me çiltërsinë dhe modestinë e tij artistike të prezantuara në punimet e tij mjeshtërore.

02- Kuratori Sadik Spahija: Krijimtaria e Kristo Krisikos si një sintezë e qenies humane e përshkruar në mënyrë të dëlirë në kohë dhe hapësirë.

Sipas konceptit kuratorial në qendër të veprës së Kristo Krisiko është figura femërore që ndërtohet në forma poetike dhe në të vërtetat e saj humane. “PROLOG i një kronike që zhvillohet përgjatë një eksperience të gjatë artistike. Kristo Krisiko vjen në krijimtarinë e si një sintezë e qenies humane e përshkruar në mënyrë të dëlirë në kohë dhe hapësirë. Nëse shumë kolegë të tij sidomos në periudhën e realizmit socialist paradoksalisht rendën të ngrenë monumentin e vetes së tyre nën efektin e temave të mëdha të “njeriut të ri socialist”, ndodh e kundërta në krijimtarinë e Krisikos me çiltërsinë dhe modestinë e tij artistike duke prezantuar marrëdhënien njerëzore pothuajse në një rrafsh intim.”

03- Veprat e Prof. Kristikos, një fat i madh për artin e sotëm dhe brezat që do të vijnë

Nga skulptor Flamur Kalemi

Tek Prof. Kristo Krisiko kemi ndjerë vlerat njerëzore dhe ato qytetare, të unifikuar këto me profesionalizmin e lartë në skulpturë si në e arteve të aplikuara. Vlerat e tij të gjera kulturore në fushën e letërsisë të ndërthurur me artin e qeramikës së aplikuar. Gjithmonë këto dy shina kanë bërë që autori të na sjellë vepra dimensionale, të përparuara dhe me nivel të lartë profesional. Duhet pranuar fakti që këto vepra që këto vepra të rralla vijnë në kulmin e pjekurisë artistike e cila përkon me 80 vjetorin e lindjes dhe ne tek Prof. Kristo Krisiko shohim një skulptor parku dhe të mrekullueshëm. Do të perifrazoja fjalët e poetit të madh Lasgush Poradeci për Gjergj Fishtën e ndritur: “Arti i tij është një shkëmb i madh dhe i fortë që brezat janë me fat që do e kenë këtë krijimtari!”. Këto fjalë i rrinë dhe i shkojnë për shtat edhe krijimtarisë së Prof. Kristo Kristikos.