Prof. Dr. Shezai Rrokaj: Personalitet i shquar i gjuhësisë shqiptare. Akademik Rexhep Ismajlit i jepet titulli “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës

41
Sigal

Në kontekstin e zhvillimeve politike dramatike për shqiptarët e Kosovës, Rexhep Ismajli, si një misionar i pashoq i gjuhës, i kulturës e i kombit, ka dhënë një ndihmesë të vyer për përgatitjen dhe nxjerrjen në dritë të shumë veprave të autorëve të vjetër, por edhe të studiuesve të trashëgimisë sonë gjuhësore në trevat shqiptare.

Akademik Rexhep Ismajli është studiuesi, gjuhëtari, dijetari, që shenjon në mënyrë emblematike gjuhësinë shqiptare sot, falë kontributit të tij të shquar në fushën e studimeve të shqipes së sotme, të historisë së saj dhe të marrëdhënieve me gjuhët ballkanike; për arritjet e spikatura në fushën  e studimeve gjuhësore teorike, të historisë së gjuhësisë si dhe të filologjisë. Si një nxënës i drejtpërdrejtë i André Martinet-së, Rexhep Ismajli u orientua teorikisht për nga gjuhësia strukturale dhe funksionale dhe mbi metodën shkencore të gjuhësisë perëndimore ndërtoi gjithë korpusin e veprave të tij studimore. Mësuesit e vet të huaj do t’i bënte të flisnin shqip, falë përkthimit në gjuhën shqipe të veprave të tyre themelore, si: “Elemente të gjuhësisë së përgjithshme” të Martinesë, “Kursi i gjuhësisë së përgjithshme” të Ferdinand dë Sosyrit, “Fjalori enciklopedik i shkencave të ligjërimit” të Dykrosë eTodorovit, “Aventura semiologjike” e Bartit. Ndërsa mësuesit e vet shqiptarë, Ismajli do t’i kishte prijatarë e pika të fuqishme referimi, duke u dëshmuar si njeriu i dijes, që di të ngrihet mbi supet e gjigantëve. Librin e vet të parë studimor “Shenjë e ide” (1974), Ismajli do t’ia kushtonte Eqrem Çabejt, duke e cilësuar atë “kurora e gjuhësisë shqiptare”, ndërsa më tej në një libër të tërë, do të bënte objekt studimi veprën e Selman Rizës. Në kontekstin e zhvillimeve politike dramatike për shqiptarët e Kosovës, Rexhep Ismajli, si një misionar i pashoq i gjuhës, i kulturës e i kombit, ka dhënë një ndihmesë të vyer për përgatitjen dhe nxjerrjen në dritë të shumë veprave të autorëve të vjetër, por edhe të studiuesve të trashëgimisë sonë gjuhësore në trevat shqiptare, si dhe të albanologëve me kontribut në studimin e shqipes. Nxitur prej pasionit për historinë e gjuhës dhe filologjinë, Ismajli iu kthehet e rikthehet teksteve të autorëve më të vjetër, Buzuku, Budi (në mënyrë më të posaçme), Bogdani, L. Matrënga duke mëtuar të hedhë dritë te historia e zhvillimit të gjuhës shqipe dhe duke vërejtur që me këto tekste nisin edhe përpjekjet e para për standardizimin e gjuhës shqipe. Në të njëjtën hulli e me të njëjtat procedime metodologjike, kryen botimin kritik të Gramatikës së përfshirë te Dorëshkrimi i Grotaferratës (1710), studimin me titull “Gjuha shqipe e Kuvendit të Arbrit”, dhe ndalet të studiojë poezitë e autorëve arbëreshë, të cilat i sjell plot kulturë ditunore e me shpjegime të plota filologjike, duke i ikur ngasjes për t’i përkthyer në shqipen standarde. E tek i përmendim poezitë, vlen të rikujtojmë se në jetëshkrimin e Rexhep Ismajlit spikasin jo vetëm qasjet filologjike ndaj teksteve letrare të kohëve të ndryshme, por edhe qasja kritike ndaj veprave të autorëve të shquar të letërsisë shqipe si: Konica, Noli, Koliqi, Lasgushi, Camaj, Pipa, Kadare, Shkreli, Rugova, Podrimja etj. Në të vërtetë, gjuhëtari Ismajli, duket se nuk e ka harruar kurrë thirrjen e parë të dashurisë për letërsinë, thirrje së cilës i është përgjigjur edhe duke sjellë në shqip vepra të rëndësishme të letërsisë botërore, të autorëve, si: Eminesku, Soresku, Hëlderlini, Niçe, Gras, Ungareti, Elyar, Boske etj. Njeriu që i çmon mësuesit dhe lartohet mbi supet e tyre, ka prirjen e natyrshme që vetë të bëhet mësues. Të krijojë shkollë mendimi, të drejtojë në lexime e të shpjerë në shtigje studimore të rinj me prirje në udhët e shkencës e të albanologjisë. Rexhep Ismajli me jetën e tij shkencore dhe veprimtarinë intelektuale e angazhimin e pashmangshëm kombëtarist, ka ditur të jetë mësues. Ai është ndër kontribuesit kryesorë për punën fisnike të ngritjes së institucioneve akademike e universitare të Kosovës, me kontribut të posaçëm në krijimin e brezave të studiuesve të rinj. Gjithashtu, akademik Rexhep Ismajli luan një rol të veçantë në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë dhe ka pasur dhe ka bashkëpunim të ngushtë me Universitetin e Tiranës, në kuadër të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, një institucion ky i pazëvendësueshëm i albanologjisë. Po ashtu, në Universitetin e Tiranës, prof. Ismajli ka mbajtur ligjërata me nivel shkencor të lartë në departamentet tona, duke zënë një vend të rëndësishëm në edukimin dhe përgatitjen e studiuesve të rinj në fushën e gjuhësisë e të shkencave të ligjërimit. Në mesin e prurjeve shkencore të R. Ismajlit, gjuha dhe etnia janë shpërfaqur si linja që kryqëzohen pashmangshëm dhe që, ndër të tjera, e kanë çuar akademikun Ismajli, te hulumtimet e natyrës sociolinguistike, me fokus të veçantë te çështje të shqipes standarde dhe të planifikimit gjuhësor. Në këtë fushë, ndër më të diskutueshmet ndër ne, Ismajli ka pranuar në mënyrë të prerë, se: “gjuha letrare/standarde njësore nuk mund të jetë mjeti që do t’i përçajë shqiptarët në ‘gegë e toskë apo sipas kufijve politikë”, sepse ajo ka lindur si rrjedhojë e nevojave për bashkim, ndërsa ndarjet ‘në gegë e toskë’ apo sipas kufijve politikë kanë ekzistuar para krijimit të shqipes standarde dhe vazhdojnë të ekzistojnë pavarësisht nga ajo si dimensione të ndryshme nga ajo. […] Shqipja standarde është e të gjithë shqiptarëve, të Tiranës si të Tetovës, të Shkodrës, të Skraparit apo të Ulqinit e të Prishtinës”. Vërtet, ashtu si shqipen e kemi dhe e gëzojmë bashkë, edhe shqiptarin ditunak, akademikun par excellence, mësuesin fisnik, filologun e palodhur e gjuhëtarin e talentuar, Rexhep Ismajlin e kemi bashkë në Shqipëri e në Kosovë, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë e në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në Universitetin e Tiranës e në Universitetin e Prishtinës! -Vijimësi të ndritur të së njëjtës kurorë, si Çabej, Riza, I. Ajeti, M. Domi, Shaban Demiraj… Që sot, Rexhep Ismajlin e kemi edhe pjesë të personaliteteve të shquara, që Universiteti i Tiranës i ka nderuar me titullin më të lartë, Doctor Honoris Causa!, si pjesë e panteonit të vlerave më të larta, që nderojnë shkencën shqiptare, botën tonë akademike dhe frymëzojnë sot e gjithmonë, këtu e gjithkund ku ka shqiptarë!