Ndini R. Bardhi/ Përgjithësimi artistik i dukurive jetësore

769
Përgjithësimi artistik në veçanësi strukturore dhe përgjithësi dinamike është në vetvete një strukturë komplekse, harmoni dhe gjithëpërfshirje artistike të dukurisë objektive, rrethanore dhe subjektives së vetë krijuesit, të vlerave produktive e përgjithësuese artistike, që do të thotë, gjithçka në krijimtarinë e tij sintetizohet fenomenalja dhe realja, ndjesorja emocionale dhe mënyra e krijimit në art. Në këtë drejtim (përgjithësim), çdo vepër artistike përmban në vetvete dukuri jetësore, që shprehin vlera të vërteta të realitetit jetësor e njerëzor në formë e përmbajtje përgjithësuese, karaktere tipizuese, ngjarje, drama, ndjenja, emocione etj. Vepra artistike në këtë mënyrë konceptimi, strukturimi dhe përgjithësimi, krijohet e ngopur në tematikë nëpërmjet jetës dhe dukurive të shumanshme të saj, vetë natyrës dhe dinamikës njerëzore të përditshme.
Fryma dhe shpirti i jetës
Fryma dhe shpirti i jetës reale e bëjnë veprën të besueshme, të sinqertë, të gjallë, të cilat ato strukturojnë në ekzistencën e saj produktive e reflektive, një formë e përmbajtje objektive me karakter të ndjeshëm shoqëror të saj. E gjithçka jetësore sintetizohet në art, natyrisht, realizohet nëpërmjet shpirtit, zemrës dhe konceptit si ide, të artistit, që artistikisht është i aftë në përthithjen dhe seleksionimin interpretues të tyre. Në këtë kontekst vijimësie krijuese dhe përgjithësuese, në përmbajtjen e çdo vepre të strukturuar artistikisht është vendosur një dukuri reale, objektive dhe subjektive të vetë artistit. Natyrisht, është e vlefshme të theksohet se jo çdo dukuri e vizatuar në vepër përbën njëjtësimin me subjektiven e artistit në veçanti me subjektivizmin në tërësi, që do të thotë, gjetja subjektive në vepër (veprat) artistike s’është qëllim në vetvete, por emocion për të sintetizuar në të (to) një subjekt sa më të ndjeshëm si dukuri e drejtpërdrejtë, rrethanore dhe fenomenale, për ta lartësuar artistikisht dhe përgjithësuar realisht, e më në infinit, për të krijuar të bukurën dhe ngarkesën e saj shpirtërore.
Përpjekja subjektive në art
Përpjekja subjektive në art nga artisti rrit vlerat e tij, kur rrezaton si emocion, që të inspiron me të vërtetën reale jetësore dhe artistike, kur me këndvështrimin e njeriut të ndjeshëm sjell një vizion individual tipik të tij, që e studion botën e madhe njerëzore e fenomenale me angazhimin pasionant prej artisti të vërtetë, në çdo anë të saj, në ato dukuri të njohura e të panjohura, të thella e misterioze, kur personaliteti i fuqishëm artistik, që ka strukturuar një eksperiencë të pasur jetësore me shpërthim të veçantë,e me mendje të zhvilluar e zemër të madhe, shpreh, realizon, interpreton dhe përgjithëson të vërteta për jetën dhe njeriun.
E madhërishmja artistike qëndron në aftësitë për t’i shprehur dhe përgjithësuar në mënyrë origjinale dukuritë e vërteta të kohës dhe shoqërisë. Artistikisht, artisti i vërtetë është ai që asimilon në mënyrë subjektive. Vlera të shpirtit njerëzor dhe të qenies së tij në këtë realitet, sa kompleks aq edhe dramatik e tragjik. Origjinaliteti si përjetim i përgjithësuar artistikisht në art është sinkron me objektivitetin e vërtetë dhe njëherazi në harmoni të plotë bashkon në vetvete atë që buron nga subjektiviteti i artistit me atë që ekziston realisht si objekt. Çdo vepër artistike ka vlerë të mirëfilltë ndjenjësore, shpirtërore dhe emocionale, kur në thelbin e saj esencial ka energji rrezatuese si për vetë artistin krijues dhe për të tjerët. Natyrisht është e ndjeshme të themi se çdo dukuri si shfaqje e përgjithshme, themelore në art shprehet nëpërmjet gjetjeve figurative artistike të individualizuara, konkrete, të veçantë; gjë që kjo i bën këto të kapshme nga njeriu. T’i bësh në art të kapshme dukuritë e realitetit, do të thotë t’i interpretosh në një imazh konkret, të individualizuar dhe përgjithësuar artistikisht në vepër. Individualizimi i figurave artistike është një harmoni strukturore e krijimtarisë dhe artit të vërtetë realist. Ai është esencial për të karakterizuar subjektet e veprave artistike, që do të thotë, me individualizim në art kuptojmë tërësinë e vetive artistike të një individi si personazh, subjekti, profili, tipi, karakteri etj., nëpërmjet të cilave figurat artistike bëhen origjinale dhe të papërsëritshme njëra prej tjetrës. Individualizimi i figurave artistike gjatë procesit të krijimtarisë artistike bën të mundur që një fenomen i përgjithshëm esencial të marrë forma dhe dukuri të shumëllojta, origjinale dhe të papërsëritshme. Natyrisht, për individualizimin e figurave artistike rëndësi të madhe marrin hollësitë, segmentet, detajet e perceptimit vizatimor për artistin, sepse nëpërmjet tyre ai karakterizon artistikisht dhe individualizon figurat artistike, i bën të veçantë, të gjallë dhe të kapshëm për syrin tonë. Në llojet e gjinitë e ndryshme të artit, individualizimi i figurave artistike nga artisti i vërtetë realizohet nëpërmjet bashkimit harmonik të detajeve, hollësive dhe imtësive të ndryshme. Ky sintetizim harmonik merr një formë të veçantë të shprehjes së bukurisë dhe vërtetësisë artistike. Hollësitë në art për krijuesin artist piktor, skulptor etj. janë proces kërkimor për individualizimin e figurave të tyre artistike. Ato kanë vlerë dhe funksion emocional për tipizimin dhe individualizimin e figurave, natyrisht, kur në vepër ato qëndrojnë si strukturë e përmbajtjes së saj. Vizatimet e detajeve dhe hollësive në krijimtarinë artistike kur ato marrin vlera funksionale, jetësore, esenciale, vërtetësi, shfaqen si konceptim i drejtpërdrejt i artistit, që do të thotë, detaji është për të dhe me tërësinë e veprës një sintezë thelbësore e dukurive të natyrës dhe të jetës njerëzore.
Në botën e artit dhe të artistëve
Në botën e artit dhe të artistëve si në botë dhe në Shqipëri, përpjekja krijuese artistike ka ecur në rrugën produktive nëpërmjet vizatimit strukturor të detajeve e imtësive ekspresive, natyrisht, të vlerësuara si funksion përgjithësues të veprës dhe vetë artistit. Në gjinitë, llojet e zhanret e natyrshme të artit, roli i detajeve dhe i hollësive ka qenë dhe është i ndryshëm, i veçantë dhe preferencial i artistit. Në art individualizimi është pjesë e pandashme e përgjithësimit artistik, që do të thotë, ai ka vlerë dhe kuptimësi në artin krijues kur interpretohet për të shprehur dukuri të veçanta dhe të përgjithshme, esenciale dhe tipike në llojin e vet.
Figura artistike e vizatuar me detaje e hollësi merr formën e një dukurie reale ngjarjeve konkrete dhe të veçantë, sinkron me thelbin e fenomeneve të realitetit dhe jetës njerëzore. Figurat artistike në vepër marrin formën dhe përmbajtjen e përgjithësimit artistik, kur subjektet fenomenale konkrete, që shfaqin ato, kanë në vetvete dhe diçka tipike të individualizuar nga artisti. Natyrisht, në art, nuk mund të marr vlerë të përgjithësimit artistik çdo fenomen real i realitetit. Kur fenomeni si dukuri s’ka vlerë përfaqësimi, natyrshëm nuk mund të marr atributet e përgjithësimit tipik artistik. Formati i gjerësisë dhe i thellësisë së përgjithësimit artistik, procesi e mjetet e krijimtarisë në këtë drejtim tek artistë dhe në vepra produktive të kohëve të ndryshme të artit, kanë patur vlera të përgjithësimit tipik dhe fenomenal të jetës dhe realitetit njerëzor të ditës dhe ekzistencës së tyre. Çdo krijim artistik është sintezë dukurish të reja fenomenale, tipik e përgjithësues në botën e artit të gjithëkohshëm. Përgjithësimi i dukurive rrethanore dhe artistike është vlerë e domosdoshme jo vetëm për karakteret e tyre, por edhe për ngjarjet, dramat, përpjekjet dhe konfliktet njerëzore në këtë jetë. Në mënyrë të veçantë, në artin realist, ndryshe nga ai modern, çdo përgjithësim i realitetit sintetizohet me tipizimin e fenomeneve të ndryshme të jetës së përditshme, të karaktereve dhe të rrethanave njerëzore. 
Piktor, studiues arti
Sigal