Naxhi Kasoruho: Kur do të vijë në skenë Gaqo Çako tjetër?

1092
Sigal

Kur dëgjoj këngën “Këputa një gjethe dafine”

Kur do tëvijë në skenë një Gaqo Çako tjetër

– Impresione në ditën e pandemisë-

Nga: Naxhi Kasoruho, “Mjeshtrër i Madh”

Kamyja tek libri “Murtaja” thotë se: “Njerëzit e mbyllur në karantinë më shumë se të tashmen dhe të ardhmen, jetojnë me të kaluarën”. Kështu po më ndodh edhe mua në këto ditë të kësaj pandemie të stërgjatur, ku si në një film dokumentar më shfaqen para syve histori, ngjarje, personazhe miq e kolegë nga fëmijëria e deri më sot. Gjithçka që është memorizuar në vetëdijen time. E gjitha kjo më kujtohet në mënyrë kaotike dhe ngjarjet nuk dalin nga memoria në renditjen kronologjike, siç kanë ndodhur në vite, por ato po nxitojnë dhe shtyjnë njera -tjetrën për të m’u shfaqur në formën e imazhit. Në orët e vona të një mbrëmje, m’u kujtua 1 shtatori i vitit 1955, kur fillova mësimet për muzikë në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Liceu në atë kohë ishte në fund të rrugës së “Kavajës” disa metra mbi kryqëzimin e “21 Dhjetorit”. Isha një fëmijë 13- vjeç dhe vija nga Gjirokastra për herë të parë në Tiranë. Për ta përshkruar jetën e konviktit në ato vite do të duhej një libër voluminoz, mbasi ishte një ambient i jashtëzakonshëm ku mësonim dhe jetonim në një shoqëri e miqësi të pandarë, prandaj e kujtoj me nostalgji dhe quaj veten me fat që isha pjesë e asaj epoke. Liceu Artistik “Jordan Misja” ishte panteoni ku do të nisnin rrugën e artit me qindra fëmijë nga gjithë vendi, që nesër do të sillnin një zhvillim të jashtëzakonshëm në kulturën tonë kombëtare. Sa për ilustrim do të sjell këtu disa nga nxënësit që studionin në lice në vitet 50-të për muzikë, art dramatik dhe artet figurative që janë: Gaqo Çako, Kristaq Paspali, Luiza Çako (Papa) Ferdinand Deda, Robert Radoja, Eno Koço, Zhani Ciko, Ibrahim Madhi, Limos Dizdari, Gëzim Laro, Gjovalin Shestani, Gjovalin Lazri dhe aktorët: Serafin Franko, Bexhet Nelku, Viktor Bruçeti, Leka Bungo, Viktor Zhusti, piktorët dhe skulptorët: Muntaz Dhrami, Hektor Dule, Skënder Kamberi, Perikli Çuli, Alush Shima, Rakip Shabani etj, ku pas mbarimit të liceut shumë nga këta do të  studionin në Akademinë e Arteve në kryeqytetet e Europës Lindore, si dhe në Tiranë.

Siç duket nostalgjia dhe konsiderata e lartë që kam për këta artistë më shtyjnë të zgjatem në këtë prelud të këtij shkrimi kushtuar princit të belkantos shqiptare, të paharruarit Gaqo Çako. Pas mbarimit të liceut Gaqo Çako do t’i vijonte studimet për kanto në Konservatorin “Çajkovski” në Moskë, ku u kualifikua në nivel të lartë si tenor lirik, ku spikati në gjithë studentët që ishin aty të ardhur nga shumë shtete të Bashkimit Sovjetik dhe Europës Lindore si vende të kampit socialist.

Mbas studimeve Gaqo Çako kthehet në Tiranë dhe fillon punën si këngëtar lirik në Teatrin e Operas dhe Baletit. Në 15 janar 1962 u çel Konservatori Shtetëror i Tiranës, si shkolla e parë e lartë për muzikë në vend. 60 studentë në degët: kompozicion, dirigjim, kanto, instrumentistë e teoritikë do  të fillonin mësimet në Konservator që do të kishte klasat në godinën e Teatrit të Operas dhe Baletit, që në atë kohë ishte godina ku sot është Universiteti i Arteve.

Kam patur fatin të isha edhe unë me këta muzikantë të rinj që në të ardhmen do të bëheshin korifej të muzikës shqiptare sipas profileve të ndryshme. Konservatori i Tiranës do të bëhej panteoni ku u përgatitën muzimantët e së ardhmes. Në 5 vitet e studimit kam patur fatin të jem në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe të jetoj midis tingujve muzikorë të këngëtarëve dhe instrumentistëve shumë të talentuar që na emociononin dhe që për ne ishin modele dhe simbole që i referoheshim dhe që përpiqeshim të ecnim në rrugën e tyre të suksesit.

Në këtë kohë Gaqo Çako ishte këngëtari që do të merret pjesë në rolet kryesore në gjithë operat e mirënjohura të literaturës klasike botërore si: “Traviata”, “Bohema”, “Madam Batërflai”, “Rigoleto”, “Peshaktarët e Perlave”, “Karmen”, “Kavaleria Rustikane”, “Princesha e Çardashit” etj, si dhe në operat e autorëve tanë:  “Lulja e Kujtimit”, “Mrika” etj.

Me një zë brilant të bukur, melodioz, të ngrohtë me fraza muzikore të interpreitmit më të lartë, me ëmbëlsinë e kapjes së notave akute, Gaqo Çako do të bëhej këngëtari që do ta ndiqnin me ardhurim dhe respekt të veçantë gjithë artdashësit e shfaqjeve operistike që në atë kohë ishin të shumtë.

Personalisht kisha një adhurim të veçantë për këtë këngëtar me pamje fisnike por i thjeshtë deri në madhështi, që interpretonte rolet kryesore në këto opera që për fat ishin me përmbajtje përparimtare dhe kush më mirë se Gaqo Çako ky artist i madh mund të këndonte ato partitura të literaturës klasike botërore.

Gaqo Çako ka zë të veçantë dhe nëse do të vendosim një disk me 10 këngëtarë të ndryshëm që këndojnë arie të njohura, unë me lehtësi do të përcaktoja zërin brilant të këtij tenori të madh të vendit tonë.  Në vitet 60-80 të shekullit të kaluar zëri i Gaqo Çakos ishte i veçantë dhe për ne ishte i dashur dhe i respektuar siç kishin italianët në vitet 50-të Beniamino Xhilin, tenorin me famë botërore.

Gaqo Çako i dha dimension të ri e të veçantë interpretimit të këngës shqiptare në Festivalet e Këngës në Radiotelevizion. Mjafton të kujtojmë këngën “Këputa një gjethe dafine”, për ta vërtetuar këtë dukuri ku zëri melodioz i Gaqos i dha kësaj kënga një vend të merituar duke e renditur atë në 10 më të mira e këngës shqiptare.

Gaqo është korifeu dhe simboli i këngëtarit lirik. Ai ishte princi i bel-kantos shqiptare, i papërsëritshëm dhe i pa arritur në interpretimet e tij nga askush deri më sot.  Zëra të tilla dhe interpretues së Gaqo Çako vijnë në kulturën e një kombi një herë në 100 -vjet. Trashëgimia jonë artistike ka shembuj dinjitozë të artistëve që janë në panteonin e kulturës tonë kombëtare që e vërtetuan këtë.

Mjafton të përmendim disa nga këta artistë të mëdhenj, që ndonëse kanë kaluar dekada nga jeta e tyre artistike, akoma nuk kemi interpretime të gjeneratës së sotme që t’i ngjajnë atyre siç janë: Aleksandër Moisiu, Bekim Femiu, Tefta Tashko Koço, Ibrahim Kodra, Gaqo Çako, Mentor Xhemali, Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha etj, që janë “Nderi i Kombit” tonë dhe na bëjnë krenarë të gjithë neve që jemi bashkëkombasit e tyre.