Naxhi Kasoruho: Ansambli ”Labëria” i Vlorës dhe rinia e sotme shqiptare

30
Sigal

Në vitit 1972 me ansamblin “Labëria” të Vlorës në Shkup të Maqedonisë  pamë për herë të parë “hipi”.

-Në ato vite në Gjirokastër kush kishte lënë flokë të gjata policia i çonte te beriberi.

-Problemet e rinisë së sotme dhe humanizmi që është zhdukur!

Nga Naxhi Kasoruho

“Mjeshtër i Madh”

Isha duke kaluar para katedrales së Kishës Ortodokse pranë qëndrës së Tiranës ku pashë të ulur në shesh një grua e veshur e gjitha në të zeza me dorën e shtrirë përpara duke iu lutur kalimtarëve që t’i jepnin ndonjë lekë të hollë për të marrë bukën e përditshme. Nuk kisha në xhep ndonjë lekë të vogël për t’ia dhënë dhe si i ndjerë në faj ula kokën dhe vazhdova rrugën ku pas disa metrash u futa tek libraria e Dritëroit për të pirë një kafe. Mora një letër të bardhë dhe me nervozizëm dhe i revoltuar shkruajta titullin e këtij shkrimi. Nuk po më hiqej nga mendja pamja lutëse e asaj gruaje ulur në trotuar në këtë ditë të ftohtë të këtij fundjanari të vitit 2024, ndonëse në këto 20 vite që po banoj në Tiranë pasi erdha nga Gjirokastra kur dola në pension ku kam parë çdo ditë që dal nga shtëpia pamje të tilla jo të këndshme.

Kjo ngjarje e sotme më çoi duke rikujtuar ditën e parë kur erdha në Tiranë dhe sa dola nga shtëpia disa metra larg ulur në trotuar ishte një grua me një fëmijë të vogël në prehër që për koinçidencë ishte si sot në këtë fundjanar të vitit 2024.

U befasova nga kjo pamje ndonëse kur vija në Tiranë nga Gjirokastra për punë kisha parë pamje të tilla, por atëherë në dy tre ditë nuk e vija re kështu këtë dukuri. Pamje të tilla nuk kisha parë kurrë në Gjirokastrën time nga fëmijëria e deri më sot. Nuk mund ta imagjinoja që një grua e ulur në kalldrëmin e pazarit të qytetit jo se jo; madje asnjë burrë qoftë edhe nevojtar.

Kur ulem në kafene me miqtë e njohur në bisedat tona përfshihet edhe kjo temë si plagë e shoqërisë ku shprehemi se si mund të pakësohet dalja në rrugë e këtyre njerëzve nevojtarë dhe çfarë mund të bëjë shteti dhe shoqëria? Shpesh në diskutime këto dukuri negative të jetës shoqërore e justifikojnë se këto nuk janë vetëm fenomen shqiptar, por në gjithë botën që na rrethon madje deri në kryeqytetet e vendeve më të përparuara të botës.

Disa na shfajësojnë për këto dukuri duke treguar se ato mund t’i gjesh në forma më kriminale siç ndodhi para pak kohësh edhe në Amerikë ku një nxënës mori automatikun dhe hyri në klasat e shkollës dhe vret këdo që i del përpara; mësues dhe nxënës. Një analogji mes nesh dhe Amerikës jo vetëm që nuk është real se na bën të jemi indiferentë dhe të ketë plagë të shoqërisë tonë ta lëmë në harresë dhe t’ia lëmë kohës ta shërojë dhe jo shoqërisë për të qënë aktive dhe të kontribuojë për shërimin e tyre dhe kthimin e jetës në tërësi në normalitet.

Nuk duhet të justifikohemi që këto dukuri janë pjesë edhe në shoqëritë e vendeve të përparuara në mbarë globin. S’kemi pse marrim si shembull e të kopjojmë ato dukuri që ndodhin poshtë urave të lumit Sena të Parisit. Le të ngjitemi mbi ura dhe të ecim në bulevardin “Shën Elizë“ e të sodisim kullën Eifel në mrekullitë e botës të vizitojmë Luvrin e të lexojmë Hygon, Balzakun, Mopasanin e të dëgjojmë “Karmenin” e Bizesë e Ravelin, Berliozin dhe këngëtarët Edit Piaf e Shan La Zevur dhe filmat me aktorin Zheral Filip, Antonio Bandera, Alen Delon etj si vlera të kulturës botërore.

Po e ilustroj këtë mendim me një episod që më ka ndodhur në korrik të vitit 1972 kur me ansamblin “Labëria” të Vlorës kam qënë në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Për të ngrënë drekë na çuan në një kodër mbi qytet në një lokal të bukur në mes të një pylli të vogël. Kur dolëm përpara lokalit në një largësi 50 metra në mes të pemëve vumë re një grup me të rinj e të reja pothuaj gjysëm të zhveshur dhe flokë të gjata si njerëz të egër që qeshnin e bërtisnin dhe bënin veprime të pahijshme duke na befasuar me pamjen e tyre. Ndërkohë kamarieri na këshilloi të mos u flisnin e t’i ngacmonim se ata ishin “hipi”, prandaj të hynim brenda.

Ishte koha kur këto grupe të vogla që quheshin “hipi” ishin përhapur shumë nëpër botë ndërkohë tek ne kjo ishte një dukuri e papranueshme. Tek ne jo vetëm që nuk kishte grupe të tilla dhe të rinj me flokë të gjata, por edhe kur ndonjë i ri student që vinte në Gjirokastër me pushimet e verës dhe i kishte lënë flokët të gjata se sa i mbanin të gjithë atëhere shkonte tek berberi për t’i shkurtur.

Në atë kohë djem të tillë me flokë të gjatë i quanin “qafëlesh”. E tregon këtë historia për të kuptuar se jo çdo gjë që ndodh jashtë nesh sidomos si dukuri negative për moralin e shoqërisë sonë duhet kopjuar e marrë shembull. Si shoqëri e emancipuar solidare, humane, bashkëjetuese me një mozaik të gjërë, politik, fetar, arsimor e pasuror duhet të ndikojmë me format e ndryshme që na lejon ligji duke u bashkuar me shoqata e grupime të ndryshme si dhe individualisht për të promovuar vlerat e trashëgimisë tonë kombëtare si dhe të mbështesim aktivitetin e shoqatave të ndryshme për të përmirësuar sadopak dukuritë jo të mira në jetën tonë.

Personalisht i vlerësoj të gjitha këto nisma dhe veprimtaritë e shoqatave të ndryshme, që ndihmojnë njerëzit në nevojë duke përmirësuar disi jetën e tyre të vështirë. I falenderoj dhe i mbështes të gjithë ata individë dhe shoqata që me përpjekjet e tyre realizojnë që disa qytetarë që nuk kanë as shtëpi për të futur kokën ata me ndihmën edhe të donatorëve të ndryshëm t’i japin në dorë çelsat e shtëpisë së re.

I ndjek me emocion këto momente kur shoh në televizor sidomos kur shoh lot gëzimi në sytë e nënave të vuajtura dhe gëzimin e fëmijëve që ndjejnë kur hyjnë në shtëpinë e re duke ju realizuar endërra që e mendonin prej kohësh. E kam ndjekur me vëmendje aktivitetin e Institutit për Mbrojtjen e Fëmijëve Jetimë me president z. Ilir Çumani një intelektual me shpirt human, këmbëngulës, pasionant dhe i papërtuar atë që fillimisht ishte Shoqata e Jetimëve e ktheu në një institucion përkujdesje të këtyre të rinjve që nuk e kanë kujdesin prindëror për arsye të ndryshme z. Çumani kujdeset maksimalisht që edhe këta të rinj të jenë pjesë vitale e shoqërisë. E kam parë dikur z. Çumani në krah të shkrimtarit të madh Ismail Kadare mes nxënësve të shkollës “Sami Frashëri” për të sensibilizuar brezin e ri të edukohet me këto vlera të humanizmit dhe solidaritetit për të qënë të gjithë të barabartë e jo të ndryshëm e të veçantë.