Maksut Drasa, 102 vjetori i lindjes së gjeniut të kirurgjisë botërore

779
Sigal

Në këtë kohë kur shpirti human i njeriut po venitet, ku mania për të fituar është bërë gati e përbindshme dhe vlerat e të qenit njeri po shpërfillen mjerisht si pa të keq, na ndodh jo rrallë që të gjejmë prehje teksa kujtojmë ngjarje apo personazhe që lidhen me to, të cilët pasqyrojnë të kundërtën e këtij realiteti të trishtë.

Një emër që meriton të kujtohet është dr. Maksut Drasa Dr. Maksuti lindi në 10 marsin e 1920-s në Arapsun të Turqisë. I ati i tij, Avniu, jurist i dëgjuar, nga ata burra që kishin mbaruar në Stamboll me medalje e që më pas do të ishte Kryetar Gjykate në Prefekturën e Tiranës dhe të Durrësit, u martua me një vajzë armene, Iskui, ortodokse dhe lindi Maksutin. Prindërit e lanë fare të vogël dhe e rriti gjyshja e tij. Dr. Maksuti, shkollën fillore e kreu në jetimoren e Tiranës dhe më pas vazhdoi shkollën teknike “Harry Fultz” për një vit dhe pastaj me sugjerimin e prof.Turdiut (mësuesi i matematikës), i cili i tha vëllait të Maksutit (Xhemil Drasa- vëlla nga baba, i cili në atë kohë ishte shofer i princeshave) se do ishte më mirë që Maksuti, meqenëse ishte nxënës i shkëlqyer, të fillonte në vitin e 2-të në gjimnaz, për të marrë një kulturë më të gjerë, bazuar në aftësitë që kishte shfaqur, kaloi në gjimnazin e Tiranës.

Ka fituar konkurset për aktor që në moshën 9-vjeçare (publikuar gazeta “ORA”, 1929); më pas fitoi në pikturë. Nëna Mbretëreshë i aprovoi bursën për studime në Juridik, por shkoi për Mjekësi me insistimin e kushëririt të tij, Nuri Drasa, i cili ishte tregtar dhe administronte disa farmaci në Vlorë. Ai e këshilloi për mjekësi, pasi atdheu kishte shumë nevojë për mjekë. Kështu, pas përfundimit të gjimnazit me rezultate të shkëlqyera, ai nisi studimet për Mjekësi në Universitetin e Bolonjës, ku arriti të merrte notën më të lartë, 30/30, me vlerësimet më të mira nga profesorët italianë. Emri i tij është në listën e studentëve më të mirë të Universitetit të Bolonjës.

U detyrua të ndërpresë shkollën për shkak të ngjarjeve të luftës. Ai erdhi në Shqipëri, në vitin 1942, me një shaptilograf me vete, të blerë me kursimet e shitjen e disa rrobave, të cilin ia kishte kërkuar Qemal Stafa (shok i tij i gjimnazit). Ngeli në atdhe sepse nisën bombardimet në Adriatik. Në Itali i mbeti madje edhe valixhja me rroba e me libra. Mirëpo, çdo e keqe e ka një të mirë. Ai ndërpreu studimet, por nisi një tjetër shkollë të madhe, atë përkrah kirurgut të madh, Frederik Shirokës, i cili ka thënë: “Maksut Drasa është i vetmi kirurg që mund të më zëvendësojë mua”. Duke punuar në Spitalin Civil të Tiranës, përkrah tij, Maksuti hodhi themelet e së ardhmes së tij prej kirurgu deri kur fitoi bursën për të përfunduar studimet. Kështu, në vitet 1948-1950, shkoi në Bullgari dhe doli me rezultate të shkëlqyera. Siç ka thënë Dr. Sami Zavalani: “Maksut Drasa, brenda 1,5 viteve, likuidoi në gjuhën frënge, të gjitha lëndët e prapambetura nga ndërprerja e studimeve në Bolonjë dhe ato të kurseve të fundit, me notën më të lartë, aq sa mrekulloi të gjithë profesorët bullgare të Mjekësisë”. Në Sofje, gjatë studimeve, mbrojti titullin Doktor i Shkencave Mjekësore me rezultate të shkëlqyera (një studim serioz mbi ndërtimin e qelizës).

Nga Bullgaria u kthye si një mjek i formuar. Profesorët e fakultetit e mbanin pranë si një nga studentët më të mirë. Shokët më të ngushtë, me të cilët mbaroi studimet në Bullgari, kanë qenë dr. Baftiar Xhindi dhe dr. Dhimitër Shyti. Me kthimin në atdhe emërohet shef i Kirurgjisë dhe Obstetri- Gjinekologjisë në Spitalin e Beratit. Kjo ndodhi se në Berat ishte kirurgu italian, De Markis (nipi i prof. Lozit), i cili u lejua nga qeveria shqiptare për t’u kthyer në Itali. Kirurgu italian ishte trupmadh, me mustaqe dhe ky ishte sebepi që dr. Maksut Drasa la mustaqe që të dukej më burrë se ishte shumë i ri (30 vjeç). Nga sukseset e mëdha që pati në fushën e kirurgjisë, Spitali i Beratit u aprovua si shkollë për specializantët e rinj në kirurgji dhe këtu përmendim nxënësin e tij të talentuar, prof. Dr. Panajot Boga, i cili pati fatin të jetë nxënësi i tij i parë dhe ky nuk lodhet së treguari mrekullitë e Dr. Maksutit, të cilat i ka jetuar gjatë kohës së qëndrimit të tij në Berat.

Prof. Boga përmend shpesh një nga porositë që dr. Maksuti ia thoshte gjithmonë: “Materialin që ke lexuar qoftë 1000 herë, do bësh mirë ta lexosh edhe një herë para operacionit se mund të gjesh ndonjë presje që të ka kaluar pa e parë”. Dr. Maksuti e beri Beratin një qytet me emër në fushën e kirurgjisë, ku vinin pacientë nga e gjithë Shqipëria që nuk ka ndodhur e nuk po ndodh ne asnjë qytet tjetër. Për emrin e madh që krijoi në fushën e kirurgjisë, në vitin 1970 u emërua Kryekirurg në Spitalin Ushtarak të Tiranës (1970-1982), ku talenti i tij si kirurg i shkëlqyer shpërtheu më tepër se kurrë. Ardhja e tij në këtë spital u konsiderua si një eveniment i rëndësishëm për personelin mjekësor të këtij spitali. Emërimin në këtë detyrë të rëndësishme e propozoi Beqir Balluku (ish-ministër i Brendshëm)

Profesionalizmi i Dr. Maksut Drasës Në vitin 1953 aplikoi për herë të parë në Shqipëri: Exsanguino transfuzionin (ndërrimi i gjakut) te një fëmijë të sapolindur (vajzë), me rezus pozitiv, ndërsa nëna me rezus negative, me problem imunitare dhe kësaj vajze ia vuri vetë emrin: Rezarta. Për herë të parë guxoi të operojë një të sëmurë me perikardit adeziv, duke i hequr cipën që mbështjell zemrën. Ne operacion asistoi për të kontrolluar zemrën, kardiologu i njohur, prof. Pandeli Cina. Për këtë ndërhyrje të rëndësishme u xhirua një dokumentar (nga e nderuara Xhanfise Keko), i cili u shfaq në të gjitha kinematë e vendit për disa muaj me radhë. Vazhdoi me operacionin e heqjes së prostatës (teknika MILLN), pa hapur barkun, por nëpërmjet perineumit (zona midis scrotumit dhe anusit); bëri implantimin e ovareve; Modifikimin e operacionit për heqjen e Hydroceles (testikuli me ujë); Realizoi ndërhyrje kirurgjikale në të sëmurët me Endoarterit Obliterant të  arterieve iliake, ilio femorale (ngushtim i arterieve në gjymtyrët e poshtme); Vuri në praktikë për herë të parë vagotominë selektive dhe trukale te të sëmurët që operoheshin nga ulcera duodenale. I pari që aplikoi në Shqipëri anestezinë peridurale (pacienti qëndron me koshiencë gjatë operacionit). Vetëm në Berat operoi mbi 7000 pacientë me këtë anestezi PERIDURALE.

Në këtë mënyrë hoqi përdorimin e Eterit (narkozë generale), jo vetëm te femrat që lindin me operacion, por edhe në të gjitha llojet e ndërhyrjeve që bëheshin nga mesi e poshtë, gjinekologji, urologji për adenome prostate, të gjitha llojet e frakturave në gjymtyrët e poshtëm. Kur erdhi në Tiranë, në Spitalin Ushtarak, e përhapi në të gjithë Shqipërinë duke përgatitur fillimisht anestezistët e Spitalit Ushtarak me këtë teknikë dhe pastaj u hapën kurse për të gjithë anestezistët e Shqipërisë. Për herë të parë, në Shqipëri, realizoi operacionin Verthaim (Hysterektomia Radicalis cum lymphadectomia regionale), në një grua me kancer të qafës së mitrës. Ky operacion ka filluar të bëhet në Tiranë në Spitalin Obstetri- Gjinekologjik, pas vitit 2000. Për herë të parë futi në gjinekologji, operacionin me incision supracervikal kur ende në Maternitetin e Tiranës bëheshin operacione korporale (pritej mitra së gjati) kurse dr. Maksuti e hapte transversalisht pak, në qafën e mitrës (Sexio Cezarea inferior) për të minimizuar hemorragjinë. Ka bërë për herë të parë Serklazhin (lidhja e qafës së mitrës) që gratë të mos bënin abort spontan. I pari që mori përsipër operacionin në zorrën e trashë me problem të ndërlikuara.

Për herë të parë aplikoi vaginë artificiale, duke i mundësuar çiftit të kryenin normalisht aktin seksual. Këtë vaginë e bëri në fillim me pjesë të zorrës së trashë dhe më pas me pjesë të zorrës së hollë. Mjeshtër në operimin e fistulave anale si dhe hemorroideve. Në 1971, së bashku me një grup kirurgësh ushtarak, u dërgua në Kinë për specializim për kirurgjinë e ezofagut dhe vazave të gjakut. Atje përvetësoi metodat e reja në fushën e kirurgjisë që po aplikoheshin me sukses në spitalet e mëdha të Pekinit dhe Shangait. Në fillim e trajtuan si të gjithë koleget, por kur e panë se ishte një talent në kirurgji që bënte operacione dhe i befasoi profesorët kinezë i dhanë trajtim të veçantë. Profesorët kinezë arritën të thonë: “Dr.Maksuti qenka talent, që ka ardhur të na mësojë ne e jo ne atë”. Dr. Maksut Drasa pa dyshim që ka zënë një vend nderi në panteonin e kirurgjisë shqiptare dhe botërore si dhe është futur në Enciklopedinë Amerikane si një nga Gjenitë e shekullit 20-të. Dr.Maksuti, më se gjysmë shekulli, shkriu gjithçka për gjënë më të shtrenjtë që ka krijuar Zoti: Jetën Njerëzore.

Gjatë gjithë jetës së tij, dr.Maksuti ka kryer rreth 250.000 ndërhyrje. Një vit para se të ndahej nga jeta në vitin 2005, Këshilli Bashkiak i Beratit i akordoi mjekut të shquar titullin e lartë “Qytetar Nderi” me motivacionin: “Për profesionalizëm të lartë, përkushtim human, hulumtime e punime të vlerësuara dhe kontribute të shquara organizative, mjek kirurg me emër, duar të arta në shërbim të komunitetit e më gjere”. Banorët e Beratit e pritën me gëzim këtë vlerësim, pasi ky mjek i nderuar u shërbeu me aq përkushtim e dashuri për më se 20 vjet gjyshërve, prindërve, vëllezërve dhe motrave të tyre. Do ishte nder për ta që dhe spitali i qytetit të mbante emrin e mjekut të nderuar “Maksut Drasa”.

Po kështu, mjekët e Spitalit Ushtarak në Tiranë, të vjetër dhe të rinj, besoj se do të nderoheshin në qoftë se instancat përkatëse do t’i vinin emrin e tij: Bllokut Operator (Urgjencës) të Qendrës Kombëtare të Traumës “MAKSUT DRASA”, të cilën ai vetë e projektoi dhe krijoi dhe e vuri në funksion të plotë, me sukses. Të huajt që kanë ardhur dhe vizituar këtë qendër në vitet e fundit janë habitur se si një shqiptar të kishte vizion kaq largpamës në vitet 70 –të, për projektimin e një blloku operator të tillë kaq mirëfunksional, që siç u shpreh i ardhuri nga Austria: “Në Vjenë, akoma nuk ka një bllok të tillë operator”. Doktor Maksut Drasa i meriton këto nderime sepse ai arriti të gjitha dimensionet që mbarte fjala e bukur- MJEK. Ai mund të quhet me të drejtë “Kirurgu me duar të arta”, Pavli Shkarpa, kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, thekson: “Dr. Maksut Drasa duhet të konsiderohet monument për trashëgiminë kulturore të qytetit të Beratit dhe me këtë status duhet që emri i tij të mbrohet nga shteti”. Do të ishte nder për spitalin e Beratit të mbante emrin e prof. dr. Maksut Drasa. Dr. Maksuti ishte në pararojën e mjekësisë shqiptare që mori përsipër operacionet në zorrën e trashë me probleme të ndërlikuara që vinin deri nga Tirana, teknik operacioni që nuk përdorej te ne, (por e njohur jashtë): “Dr. Maksuti ishte pionier i aplikimit të saj në Shqipëri.

Gjithashtu, ai e hiqte prostatën pa hapur zgavrën e barkut. “Te dr. Maksuti vinte gjithë Shqipëria, njerëz nga të gjitha shtresat”, kujton nxënësi i tij, Panajot Boga. Ai botoi artikuj shkencorë në shtypin mjekësor të kohës, mbante referate me nivel të lartë shkencor në takime e simpoziume, ndërsa në vitin 1984 botoi librin “Teknika të Operacioneve Kirurgjikale”. Ai lexonte literaturë amerikane dhe perëndimore europiane. Gjithashtu, ai gjeti në Berat një terren ku kishte punuar një kirurg italian, por dr. Maksuti e çoi më përpara kirurgjinë. “Ai botonte artikuj në revistat ndërkombëtare dhe gjithashtu ka shkruar libër për problemin e anestezisë peridurale dhe këto ishin edhe për mjekët shqiptarë apo të huaj. Në një vend të vogël si i yni, me mundësi të kufizuara, mjafton të përdorësh në praktikë të rejat e mjekësisë botërore dhe kjo është një gjë e madhe”, thotë prof. Boga.

Kontakti im me profesor Maksutin nuk mbaroi në ato dy vjet, kur unë qëndrova në Berat. Tashmë ne ishim miq, ai më konsideronte si shok, por unë e kisha gjithnjë mësues. Unë jam vetëm njëri prej shumë kirurgëve të tjerë që kanë mësuar prej doktor Maksutit”, përfundon rrëfimin kirurgu i kockave, prof. Boga. Pas daljes në pension viti 1982, dr. Maksuti vazhdoi të punojë rregullisht në Spitalin Ushtarak meqenëse ishte shumë i nevojshëm, duke bërë konsultat kryesore dhe operacionet kirurgjikale të vështira. Kjo vazhdoi deri në vitin 1992 ku për shkak të moshës nuk mundi të shkonte rregullisht në Spitalin Ushtarak (Instituti Kombëtar i Traumës). Në shkurt 2018, Kryesia e Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare i ka bërë kërkesë Ministrisë së Mbrojtjes që Institutit Kombëtar të Traumës, ish-Spitalit Ushtarak, t’i vihet emri “MAKSUT DRASA”.
Familja Drasa