Luftar Paja: Legjendat si Kadri Roshi, që s’po vijnë më

415
Sigal

Naim Frashëri, Sulejman Pitarka, Margarita Xhepa, Prokop Mima, Ndrek Luca, Besim Levonja, Loro Kovaçi etj, mbeten si ai

Do të mbetet i pashlyeshëm pagëzimi dhe bekimi që i dhe në ditën e lindjes djalit tim  Gazmendit

Luftar Paja “Artist i Popullit”

 Kadri Roshi; kjo specie e rrallë u largua fizikisht por jo nga kujtesa e shpirti ynë.

Iku në një kohë që ne kishim shumë nevojë për të.

Kadriu do të mbetet i pazëvendësueshëm jo vetëm për vlerat e rralla artistike, por edhe nga ana e tij njerëzore.

E kam njohur shumë herët.

Ishte viti 1963 kur u caktova si artist amator.

Atë vit vazhdova studimin 1 vjeçar për aktor, në po atë kohë që kish filluar të lulëzonte Teatri Popullor.

Ishte fati im i madh që njoha personalitete dinjitoz të asaj kohe të artë si ;

Naim Frashëri, Sulejman Pitarka, Margarita Xhepa, Prokop Mima, Ndrek Luca, Besim Levonja, Loro Kovaçi, Maria Logoreci, Violeta Manushi, Marika Kallamata, Gjon Karma etj,

por idhulli im ishte Kadri Roshi!

Më ka lumturuar me rolin e “Ezopit”te “Dhelpra dhe rrushi”.

Nuk dua të analizoj Kadriun si artist sepse jam shumë i vogël para tij, por dua të vlerësoj anën e tij shumë njerëzore në shoqëri, thjeshtësinë e tij në komunikimin me njerëzit më të thjeshtë.

Natyra krejt njerëzore e Kadriut lidhej ngushtë me anën artistike të tij, prandaj ishte aq i suksesshëm dhe aq gjigand.

Kjo ishte bukuria e këtij kollosi, që sipas vendit bënte dhe kuvendin.

Ishte dëshirë e madhe ta dëgjoje në auditorët akademik si edhe në biseda me njerzit më të thjeshtë.

Po jeta vazhdon…edhe kur ikin njerëz kaq madhështor.

Eh more i dashur Kadri u bënë vite që je ndarë fizikisht nga ne, por do të ngelesh i pavdekshëm, për të gjithë sepse e pavdekshme është jeta jote artistike.

Janë të pa numërta episodet  dhe kujtimet e bukura si kristal.

Ku nuk kishe miq o miku im,

në Dukat Adem Nezha, në Radhimë Selam Gjimara, në Tragjas Neki Stepa që harmonizohej aq bukur kur ia merrnim këngës si te filmi “Këshilltarët”që në Gjorm e Llogora.

Kjo ishte  bukuria jote miku im sepse ishe i gjithanshëm, sa ishe në qarqet akademike, niseshe  për në sofrat e kuvendeve.

E si mund të harrohen takimet e bukura te kjoska prapa “Muzeut Kombëtar”, te kafja që na shërbente me aq dashuri, simpatiku, kamarier Kasemi.

Çdo ditë prisnim me padurim takimin me ekipin e shoferave të parkut të autobuzave ku i printe shoferi aq shumë i dashur Agim Mullaj që pasohej nga Meti, Iliri, Muçi, apo Landi e shumë të tjerë.

Takimi kthehej në festë dhe ndizej kënga.

I madhi Kadri lumturohej aq shumë sa ja merrte vetë këngës…”Aman Banushe ku vete, vetë e hollë e hunda grepe, unë thash se vije tek unë, ti veje ku keshe punë”

Kënga shkonte për shtatë palë qejfe, sepse të pranishëm ishin nga gjitha krahinat e shqipërisë.

Të pa harrueshme do të mbeten takimet në malin e Dajtit, që organizoheshin në formë pikniku me të gjithë dashamirësit që na rrethonin rreth zjarreve që ndiznim, dhe ziente fiqishëm kuvendi i burrave.

Sa na mungon o i madhi Kadri.

Na mblidhje si zoqtë e klloçkës, por u bë kohë që jemi shpërndarë si zoqtë e korbit.

Miqtë tanë shoferë janë hapur nëpër Europë, këtu ka mbetur kamarier Kasemi, dhe ai në prag të pensionit.

Takoj ndonjëherë Metin e Laprakës, ai si gjithmonë i qeshur, fillojmë e kujtojmë e shëtitim nëper gjithë kujtimet, po ç’të kujtojmë më përpara, e ku mbarojnë kujtimet tona të bukura.

Ti ishe kripa e gjellës miku im.

Do mbetesh mes nesh në mendje e zemrat tona.

Karakteri yt i pathyeshëm na mësoi shumë gjëra në jetë, na mësoi të jemi vetvetja e si t’u bëjmë ballë vështirësive.

 

Sa më shumë kalonin vitet aq më shumë rritej fisnikëria jote.

I dashur Kadri, kohët kanë ndryshuar.

Shoqëria është bërë e parcelizuar, solidariteti as nuk ekziston, ftohtësia me njëri tjetrin ka hyrë vëlla me vëlla, deri edhe  në brenëdësi të familjes.

Shoqëria nuk i bën më llogaritë dy +dy bëjnë 4, por thotë; dy +dy bëjnë 22, dy për mua, njëzet për ty, prandaj na mungon shumë i madhi Kadri bashkë me vlerat e tua.

Do të mbetet i pashlyeshëm pagëzimi dhe bekimi që i dhe në ditën e lindjes së djalit tim  Gazmendit.

U bë vëret ashtu si e bekove.

Do të ishtë filmi “Gjeneral Gramafoni”ai që do na forconte edhe më shumë miqësinë tonë.

Nga natyra ime kam qenë karakter impulsiv, nuk e ekzagjiroj kur them se një pjesë e mirë e këtij karakteri kanë gjykimin dhe këshillat e tua.

Kadriu për mua ka qenë një universitet më vete, sidomos me vajtien time në “Teatrin Kombëtar” në vitin 1993.

Ai do më rrinte shumë pranë me këshilla, sepse siç dihet, konkurenca dhe cmira në art janë të papara.

Për të gjitha këto o miku im i shtrenjtë, do mbetesh i pa harruar për jetë të jetëve.

Jam i lumtur që kam pasur një mik me shumë vlera si ti, jam i lumtur që të kam ende mik sepse je rrënjosur në brendësi të zemrës sime, dhe pse ti mungon të shoh tek fluturon qiejve. Të jam mirënjohës vërtet miku im prej shpirti!

 

Filmografia:

Kolonel Bunker (1998)
Kaskadori shqiptar (1998)
Mirupafshim (1997)
Ali Pash Tepelena (1997) dokumentar, por i pazbuluar, shfaqet ne 28 shkurt 2009, dy vjet pas vdekjes
Tingujt e harresës (1996)
Plumbi prej plasteline (1995)
Mikres mèrès – Ditët e shkurtra (1995)
Një ditë nga një jetë (1994)
Dhelpra dhe rrushte – Ezopi …teater
Vdekja e burrit (1991)
Fletë të bardha (1990)
Misioni përtej detit (1988)
Pesha e kohës (1988), Kryetari
Rikonstruksioni (1988)
Kur ndahesh nga shokët (1986)..Islami
Rrethimi i vogël (1986), xha Zenuni
Dasma e shtyrë (1984)
Fejesa e Blertës (1984), Uani
Apasionata (1983)
Era e ngrohtë e thellësive (1982)
Dëshmorët e monumenteve (1980), Jani
Partizani i vogël Velo (1980)
Ballë për ballë (1979), Belul Gjenomadhi
Këshilltarët (1979), Kryetari i Këshillit
Liri a vdekje (1979), Xha Hyseni
Gjeneral gramafoni (1978), Parandili
Njeriu me top (1977), Plaku Mere
Shëmbja e idhujve (1977)
Zemrat që nuk plaken (1977)
Fije që priten (1976)
Lulekuqet mbi mure (1976),
Kujdestari
Përballimi (1976)
Tokë e përgjakur (1976)
Kur zbardhi një ditë (1971)
Malet me blerim mbuluar (1971)
I teti ne bronz (1970), Ademi
Tana (1958)