Libri “Çepani”, shpirti i robëruar i Ilmi Qazimit

631
Është tmerrësisht barrë e rëndë, munduese dhe cfilitëse, të guxosh, të marrësh përsipër pa të të detyruar kush për të shkruar për vendlindjen, për atë që, në moshën e fëminisë së herëshme, të dukej se kufinjtë e fshatit tënd, ishin kufinjtë e fundit të botës. Ka shumë kalemxhinj, madje me shumicë, që u shkrepet, që u shkon mendja të hedhin në një bllok shënimesh, të realizojnë në një libërth-fletorkë historinë e trungut familjar, të molloisin ngjarje e kujtime të pafundme të jetës personale, apo të një rrethi më të gjerë fisnor. Sipas mendimit tim, kushdoqofshin “shkrimtarët”, bëjnë punë të mirë, madje të shkëlqyer, sepse hedhin të zezën mbi të bardhë, atë që në një kohë tjetër, pas shumë e shumë vitesh, kanë vlera të jashtëzakonëshme, të florinjta. Jo më vetëm për atë që ai ka shkruar, por për krijues e historianë seriozë, për të cilët ajo “fletorkë” mund të këtë të rregjistruar një datë, një ngjarje që nuk e gjen dot as në Arkivin e Shtetit. Shkrimtari dhe historiani Ilmi Qazimi, i cili së fundmi hodhi në tregun e letrave të shkruara librin “Çepani”, më në fund, pas tetë vitesh punë në kërkim të të dhënave historike, të shkruara e të treguara, ka mundur të bëjë portretin më të mirë të mundshëm për fshatin ku lindi dhe u rrit, për vendin ku dashuria është e madhe jo për madhësinë e vendit, por sepse është i tij, i bashkëfshatarëve, i të parëve të të gjithë fiseve, apo siç e ka thënë Volteri “vendi ku robërohet shpirti”.
Libër i shkruar me dashuri
Libri “Çepani”, ashtu si çdo libër tjetër i shkruar me dashuri, është histori luftrash, histori mbijetese, është histori njerëzish, të cilët, në fund të fundit, janë autorët dhe aktorët e vërtetë të jetës, pa fillim e mbarim, të një fshati të përpijekur për të mbetur ai që është, i vetë çepanllinjëve. Ilmi Qazimi, me durimin që mund të ta japë vetëm detyrimi i marrë si një borxh dashurije për vendlindjen, për bashkëfshatrët, gjyshërit e stërgjyshërit, për arat, lëndinat, pyjet, burimet, përrenjtë e rrëpirat, përcjell tek lexuesi, vendas apo jashtë “kufijëve” të Çepanit, përshkrime e gjetje fjalësh nga më të tabanit, naimjane. Në robëri puna e jonë është lufta, në liri lufta e jonë është puna. Në librin “Çepani” Ilmi Qazimi e ka shtjelluar me përgjegjësi e profesionalizëm të intelektualit të mirënjohur që këtë thënie të rilindasve, e ka “qëndisur” duke shpalosur me objektivizëm e seriozitet atë çka kanë bërë çepanllinjtë për lartësimin e emërit të fshatit të tyre në shekuj. Lexuesit i duhet të çfletojë faqe pas faqeje këtë libër voluminoz për të çbiruar, për t’u njohur, për të përfytyruar heronjtë-legjenda të Çepanit, figura gati-gati të papërsëritshëm për kohërat që patën fatin të jetonin dhe kontribonin jo thjeshtë për fshatin e tyre, Çepanin, por për Shqipërinë. Kemi dëgjuar e lexuar për luftëtarin Myftar Osmani, komandantin e Çetës emërmadhe, Ali Farmaqit, për legjendarin Vaip Gogo, për dëshmorin Hysen Zyka, për luftëtarin dhe drejtuesin ushtarak, Niazi Çepani, për dhjetra emra partizanësh, rreshtuar në formacione të ndryshme ushtarake të LNÇL e kështu më radhë, por që të gjithë, pa përjashtim, në libër portretizohen të plotë, pa të lënë me merakun se ndoshta kanë mbetur “të pathëna”, me hamendjen dashamirëse se mos do të ketë mbetur gjë mangut. Autori në këtë çështje, ashtu si edhe për kapituj të tjerë po kaq të rëndësishëm, është treguar skrupuloz, nga ata publicistë-historianë që kërkojnë t’i thonë lexuesit profesionist “nuk më kap dot, i kam patur atë merak përpara teje”.
Fshat me histori të veçantë
Vendlindja, ca më tepër kur është një fshat me histori paksa të veçantë, siç është Çepani i Skraparit, nuk mund ta pranojë kurrë dashurinë e cunguar. Pra fjala është pak qortuese e paralajmëruese për një autor libri: o shkruaj për të gjithë dhe gjithçka për të gjithë, ose mos shkruaj fare. Ilmi Qazimi i ka qëndruar pak me frikë këtij hamendësimi të mundshëm, ndaj edhe Çepanin dhe çepanllinjtë, sipas këndvështrimit të tij, i ka parë të gjithë si “të zemrës”, me dëshirën e mirë që secili fis, veprimtar shoqëror apo “nastradin” për thënie e bëma të mençura, të dalë ashtu si njihen, ashtu si ua ka vënë vulën opinioni në Çepan e më gjerë. Ilmiu iu është referuar dhe ka trajtuar me shumë dashuri personazhe nga më të ndryshmit; ata, të cilët për punët e detyrat që kanë kryer janë ndjerë si “gjeneralë” të fshatit Çepan, por dhe të tjerë, gra e burra të thjeshtë, të cilët për çka kanë “nisur e bitisur” gjatë jetës së tyre, mbeten personazhe të dashur, herë-herë mistikë, fjalavjen klerikët bektashinj të atij fshati. Akoma për më shumë për ata që i kanë njohur, që kanë “bërë kurbet” në punërat që kanë kryer. Dikujt mund t’i duket diçka e rëndomtë, pa vlerë, nëse në një libër trajtojtohet e shkuara, periudha kur fshati ishte i inkuadruar, si i gjithë vendi, në sistemin kooperativist. Ilmi Qazimi edhe këtë periudhë, jo pak ndikuese në emancipimin e fshatarësisë në tërësi, e ka parë ashtu si e ka gjykuar vetë: Atdheu ka të shkuarën, por ka edhe të ardhmen. Në libër jepen tregues nga të gjitha sferat e jetës; ekonomi, arsim, shëndetësi, veprimtari shoqërore, etj. Lexuesi, pastaj, i nxjerr përfundimet vetë. Kam qënë gjithmonë i mendimit se një libër çfarëdoqoftë, një ronan, një poezi, një dyluftim burrash e hedhur në letër, çdo ngjarje e madhe për një komb apo, të themi jeta gumëzhuese brënda familjes, ka me patjetër zërin e fëmrës, të një nëne apo vajze njomëzake, gjyshes apo njerkës që u jep dashuri fëmijeve të mbetur jetimë. Ndoshta është vendi të sjell thënien e Mitch Albom: “Pas çdo gjëje, ka një histori; por pas çdo historie tuajën gjithmonë është historia e nënës, sepse te e saj fillon e jotja”. Në librin “Çepani”, një enciklopedi e plotë, nëse e konsiderojmë të tillë për gjerësinë dhe thellësinë e trajtimit të jetës së një fshati, gruaja, ajo që pas çdo ngjarjeje ka lënë veten, shpirtin e saj, Ilmi Qazimi e ka trajtuar apsolutisht si gjënë më të shënjtë. Ai është marrë me “vizatimin” e çdo njërës prej tyre, si për t’i dhënë në sy të lexuesit ashtu si janë çfaqur, në përmasat që edhe zemrat e tyre të flasin si të kishin gojë.
Enciklopedia e Çepanit
Atdheu nuk do dashuri të cunguar, ka thënë filozofi Berne; ai që nuk bën gjithçka për të nuk bën asgjë; ai që nuk i jep gjithëka atij, i ka mohuar gjithçka. Në librin “Çepani” Ilmi Qazimi ka bërë dhe i ka dhënë gjithçka vendlindjes së tij, fshatit që e kushtoi plot tetë vjet punë hulumtuese, cfilitëse, me përkushtim të pashoq, duke e marrë seriozisht këtë ngarkesë tepër të rëndë me moton: shiko, mendohu, pastaj puno! Eshtë vendi të thuhet se ky intelektual skraparas, për punën voluminoze dhe vemendjen, paksa “të tepëruar”, për të sjëllë tek lexuesi gjënë e duhur, është pak ta konsiderosh si “të vaksinuar” nga sëmundjet e shkruesve të ditëve të sotme, të cilët nuk i lexon kush. Në këtë libër të shkruar për vendlindjen, Çepanin, autorin nuk mund ta kapësh dot, madje nuk lë shkas të mendosh se po na çfaqet si “patriot i madh”, që të të mund të mburret “ja cili jam unë”. Përkundrazi, në çdo rresht, në çdo faqe të librit apo fotografi del shndritshëm se ai ka punuar çdo orë, ditë e muaj për tetë vjet, duke u kujdesur pa u lodhur për të na dhënë një libër dinjitoz, ashtu si e meriton një fshat si Çepani i Skraparit. Ai që e merr me gjithë mend një punë që nuk sjell dobi materiale dhe i përkushtohet asaj, nuk mund ta llogarisë se do të jetë i pranuar nga bashkëkohësit. Ilmi Qazimi, kam mendimin, se është një i tillë. Meqë më është dhënë rasti të vrojtoj, të ndjek hap pas hapi përpjekjet, këmbënguljen e tij deri në “çmenduri”, mundimin për t’i gjetur shpirti rehat pas botimit të librit, e them me plot gojën se ai, falë “kokëfortësisë” si i një luftëtari të mirë, “plaçka” që i solli vetëm dobi shpirtërore është vetëm “Çepani”. Libri është voluminoz, plot 570 faqe. Brenda kësaj “ngrehine”, të ndërtuar me kujdes dhe dashuri njëherazi, ka gjetur strehë çfardo lloj gjëje që ka të bëjë me fshatin Çepan. Në një farë mënyre ky libër është enciklopedi. Ka histori, gjeografi, ekonomi, zyrën e gjendjes civile, arsim e kulturë, të gjitha. Por autori, nisur nga edhe nga dëshira e mirë për të mos lënë asgjë mangut për troje e njerëz, sjell për lexuesin portrete të individëve që kanë bërë histori, fragmente përshkrimesh apo të një reportazhi, ese apo rrëfenja me plot ide. Sigurisht fotografitë, si kripa me karar, janë ato që e bëjnë të prekshëm, që do të shuajnë mallin e çepanllinjëve për vende me emra toponimesh të rrallë, por në mënyrë të veçantë për stërgjyshërit, gjyshërit, të brezave të pastajmë e deri më sot.
Atdheu është vendi ku robërohet shpirti.
Atdheu është vendi ku robërohet shpirti. Vendlindja, fshat apo qytet qoftë, është një copëz e Atdheut, është, ashtu si i ka kënduar edhe Nami i madh: “Më je i dashur sa më s’ka /Më je nënë, më je motër, më je vlla”. Kur lexon librin e Ilmi Qazimit, “Çepani”, gjen rrjesht pas rrjeshti e faqe pas faqeje, deri në fletën e fundit përbyllëse, dashuri që mund të ta sjellë vetëm malli i pafund për atë “ku të ka rënë koka”. Në kuptimin e mirë të asaj që njeriu, kur i vjen rasti, mundohet t’i shpalos e t’i thotë “të gjitha” për çka ka marë përsipër të shkruajë edhe Ilmi Qazimi nuk ka lënë gjë mangut për jetëshkrimin e fshatin Çepan. Madje ai ka dalë nga rrjeshti, nuk i ka qëndruar besnik thënies: Kur dashuroj nuk ua them të tjerëve emrin e asaj që dua. Në këtë libër të shkruar me ndjenjë të zjarrtë e të pastër, ai dekonspiron veten, në mos e thotë me zë të lartë: Ai që unë dashuroj, që e kam përjetësisht në zemër, është fshati im i lindjes, Çepani.
Sigal