Harallamb Kota/ Sami Frashëri dhe shqiptarët e Egjiptit

623
Sigal

Artikujt e Samiut mbi diturinë e qytetërimin, u bënë ushqimi ditor i emigrantëve shqiptarë

Në fillim të vitit 1884, në Stamboll doli numri i parë i gazetës “Drita”. Disa kopje të saj vinin në Egjipt. Aleksandër Kota i lexonte me një frymë artikujt në faqet e sajë. Shkrimet e Samiut, Naimit e Vretos ishin në të gjitha numrat që botoheshin. Vend të rëndësishëm kishin shkrimet e Samiut lidhur me diturinë, ndërgjegjen kombëtare dhe mësimin e gjuhës shqipe. -Po feja çfarë roli ka ?!-pyeste Samiu dhe në artikujt e tij thoshte: -Feja pretendon se mban në dorë të vërtetën, por e vërteta është tek dija. Mësimi është gjithçka dhe për të mësuar, nuk duhet t’i drejtohemi vetëm fesë, por të vuarit. Mësimi mbi gjithçka. Shkenca të përparojë me dije… Sapo nisi të lexoj artikullin e Samiut për shkencën, Miti ndaloi, pasi nga salla buçiti një pyetje: -Çfarë na duhet ne shqiptarëve shkenca?! Të lexojmë njëherë artikullin,- tha Shiroka e pastaj të bëjmë sqarime. Miti e lexoi me një frymë. Pas leximit, Filipi mori përsipër sqarimin:-Duke shkruar për veprat e Kopernikut, Keplerit, Galileit, Njutonit, Dekartit,Volterit, Rusoit, Samiu mundohet të na futë në botën e shkencës e të filozofisë, të na orientojë në tipin e kulturës që na duhet për të zhdukur zgjedhën feudale otomane dhe për të marrë rrugën e përparimit e të qytetërimit. Filipi i ndezur nga vështrimet e shoqërisë vazhdoi: -Qytetaria që duhet të marrim,- thotë Samiu, është ajo e Europës, është qytetari pa anë e fund dhe ç’do ditë po shtohet e përhapet dhe një ditë do të  mbulojë gjithë dhenë, e do ndriçojë kombet e dheut.

      Artikujt e Samiut mbi diturinë e qytetërimin, u bënë ushqimi ditor i emigrantëve shqiptar, të cilët çdo dite pas pune mblidhen në “Shoqërinë e Emigrantëve” e me orë të tëra, lexojnë artikujt e gazetës “Drita”. -Ky është një zgjim i madh, thotë Dhimitri e duke përsëritur rreshtat e gazetës, i lexon edhe njëherë me zë të lartë: “sepse lufta për arsim e dituri, do ta hedh popullin shqiptar në kërkesat për liri dhe pavarësi”. Të gjithë heshtin dhe dëgjojnë. Miti vazhdon leximin: Elementi i parë, për ta arritur këtë, është gjuha. Me gjuhën e shkruar, fillon qytetërimi, me të ai shkon përpara dhe zhvillohet. Pjesëmarrësit, ndizen nga fjalët e Samiut dhe secili betohet në heshtje: “Do përpiqem të mësoj shqip dhe të lexoj shqip”. Miti u lodh, gazetën e mori në dorë Spiro Dine, që filloi të lexojë: Grekët, kur erdhën nga Azia, gjetën një popullsi tjetër, me një qytetërim më të lashtë, me një gjuhë më të pasur. Këta ishin ilirët, të parët e shqiptarëve

      Është e vërtetë, buçiti Aleksandri. Kështu thotë dhe legjenda. Kadmi me Harmoninë lindën popullin Ilir. Ai i mësoi grekëve shkrimin. E gjithë salla u gjallërua. Pjesëmarrësit po thërrisnin mitet,po kujtonin imazhet e heronjve mitik. I pari mit jehoi: -Jam Aleksandri, jam ilir, në mburojë kam Zeusin, shqipen në flamur. I dyti mit oshtiu:  –Jam Pirro i Epirit, gjaku Aleksandrit,shqipen e epërme qe kisha, tek ju e solla. I treti mit gjëmoi: – Jam Gjergj Kastrioti  -Skënderbe, në gjoks, kam Shqipen’ e Zeus Pellazgut. Aleksandri e riti, Pirro ma dhuroi, nga gjoksi e shkula’ e arbrit, në flamur ja vura. Tashmë që keni rilindur, mbajeni në ballë, të dy bashkë qëndroni, do t’ju quaj shqiptar.

      Emigrantët u zgjuan nga përhumbja. Skënderbeu paskësh qenë mes tyre dhe ata se kishin parë. -Nuk kishim si ta shihnim, thotë Spiro, -pasi na mungonin sytë e mendjes, dhe nuk dinim të shkruanim e të lexonim në gjuhën shqipe. Heshtje… dhe një zë i veçuar thotë: -O Spiro..oo! A ka artikull tjetër?. –Po,- thotë ai dhe menjëherë fillon leximin. Duke mësuar gjuhën e vet, Shqipëria medoemos do të ngrihet, do të fitojë lirinë dhe do të vihet në radhën e popujve të përparuar. Më këtë artikull, tha Spiro, mbaruan faqet e gazetës. Të pranishmit njëzëri lidhën besën për:   “Dituri dhe Gjuhën Shqipe”

*********************************************

Kol Kota në rrugën e  Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos

 Duke kuvenduar me Naim Frashërin

 Nikoll A. Kota u lind në 15 prill të vitit 1858 në qytetin e Korçës. Kur mbushi 19 vjeç, shqiptarët po organizoheshin në lidhjet e tyre krahinore. Vëllezërit Frashëri në krye të patriotëve shqiptarë, morën përsipër misionin e bashkimit të  trojeve shqiptare në formën: “Shtet Autonom” ose “ Vilajet i Bashkuar”. Administrata osmane ndiqte e shqetësuar organizimin e shqiptarëve, survejonte lëvizjet e tyre dhe i quante “kaçak”. Edhe ai kështu ishte cilësuar dhe për këtë arsye, qëndronte në bjeshkët e Korçës e maskohej si bari. Rrethi familjar e thërriste Nikoll, rrethi tregtar Nikollaq dhe rrethi patriotik Kol Kota. Në mars të vitit 1877, Kol Kota largohet nga qyteti i lindjes e vendoset në Voskopojë. Atje strehohet në shtëpinë e Andreas dhe njihet me Efigjeninë, me të cilën martohet në fillim të muajit prill të atij viti. Në fund të muajit,me gruan shtatëzënë largohet nga Voskopoja. I ndjekur nga osmanët pasi kapton malet duke udhëtuar mbi mushkat e një karvani arumunësh, mbërrin në Berat. Kështjella plot shtëpi, kisha, manastire, biblioteka  dhe shkolla, e mahniti. Portiku i hyrjes dhe muret rrethuese, i krijuan ndjesinë se ndodhej në terrenet e legjendave. Zgjatja e këmbëve të kalasë deri në shtratin e lumit, e bënte të ngjashme me gjigantët mitik, me titanët dhe centaurët. Sipas legjendës, qyteti u quajt Partha nga ciklopi Polifem, për nder të njërës prej vajzave të Ilirit, që ishte djali i tij. Nikolla qëndronte pak në shtëpi, sepse shkonte në male dhe takonte luftëtarët e lirisë. Ai mbushej me krenari kur e thërrisnin Kol Kota, me emrin e kreshnikut Kol Kota djalit të Gjonit, i cili në vitet e luftës Skënderbejane kishte luftuar në ushtrinë e kryetrimit. Shekuj më parë, Shën Kozmai ishte martirizuar nga osmanët, sepse këshillonte shqiptarët të mos ndërronin fenë dhe të ktheheshin në myslimanë. Nikolla kërkonte më shumë. Ai donte lirinë e mëmëdheut,çeljen e shkollave shqipe e dorëzimin e kishave priftërinjve shqiptare, të cilët ta kryenin shërbesën fetare në gjuhën e bukur shqipe. Në korrik të vitit 1877, me një grup shokësh shkon në Frashër dhe në Dangëlli. Atje takohet me patriotin dhe poetin e madh Naim Frashëri, i cili ishte kthyer nga Vjena e Austrisë, pas një kurimi të sëmundjes që i kishte prekur mushkërinë. Në shtëpinë e Frashërllijve, dhoma e burrave ishte mbushur plot me miq dhe aktivist të çështjes kombëtare. Naimi me të vëllanë Abdylin, kishin ngritur në këmbë tërë krahinën dhe jehona e tyre, kishte shkuar matanë Çamërisë deri në Prevezë. Po organizoheshin lidhjet e shqiptarëve. Atë ditë që mbërriti Kol Kota, u krijua “Lidhja e Frashërit”.  –Duhet të përpiqemi, ligjëronte Naimi, të ngremë ndërgjegjen e kombit, në shkallën e “vetëdijes”, të njohjes së vetvetes, të historisë dhe të kulturës së kombit, të mundësive dhe të rrugës për tu çliruar. Me ballin lart dhe tepër i mendueshëm shtonte: -Një komb ç’vlerë  t’i verë  vetes, atë i venë edhe të huajt. Ne shqiptarët, nuk duhet të besojmë vetëm në shpjegimet që bëhen nga bibla dhe kurani, por duhet të marrim vesh se ç’janë gjërat dhe të bëhemi zot të natyrës dhe të vendit tonë.  Duhet ta vendosim  mbi fenë, atdheun tonë të dashur Shqipërinë, me idenë e qartë, që e kemi të mbrujtur në shpirtin tonë dhe nga andej buron sepse: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Hyseni, i dëgjuar për mençurinë e tij, u ngrit në mes të burrave dhe tha: – Naim të kam vëlla. Tashmë që të dëgjova, mësova edhe më tepër se dija më parë. Kuptova sa i varfër erdha dhe sa i pasur po shkoj, sa pa shpresa isha dhe tashmë ndjehem i gjallë e me shpirt. Fjalët që na thua na shërojnë zemrën.  Jemi me ty Naim, jemi të gjithë me një zë me Abdyl Frashërin. Ta krijojmë Lidhjen !!. Të pranishmit u ngritën brof, në këmbë dhe njëri mes tyre, Zylyftar Nasufi tha: -Të lidhim besën e anëve tona.  “Amin”-gjëmoi zëri i burrave. Lidhja quhet e bërë thanë njëzëri dhe u ngritën kryelartë. U përshëndoshën me Naimin të gjithë me radhë dhe u larguan në heshtje. Nikolla në pranverë të vitit 1888 u largua nga Berati bashkë me gruan, djalin në moshën dhjetë vjeç dhe emigroi në Aleksandri. Në maj të vitit 1904, u largua nga Aleksandria dhe shkoi në Sofje të Bullgarisë. Atje u takua me shumë patriotë dhe anëtarë të shoqërisë  “Dëshira”.  Në dhjetor të vitit 1911, në Sofje vjen nga Bostoni i Amerikës, prifti i shquar dhe atdhetari i madh i çështjes shqiptare Fan.S.Noli, me të cilin pati fatin të takohet. Në muajin maj të vitit 1912, Nikoll Kota largohet nga Sofia dhe kthehet në atdhe në qytetin e Korçës. Me të shkelur në Shqipëri, përndiqet nga otomanët dhe strehohet në Voskopojë dhe më pas në krahinën e Kolonjës duke u bashkuar me çetën e Themistokli Gërmenjit, e cila me çetën e Çerçiz Topullit, Mihal Gramenos e të tjerë, luftonte kundër ushtrisë së shpartalluar turke, ushtarëve dhe andartëve grekë që synonin aneksimin e krahinave shqiptare. Një numër i madh i forcave greke që erdhën nga Janina, pushtuan Korçën dhe Kolonjën duke arrestuar mbi 60 atdhetarë dhe luftëtarë të lirisë, të cilët i burgosën në burgjet e Follorinës e Selanikut. Luftime të ashpra u bënë kudo, në mesin e urave, në Postenan, në grykat e Barmashit, në Bader, Ersekë, Borovë, Psar, Starje, etj., ku u vranë mjaft luftëtarë dhe njerëz midis të cilëve edhe Kol Kota.