Flet Angjelina Xhara Papalilo: Letrat e paharruara të dashurisë mes Tefta Tashkos dhe Kristaq Koços mbeten hyjnore

64

Flet Angjelina Xhara Papalilo, skenariste e filmit: Tefta Tashko për Kristaqin “Ti për mua je një botë e tërë!”

Sigal

– Në Greqi mburreshin me Maria Kalas unë me Tefta Koçon që e kishte kërkuar dhe Amerika.

– Mendo se çfarë madhështie do merrte kënga “Për ty Atdhe” me zërin e Kristaq Koços!

– Myzafer Xhaxhiu, thoshte: Tefta Tashko Koço, emancipoi gjithë shoqërinë shqiptare të kohës.

 

Intervistoi : Albert Z. ZHOLI

Para disa ditësh në Muzeun Historik Kombëtar u shfaq filmi dokumentar ” Tashko & Koço, një love story shqiptar”. Mbrëmja u hap me fjalën ekspres, por perfekte të shkrimtares Fjorda Peçi,e bija e Aleksandrit Peçi dhe u mbyll me fjalën e skenaristes Angjelina Xhara dhe një falënderimi të Enos, i cili me botime të ndryshme i ngjalli për së dyti prindërit e tij të dashur e të paharruar Tefta Tashko e Kristaq Koço. Regjisor i këtij filmi interesant ishte Ylli Pepo. Ajo natë ishte magjike pasi ishin mbledhur shumë aktorë, regjisorë, këngëtarë, skenaristë dhe dashamirës të artit. Ja si shprehet regjisorja e filmit Angjelina Xhara Papapilo:

-Ndoqa me vëmëndje filmin ” Tashko & Koço, një love story shqiptar”, ku dilte në pah figura e Tefta Tashko Koços dhe Kristaq Koços. Të nesërmen e premierës si je ndjerë?

U rrënqetha kur mikja ime V…, duke pirë kafen të nesermen e premierës së filmit ” Tashko & Koço, një love story shqiptar”, më tha: “Mendo Angjelina, se çfarë madhështie do merrte kënga “Për ty Atdhe” me zërin e Kristaqit. Kisha dëgjuar se ishte bariton ekselent, por nuk e kisha ndeshur timbrrin e zërit të tij…” Unë nuk fola, vetëm e pashë me dashuri dhe hyra në valët e botës sime te padukshme…Kisha dëgjuar që kur isha fëmijë të flisnin në familjen t’ime për Teftën e Kristaqin, si të ishin të pranishëm, me shpirtin portretin e veshjen e tyre. Mami thoshte se Kristaqi mbante kapele republike, megjithëse ishte i ri, se kështu ishte moda e atyre, që vinin nga jashtë. Të ngrinte në Qiell, kur fliste, sikur të ishte ëngjëll. Tefta strukej me dashuri pranë krahërorit të tij të gjërë dhe me sytë e saj të dashuruar humbisnin në sytë e njëri tjetrit. Gjyshi im ishte në bandën muzikore ushtarake në kohën e Zogut, si instrumentist i ardhur nga Amerika, në 1920, Ai fliste veç për Luftën e Vlorës, për Selam Musanë dhe për Teftën e Kristaqin. Ai na tregonte se Tefta kishte lindur në Egjypt, nga familja patriote e Tashkove. Nuk e kemi vetëm Kristaqin kushëri, por edhe Teftën, se është nga fisi i njohur i Ballaurëve. Por babit i lotonin sytë ndërsa thoshte, çift i bukur, të lindur për njëri tjetrin, por pa fat, ose me fat tragjik. Ata ishin të dy, si çift ëngjëjsh!

-I kujtoje gjithmonë këto fjalë për këta dy artistë të mëdhenj? Në vitet e jetës dikund dëgjoje për jetën dhe veprën e tyre?

U rrita me këto kujtime dhe kur punoja në Kinostudjo, u gëzova shumë kur u bë filmi për ta, për më tepër se Vllasova Musta me Marjanthi Xhakon, përdorën zërin tim, si spikere e radio Tiranës, kur prezantoja rubrikën muzikore, “Këndon Tefta Tashko Koço”! E vunë si titull të filmit të parë dokumentar për artisten e madhe ,që u bë sinonim i rrezedritës të artit perëndimor, që lindi pikërisht në vitet 30 të shekullit të kaluar, jo thjesht në muzikë, por në një frymëmarrje të plotë kulturore artistike dhe me një shpërthim të mendimit përparimtar në shtypin e lirë të asaj kohe. Universitetin e mbarova me temën studimore, “Shtypi përparimtar i viteve 30-të”. Profesor drejtues kisha petagogun e famshëm, Myzafer Xhaxhiu, i cili që në fillim më orientoi, ndalu në mënyrë të veçantë tek Tefta Tashko Koço, ajo emancipoi gjithë shoqërinë shqiptare të kohës.

-Po kur shkove në emigracion në Greqi, a njohe figura greke që me të vërtëtë mund ta krahasoje me Teftën?

Kur shkova në emigracion në Greqi kur vinte puna e ballafaqimit mes të dy popujve, në mëndje e në majë të gjuhës kisha shprehjen…” keni ju, të dashurat e mia Maria Kalas, që mburreni me të vërtetë, por edhe ne kemi Tefta Tashko Koçon, që e kërkuan deri në Amerikë, por ajo zgjodhi vendin e saj, Shqipërinë. Historitë e tyre janë paralele, në fatin tragjik…Vetëm zërin e saj si bilbil, të dëgjoni, ariet e kompozitorëve italianë e francezë, do habiteni…”

-Po kur u ktheve në atdhe, si  fillove të rrëmosh sërish për jetën e familjes Koço?

E kthyer në Shqipëri më bie në dorë albumi i jashtëzakonshëm që ka krijuar, i biri i artistëve, Eno Koço, për prindërit e tij. U mahnita nga struktura, cilësia e fotografive, kujtimet. I shkruaj në Londër, Enos, dhe i them se kam mendimin se prindërit e tu, të dy bashkë, do ngjallen më bukur, me historinë e dashurisë së tyre, në një film dokumentar, që do ta bëjë me regjisorin e shquar të RTSh,Ylli Pepo. Përgjigja e tij ishte mbështetëse, kështu filloi ravijëzimi i filmit të ardhshëm, me bashkpunimin interesant me të rinj të talentuar, që u bënë një, për gjetjen e fondeve dhe realizimin modern e dinamik të filmit. Veçanërisht falenderoj dy producentet pasionante të filmit, Lorina Pepo dhe Valentina Hysi, që siguruan mbështetjen e Ministrisë se Kultures dhe Bashkisë së Tiranës. Sigurisht një ndihmë të madhe, veç Tiranës kishim edhe në Korçë, si djepi ku u përkund për herë të parë, talenti i Teftës, që fëmijë kur sëbashku me Jorgjie Trujën kënduan në koncertin ku merrte pjesë Fan Noli. Mbas një pune të gjatë 2 vjeçare filmi shfaqet, fillimisht tek Akademia e Shkencave, me rastin e 80 vjetorit të lindjes së Enos.

Filmi u ndoq me frymën e mbajtur pezull dhe u fol me superlativa, për krijimin e një vepre të veçantë kinematografike, që mbushi një enigmë në historinë e dy figurave të shquara të  artit tonë muzikor dhe jo vetëm. Premiera përfundimisht u bë tek Muzeu Kombëtar, Salla e shfaqjeve “UNESCO “ku unë si autore kam qenë e prezantuar disa herë, pa harruar premierat në Arkivin Shtetëror të Filmit, në Teatrin Kombëtar apo në Millenium.

-Jam habitur nga albumi i jashtëzakonshëm që ka krijuar, i biri i artistëve, Eno Koço, për prindërit e tij, nga struktura, cilësia e fotografive, kujtimet…

– Këto letra dashurie, të shkruara edhe me dorën e artistëve në bukurshkrimin e gjuhës më të bukur në botë, shqipes, ato kthehen në një lëndinë dashurie të pavdekshme…

-Kristaq Koçco: “Më ka marrë malli shumë edhe për Tiranën, që kur jemi aty e shajmë, por kur jemi jashtë, përgjërohemi për të…”

-Pra një film me regjisorin Ylli Pepo, si ishte bashkëpunimi?

Ai mbetet regjisor i rrallë. Por Yllin nuk e kisha parë aq të tërhequr, sa nuk donte të dilte as në skenë për t’u prezantuar! Dhe vërtetë, në rastin e një filmi të tillë, ku protogoniste ishin, të paharruarit, dy artistët e mëdhenj, ëngjej, Tashko& Koço, rutina e zakonshme zbehet, sepse nga ekrani hyjmë me heshtje të thellë nderimi në tregimin e jetës së tyre, me fjalë shpirtërore, të shpalosur aq dhimbshëm e bukur, në një letërkëmbim dashuror të jashtëzakonshëm, që tregon për një love story  vërtetë shqiptare! Këto letra dashurie, të shkruara edhe me  dorën e artistëve në bukurshkrimin e gjuhës më të bukur në botë, shqipes, ato kthehen në një lëndinë dashurie të pavdekshme…

Pse? Ku e bazoni se do ngelen të tilla?

Sepse Tefta e Kristaqi erdhën si dy zogj shpëtimtarë në qiellin e Kulturës e muzikës shqiptare, të viteve 30, 40-të, duke i ngritur zemrat e të gjithëve me interpretimet e tyre brilante nga Verdi, Bethoven, Bize, Vivaldi deri tek ngritja e muzikës popullore shqiptare në majat e muzikës se qytetëruar shqiptare. Ata ishin dy kometa të zjarrta që lanë gjurmë të arta në artin shqiptar të drithëruar për zhvillime të tilla. Prof. Pandi Bello, që ka shkruar librin më të bukur për Teftën thotë me bindje, se ajo është fenomen shoqëror…botë më vete. Ndërsa Eno mes tregimeve befasuese për historinë e dashurise së tyre, -thotë në intervistë, se ata ishin dy botë që u bashkuan e u dashuruan mes tyre dhe me artin e tyre! Filmi me një regji profesionale perfekte nga mjeshtri Ylli Pepo sjell në ekran gjithë atmosferën ku lindi dhe arriti kulmin dashuria e tyre, si diçka që xhelozoi vetë engjëjt që i morën ata pranë vetes në moshë të re. Filmi e” qëndis” dashurinë e tyre përmes episodeve, që i merr me vete, edhe mbasi del nga salla…Intervistat e bashkohësve -larg dhe afër,- janë çaste emocionuese të një vlerësimi e adhurimi të përjetshëm. Koncertet e tyre, afishet, emrat që parakalojnë në sytë tanë, fotografitë të bëra nga mjeshtrat korçarë e shkodranë, shtypi i kohës me një analizë kritike të beftë, të paparë e furnizojnë shpirtërisht shikuesin me fakte emocionuese, që nuk harrohen kollaj. Një dokumentar që rreshton faktet dhe emocionet, duke i kthyer në amalgamë mendimi, se arti shqiptar u ngjiz nga talente kalibri të njohur edhe në botë, Paris, Londër, Romë, deri Kalabri, deri në Beograd. Dhe mos harrojmë vitet e vështira kur jetuan protogonistët e artit, Tashko& Koço. Tefta një vit para pushtimit italian jep koncerte në qytetet kryesore të Shqipërisë, ku mori edhe sëmundjen, që e largoi aq shpejt nga ne. Ndërsa Kristaqi, në këtë kohë, vazhdonte studimet në Milano, jepte koncerte në Romë e Kalabri. I njohim nga afër artistët e mëdhenj, në gjithshka të shtrenjtë që na dhuruan  me artin e tyre, në disqet që rrëmbyen e rrëmbejnë zemrat e të gjithë shqiptarëve në Botë.

Dëgjojmë letra ku përshkruhen marrdhënie të veçanta të Tashkos dhe Koços, me kolegët e tyre, këngëtarë, kompozitorë, poetë, shkrimtarë të kohës, me të afërm, miq e dashamirës të artit. Dokumentari fillon me fjalët proverbiale që shkruan Tefta në ekran për të zgjedhurin e zemres së saj, Kristaqin..”Ti për mua je një botë e tërë!” Pas kësaj dëgjojmë menjëherë zërin e shoqërues së saj në piano dhe mikes, Lola Gjoka. Copëza shpirti që flasin me komunikim shpirtëror të thellë mes tyre..

Sa vertetësi dhe dhimbje bashkë, mban ky film!?

Tregimi emocional i vetë Enos është shtyllë vertebrore e filmit, ai sikur lindi për të ngjallur për sedyti këtë çift të jashtëzakonshëm artistësh, që tronditi të madh e të vogël në Shqipërinë e para çlirimit! Që në librin e parë të botuar prej tij, janë të vendosura letrat e paharruara të dashurisë mes prindërve të tij. Veç albumit dhe librat si studjues muzikolog, ai ka botuar edhe tekstet e këngëve popullore, me bukurshkrimin e të dy protagonistëve. Një përvojë shkollë për artistët e rinj. Asgjë nuk vjen pa punë këmbëngulëse, pa sakrifica, edhe në jetën personale. Emocionet rriten në kulm me  tregimin  e dëshmitarit të kohës, studjuesit, Sokrat Saraçit. Ai është i saktë dhe mahnitës në ato që tregon për lidhjen hyjnore të çiftit Tashko& Koço! Ndërsa befasuese është edhe intervista e Z. Mynever Shuteriqi. Ne meditojmë me të drejtë. Sikur të rronte çifti në kohët tona do kishte erudicionin e z. Shuteriqi, që megjithë moshën e shtyrë në vite, na sjell emocione të jashtzakonshme me ato që thotë për Teftën, të kthyer nga Beogradi, ku në 1947, dha koncertin e saj të fundit…Sekret, për ta parë filmin. Mbyllja e filmit nga tragjedia e çiftit kthehet në një triumf të jetës, me familjen e madhe artistike të krijuar nga Eno, violinist e dirigjent, së bashku me Rajmondën, bashkshorten e tij, violiniste, që lindën dy fëmijë, që u bënë edhe ata artistë. Gentin violinist virtuoz dhe Teutën, këngëtare e talentuar, që të kujton Teftën vet duke interpretuar këngën për Tiranën, ndërsa dalin titrat e filmit.

Unë jam qytet shumë i bukur

dhe nga te tjeret më i lumtur.

Kush më pyet, i jap përgjigje:

Unë jam Tirana, brigje brigje…

Shqiptare e të huaj, venë e vijnë:

Lëvizje e madhe, dalin dhe hyjnë.

Automobila poshtë e lart

s’kanë pushim as ditë, as natë!

Ja ky është vizioni i artistëve të mëdhenj. Ky vizion që shpaloset mbas 100 vjetësh, por vjen i gjallë, sikur të jetë dje! Ndërsa nga letërkëmbimi dashuror, Kristaqi i shkruan Teftës, mes të tjerave edhe për Tiranën…”Më ka marrë malli shumë edhe për Tiranën, që kur jemi aty e shajmë, por kur jemi jashtë, përgjërohemi për të…”. Duke qënë dhe kritike arti, pamvarësisht që jam autore kryesore do t’i propozoja Presidentit, t’i japë Çmim Republike filmit kushtuar këtyre dy artistëve të mëdhenj klasikë shqiptarë, që patën jetë të shkurtër, por ndriçuan si meteorë në Qiellin e artit shqiptar të të gjitha kohërave!