Gëzim Tushi, “Mjeshtër i Madh”: Ja pse janë shtuar vrasjet, krimet, skenat e dhunës e komunikimet e vrazhdëta, shkelja e rregullave të qarkullimit, ngacmimet seksuale, vjedhjet e natyrave të ndryshme, zhurma urbane!
– Në shoqëri po mirret si shembull jeta personale dhe sjellja e disa politikanëve të paformuar
– Shoqëri humane apo habitat i njeriut të shthurur?
– Po shtohen njerëzit që po humbasin forcën e arsyes, aftësinë e administrimit qytetar të vetes
– Në raportin individ-qejf personal-shoqëri, të mos veprojë ligjësia e vjetër sociologjike
Këto muajt e fundit, ndoshta edhe nga ndikimi i natyrshëm “liberalizues” i sezonit pushimeve janë agravuar, janë shtuar në sasi dhe “cilësi” disa dukuri sociale të shëmtuara bezdisëse, me natyrë të pastër asociale e kriminale. Ato janë shfaqur kudo. Shumë vrasje e krime, skena dhune e komunikime të vrazhdëta, shkelje të rregullave të qarkullimit, ngacmime seksuale, vjedhje të natyrave të ndryshme, zhurma urbane të padurueshme, etj. Fenomene të cilat për fat të keq, në vend të minimizohen, për fat të keq ato shtohen me një dinamikë jo normale. Kjo situatë është bërë temë e debateve sociale, pasqyrimeve mediatike por dhe e bisedave midis njerëzve, që me të drejtë janë të shqetësuar patologjitë sociale të shtuara dhe, atë ndikim negative që ka kjo situatë mbi shëndetin e shoqërisë shqiptare.
“Në të vërtetë duke parë intensitetin e shumë akteve personale dhe shqetësimeve sociale me të cilat përballet shoqëria jonë, duket se po humbet ekuilibret e brendshme sociale, ngaqë po shtohen njerëzit që po humbasin forcën e arsyes, aftësinë e administrimit qytetar të vetes.
Po pse ndodhin këto ngjarje? Ku është problemi? Cilat janë shkaqet? Sa prej tyre janë me natyrë sociale dhe sa me karakter individual? Mbi të gjitha përse mekanizmi i shoqërisë, stofi kulturor dhe edukativ po bëhet gjithnjë e më i pafuqishëm, që së bashku me instrumenet e shtetit të mund të ndikojnë në zbutjen e këtyre fenomeneve dhe përmirësimin e klimës sociale e urbane?
Që shoqërinë shqiptare e kapur fort patologjia anarkike e zgjerimit të kornizave morale dhe kufijve të “qejfit individual”, si qëllim në vetvete apo që gjithnjë e më shumë “hedonizmi i shfrenuar” po kthehet në një “tumor social”, nuk duhet ndonjë mundim i madh sociologjik për ta identifikuar. Në madhësinë, shthurrjen dhe intensitetin asocial të tij. Shikoni se çfarë ndodh çdo ditë në familjet, rrugët, ambientet e pushimit, nëpër rrugët me makina. Dhuna e zgjeruar, skenat e shpeshta të konflikteve të zgjeruara interpersonale për “motive të dobëta” apo të “motive të qenësishme”, tregojnë se dhe konkluzioni për këtë situatë sociale endemike është i thjeshtë, i kuptueshëm, i qartë. Shoqërisë shqiptare, për shkak të kuptimit të gabuar të “qejfit individual” apo të lirisë së imagjinuar, si e drejtë e individit për të bërë gjithçka që i “do qejfi”, i është bashkëngjitur një lloj kundërkulture anarkike e arriviste që justifikon sjelljen e “njeriut të qejfit” që kërkon të jetojë pa përfillur rregullat sociale, pa respektuar lirinë e tjetrit. Madje nëse e shikojmë përtej dukjes apo duke e vlerësuar në thelbin ontologjik të saj, ky manierizëm social ka tendencë të marrë dimensionet dhe përmasat e një lloji të veçantë. Për pasojë “makinerisë së kënaqësive” normale, që janë të të natyrshme për njeriun modern të kohës sonë, pjesë e natyrës së kësaj shoqërie demokratike e liberale, duket se tek ne për ca arsye historike, politike, kulturore apo edhe edukative i janë prishur “amortizatorët” që garantojnë ekuilibret midis dimensionit të përgjegjësisë individuale dhe kornizës normative të vlerave morale e sociale që janë shoqërisht detyruese e të përbashkëta. Jemi në një fazë kur gjërat duhen thënë troç, pa zbukurime ideore e eufemizma esetike dhe etike. Boll me “drogën e superliberalitetit individual”, apo me indiferencën që mbajmë ndaj shumë sjelljeve dhe veprimeve të shëmtuara, kriminale, asociale, arriviste, agresive e antihumane. Në të vërtetë duke parë intensitetin e shumë akteve personale dhe shqetësimeve sociale me të cilat përballet shoqëria jonë, duket se po humbet ekuilibret e brendshme sociale, ngaqë po shtohen njerëzit që po humbasin forcën e arsyes, aftësinë e administrimit qytetar të vetes. Në këto kushte, nëse vetëm dhe thjesht konstatojmë dhe ankohemi për sjelljet eksentrike të njerëzve në shoqëri dhe në mënyrë shkollareske bëjmë statistika, qoftë edhe të detajuara të dukurive dhe sjelljeve asociale të njerëzve, kjo nuk mjafton. Koha po tregon qe me këto lloj qëndrime indiferente apo vëzhguese, problemet nuk mund të zgjidhen. Ato janë të të pamjaftueshme. Nuk është fjala për të qënë kundër të drejtës së njeriut që të kënaqet individualisht. Qoftë nga ana sociale apo edhe individuale. Në shoqërinë e sotme liberale e moderne kjo mundësi ekziston, për çdo njeri që në mënyrë racionale dhe të personalizuar të plotësojë dëshirat e veta për qejf dhe kënaqësi.
“Në shoqërinë tonë qarkullon një ide pa strukturë kompakte për “shoqërinë e qejfit”, lirinë individuale dhe raportin e tyre me rregullat sociale. Dhe kjo gjë po na ngatërron keq kuptimet e duhura, sepse njeriu nuk ka nevojë vetëm për identitet personal dhe individualitet të vecantë të papërsëritshëm. Në të njëjtën kohë ai ka nevojë edhe për sjellje normale shoqërore, për “socializim” si kusht që të jetojë organikisht në shoqëri”
-Problemi është se shoqëria shqiptare është përballë ca anomalive sociale të sjelljes së individëve të caktuar, të cilat të detyrojnë të shtrosh pyetjen: A duhet dhe a mundet dot ky njeriu hedonist e konsumist të administrojë si qënie humane “ekonominë e kënaqësive” personale? A mund të administrohen shëndetëshëm, humanisht, me rregulla sociale “dëshirat e shumta e të shumëfishta?
Unë mendoj se kjo situatë sociale, ky lulëzim i arbitraritetit social dhe arrogancës individuale, ky perceptim anarkik i “qejfit individual” jashtë normave dhe kodeve sociale të qytetërimit modern, është së pari dhe mbi të gjitha i lidhur me faktin që shoqëria jonë nën frymën e dëshirave materiale dhe merkantilizmit, duket sikur ka hequr dorë nga vlerësimi i nevojës së edukimit të njeriut, nga lufta për krijimin e kushteve të natyrshme të edukimit që kanë vlerë, të paktën deri në shkallën që njeriu të bëhet i aftë dhe i vetëdijshëm, se ai jo vetëm duhet të bëhet “zot i vetës”, por në të njëjtën kohë të “zotërojë veten”. Në se do vazhdojmë të heqim dorë apo të qëndrojmë indiferentë, ndaj nevojës për të edukuar dhe disiplinuar raportet e njeriut me qejfin personal, atëhere në të ardhmen e afërt do përballemi me situata që mund të bëhen akoma më shumë shqetësuese për spikatjen e sjelljes, edukatës, kulturës të individit. Ky është kushti kryesor për ndërtimin e shoqërisë moderne në vendin tonë. Kjo do të thotë që duhet të krijojmë qytetarë që kanë vetëdije të ekulibruar për “lirinë dhe qejfin individual”, që kanë bon sensin e duhur, që pranojnë organikisht dhe natyrshëm fuqinë disiplinuese, edukative dhe respektimin e lirë të “rregullave shoqërore”. Në shoqërinë tonë qarkullon një ide pa strukturë kompakte për “shoqërinë e qejfit”, lirinë individuale dhe raportin e tyre me rregullat sociale. Dhe kjo gjë po na ngatërron keq kuptimet e duhura, sepse njeriu nuk ka nevojë vetëm për identitet personal dhe individualitet të vecantë të papërsëritshëm. Në të njëjtën kohë ai ka nevojë edhe për sjellje normale shoqërore, për “socializim” si kusht që të jetojë organikisht në shoqëri. Nga ana tjetër, i situatës konkrete, sociologjikisht tregon se midis njeriut dhe shoqërisë zhvillohen dy procese kontradiktore, të palidhura me njëra tjetrën, të cilat shfaqen si prirje paradoksale të natyrshme për shoqërisë moderne. Nga njëra anë shfaqet i vrullshëm një proces i thellë i identifikimit të “njeriut të qejfit” si qënie e përveçme me natyrë individuale, i cili ka hyrë në një proces të thellë dhe kokjëfortë të një lloj “lëndëzimi” të personalizuar të dëshirave të veta, dhe nga ana tjetër, ndihet mungesa evidente e procesit paralel, nevojës që kanë njerëzit për një masë të arsyeshme edukate, vetpërmbajtjeje dhe socializimi. Doemos duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe padyshim duhet njohur dhe pranuar e vërteta, që realisht në kohën e tanishme janë vështirësuar kushtet e jashtme të shoqërisë, si “mjet social” për të siguruar të gjithë kushtet që i duhen njeriut për të bërë jetë humane.
“Kjo do të thotë që ky shndërrim i thellë politik, ideologjik dhe kulturor nga e kaluara, ka bërë të krijohen kushtet, që në vend të njeriut me mendje të mpirë dhe shpirt të robëruar, me personalitet monoton e të “çarë” nga faktorë që vepronin jashtë tij, tashmë po shfaqet një proces i “tjetërsimit të brendshëm” të njeriut, që po shfaqet pa korniza e dimension social, me vetëdije të çorganizuar me ndikim negative për normalizimin e konceptit të shoqërisë liberale si “shoqëri e qejfit individual” dhe të sjelljes personale.”
-Njerëzit tanë demokracia i çliroi nga prangat e politikës totalitare, ideologjisë doktrinariste dhe mënyrave të sjelljes tipike kolektiviste….
Kjo do të thotë që ky shndërrim i thellë politik, ideologjik dhe kulturor nga e kaluara, ka bërë të krijohen kushtet, që në vend të njeriut me mendje të mpirë dhe shpirt të robëruar, me personalitet monoton e të “çarë” nga faktorë që vepronin jashtë tij, tashmë po shfaqet një proces i “tjetërsimit të brendshëm” të njeriut, që po shfaqet pa korniza e dimension social, me vetëdije të çorganizuar me ndikim negative për normalizimin e konceptit të shoqërisë liberale si “shoqëri e qejfit individual” dhe të sjelljes personale. Mua do më vinte rëndë si profesionist nëse në këto rrethana do pranoja si zgjidhje tezën totalitariste apo konceptin autoritarist, që kanë në majë të gjuhës disa që janë në kondërsens me “tingullin e kohës” apo që kërkojnë që në shoqërinë tonë për të zgjidhur raportin individ-qejf personal-shoqëri, të veprojë ligjësia e vjetër sociologjike, sipas së cilës, sa më i vogël shtrëngimi social dhe imponimi politik, ideologjik dhe kulturor i jashtëm, aq më shumë i tjetërsuar nga brenda bëhet njeriu, aq më i dobët bëhet ai që të bëhet “zot i vetes” apo që shpesh herë në emër të lirisë dhe qejfit shfaqet i paaftë të “zotërojë vetveten”. E kundërta është e duhura dhe e vërteta…