Fatmir TOÇI/ Dy dhurata të çmuara për ditëlindjen e Dritëroit

568
Sigal

Akordimi i poetit me çmimin letrar italian “Carlo Levi” dhe dalja në treg e librit kushtuar poezisë së tij

Bashkë me afrimin e ditëlindjes së 82–të të ditëlindjes së babait të poezisë bashkëkohore shqiptare, Dritëroit, dy lajme të tjera, të mira, vijnë për botën kulturore dhe gjithë shqiptarët: dalja së shpejti nga shtypi e një libri studimor voluminoz 700–faqesh për veprën e poetit të madh me titull “Fjalor rimor i Dritëro Agollit”, me autor gjuhëtarin Mina Gero dhe botuar nga Toena; si dhe lajmi që vjen nga përtej detit, Italia, për akordimin e Çmimit Letrar “Carlo Levi” poetit më popullor shqiptar, Dritëroit tonë, midis përfaqësuesve të të gjitha vendeve të Mesdheut.

Përurimi i librit do të organizohet me rastin e ditëlindjes së poetit, ndërsa ceremonia e akordimit të Çmimit Letrar Ndërkombëtar “Carlo Levi” nga juria ndërkombëtare për Dritëroin do të organizohet në Aliano (Matera) të Italisë në mbrëmjen e datës 5 tetor 2013, ku Dritëroi ka konfirmuar se do të jetë i pranishëm.
Gjithashtu, prania e Dritëroit në Pulia dhe Bazilikata të Italisë nuk mund të mbetej jashtë vëmendjes së emigrantëve të shumtë shqiptarë në këto zona. Me kërkesën e tyre është menduar një takim i madh me poetin shpirtëror të shqiptarëve në Altamura të Barit, ditën e premte, datë 4 tetor 2013, pasdite vonë. Sipas autoriteteve lokale vetëm në këtë komunë jetojnë e punojnë prej vitesh mbi 5000 emigrantë shqiptarë, të integruar në shoqërinë italiane dhe në marrëdhënie të shkëlqyera me vendasit.
Një ndihmë të madhe për këtë organizim po jep, si gjithmonë, edhe shoqata kulturore “Luigj Gurakuqi”, me qendër në Bari, një rini e gjallë dhe shumë aktive, me rol të çmuar me mbajtjen gjallë të vlerave kulturore shqiptare ndër shqiptarët e Italisë dhe zgjerimin e intensifikimin e marrëdhënieve kulturore me vendin fqinj të përtej detit, gjithmonë me një frymë të re dhe vizion të qartë për zhvillimet e pritshme në Shqipëri.
Jam i lumtur dhe i privilegjuar që do ta shoqëroj Dritëroin në këtë ngjarje ku vlerësohet jo vetëm poeti dhe vepra e tij, por edhe letërsia dhe kultura jonë kombëtare si një zë në hapësirën kulturore të vendeve mesdhetare.
Bashkë me ne, pjesë e mbrëmjes gala’ të dhënies së Çmimit do të jetë edhe një grup polifonik i njohur nga Shqipëria, i cili do të këndojë për pjesëmarrësit e shumtë këngë karakteristike kushtuar Dritëroit, Evropës së Bashkuar dhe Shqipërisë si pjesë e saj kulturalisht dhe, së shpejti edhe si pjesë integrale e saj. Pena e artë e poetit popullor Feti Brahimi dhe zëri magjik i këngëtarit Nazif Çela do të jenë pjesë e mbrëmjes gala’ të ndarjes së Çmimit.
Për këto, por edhe pashmangshëm për ngjarjet e ditës, të cilat Dritëroi i ndjek më shumë vëmendje, dhe ndihej i rinuar nga zhvillimet e fundit dhe fillimi i ndryshimeve të pritura biseduam me Dritëroin mbrëmë në shtëpinë e tij në qendër të Tiranës.