Bashkim Alibali:jeta ime mes Eduart Jubanit, Xhorxh Vasian dhe Violeta Zefit

893
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtari i mirënjohur  Bashkim Alibalin

Ai mbetet një ndër këngëtarët shqiptarë më të njohur të të gjitha kohërave. Zëri i tij brilant sa më shumë kalon koha aq më i pjekur dhe më i dashur bëhet. Në bisedë me të shikon se ai është gjithmonë i qeshur dhe plot humor, duke na dhuruar këngë nga më të bukurat dhe më befasueset. Por duhet të theksojmë se si shumë këngëtarë bashkëkohës Festivali i 11-të e mënjanoi nga skena, por jo nga dëshira për këngën. Por ai sërishmi nuk u tërhoq por me punë dhe me këmbëngulje e zuri sërishmi pozicionin në radhët e këngëtarëve më të shquar. Ajo që atij s’i pëlqen në drejtim të këngëve është deformimi i këngës shqiptare që nuk mund të justifikohet, as për kohën as për suksesin artificial.

 Flitet për Shkodrën…Thonë që ka pasur shumë aktivitete në Shkodër ?

E vërtetë. As që diskutohet. Diktatura ngelet diktaturë, por dua të them se jeta artistike në atë kohë ishte shumë e gjallë. Atëherë jo vetëm në Pallatin e Kulturës, por ka pasur shumë ndërmarrje që organizonin estrada, festivale apo aktivitete të tjera. Dua të theksoj dhe të jem korrekt me lexuesin se unë kam punuar në fabrikën e telave të Shkodrës, ku në këto aktivitete të ndryshme kam njohur Eduart Jubanin, Xhorxh Vasian, Violeta Zefin, e shumë të tjerë. Fabrika e cigareve ka pasur Gëzim Krujën. Kanë qenë dhe grupet amatore të NSHN-së, uzinës “Drini”. Të gjitha këto ndërmarrje kanë pasur aktivitete të tilla prestigjioze që konkurronin dhe trupat profesioniste. Ndërsa në vitin 1969, unë u aktivizova me trupën e estradës profesioniste të qytetit. Në moshën 17-vjeçare unë mora pjesë në Festivalin e Këngës së qytetit të Shkodrës.

 Kush është e veçanta kur fillove punë?

Ah! Jeta të sjell çudira. Kam një diçka shumë të veçantë që e mbaj mend si sot. Pjesëmarrja ime me trupën e qytetit të Shkodrës përkon me ardhjen në Tiranë me një aktivitet, ku kënga e parë që kam kënduar në Tiranë në sallën e Estradës së kryeqytetit ka qenë “Mes jush”. Ishte një këngë shumë e bukur për mua dhe që u pëlqye shumë në Tiranë. Korra një sukses të paparashikuar.

 “Mes jush” mos vallë solli pjesëmarrjen në Festivalet e RTSH?

 Mbase kjo, mbase zëri në përgjithësi. Secila ka vendin e saj. Për herë të parë në skenat e Festivalit jam ngjitur në Festivalin e dhjetë të RTSH, me këngën “Stacioni i dashur”.  Këtu kam një moment interesant pasi para provave të përgjithshme ma hoqën këngën për interpretim ekstravagant, mbasi unë bëja disa lëvizje. Me thënë të drejtën unë ato lëvizje nuk i bëja me qëllim, më vinin vetiu. Por dua të them se ishte Alfons Balliçi që bëri përpjekje të tjera që të kthehesha dhe të ngjitesha në skenë. Atëherë më dhanë një këngë tjetër “Qyteti punëtor”. Me këtë këngë u pëlqeva të gjithëve.  Pra provën e parë e kalova me sukses.  Festivali i Këngës në RTSH edhe sot mbetet organizimi më i bukur i këngës së lehtë. Ai mbetet madhështor.  Në këtë festival kam ndjerë dy palë emocionesh, e para kur më hoqën këngën nga konkurrimi dhe vetja m’u duk shumë bosh pjesa e dytë kishte të bënte me ngjitjen në skenë me këngën . “Qyteti punëtor”. Ky moment mbetet magjik! Po realizohej ëndrra ime më e madhe, ëndrra që këngëtarët e asaj kohe e kishin në çdo hap të jetës.

 Për Festivalin e 11-të flitet shumë  ju  çfarë kujtimesh ruani

Bëj çudi se sa lakohet ky Festival. Më vjen çudi se edhe sot ai diskutohet si Festivali i shumë të papriturave. Unë në këtë Festival mora pjesë  me këngën. “Mbrëmja e fundit”. Ishte një këngë për studentët. Kënga bënte fjalë kur studentët mblidhen në natën e fundit, duke kujtuar shumë ditët e shkollës sepse të nesërmen do të shpërndahen. Ishte një bashkëpunim i bukur ku teksti dhe muzika ishin të Enver Shëngjergjit, nën orkestrimin e Aleksandër Lalos. Natën e parë të pranishmit më kthyen dy–tre herë, pasi dihet ishte koha që studentët kishin ndikim në jetën kryeqytetase. Në fund ngela i zhgënjyer pasi kjo këngë nuk fitoi asnjë çmim! Ky Festival mbetet për mua një festival emblemë, pasi këngët ishin shumë të bukura, tekstet po kaq të bukur, ku arti donte të thyente kornizat e kohës. Por e keqja u pa më pas. Se di pse u dënua aq fort. Pra ideologjia fitoi mbi artin. Në këtë Festival u kritikuan ashpër Sherif Merdani, Françesk Radi, por dhe për mua në Shkodër, në ndërmarrje, u zhvillua një mbledhje që zgjati 4 orë.

 Cili ishte dënimi yt?

Edhe mua s’më lanë pa gjë. Fill mbas mbledhjes mua më hoqën të drejtën e këngës për 7 vjet, konkretisht, të mos merrja pjesë në Festivalet e RTSH-së. Pra, sërishmi më kritikuan për ekstravagancë njerëz që nuk e kishin parë fare festivalin. Kështu dhe unë hyra në radhët  e të dënuarve ku deri në vitin 1978, këndoja vetëm në Estradën e Ndërmarrjes këngë popullore dhe këngën e lehtë nuk e lëvrova fare. Kështu ishte ai sistem. Unë mora pjesë sërishmi në Festivalin e 17-të, ku sërishmi bashkëpunova me Enver Shëngjergjin. Ndoshta ky Festival shënoi pjesëmarrjen time të përhershme në Festivale me shkëputje të pjesshme.

Çmimet
Në Festivalin e 20-të çmim të parë me këngën “Çel si gonxhe dashuria” me muzikë të Kotanit dhe tekst të Arben Dukës. “Kur vjen Pranvera” në vitin 1985, ku mora çmim të parë. Këtë çmim ja dedikoj të madhit Ferdinand Deda. ( “Në duart e nënës”, kompozim i Gjergj Lekës) Takova rastësisht Gjergj Lekën në Tiranë dhe ai më tha për këngën. E mora menjëherë dhe ja bëra prezent Ferdinadit. Atij i pëlqeu shumë, por numri i këngëve ishte mbyllur. Ishte ndërhyrja e Ferdinand Dedës që kjo këngë të futej në konkurrim. Pra kjo këngë u fut jashtë konkurrimit paraprak vetëm 3 ditë para se të fillonte koncerti. Për artistin nuk kishte rëndësi rregulli, por arti. Ky ishte koncerti i parë “Kur vjen Pranvera”, dhe ku një këngë u fut jashtë konkurrimit të përzgjedhjes paraprake. Kam katër çmime të dyta dhe tre çmime të treta nëpër festivale dhe koncerte. Me tekste kam bashkëpunuar me Arben Dukën, Betim Muçon, Zhuljana Jorganxhi, ndërsa kompozitorë me Vladimir Kotanin, Gjergj Lekën, Jetmir Barbullushin, Flamur Shehun, etj.. Por dua të theksoj se, në vitin 1971 më hoqën nga transmetimi këngën “Letër në kufi”. Ishte një këngë që po regjistrohej për Koncertin e Vitit të Ri. Një këngë që në daljen e parë në skenë u bë shumë e njohur dhe e këndonin dhe fëmijët. Ditën e fundit të regjistrimit atë e fshinë fare nga regjistrimi dhe kënga nuk u përfshi në koncert. Ishte një këngë që e kisha shumë për zemër. E kritikuan sërishmi për tendenca moderniste, si muzikë e ndërthurur me elementë të muzikës sllave dhe greke.