Arlinda Selimaj: Të rinjtë të rrezikuar nga mendësi të prapambetura, sidomos femrat

635
Sigal

Arlinda, përzgjedhja e degës nga ana e studentëve të rinj është një momentet më të rëndësishme në jetën e tyre. Nisur edhe nga përvoja juaj, por dhe nga këndvështrimi i një psikologeje tashmë të afirmuar, cilat janë faktorët që ndikojnë në zgjedhjen e degës?

  Përzgjedhja e degës për studentët është ndoshta vendimmarrja më e rëndësishme për moshat 18-20 vjeç. Për një pjesë të mirë prej tyre, ky vendim do të jetë përcaktues për jetën e tyre profesionale në 20-30 vitet e ardhshme. Të dhënat tregojnë, se në mbi 40% të rasteve, profili universitar që përzgjidhet përbën edhe bazën profesionale për vitet në vijim. Por, edhe për pjesën tjetër të studentëve, të cilët ose nuk do ta gjejnë veten me degën e përzgjedhur, ose nuk do munden dot t’i përmbyllin me sukses studimet universitare, vendimmarrja e tanishme do të ketë ndikim të padiskutueshëm në të paktën katër vitet e tyre në vijim.

Pikërisht për këto arsye, kjo vendimmarrje bashkë-shoqërohet me përgjegjësi dhe rrjedhimisht ngarkesa psikologjike është e lartë. Në thelb kemi të bëjmë me një zgjedhje të vështirë dhe  faktorët që mund ta influencojnë se brendshmi dhe së jashtmi këtë zgjedhje jo gjithmonë janë në harmoni. P.sh, maturanti mund të këtë kuptuar prirjen e vet në shkencat matematike, por të dy prindërit mund të jenë mjekë dhe ja ku krijohet një konflikt mes pritshmërive të brendshme dhe atyre që nxiten nga jashtë. Pyetja juaj adreson një fushë shumë të gjerë, e cila për më tepër ka trajtesa të shumta, nganjëherë edhe kontradiktore. Megjithatë, si rregull një maturant priret të zgjedhë atë që ai/ajo mendon se e performon më mirë, pra është më “gifted” në mënyrë natyrale. Po ashtu, maturantët janë të prirur të bëjnë edhe një lloj reagimi ndaj mjedisit, duke zgjedhur degë, të cilat janë më shumë në modë. Në 10 vitet e fundit sigurisht që, kjo modë ka qenë e dominuar për shkencat juridike. Nuk habitem që shumë studentë të diplomuar këto vite në juridik janë realisht duke punuar kamerierë (e verifikuar mëse njëherë edhe nga përvoja direkte kjo). Prindërit kanë influencën e tyre. Padyshim që unë do t’i rekomandoja të gjithë atyre që presin të fillojnë universitetin sivjet, të kenë durimin dhe përulësinë të dëgjojnë sugjerimet e prindërve. Ata sigurisht kanë përgjegjësinë më të madhe dhe padyshim që rekomandimet e tyre janë edhe më “të peshuarat”. Gjej rastin ta konsideroj si “të papërgjegjshëm” atë prind, i cili, në emër të liberalizimit me fëmijën, i lejon këtij të fundit të zgjedhë çfarë të dojë për jetën e tij. Kjo është njësoj si të heqësh dorë nga përgjegjësia prindërore në momentin më kritik, sikurse është edhe zgjedhja e profilit universitar nga fëmijët e tyre. Sot ka shumë emra komercialë, edhe për degët universitare. Këto profile nuk justifikojnë emrin e bukur, si p.sh: shkenca sociale, apo shkenca komunikimi…janë thjesht etiketa, të cilat mund të kompromentojnë atë që do të ishte “një zgjedhje e painfluencuar” nga vetë fëmijët, pra nga maturantët në këtë rast.

  Një zgjedhje e duhur shndërrohet në rezultate pozitive, ndërkohë që, një zgjedhje e gabuar shpesh herë rezulton në një dështim të pritshëm. Sipas të dhënave tuaja, studentët i zgjedhin degët nga bukuria e emrit apo se plotësojnë prirjet e tyre?

 E thashë edhe më sipër, emrat e disa degëve sot mund të marrin në qafë jo vetëm maturantët që presin të bëhen studentë, por edhe ata që kanë dëshirë për një fakultet të dytë. Ka degë që, pavarësisht emrit ekzotik, nuk kanë asnjë brendi, janë jo-autentikë (sajesa të rëndomta) dhe ndërtohen vetëm si karrem për peshqit. Një nga arsyet që shumë studentë në këto 10-15 vitet e fundit janë diplomuar juristë, ka të bëjë me faktin se kjo lloj dijeje është gjithsesi e konsoliduar dhe nuk rrezikon zhgënjimin, sikurse fjala vjen disiplina të tipit “shkenca sociale”, “epistemologji, apo edhe “urbanist”… (pa dashur t’i gjykoj këto të fundit)

   -Sa afër është shkolla me realitetin e sotëm shqiptar, e parë kjo, në aspektin shoqëror dhe atë të mundësive të integrimit në sistemin e punësimit pas përfundimit të studimeve?

 Më duhet të pranoj që në fillim, se 20-30 vite më parë shkolla, sidomos arsimi universitar kanë qenë shumë më afër nevojave të asaj që dikur konsiderohej si një ekonomi e mbyllur. Sigurisht, kjo ka arsyet e saj dhe njëra prej tyre që mund të përmendet është planifikimi, si pjesë e atij sistemi. Ironikisht, sot, në një shoqëri, e cila për nga struktura konsiderohet si “e hapur”, shkolla në përgjithësi dhe arsimi i lartë në veçanti, janë larg të qenit “të planifikuar”. Shkolla pra nuk merr përsipër punësimin, por vetëm arsimimin. Punësimi është një funksion me shumë të panjohura në një shoqëri të hapur. Nëse flasim vetëm për universitetet, pretendimi se dijet që ato përcjellin gjenerojnë edhe punësim, në rastin më të mirë është një utopi, në rastin më të keq është një tregti me shumicë, ku malli që shitet apo blihet është vetë e ardhmja e të rinjve shqiptarë. Le ta themi që në fillim se nuk ka asgjë të keqe në secilën prej aspiratave të të rinjve për t’u shkolluar, madje sa më lart akademikisht që të jetë e mundur. Në këtë pikë gjej rastin të shoh me kriticizëm prirjen e vënë re së fundmi nga pushtetarë të caktuar për të demotivuar studentët të shkollohen aty, ku kanë dëshirë ata, madje, duke u kujdesur deri edhe se sa hidraulikë apo saldatorë i duhen ekonomisë shqiptare. Mendoj se, aspiratat dhe vokacionet e  studentëve nuk duhen nëpërkëmbur dhe se para se t’u diktosh atyre që të jenë saldatore, duhet bërë maksimumi që ata që janë shkolluar si jurist, financier e kështu me radhë, të gjejnë vetëm sa më mirë dhe të fillojnë të prodhojnë për vetën e tyre dhe për shoqërinë përmes profesionit që kanë zgjedhur. Kam përshtypjen se mungesa e vizionit është tek ata që përballë këtij realiteti fshehin kokën si: struci, duke orientuar madje, profesionet e së ardhmes, të tilla si xhenerik, hidraulik etj… E Kush mund të thotë sot se kjo nuk është fiasko e radhës!?  Për ta përmbyllur përgjigjen e pyetjes suaj, unë mendoj se çdo i ri duhet ndihmuar, madje edhe psikologjikisht, përmes moduleve të këshillimit të karrierës, të gjejë atë që është sa më pranë aftësive të tij.

  Jeta studentore është tepër aktive, teksa fundjavat cilësohen shpesh si “qershiza mbi tortë”. Cilat mund të ishin rekomandimet e një psikologeje për një fundjavë ideale?

 Për periudhën e verës padyshim që fundjava më e mirë është një fundjavë “e freskët”. Në temperatura të larta, truri njeh limitet e veta fiziologjike, të cilat komprometojnë disa prej funksioneve të të menduarit, mes të cilave arsyetimi logjik dhe puna mendore në përgjithësi. Shqipëria është një vend mesdhetar dhe vera është përgjithësisht me temperaturë të larta, çka e bën mëse të natyrshme rekomandimin e mësipërm për kaluar ditët e pushimit në fundjavë në një vend të freskët. Të tilla deti dhe mali, çka në Shqipëri mund të përdorën lehtësisht si dy opsione mjaft çlodhëse në fundjavë. Po ashtu, për të rinjtë, të cilët janë kureshtarë edhe për nga vetë mosha, Shqipëria ka akoma vende interesante, të paprekura nga dora e njeriut, të cilat ofrojnë mundësi për aventure dhe rekreacion. Kanionet, shpellat, pyjet, përrenjtë malore, alpinizmi, janë disa aktivitet vërtet çlodhëse, të cilat e rikthejnë në normalitet “homoestazën” e trurit në këto ditë vere.

   Miqësitë në jetën shkollore janë të natyrshme dhe shpesh herë ato shërbejnë edhe si fillesa të mbara për një lidhje serioze, ndërkohë që, mund të ketë edhe lidhje të përkohshme. Sa pozitivisht apo negativisht mund të ndikojnë miqësitë në ecurinë e shkollës?

 Është disi e vështirë të japësh këshilla lidhur me miqësitë studentore. Është po ashtu e vështirë të përllogaritësh nese ka më shumë dobi apo disavantazhe në lidhjet afektive në moshat studentore. Nuk ka një mendim të unifikuar nga pikëpamja psikologjike, për më tepër që nuk ka asgjë, e cila të mund të konsiderohej anormale, aq më pak patologjike në përmasën afektive që karakterizon jetën studentore. E vetmja këshillë në këtë rast, nëse vërtetë kërkohet një këshillë, do të ishte që lidhjet efektive të zbukuronin dhe jo të komplikonin jetën e studentëve. Sigurisht që një shtatzëni e padëshiruar do të ishte një komplikacion në moshën studentore. Kontracepsioni është padyshim një masë për të mos u neglizhuar nga cilido student dhe sigurisht kjo është e vetmja këshillë parandaluese që një psikolog mund të ofrojë…në mënyrë që ajo që është thjesht bukuri e moshës të mos kthehet në një “dhimbje koke” para kohe.

  – Mosha studentore konsiderohet si më e bukura, por duke qenë edhe tepër e brishtë ka pasur raste, kur abuzimet kanë ndikuar negativisht, duke krijuar konflikte edhe dramatike. Si psikologe, a keni pasur mundësinë të këshilloni apo të trajtoni njerëz që kanë kaluar momente jo të mira, duke e ilustruar me rastet që ju kanë bërë përshtypje?

 Po, është interesante teksa konstatohet se një pjesë e mirë e divorceve në ditët e sotme ka për protagonistë çifte që kanë nisur prindërimin në moshat e hershme. Kjo nënkupton edhe periudhën studentore. Me sa duket, kur të dy prindërit njihen dhe martohen në moshë të hershme, disa stade të maturimit, të cilat janë të nevojshme për një qëndrueshmëri më të madhe të familjes, kapërcehen…ndodh më pas, që pavarësisht se sa e madhe mund të ketë qenë lidhja afektive mes të rinjve kur ata kanë krijuar familje, me kalimin e kohës, teksa edhe interesat e tyre në raport me jetën, profesioni, etj., pësojnë ndryshim, edhe interesat ne raport me bashkëshorten/in pësojnë gjithashtu, ndryshime. Presionet e ndryshimit nganjëherë janë më të forta edhe se sa forcat që mbajnë të lidhur familjen…dhe divorci më pas troket tek dera…

Këshillimi profesional që ofrohen në të tilla raste synon të rivlerësojë edhe njëherë në sytë e protagonisteve motivet që dikur i kanë bërë të qëndrojnë dhe të krijojnë familje bashkë. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë serish psikologu ka një rol të rëndësishëm në procesin e divorcit mes prindërve, duke vlerësuar në secilin rast se cili do të ishte interesi më i mirë i fëmijëve që ata mund të kenë, në kushtet e një divorci mes tyre.

    Shqipëria është një shoqëri e hapur dhe influenca e kulturave të huaja, të importuara përmes televizionit, kinemasë, letërsisë apo të diplomuarve që kanë studiuar jashtë, është tepër e dukshme. Çfarë efektesh dhe varësish mund të ketë ajo te të rinjtë, kur tradita jonë është paksa me tone të ftohta?

 Sigurisht që mes tradicionales dhe të resë, në kuptimin e bashkëkohor, ka një përplasje të natyrshme, pra dialektike. Në rastin e Shqipërisë, në këtë përplasje mbivendoset edhe avantazhet e një kulture perëndimore, e mbartur në rastin konkret nga të rinjtë, të cilët ose e marrin për model ose jetojnë në fakt në perëndim. Kjo e dyfishon si të thuash përmasën dramatike të përplasjes mes të vjetrës dhe të resë. Nuk besoj se e ekzagjeroj teksa përdor termin “dramatike”, po të kemi parasysh se në disa dhjetëra raste të muajve të fundit kemi parë se si babai apo xhaxhai patriarkal nuk heziton të shkrehë breshëri plumbash mbi fëmijët, nipërit apo mbesat, vetëm sepse këta të fundit kanë një mënyrë ndryshe të menduari dhe të sjelluri. Të rinjtë janë të rrezikuar nga kjo mendësi e prapambetur, sidomos femrat. Shoqëria shqiptare është në masë të madhe patriarkale dhe ato janë në syrin e ciklonit nga mbartësit e mendësive të vjetra e madje, tejet të prapambetura. Për fat të keq, problematika si kjo hasen më së shumti në zona rurale apo në periferi gjysmë urbane, duke e bërë të vështirë intervenimin, qoftë edhe përmes shërbimeve të këshillimit psiko-social. Problemi bëhet i njohur për psikologët vetëm atëherë kur është tepër vonë. Një vështirësi më vete në raste të tilla përbën edhe stigma për të diskutuar probleme të familjes me “të huaj”, pavarësisht se këta mund të jenë profesionistë të tillë si psikologë, punonjës socialë, etj.. E shoh të vështirë zbutjen e këtij konflikti dramatik edhe në ditët në vijim, sa kohë që ka një perceptim në konsolidim e sipër që edhe kushtet ekonomike sa vijnë e rëndohen gjithnjë e më shumë.

 – Tashmë jemi në kulmin e verës, ku deti zë pjesën e luanit. Jeta shqiptare ka evoluar dhe në jo pak raste, plazhi ka qenë një burim njohjesh të shpejta dhe krijim marrëdhëniesh të reja. Çfarë do t’u rekomandonit të rinjve?

 Sigurisht kur thoni “të rinjtë” ju kemi parasysh edhe vajzat edhe djemtë. Kam përshtypjen se njohjet në plazh do të kenë qenë më të pakta sivjet (qesh) sepse ka rënë edhe shumë shi. Shiu në plazh nuk të jep dorë në raste të tilla. Sot për më tepër nuk ka pushime me kabina, ku ndoshta, të burgosur nga shiu, të rinjtë mund të sajoheshin gjithsesi.

Megjithatë, në përgjithësi, socializimi, njohjet, komunikimi, pse jo dhe romancat, janë pjesë e bukurisë së jetës. Mos prisni nga mua t’ju them që të rinjtë duhet të bëjnë luftë me veten, kur fare bukur mund të prodhonin diçka shumë herë më të mirë se kaq (qesh), sigurisht nëse gushti do të jetë “më i mëshirshëm” se korriku dhe qershori…

 – Familja është një marrëdhënie në testim të përhershëm, me një ekuilibër delikat, ku kahet mund të ndryshojnë drejtim edhe për çështje në dukje të rëndomta, sa sociale aq dhe emotive. Si psikologe këshillimi, cilat do të ishin këshillat e Arlindës për një familje perfekte?

 Ju e implikuat fare bukur që në pyetjen tuaj: një familje perfekte është në fakt një familje në ekuilibër, sado delikat që ky proces mund të jetë. Padyshim që çdo çift priret të vendosë ekuilibrin e vet. Në këtë pikë nuk ka shumë receta. Madje, mijëra vite traditë, janë detyruar të heqin dorë edhe nga ato pak receta që njihen dhe ta reduktojë këtë “ekuilibër delikat” thjesht dhe vetëm në një çështje fati të mirë apo fati të keq (nëse ekuilibri nuk reziston). Me këtë dua të them se për secilin ka një person unik, ekuilibri me të cilin (me të cilën) vjen dhe qëndron natyrshme… dhe sigurisht që mund të jetë shpeshherë edhe çështje fati takimi me njeriun e duhur, pra me atë që nuk të duhen këshillat e një psikologeje për të qenë në harmoni (qesh sërish). Sigurisht që çifte të tilla ka plot dhe kjo është një gjë e mrekullueshme. Për të tjerë, me “më pak fat”, respekti i ndërsjellë, pse jo edhe pa kushte, është një recetë jetëgjatësie dhe suksesi në çift. Natyra ka një plan B për çdo krijesë të saj. Kjo është gjithashtu, një këshillë të cilën mendoj se gjithsecili ka të drejtë ta dijë dhe ta përdorë për ta bërë jetën e vet në çdo rast më të mirë, pasi çdokush meriton të jetojë mirë.