Olti Gega: Jam lezhjan, por këndoj këngët jugore

823
Sigal

PERSONAZH/ Flet këngëtari Olti Gega: Lezha ka këngëtarë brilantë, ajo është një djep kënge

 Dëshira për t’u bërë këngëtar ishte e babait të tij, pasi ai është këngëtar dhe që i vogël ka kënduar me të.  Këtu lindi edhe dëshira e tij që të niste rrugën e bukur të këngës.  Ka mbaruar studimet e larta për histori, por kënga e tërheq më tepër se mësuesia. Ajo që është e veçantë në këngët e Oltit është se ai repertorin më të madh e ka me këngë të jugut dhe të Shqipërisë së mesme, madje, dialekti i tij nuk kuptohet fare.

  -Me cilën këngë jeni ngjitur për herë të parë në skenë?

Unë jam ngjitur për herë të parë në skenë me këngën që titullohet “Jeta ime”, ku mora pjesë në “Magjik Fest”, ku fitova edhe çmimin “Best song 2011”.

 -Kush janë mësuesit tuaj në këtë profesion?

Ata që më ndihmuan në këtë profesion si këngëtar ishin Babai im dhe kompozitori Gjovalin Dushaj.

 – Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj, këngëtarë apo këngëtare?

Këngëtarët që kam bashkëpunuar janë Gena. Olti Marku, Ben Pacani  dhe Anjeza Branka.

 -Me cilin kompozitor dhe autor tekstesh keni bashkëpunuar?

 Autor i teksteve të këngëve që kam realizuar deri tani kryesisht jam vetë unë, por kam edhe një tekst të ri që po e krijoj me një koleg timin, ku ju dedikohet njerëzve të sotëm, mbushur me ritmin e jetës.

 -Sa këngë keni në repertorin tuaj dhe cila njihet si këngë hit?

Unë deri më tani kam realizuar gjithsej 6 këngë të stilit rrok baladë dhe serenata që më përkasin vetëm mua. Kënga që është pëlqyer më së shumti nga të gjitha këngët që kam realizuar është kënga “Dedikuar ty”,  ku me atë këngë fitova edhe çmimin “Best song” tek megjil fest. Ndërsa reporteri im ka afërsisht 160 këngë që i kanë kënduar dhe këngëtarë të tjerë.  Këngët e mia janë pothuajse të gjitha këngë të Shqipërisë së mesme dhe të jugut, pavarësisht që babai im këndon vetëm këngët e veriut.

 -Ku është bërë prezantimi juaj më dinjitoz dhe me cilën këngë?

Prezantimi më dinjitoz për mua ka qenë pjesëmarrja në Maratonën e këngëve Popullore këtu në Lezhë. Ngaqë unë isha këngëtari më i ri në të gjithë grupin e artistëve. kënga u pëlqye nga të gjithë dhe mori duartrokitje të mëdha.

 -Ju këndoni dhe këngë të jugut dhe Shqipërisë së mesme, e keni të vështirë dialektin?

Jam fokusuar tek këngët e jugut dhe Shqipërisë së mesme ngaqë këto janë këngët që priten më mirë në vendet ku punoj unë… Këndoj edhe këngët e veriut pasi babai im dhe Nëna ime janë këngëtar në ansamblin e qytetit Lezhë dhe po në këtë grup bëj pjesë edhe unë, ku këndoj këngët e vendit tim.

 Në cilat vende keni kënduar jashtë atdheut?

Unë kam qenë në 4 vende të huaja, në Gjermani, Greqi, Poloni dhe Zvicër.

 Ku të kanë pritur më mirë?

Mikpritjen më të mirë e kam gjetur në Zyrih të Zvicrës, ku takova edhe disa nga kolegët e mi.

 A jeni gati për një album?

Tani për tani unë po punoj për albumin e parë që do lançoj së shpejti.

 Ku e ushtroni profesionin?

Gjatë vitit kryesisht punoj nëpër restorante që këndohen serenatat dhe këngët e lehta qytetare, por edhe nëpër bare, karaoke.

 Keni ndonjë idhull si këngëtar?

Pëlqimi ndaj artistëve të tjerë normale që edhe tek unë qëndron, por unë idhuj nuk kam që të mundohem ti përngjaj ndonjërit. Unë bëj muzikën dhe këngën time dhe mundohem të kënaq të gjithë ato që pëlqejnë këngën time.

 Arsimi?

Unë kam studiuar në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe jam diplomuar për Histori, kjo mund të themi që është edhe pjesa tjetër që më mbështet në ambiciet e mia profesionale, pasi ndihem i kompletuar.

 Gënjeni shpesh dhe a kuptoheni kur gënjeni?

Siç është ajo shprehja “gënjeshtra këmbët i ka të shkurtra” ashtu qëndron edhe tek unë sepse edhe në ato gjëra të vogla që gënjej mua më kuptojnë shumë shpejt.

 Si do ta përkufizoni dashurinë?

Konceptimi i dashurisë për mua është ky; dashuria është e sinqertë, e pastër dhe gjëja që për mendimin tim mban dhe mbush me frymë çdo njeri. Kuptohet të gjitha dashuritë si dashuria familjare po ashtu edhe dashuria e jetës, pasi çdo këngë edhe në repertorin tim i kushtohen dashurisë. Për mendimin tim, dashuria është gjëja më e shtrenjtë dhe më hyjnore, ku të gjithë përulemi për një idealizëm të bukur…

 Je xheloz ndaj kolegëve?

  Të them që nuk jam xheloz është diçka e pabesueshme për të gjithë ne, por mund të them se jam shumë pak xheloz sepse shoqërinë e kam të përzgjedhur dhe shumë modeste e të pastër.