Shyqyri Çaushaj/ Aktori dheregjisori shqiptar ngre skenat e teatrit në Turqi. Udhëtimi im: Ndiq ëndrrën dhe lufto për të arritur atë!

754
Sigal

Aktori dhe regjisori shqiptar, Shyqyri Çaushaj, bir i një artisti popullor në Shqipëri, prej vitesh emigrant në Turqi, ia ka arritur t’ia dalë mbanë me pasionin, ëndrrën dhe talentin e tij. Ai tashmë ka hapur teatrin e tij privat në Turqi, që quhet “Tiyatro Teras” dhe që me shumë sakrifica mundohet ta mbajë gjallë. “Tiyatro Teras” jo vetëm si teatër, por edhe si shkollë private e aktrimit, arteve dramatike, ku japin mësim shumë profesorë nga Turqia dhe Perëndimi, ka shërbyer edhe si vatër atdhedashurie për shqiptarë të tjerë. Çaushaj nuk e ka harruar Atdheun, mundohet të jetë objektiv dhe i lumtur në zgjedhjet që ka bërë. Kur vjen puna te mesazhi, Çaushaj ka vetëm një porosi: “ Ndiq ëndrrën! Çdo gjë fillon duke ëndërruar pastaj është luftë për ta arritur atë!”

 

Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë të mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?

 

Vendimi ka qenë spontan. Por kultivimi im erdhi që në fëmijëri prej babait tim, Dule Malindi, i cili më futi në botën e muzikës, që në moshën 6-vjeçare e më pas kjo u bashkëshoqërua me botën e teatrit, operës dhe kinemasë.

Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/personal?

 

Momenti që jam takuar me profesorin gjeorgjian, Zurab Sikharulidze, në studimet master në Turqi, ishte fillimi i një udhëtimi të vërtetë profesional dhe të thellë mbi teatrin.

Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?

Nuk mendoj se ka ndonjë çelës për suksesin, suksese të tilla mendoj se janë si tullumbace që fryhen shpejt e më pas çahen. Suksesi, për mua, është procesi i të pasurit motiv për të provuar serish pas çdo dështimi.

Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?

Jeta është sfidë në çdo moment të saj mendoj, një nga më të vështirat është të qenit larg familjes.

Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?

Ne na takon të jetojmë mbi bazën e rezultateve e vendimeve që marrim në jetë. Kjo është ajo çka meritojmë në thelb. Jam i lumtur për çdo vendim që kam marrë dhe nuk e mendoj se si do të ishte nëse do kisha bërë zgjedhje të ndryshme, sepse kudo që të jem, çfarë do që të bëj, ajo që nuk do ndryshonte është qëllimi, pra përmbajtja do të ishte e njëjtë kudo, do ndryshonte vetëm forma, e cila, për mendimin tim, nuk vlen për t’u balancuar.

Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?

Mendoj se arritja më triumfuese është realizimi i ëndrrës se krijimit te teatrit dhe, mbi të gjithë më e vështira akoma, është ta mbaj gjallë atë.

Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe”?

Fjala “atdhe” me çon tek ndjesia e shtëpisë, shtëpia është aty ku unë jam i lumtur.

Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?

Gjeni shqiptar, mendoj se është luftarak, kërkues dhe këmbëngulës. Këto cilësi, ndoshta, do kenë luajtur ndonjë rol në udhëtimin tim profesional, cilësi të cilat janë të vlefshme në çdo profesion.

Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në eksperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?

Me fjalën “emigrant” më kujton me shumë novelën e Albert Kamysë, “I huaji”, se sa emigrantët e Slawomir Mrozekut. Kjo, ndoshta, prej arsyes se universalitetit të ndjesisë i të qenit i huaj, ndonjëherë qoftë edhe në atdheun tënd.

Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?

Nuk e di. Ndoshta respekti i njerëzve ndaj njeri – tjetrit, jo prej arsyes nga janë, por çfarë bëjnë ata.

Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?

Shumë gjëra e asgjë njëkohësisht. “Ne mendojmë se diku larg nesh është gjithmonë më mirë se sa vendi ku jemi”, siç thotë Nazım Hikmet. Liqeni më i bukur është ai qe nuk e kemi parë akoma.

A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?

Nuk besoj se ka ndonjë demokraci të tillë në Shqipëri apo në ndonjë vend tjetër të botes, ku vihen re apo dëgjohen kërkesat e qytetarit. Nuk kam vënë faje asnjëherë tek qeveritarët, por tek populli që ka votuar e lejuar çdo gjë që vendosin ata.

Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?

Të vazhdoje të bëj teatër me trupën qe jam në proces të krijim e zhvillimit. Ndoshta një plan për të ardhmen është të xhiroj filmin tim të parë artistik, si regjisor, në fushën e kinemasë indipendente.

“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim)?

Ndiq ëndrrën! Çdo gjë fillon duke ëndërruar pastaj është luftë për ta arritur. Por mos u bëni aq naivë sa të mendoni se lufta është si pjesa e ëndërrimit. Nuk do jetë e lehtë, por nuk do jetë as e pamundur.

Petrit Kuçana, The Albanian