Anila Basha: Mbi të vërtetat e librit “Ditari i Gazetarit”, të autorit Kujtim Boriçi

67
Sigal

Anila Basha
Publiciste, botuese

Liria e vërtetë e shtypit, është t’u thuash njerëzve atë që njerëzit nuk dëshirojnë të dëgjojnë.

George Orwell

Gjithmonë më kanë befasuar gazetarët që mbajnë ditar. Ndoshta edhe për faktin se kurrë nuk e kam bërë vetë një gjë të tillë. Pavarësisht se sa herë që bie të fle pas një dite të lodhshme pune, them se nesër do të nis të shkruaj për shënimet e një dite më parë.  Kam 27 vite që i them vetes të njëjtën gjë dhe asnjëherë nuk e kam bërë. Kjo, jo sepse jam përtace. Por sepse jam një lloj tjetër gazetareje, ndryshe nga ata që po përmend me “ditar”, që në jetën time i jam përkushtuar lajmit, karrierës dhe tanimë, familjes.  Ndaj, kur Kujtimi më solli librin e vet për të shkruar unë parathënien, u kuriozova me një shpejtësi të madhe. Faqe pas faqe, gjej gjurmë të kujtimeve të Kujtimit, nga ato që duhet të shënohen patjetër diku, për të mos u harruar, dhe për të mbetur një dëshmi e fortë e fuqishme se puna e gazetarit varet pafundësisht nga pena e tij dhe çka hedh në letër.  Dhe mandej, vitet më rikthyen në kohë pas, duke risjellë në memorien time vitet që unë si drejtuese e Gazeta Shqiptare kam punuar me Kujtimin për shumë vite. Ishte ai burri babaxhan i papërtuar, që gjithmonë sa herë thirrej “në detyrë”, e kishte gati zgjidhjen. Vinte gjithmonë me një bllok e me një stilolaps në dorë për të mbajtur shënime për çka kërkohej. Kjo më bënte përshtypje, se siç ju mund ta imagjinoni, sot një pjesë e madhe e gazetarëve, vijnë duke mbajtur në dorë, celularin.  Unë nuk e di se ku e ka gjetur kohën Kujtimi gjatë gjithë atyre viteve punë, orar e pa orar, të hedhë shënimet dhe të mbajë “Ditarin…” me përpikëri si një ushtarak i vërtetë. Madje, t’i futet rrugës së botimeve, librit, që duhet të them është një provë e vështirë.  Por ja që ia ka dalë.  Duke shfletuar këtë libër, ti lexues, do të kuptosh se nuk bëhet fjalë vetëm për takime me personazhet, por bëhet fjalë për copëza historie që kanë shënjuar disa aspekte të jetës sonë të këtyre 30 viteve të tranzicionit.  E ndër to, ndër të tjera, unë nuk mund të mos përmend zbulimin nga Gazeta Shqiptare të skandalit që sot në zhargon ne e kemi quajtur “shitja e detit”. Bëhet fjalë për marrëveshjen e fshehtë të firmosur nga Ministria e Jashtme shqiptare me Ministrinë e Jashtme të Greqisë për ndarjen e kufirit detar mes dy vendeve tona. Apo siç e ka termin zyrtar “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.  Ky investigim ka edhe emrin e Kujtimit në të. Sepse, kur u kërkua të gjendej një ekspert i fushës që do të na zbërthente ato koordinata të shënuara në marrëveshje të cilat ne gazetarët afërmendsh nuk i merrnim vesh (sepse nuk marrim vesh nga të gjitha), Kujtimi, me eksperiencën, memorien dhe “Ditarin” e vet, na nxori emrin e Myslym Pashajt, njeriut gjeodet, që vendosi “vulën” dhe emrin e tij në anulimin e kësaj marrëveshje që vazhdon diskutohet edhe sot. Në 27 prill 2009, gazetarët e ‘Gazeta Shqiptare’ gjetën nëpërmjet një diplomati tekstin zyrtar të marrëveshjes dhe arritën të ngrinin çështjen më të madhe të debatuar ndonjëherë në median shqiptare, një çështje që përtej lajmit, kishte të bënte direkt me të ardhmen dhe cenimin territorial të shtetit shqiptar. Në janar 2010, me një votë unanime, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë hodhi poshtë marrëveshjen, një marrëveshje, që edhe sot, pas 13 viteve nuk ka marrë formë përfundimtare dhe nuk ka gjetur dakordësi mes palëve.  Shumë do të flitet për të, shpesh dhe do të gjykohet, por absolutisht historia, sido që të rishkruhet, nuk do të harrojë punën e madhe të gazetarëve të ‘Gazeta Shqiptare’ që arritën të zbulonin këtë marrëveshje, që më vonë, mori përmasat e një skandali kombëtar.  Në faqet e këtij ditari të Kujtimit, gjen copëza nga puna e bërë edhe për këtë marrëveshje. Si shumë kujtime të tjera që Kujtim Boriçi i ka mbajtur në jetën e vet, me të gjallët që gjallojnë akoma sot e kësaj dite, dhe me ata që janë ndarë nga jeta. Do të gjeni copëza historie se si ka realizuar intervistat, se sa e vështirë ka qenë për të thirrur personazhet e për t’i vënë ata përpara faktit të kryer për të treguar historinë e tyre. Do të gjeni kundërshtitë e debatet.  Pena e Kujtim Boriçit ka skicuar në “ditar” copëzat e jetës së gazetarit. Që nuk jeton dot vetëm jetën e tij. Por edhe të personazheve realë të shoqërisë. Ky ‘Ditar i gazetarit…’, që është në radhë i tridhjetë e katërti libër i Kujtimit, me tematikë të veçantë, është një arritje tjetër në krijimtarinë e tij. Ky ditar ka edhe vlerën e vet studimore. Ai ofron një informacion të plotë për raportimin dhe ndoshta në të ardhmen do të shërbejë edhe për punën kërkimore për personazhet që janë përmendur aty. Madje, kur të shkruhet për tranzicionin në vitet që do të vijnë, ky ditar, mund të ketë vlerën e vet për t’u shfletuar e të përmendet.  Kujtimi e ka shkruar këtë ditar kur nuk kishte rrjete sociale. E ka shkruar në kohën kur nuk shpikeshin burimet apo nuk sajoheshin citimet e tyre. E ndërsa sot vazhdon ky trend që po “e vdes” ngadalë punën e gazetarit, ky Ditar na kujton se ekzistojnë akoma gazetarët me laps e letër në dorë, për të dokumentuar atë që shohin e dëgjojnë, pa komente e analiza, për t’ua lënë lexuesve të drejtën të gjykojnë për faktet dhe rrethanat e ngjarjeve….