Bujar Qamili: Kënga popullore shkodrane është thesar tepër i çmuar

1564
Sigal

 Intervistë me “Mjeshtrin e Madh të Artit”, Bujar Qamili

Bisedoi: Ermira Babamusta

 Qyteti i Shkodrës është një qendër mjaft e rëndësishme kulturore dhe muzikore e Shqipërisë, e cila paraqet ndër shekuj lashtësinë e traditave artistike shqiptare, me folklorin muzikor, këngëtarët, valltarët, instrumentet dhe veshjet tradicionale. Artisti i madh Bujar Qamili “Mjeshtri i Madh i Artit” nëpërmjet krijimtarisë së tij artistike ka pasuruar më tej artin shqiptar, në veçanti folklorin muzikor me këngë popullore. Mjeshtri i madh i la gjurmët e tij në potpurinë shkodrane, muzikën e Shqipërisë të mesme, të jugut si dhe të trevave të tjera, duke përcjellë para popullit dhe botës vlerat e bukura të muzikës popullore. Figura e shquar e muzikës popullore shqiptare, Bujar Qamili ka marrë pjesë si figurë kryesore në festivale folklorike lokale dhe kombëtare. Në vitin 1974, Bujar Qamili për herë të parë u ngrit në skenë para publikut shqiptar në koncertin e fëmijëve në Shkodër. Veprimtarinë e tij e vazhdoi në koncerte rinore në Shkodër dhe festivale të ndryshme. Deri më sot ka kënduar muzikën e bukur popullore shqiptare në vendlindje dhe në shumë vende të botës. Gjatë karrierës së tij të larmishme Bujar Qamili mbetet për të gjithë shqiptarët ikona më e dashur e muzikës popullore, i cili është vlerësuar me disa çmime si: “Këngëtar i Urdhrit, Naim Frashëri i Artë”, “Mjeshtri i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, çmim të parë në festivalet me emër si Festivali i Këngës Shkodrane, Maratona e Këngës Popullore Shqiptare, Festivali Mbarëkombëtar i Këngës Popullore Shqiptare në Elbasan, çmimin e publikut në Folk Univers, fitues i Diskut të Artë të Këngës Popullore Shqiptare, etj.. Shqipëria krenohet me veprat e pakrahasueshme dhe interpretimet e përsosura të të madhit Bujar Qamili si pjesë e kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Melodia e bukur shkodrane dhe veprimtaria krijuese e Bujar Qamilit do mbeten gjithmonë në kujtesën e qytetarëve shkodran dhe popullit shqiptar. Për Europën dhe botën muzika popullore shqiptare dhe traditat artistike të saj mbeten një pasuri e çmuar etnologjike, që hedh dritë mbi gjurmët e lashtësisë. 

  Kënga shkodrane është një mjeshtëri popullore që pasqyron qytetërimin, traditat dhe artin e popullit shkodran. Cilat kanë qenë disa nga zhvillimet më të rëndësishme që kanë pasuruar folklorin muzikor?

 Bujar Qamili: Kënga popullore shkodrane është një thesar tepër i çmuar jo vetëm për Shkodrën, por për gjithë Shqipërinë. Është mëse e vërtetë që populli shkodran bashkëjeton me këngën. Fëmija i porsalindur nuk qan, por këndon.

Faktikisht ka kohë që në qytetin e Shkodrës nuk bëhet asnjë festival ose koncert me këngë popullore shkodrane dhe për këtë kanë faj institucionet në Shkodër që nuk u bie në mend.

  Si mendoni se ka ndryshuar muzika shkodrane ndër vite?

 Megjithatë, është populli ai që nuk e harron këtë perlë. Po me tranzicionin që kemi kaluar, edhe mund të ketë mbetur pak mbrapa, por jemi ne këngëtarët popullor ë që kemi dalë nga një brez shumë i dashur i kësaj kënge si: Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Naile Hoxha, Xhevdet Hafizi, Ibrahim Tukici, etj., etj., që i kemi qëndruar besnik kësaj kënge dhe amanetin e të parëve tanë do qojmë deri sa të kemi frymë dhe zë.

  Keni në zemër potpuri shkodrane, këngë të Muzikës së Mesme dhe të Kosovës. Si mund ta përshkruani traditën artistike shqiptare?

 Ajo që më bën të ndjehem shumë mirë dhe rehat është kënga e bukur shkodrane, por duke pasur parasysh se Zoti më ka dhanë dhuratë zërin. Unë kam kënduar edhe trevave të ndryshme si Shqipëria e Mesme dhe ato të Kosovës pa lënë jashtë repertorit tim edhe këngën e jugut.

 Kohët e fundit kam pasur bashkëpunim me këngëtarë kosovarë tepër të suksesshëm si Shkëlzen Jetishi me një duet, ku tek “Zhurma Shou” fituam çmimin e parë. E veçanta e kësaj kënge ishte se tre komponentët të këngës ishin shkodranë, si autori i tekstit Ramazan Ceka, kompozitori Zaim Merkulaj dhe orkestruesi Rolan Guli.

 Kemi një traditë të shkëlqyer, ku ansamblet tona e kanë treguar vendin para botës se ne jemi dikushi.

 Muzika ka qenë pjesë e pandarë e jetës tuaj. Që nga prezantimi i parë në skenë në vitin 1974, në koncerte rinore si dhe në festivalet e mirënjohura në Shkodër, Elbasan etj., keni shfaqur talentin në muzikën popullore. Cili interpretim ose festival ju ka lënë më shumë mbresa në Shqipëri?

 Bujar Qamili:  Po është e vërtetë që muzika është pjesë e jetës time. Unë jam rritur me të dhe sidomos me këngën e bukur shkodrane. Po që nga ky vit, ku unë kam hipur në skenë për herë të parë dhe kam vazhduar deri në këto momente kam marrë pjesë shumë në koncerte rinore dhe festivale, ku në Elbasan jam fitues i Këngës Popullore mbarë kombëtare, fitues i Maratonës së Këngës Popullore, fitues i shumë çmimeve të organizuara nga RTSH, fitues i Folk Univers, i dekoruar nga Presidenti i Republikës me “Urdhrin Naim Frashëri i Artë” dhe Mjeshtër i Madh si dhe mirënjohja e qytetit të Shkodrës.

 Mbresat më të forta i kam pasur, kur kam konkurruar gjithmonë për Këngën Popullore dhe gjithmonë në festivale. Koncerti që më ka lënë përshtypje ishte ky i fundit në prill 2013 recital në Pallatin e Kongreseve me 2500 spektator.  Jashtë vendit, ku kam shkuar si në ShBA, në Nju Jork Nju Xhersi, Detroit, Çikago, Filadelfia, Boston, Las Vegas, Florida, Ohio, Dallas si dhe në Australi në Melborn Sidnej, Adelajde, Brizban, Pertha, Kambera si dhe në Angli, Itali, Gjermani, Luksemburg, Belgjikë, Francë, Danimarkë, Kroaci, si dhe në Ulqin, Maqedoni dhe në të gjithë Kosovën jam pritur si një këngëtar me vlera shqiptare.

 Më të preferuarat janë të gjithë sidomos ato shkodrane, por ka fillim dhe nuk ka fund.

 Cili është projekti juaj i fundit që po merreni aktualisht?

 Po përgatitem për një recital në Shkodër,ku do të dominojë kënga e bukur shkodrane, ku do të kem të ftuar edhe miqtë e mi këngëtar nga Kosova.

 Me cilin produksion po bashkëpunoni?

 Me të gjitha produksionet kam bashkëpunim të mirë qofshi ata të Shqipërisë ose të Kosovës, të cilët i falënderoj për kujdesin që tregojnë për m’u.

  Cilat kanë qenë aktivitet tuaja kryesore të muzikës për 2013?

 Aktiviteti më i rëndësishëm i imi ka qenë në vitin 2013 ku në Pallatin e Kongreseve unë së bashku me të ftuarit e mi si nga Shkodra, Tirana, Kosova e Vlora, një trup që përbëhej prej 38 vetësh ishin të pranishëm në koncert. Koncerti zgjati më shumë se 3 orë. Ishte me të vërtetë një spektakël madhështor.

  Ku do e kaloni festën e pavarësisë të Kosovës? Mesazhi juaj me këtë rast?

 Në radhë të parë, unë i uroj të gjithë shqiptarëve, ku do që janë, që Festën e Pavarësisë të Kosovës të gjithë së bashku ta festojmë si një ditë e shumëpritur nga të gjithë siç thuhet dhe te kënga “Xhamadani vija -vija asht Kosova dhe është Shqipëria”. Besoj se në këtë festë do të jem i pranishëm në Kosovë.

 Më lejo që me këtë rast edhe ty Ermira të uroj t’ja kalosh sa më mirë.

Bujar Qamili është një këngëtar i mirënjohur shqiptar nga Shkodra. Ai është ndër këngëtarët më të mirë të këngës popullore shqiptare e veçanërisht të asaj shkodrane. Bujar Qamili është lindur në Shkodër, më 21 tetor 1963. Fillimisht ka kënduar në koncertet e fëmijëve, që organizoheshin në atë kohë në shkollë. Këtu lindën edhe shkëndijat e para të talentit të tij në muzikë. Më pas, aktivizohet në “Grupin e Rinisë”. Për herë të parë në skenë është ngjitur në vitin 1974, dhe ka mbi njëzet e katër vite që ai nuk është shkëputur asnjëherë nga kënga.