–“Bismarku pyet Abdyl Frashërin: E shoh që jeni i kulturuar. A mund të më thoni se ç’gjuhë flasin shqiptarët? Gjuhën shqipe, gjuhën e zotave.(Kur mësuesit dashurojnë profesionin, mobilizojnë 4 anëtarë, 10 bashkëpunëtorë, gati 1000 nxënës)
-Ahmet Demaj, Kryetar i Shoqatës Labëria “Nderi i Kombit”, Vlorë.
Edhe pse muaji Prill 2025, i superngarkuar me fushata nuk e ula ritmin për lexim. Libra të dhuruar nga miq të mirë: “12 Rregulla për jetën”, me autor JordanD. Peterson me dedikim nga miku Dr. Llukë Gjidede; “Një meteor në qiellin e Labërisë” dhuruar nga Prof. dr, B. Gaçe; “Ballë përballë te Bismarku” një dramë nga z. Maksim P. Zarka; “Vendlindja gjithë hijeshi” dhuruar nga Agim Ruka dhe e lash për në fund, “Pena në zë e qytetit tim” me grup autorësh, mësueset e gjuhë letërsisë: Suela Patoshi, Klodiana Kujtila, Anila Hoxhaj, Daniela Kona. Jo në një shkollë, jo në një qytet, por shtrirë në Shkodër, Librazhd, Kavajë, Kukës dhe Vlorë, Tiranë. I gjithë muaji kaloi me 1500 faqe të lexuara, por qëndrova te puna e këtyre mësueseve, sepse më kujtuan sakrificat e bërë për 50 vjet duke ushtruar këtë profesion, por edhe kënaqësinë që të jep në jetë.
Çfarë i bëri bashkë këto mësuese? I bëri dashuria për Gjuhën Shqipe dhe në kopertinë zgjedhin të përsërisin Prof. Eqerem Çabej: “Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe kulturës së tij”.
Të përfshira në një projekt “TWINNING” bashkërenduan punën për të mbledhë fjalë të rralla, fjalë të urta, dialektologjizma, këngë dasmash, gojdhëna, toponime, shprehje frazeologjike, gjëagjëza. Kaq të përkushtuara me katër autoret janë edhe : Dhurata Myrtollari, Agim Kujtila, Elona Babe, Majlinda Shehu, Pranvera Musta.
Kush mund ta lexoj dhe kush ka punuar në projekte të tilla kupton vështirësitë, kapërcimin e të cilave e bëjnë njerëz që mësuesinë e kanë jo vetëm profesion, por e kthejnë në pasion. Ndërkohë që shumë mësues janë të vardisur pas kurseve, pas dypunësimit për të shitur rroba për kamariere, për hoteliere, për kujdestare fëmijësh, zonjat e lartpërmendura si autore përgatitin me pasion orën e mësimit për të tërhequr në këtë aksion NXËNËSIN, që edhe Ai të ketë disa përfitime: së pari’i shtohet dashuria për gjuhën e të parëve të tij, së dyti të shkëputet nga telefoni, së treti të lagohet nga veset që po sjell koha dhe që në konkluzionet e faqeve të para gjen një shënim: “Pena në zë e qytetit tim”, nuk është thjesht një libër, është një monument i dashurisë për gjuhën dhe traditat tona, jo vetëm si mjet komunikimi, por si forcë bashkuese dhe mbrojtëse e identitetit kombëtar.
Libri më shpuri në kujtime të vitit 2006 në Bolzano të Italisë si pjesëtar e një Konference Ndërkombëtare me temë: “Të përgatitim njerëzimin si vëlla i globit”, debat i madh si ta kuptonim dhe sot “Pena në zë e qytetit tim” më jep të drejtë kur citon: “Eshtë thirrje për t’u ndalur dhe për të reflektuar mbi atë që na bën të veçantë dhe të pavdekshëm: Gjuha Shqipe”, dhe të tërë brezat që nga 7 Marsi 1887 e deri më sot kujtojmë Pandeli Sotirin, Papa Kristo Negovanin, Petro Nini Luarasin, Ndrec Ndue Gjokën e sa e sa të tjerë. Mbi këtë trashgini armata e mësuesve e deri te Prof. Rexhep Qosja, Prof. Androkli Kostallari dhe shumë gjuhëtarë e akademikë të tjerë kanë bërë punë kolosale, e cila po nuk u ruajt, humbet dhe po nuk u zhvillua vyshket. Këtu është thelbi i këtij projekti “Twinning” me temë: “Gjuha jonë sa e mirë”. Kjo nismë e vitit shkollor 2024 – 2025, jo vetëm që ka gjurmë te rrjeti i krijuar midis shkollave të Shqipërisë, por është bërë shkasë pozitiv që të prezantohen me rrjetet e shkollave evropiane, bile të marrë dhe vlerësim.
Pa zhurmë mediatike, pa lëvdata personale, mësueset me kokën plot mendim për ta prurë në fizionomi projektin deri në konkurim nuk u tërhoqën se nuk i lejonte zemra e tyre që rreh për Gjuhën Shqipe dhe profesionin e mësuesit dhe me modelin e tyre diktuan te nxënësit punën plot pasion për orën e mësimit, për të shfrytëzuar kohën e lirë dhe rrjetet sociale midis tyre, duke mbajtur lidhur nxënësit e Kryeqytetit me vendlindjet e tyre, nxënësit e shkollave të zonave rurale me nivelin kërkimor të asaj që nuk duhet të humbas dhe që e gjejnë në terren, në dasëm, në vaki, te nëna e baba, gjyshi e gjyshja dhe natyra jonë e bukur e pashterur në shprehjet gjuhësore si pasuri kombëtare.
E mbajta një javë në tavolinë dhe çdo ditë mendoja se ç’pasuri kemi në dorë, se ç’mjet argumentues sjell gjuha sa të zmadhon dhe kur nuk je i zoti mbetesh i vogël jo si gjeografi, por si trashëgimi. Po sjell dy kuptime gjuhësore:
E para: “Bismarku pyet Abdyl Frashërin: E shoh që jeni i kulturuar. A mund të më thoni se ç’gjuhë flasin shqiptarët? Gjuha shqipe është shpirti dhe gjaku ynë. Perënditë pellazge në Olimp kanë emra dhe flasin shqip si Athina, Afërdita … Gjuha shqipe është gjuha e zotave dhe i numëron (dhe, di, ze, kre, ha, pi, besë, vesë.) Dhe Abdyli vazhdon: më shumë se ne shqiptarët e kanë mbrojtur bashkatdhetarët TUAJ – Pyesni gjuhëtarët gjermanë. Qënkeni njerëz me shumë kulturë – përfundon Bismarku”.
E dyta: Kur mblidhja fjalët e rralla të zonës time, shkova në një kope në stan dy barinj ulur në shtrungë do të milnin 250 dhi bashkë me shterpat 300 krerë. Për secilën nga dhitë barinjtë kishin emër të veçantë (për të habitur te klasifikimi i qimes së lëkurës, te brirët, te veshët, te dhëmbët, te thundrat, te noçkat, te rrezhdat, te kecat, te zëri, te gjinjtë, te qerpikët, te hundët, te shpatullat, te zilet, te këmborët dhe në qoftë se kaloje 24 orë në stan të shikoje fjalët e shtrungës, të qënëve, të kafshëve, të zjarrit, të pjekjes në hell, te kukureci etj. etj. Kur një i zakonshëm do të thotë vetëm “dhi”, çobani të seleksionon 400 – 500 fjalë të shprehura në shqip dhe të diferencuara me aq imtësi sa habitin edhe vet gjuhëtarët profesionistë.
U zgjata, por dua të inkurajohen nismëtarët dhe realizuesit e këtij libri që puna e tyre merr vlera kombëtare, sepse i largojnë nxënësit nga loja me thika dhe i shtyjnë te kërkimi shkencor.
Janë 9 shkolla që kanë bashkuar projektin dhe i kanë dhënë fuqi Gjuhës Shqipe: Shkolla “Kostandin Kristoforidhi”, Tiranë; Shkolla “24 Maj”, Vlorë; Shkolla “Gjon Ndoci” Bushat; Shkolla “Isa Boletini” Kodër – Kamëz, Tiranë; Shkolla “Fiqiri Kurti”, Kavajë; Shkolla “Isuf Gjura” Librazhd; me mësueset: Dhurata Myrtallari, Klodiana Kujtila, Suela Patoshi, Daniela Kona, Anila Hoxhaj, Eliona Babe, Pranvera Musta, Majlinda Shehu.
Ore na thuaj çfarë kanë bërë? Ja njëra: Folklori i zonës së Librazhdit (KUTURMAN, Marinoj) ka mbledhur 13 gojdhëna, 160 fjalë të rralla, 52 gjëagjëza, 155 shprehje, 34 këngë dasme, 32 toponime. Po kështu folklori i Kavajës shumë të veçanta: “U bë veja me mësu pulën”; “Breshka po ferrën don”; vjershat humoristike, apo toponimet e reja jo shumë. Shkollat e tjera edhe më shumë.
Shumë interesante duket zona e Tiranës ku janë vendës dhe të ardhur dhe adoptojnë fjalorin e njeri tjetrit apo përshtatin sjelljet duke demostruar zonalitetet dhe dialektizmat. Mësuesit këtu janë drejtues dhe ruajtjes së sjelljeve te zhvillimet që shumë fëmijë bien viktim e të folurit.
Po të shikosh materialin e mbledhur në shkolla të Tiranës origjinën e tyre e gjen te vendlindja e nxënësve që nga Tropoja, Vermoshi, Gjirokastër e Sarandë, që nga fq.112 – 155 gjen fjalë interesante që vijnë nga gjithë Shqipëria dhe bëhen pronë e të gjithëve në bashkëbisedim.
Ja pra atje në Amerikë prezantohen gjuhët e kombeve të botës, këtu në Tiranë prezantohen të rrallat e Gjuhës Shqipe që po nuk u mblodhën sot dhe nga ky brezë edhe mund të humbasin fare.
A janë bërë të gjitha mirë? Një nga shkollat ka sjellë një fjalë të urtë: “Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot”! Janë gjëra të vogla që hapin dyer të mëdhaja pune…por puna më duket me ogur të mirë.
Ajo që të entusiazmon është se puna e këtyre mësueseve nuk bëhe për t’u dukur, por për ndjenjë përgjegjësie ndaj profesionit të mësueses së Gjuhës Shqipe dhe nuk pash të ankohen pse nuk morën fonde për të shtypur, botuar, faqosur, shpërndarë, por janë bërë të gjitha mbi baza vullnetare e solidariteti. Minimalisht në qoftë se ky libër ju binte në dorë organeve kopetente D.R.A.- ve pse jo Ministrisë së Arsimit ta shpërndante si përvojë e në shkolla të tjera, të inkurajojnë e çertifikojnë këto shkolla e këto mësuese me MIRËNJOHJE për shërbimin që i bëjnë kombit me projektin “Gjuha jonë sa e mirë”. Përfytyrojmë O.J.Q. me shpërblime marramendëse çfarë i sjellin kombit? Kur shpërblimi për ta vete në miliona lekë?!