Trafik armësh nga Kosova në Tiranë, 10 të arrestuar 2 në kërkim! Sekuestrohen pistoleta, automatikë!

Policia e Tiranës ka goditur një rast të trafikut të armëve nga Kosova drejt Shqipërisë, duke vendosur në pranga 10 persona ndërsa 2 janë shpallur në kërkim.

Gjatë opeacionit të koduar ‘Puzzel’ janë sekuestruar 14 armë zjarri (12 pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, dhe 2 automatikë), 2077 fara cannabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë.

Sigal

Të arrestuar gjatë ditës së sotme janë, Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj, Adriano Shehu.

Nërsa me datë 1.5.2025 u arrestuan nga policia Altin Pajaziti dhe Kadri Prushi.

Njoftimi i plotë i policisë:

DVP Tiranë/Punë hetimore dhe operacionale për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri.

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Puzzle”, pas një hetimi 5-mujor me metoda proaktive.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë.

Sekuestrohen 14 armë zjarri (12 pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, dhe 2 automatikë), 2077 fara cannabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë.

Gjatë periudhës hetimore janë identifikuar 12 shtetas që trafikonin armë zjarri, kryesisht nga Kosova në Tiranë. 10 prej tyre janë vënë në pranga, ndërsa 2 janë shpallur në kërkim.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës  hetimore dhe operacionale për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të armëve, pas një hetimi 5-mujor me metoda proaktive, kanë finalizuar me sukses  operacionin policor të koduar “Puzzle”.

Në kuadër të operacionit bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi për disa shtetas që dyshohej se trafikonin armë zjarri, kryesisht nga Kosova në Tiranë, me qëllim shitjen, janë vënë në pranga shtetasit: E. T., 32 vjeç, L. H., 21 vjeç, F. B., 26 vjeç, R. H., 21 vjeç, V. M., 23 vjeç, K. F., 18 vjeç, G. M., 22 vjeç dhe A. Sh., 23 vjeç. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit R. K., 41 vjeç dhe A. N., 24 vjeç.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin armë zjarri  kryesisht në Kosovë por dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, i sillnin ato në Tiranë, për t’i shitur.

Gjatë periudhës hetimore, në kuadër të këtij procedimi, më datë 01.04.2025, janë ndaluar shtetasit A. P dhe K. P., pasi u kapën në flagrancë me 2 armë zjarri, të dyshuara të trafikuara nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. F, shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan 2077 fara cannabisi.

Punohet për kapjen e shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës po bashkëpunojnë  intensivisht me autoritet policore kosovare për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.