Reportazh nga Kozma GJINI
Poeti i talentuar i Skraparit dhe i gjithë kombit shqiptar, krenaria e Skraparit dhe gjithë Shqipërisë, akademik Xhevahir Spahiu, duke diskutuar për vlerat e mrekullueshme natyrore të vendit tonë, kur erdhi fjala për malin e shënjtë të Tomorrit, ka thënë: Më gjej një mal në botë që thirret me emrin “Babamal”? Është vetëm “BABA TOMORRI” ynë i shenjtë.”
Është vetëm “BABA TOMORRI” ynë i shenjtë.”
Ishte si i zbritur prej qiellit ky citim që më erdhi në çastin e duhur, ndërsa mendoja për titullin e këtij reportazhi që ia kushtoj njerëzve të mirë, punëtor e të kulturuar të shoqatës atdhetare-kulturore “Tomorri” dhe jo vetëm, të cilët u mblodhëm këto ditë në një aktivitet përkujtimor e argëtues, në fshatin e vogël Ardenicë, pjesë e Njësisë Administrative Kolonjë – Lushnjë. I vogël duket emri i fshatit, por e bën gjigand pika më e lartë mbi nivelin e detit e vargkodrave të bregdetit, që njihet botërisht me toponimin “Manastiri i Ardenicës”. Po, miq! Është i famëshmi “Manastiri i Ardenicës”, atje ku janë xhiruar disa sekuenca të filmit “SKËNDERBEU”, që e bëjnë më madhështor figurën e Heroit Kombëtar dhe të vet “Manastirit”, kultit të njohur të krishtërimit. E, pra, në mjediset e bukura të fshatit “Ardenicë” u mblodhën në aktivitetin e tyre të radhës miq e dashamirës të shoqatës “Tomorri”dega e Lushnjës, si dhe miq të largët. Disa nga emrat e pjesëmarrësve: Engjëll Musai, Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, Estref Çullhaj, Kryetar i Shoqatës A.K “Tomorri” Dega Lushnje, Nuri Çuni Kryetar i Kuvendit Kombëtar të SH.A.K.Tomorri, Blerta Meta, Naxhire Dervishaj, Agron Dyrmishi, Rustem Zyko, Sekretar I Pergjithshem i SH.A.K.Tomorri, Erti Saliasi, Engjëll Pole, Rexhep Murrizi, Berti Kaja, Lulëzim Tushe, Ani Bakiasi, Arben Sakollari, Shefqet Agolli, Pëllumb Maledhi, Muharrem Bejko, Agush Çollaku, Gëzim Xhaxhaj, Eduart Ismaili, Elidon Kalemi, Flamur Kalemasi, Xhelal Dervishaj, Agron Burgjia, Jorgjie Dhima, Sotiraq Dhima, Maksim Zarka, Bashkim Sulçe, Fatmira Sulçe, Florian Koxho, Eduart Koxho, Xhemal Ziko, Gramoz Ziko, Shefqet Alia, Saimir Hoxha, Dashi Bakiasi, Hysen Flamuri, Stavri Prifti, Kristaq Davidhi, Qani Maledhi, Dashi Lame, Arben Hatia, Sami Meta, Dhimitraq Jongari, Zagoll Gjoni Kryetar i SH.A.K.”Tomorri” – Dega Tiranë etj. Bashkim Sulçe, me bashkëshorten e tij, Fatmirën, Nën/Kryetare e Degës së Shoqatës A.K. Tomorri për Lushnjen, e cila e ka shoqëruar dhe mbështetur atë në çdo aktivitet lokal e kombëtar, kanë afër një javë që kontaktojnë me telefon njerëzit e shoqatës dhe të ftuarit e tjerë të rretheve. Dhe, kur e merr përsipër një aktivitet Bashkimi me Estrefin, i ka qepur të gjitha detajet e programit: Që nga ora e fillimit të aktivitetit, mjetet me të cilin do të vijë secili anëtar, e deri tek menyja e orkestra që do të luajë për kënaqësinë e të pranishmëve.
– 01 –
Inxhinier Agron Dyrmishi, i cili në sistemin e kaluar ka punuar nga një pus i naftës në tjetrin, tani një bizmesmen i suksesshëm, duke drejtuar makinën në autostradën Lushnjë-Fier për të arritur kohën e takimit në Ardenicë, na tregon për mallin që ndjen njeriu për vendin e vet, kur ndodhet në një shtet të huaj. Tregonte për fëmijët e tij, të cilët me zell të madh janë arsimuar e kanë arritur sukses në sipërmarrjet e tyre private në Stamboll. Kjo e bën krenar prindin. “T’i kisha këtu, do të isha mbret”, thotë Agroni, gjithsesi, kur shkoj andej detit, nuk qëndroj dot shumë kohë jashtë, sepse më djeg malli për vendlindjen time”.
Ishte malli e dashuria për Atdheun motivi që i frymëzoi patriotët e Rumanisë që në 2 nëntor 1906, që të krijonin në emigracion të shumëlavdëruarën e shekullit të kaluar, Shoqatën Patriotike e Kulturore “TOMORRI”, e cila do të bëhej vatra kryesore e përhapjes së vlerave më të mira atdhetare e kulturore e shqiptarëve në emigracion.
– Sapo i afrohemi Ardenicës, nga mjediset e lokalit ku do të zhvillohej aktiviteti përhapet jehona e këngës karakteristike të skrapallinjëve: “Mbeçë, more shokë, mbeçë, Përtej Urës së Qabesë”…
Të paktë duhet të jenë njerëzit që nuk ia dinë fabulën tekstit dhe origjinën kësaj kënge që jo vetëm për skraparlinjtë, por për të gjithë bashkëkombasit, është bërë një këngë legjendare, që besoj se u bashkëngjitet denjësisht perlave të UNESKO-s. Është kënga e cila në gojën e bilbilit të Skraparit, Demir Zyko, “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit” (dekoruar nga ish-Presidenti i Republikës Ilir Meta), përcjell shumë mesazhe që pikojnë lot dhimbjeje prej kurbetit, e cila tingëllon aktuale e merr shumë vlera edhe në ditët që jetojmë. Në qoshe të lokalit, janë një grup burrash që i ka bashkuar melodia prekëse e këngës dhe të tjerë që mbajnë iso, apo ndjekin me admirim dridhjen e zërit të këngëtarëve nga vendorigjina e “mbretëreshës” së folkut.
-Ambjenti është i mbushur plot me burra e gra jo vetëm pjesë e trevës së Tomorrit, por edhe mjaft nga qyeti i Lushnjës, nga Fieri, Berati, Kuçova, Divjaka, Tirana… etj.
Ndodhet rrethuar e krahpërkrah nga miq të shumtë Kryetari i Madh i Shoqatës Atdhetare Kulturore “TOMORRI’, siç i thonë shokët, zotit Ëngjëll Musai. Orkestra ngadalëson ritmin e melodisë popullore dhe valltarët zënë vendet. Përshëndetjen e mban miku i shtëpisë. Kuvendon Bashkim Sulçe me një fletorkë në dorë, përshëndet e uron miqtë për mirseardhjen, duke e deklaruar të hapur takimin. Aktiviteti ishte konceptuar në formatin e një gërshetimi të natyrshëm të bisedave spontane, me këngë, valle, humor, kujtime dhe vlerësime të disa figurave. “Qëllon ndonjëherë që gjahtari me një të shtënë, vret dy zogj”,- e nisi me gjuhën e humorit takimin Bashkimi. Sepse është edhe vet një ish-mësues që ka lënë gjurmë në memorien e qindra nxënësve, e ia ka dhënë natyra edhe humorin e përditshëm, një pjesë të të cilit e ka mbledhur në librin e tij botuar pak vite më parë me titull: “Qesh dhe vetëm qesh Muçi”.
“Thashë kështu, sepse dhe ne sot, paçka se jemi mbledhur për të evokuar ngjarjen historike që lidhet me jetën produktive të shoqatës sonë, ju, sipas dëshirës, mund ta ngrini një dolli me “ujë të bekuar”… “Made in Skrapari”, sepse unë sot hyj në prefiksin me 81, tha Bashkimi.” Miqtë e mbledhur kapin gotat e rakisë dhe me të qeshura e me shaka e urojnë shokun e tyre për shëndet e jetë të gjatë. Dhe nis kështu “maratona” e zakonshme tradicionale ku ndërthuren këndshëm traditat e trevës së Tomorrit, me traditat myzeqare të kolonjarëve të Manastirit të Ardenicës. Këtu, nga pika nevralgjike e Ardenicës, po të hedhësh vështrimin përtej lindjes së horizontit, të shfaqet krenar me tërë madhështinë e tij mali i bekuar i Tomorrit, nga ku thuajse të gjithë këta burra e gra në bisedat e tyre endin episode fëmijërie e rinie, apo nga kujtimet e tyre gjatë pelegrinazhit fetar të bektashinjve, ku nuk mbetet këmbë njeriu pa bërë një fotografi si kujtim i rrallë në jetë. Tomorri, froni i Perëndive. S’ka më të bukur vend.
– 02 –
Ku qendron sekreti i gatishmërisë për t’u bashkuar skraparlinjtë në çdo kohë sapo ju vjen qoftë edhe një sms në telefon?- pyeta zotin Ëngjëll Musai.
Kryetari i Shoqatës qendër ngrihet mbi lartësitë që e bëjnë të shëndetshëm komunikimin: “Shoqata jonë funksionon mbi shinat statutore të miratuara unanimisht. Ajo ka si qëllim të mbajë gjallë e të frymëzojë ide që forcojnë identitetin krahinor, brenda shinave të identitetit kombëtar. Krahina jonë i qendron besnikërisht traditës së të parëve se fjala e dhënë, mbahet dhe qoftë në gëzime apo hidhërime, tradicionalisht, i gjendemi njëri-tjetrit. Sa më shumë aktivitete, sa më shumë zhvillime, sa më shumë energji, që i marrim e i japim njëri-tjetrit, aq më mirë ndjehemi, aq më i fortë do të bëhet kombi. Emigracioni është kthyer në një plagë kombëtare. Duhet të punohet për hapjen e vendeve të punës që të punësohen të rinjtë. Është e rëndësishme që anëtarët e shoqatës janë të gatshëm të përmbushin detyrat e ruajtjes së traditave, kulturës dhe gjithçka që i shërben progresit. Jetojmë me atmosferën e trevës, me origjinën, ritet e zakonet e zonës dhe të Shqipërisë e do t’i shërbejmë më mirë të sotmes dhe garantimit të së ardhmes së atdheut, ashtu si 119 vjet më parë, e kanë dashur edhe krijuesit e shoqatës “Tomorri” mëmëdheun dhe sakrifikuan jetën e tyre për kombin shqiptar dhe të ardhmen e fëmijve. Shoqata ka treguar vlerat e veta, në fund të fundit i shërben bashkimit e forcimit të identitetit, bashkimit kombëtar, që ne të krenohemi si atdhetar të vërtet, patriot të flaktë, sepse patriotizmi dhe atdhedashuria s’janë nocione abstrakte, sepse atdheu fillon nga familja, shoqëria dhe kështu bëhet Kombi. Në kuadrin e 119 vjetorit të krijimit të shoqatës “Tomorri”, në Bukuresht, ne kemi hartuar një projekt-program aktivitetesh që do të zhvillohen me shoqatat e degëve të cilat do ta gjallërojnë më tej jetën e brendshme të anëtarëve dhe familjeve të tyre. Do të organizohen takime si ky sot, me të gjitha degët e rretheve e për t’i mbyllur në Tiranë, ku talentet dhe gurra popullore do të shpalosin vlera kulturore dhe artistike, letrare të poetëve e shkrimtarëve tanë, figurave të shquara të sportit e të artit, dhe në këtë mënyrë ne kemi vënë një gur modest në themelet e shoqatës, e cila siç thamë, e ka zanafillën në Rumani me patriotët shqiptar, më 1906. Shoqata “Tomorri” ka degët e saj në: Tiranë, Çorovodë, Poliçan, Lushnjë, Berat, Kuçovë, Fier, Vlorë, Sarandë, Gramsh, Divjakë, Korcë, Durrës …etj.
Po jashtë shtetit, a ka degë shoqata “Tomorri” ?
Po. Kemi krijuar degë në Greqi, SHBA, Itali dhe në kuadër të zgjerimit dhe hapjes së vendit, do të ngremë degë edhe në shtete të tjera ku ka dashamirës të trevës së Skraparit për t’u bashkuar me shoqatën “Tomorri”. Njerëzit tanë janë shumë të gatshëm për t’u bashkuar në evente të tilla brenda apo jashtë vendit dhe kjo është vlerë sa krahinore aq edhe kombëtare. Kjo flet për të kuptuarit e nevojës së bashkimit, sepse njeriu jeton të sotmen dhe mendon për të ardhmen, ndërkohë që çdo ditë ikën dhe duhet jetuar me familjen, apo me shoqërinë. Identiteti Kombëtar është vlerë, të cilën duhet ta forcojmë e t’ua trashëgojmë brezave. Po të shikojmë pak më larg, vërejmë se shtetet që na rrethojnë ose pak më tej, që kanë qëllime ogurzeza ndaj paqes, ndaj jetëve tona, prandaj kjo kërkon ndërgjegjësim të lartë dhe përgatitje shpirtërore. Duhet të jemi të bashkuar sa i takon çështjes kombëtare. Mendoj dhe besoj se kemi më tepër arsye për t’u bashkuar, sepse forca jonë përbën forcën e atdheut. Bashkëkombasit në Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Çamëri, e diaspora në përgjithësi, duhet që patjetër në këto momente të një klime luftënxitëse, të jemi më të bashkuar për ta bërë më të fortë identitetin kombëtar. Krushqitë, lidhjet martesore e shoqërore bëjnë që të mos e harrojmë se nga vijmë e ku duhet të shkojmë”.
-03-
Nuk është rastësi, por shkallë mirëkuptimi, horizont dhe nivel i lartë emancipimi që mes anëtarëve burra, të kemi në këtë takim edhe gra, të cilat i japin tonin, i japin lezet valles dhe kuvendit të shoqatës. Kishim sot këtu zonja të nderuara që janë angazhuar e të vendosura për konsolidimin e vlerave të trevës siç janë: Jorgjie Dhima, Fatmira Sulçe…etj. “ Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” është rritur ndjeshëm në numër këto vitet e fundit. Ajo e ka me statut pranimin në radhët e saj edhe anëtar të rinj që janë të besimeve të tjera dhe kjo mendoj se është çelësi që edhe sot këtu shikojmë mjaft personalitete të fushave të ndryshme të jetës, që janë bashkë, të besimit të krishterë apo mysliman. I jam bashkuar kësaj shoqate me vullnet të lirë dhe përfitoj nga rasti që të falenderoj zotin Ëngjëll Musai që e çmoi kontributin e tim shoqi, duke e vlerësuar me “Çertifikatë mirënjohje”, -na thotë znj. Jorgjie Dhima.-Myzeqeja ka vajza që shkëlqejnë në fushën e artit dhe profesionet, që kanë zgjedhur. Krenohem me vajzën time, Arjeta S. Dhima, Ventrilokuistja e Tiranës, që ka përfaqësuar Shqipërinë në eventet ndërkombëtare”.
Emocione të forta shpërndau në sallë çasti kur Fatmira, i dhuroi b/shortit një tufë lule të freskëta dhe çasti u shoqërua nga tingujt e muzikës, nga zëri i këngëtarit të njohur Gëzim Xhaxhaj: ”Shumë urime për ty!”…!
Ishte malli e dashuria për Atdheun motivi që i frymëzoi patriotët e Rumanisë që në 2 nëntor 1906, që të krijonin në emigracion të shumëlavdëruarën e shekullit të kaluar, Shoqatën Patriotike e Kulturore “TOMORRI”, e cila do të bëhej vatra kryesore e përhapjes së vlerave më të mira atdhetare e kulturore e shqiptarëve në emigracion.
…Pas pak Bashkimi Sulçe me bashorten Fatmirën, kalojnë pranë tavolinave dhe takojnë gotën me miqtë që e kanë nderuar në këtë përvjetor. Dëgjohet zëri i Ëngjëllit, i cili e respekton bashkëpatriotin me fjalë zemre dhe respekti: “Profesor Bashkim Sulçe. Gëzuar ditën e shenjtë të lindjes! Të paçim sa mali i Tomorrit! Gëzofsh shëndet të plotë me gjithë familjen, zonjën tuaj fisnike dhe mësuesen Fatmira Sulçe, djemtë, nipër e mbesa, shoqërinë e miqësinë tënde dhe gjithçka ke për zemër. Urime e suksese në jetën tënde aktive! Qofsh i gëzuar e i nderuar gjithë jetën!” Bashkimi meriton fjalët më të mira si mësues, si familjar, si fqinjë i mirë, si kryetar i kësaj dege dhe si Kryetar i Organizatës së Veteranëve të Kolonjës, …….. që e ndjen përgjegjësinë, që i ngarkon shoqëria dhe i motivon njerëzit që punojnë sa ç’punon edhe vet për t’i dhënë vlera jetës në komunitet. Kolonja është djepi i patriotizmit të Myzeqesë. Këtu u formua çeta e parë partizane e Myzeqesë dhe Bashkimi nuk e kalon në heshtje asnjë vit, por interesohet më herët se dhjetori i formimit, bisedon me shkollën, me fëmijët, me veteranët e familjet bazë e luftës LANC, çon ftesa tek titullarët dhe atij të gjithë i heqin kapelen, se në këtë mënyrë e dinë që ai i jep jetë ditës së tyre duke prishur monotoninë e përditshme. Një ngjarje tjetër ka qënë edhe përkujtimi i djegies së Kolonjës nga pushtuesit nazifashistë.
“Faleminderit për kontributin tënd që edhe pse në moshën e tretë, vazhdon të kryesh me ndërgjegje të lartë përgjegjësitë e detyrave shoqërore, – thotë Ëngjëll Pole, një nga miqtë e tij. Këto takime bëhen më të bukura kur atmosfera mbushet me jehonën melodioze, që vjen nga orkestra e grupit të instrumentistëve të trevës me klarinetistin e njohur Qani Maledhi, i cili ka marrë pjesë edhe në festivalet lokale e kombëtare. Ai me gjithë orkestrën: Qani Maledhi, Sami Meta, Dhimitër Jongari, Arben Hatija e bëjnë më të gëzuar ambjentin me meloditë e bukura popullore. Atmosfera ndizet akoma më tepër, kur tenori Gëzim Xhaxhaj, Bashkimi, Ëngjëlli, Agroni e të tjerë, nën valëvitjet e flamurit kuq e zi këndojnë këngën patriotike “Për ty Atdhe” e që pasojnë në kor të gjithë pjesëmarrësit. Këto takime të mbajnë larg hallet (që s’mbarojnë kurrë) dhe përmes humorit që sjell Sotiraq Dhima nuk ka tjetër qëndrim, veçse të duartrokasësh duke buzëqeshur.
-04-
Nuk mund të rrija pa evidentuar cilësitë virtuoze të skraparlinjve, të cilët me një fjalë, me një njoftim, i ke të gjithë të bashkuar. Kjo gatishmëri ndodhi edhe një vit më parë, kur në Kuvendin e Shoqatës të mbledhur në Tiranë, njëzëri zgjodhën në krye më aktivin e djemve , zotin Ëngjëll Musai. Libri mbetet gjithmonë i pranishëm edhe në këtë takim mbresëlënës. Intelektuali i shquar, punonjës me përvojë pranë Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, Nuri Çuni , mer një libër në dorë dhe drejtohet nga mikrofoni: “Ju përgëzoj për këtë aktivitet të bukur me vlera kulturore dhe argëtuese. Pikëvijimi i rrugëtimit të shoq. “Tomorri” në Shqipëri është Skrapari i vitit 1921. Më pas u çelën degët në: Greqi, Berat, në Amerikë e pagëzuar nga Noli, në Tiranë etj. Në vitin 1999 shoqata u rithemelua me praninë e personaliteteve të letrave shqipe me praninë e nismëtarëve: Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo etj, e pasqyruar kjo edhe në gazetën tonë “Dielli i Tomorrit”. Aktiviteti i shoqatës Tomorri në radhë të parë qe madhështor për Degën e Lushnjës e pastaj për të gjithë Shqipërinë, sepse tregoi forcën e degës, e cila bashkohet pas rrënjëve të të parëve që e kanë krijuar këtë shoqatë. Shoqata jonë pranon anëtarë edhe nga besimet e tjera dhe kjo gjë u konstatua edhe në aktivitetin e sotëm. Sot ishte një festë shumë e bukur, e mrekullueshme, një manifest i vëllazërisë e i tolerancës. Ju keni një meritë të veçantë në përcjelljen e vlerave të takimit në media dhe ju falenderoj që na jeni bashkuar gjithmonë, ju falenderoj në mënyrë të veçantë dhe me këtë rast përshëndes në emër të Kryegjyshatës Botërore dhe të baba Mondit për shëndet e suksese, dhe mirë se të takohemi në aktivitete të tjera në të ardhmen. Përshëndes gjithë shoqatën tonë Tomorri me të palodhurin intelektualin tonë aktiv që po i bashkon anëtarët, po e çon më përpara në rrugën e themeluesve të saj të 119 viteve më parë dhe kjo është një vlerë e madhe e z. Engjell Musai. Uroj shëndet gjithë popullit mikpritës të Lushnjës dhe anëtarëve tanë. Me këtë rast në mënyrë simbolike i dhuroj një libër Bashkimit me mirënjohje për punën përkushtuese në regjistrimin e familjeve bektashiane!
Një nga ish-mësuesit e trevës së Bubullimës, Stavri Prifti, u shpreh: “E kam ndjekur shoqatën “Tomorri” kudo që ka zhvilluar aktivitete. Jam i kënaqur me nivelin e pjesëmarrjes dhe kam qejf të jem mes tyre gjithmonë dhe do ta ndjek kudo, se më pëlqen, sepse këtu nuk ka vetëm të fesë bektashiane, por edhe individ nga fe të tjera: mysliman, ortodoks e katolik. Nuk ka vetëm skraparlinj, por edhe myzeqarë, tiranas, fierak, e nga Berati etj. Gjeografia e pjesëmarrjes e bën kombëtar takimin. Dua t’u bëj një apel shoqatave që të organizojnë më tepër aktivitete, sepse aktivitetet e bëjnë që të ndjehet se shoqata ka jetë”.
Fatmira Sulçe, e emocionuar shprehet:-“S’ka më mirë kur dëgjon fjalë të mira për bashkëshortin. Bashkimi është i dhënë edhe vet pas aktiviteteve dhe di t’i organizojë shumë mirë, dhe me ndihmesën e gruas së vet. I uroj dhe 100 vite të tjera, të rrojë e të ketë shëndet me gjithë familjen dhe me shoqërinë kudo që janë, miq e shokë të mirë. Me këtë rast i falenderoj të gjithë shokët e shoqet që na nderuan në aktivitet. Falenderojmë të gjithë pjesëmarrësit, miqtë e ardhur nga qytete të ndryshme në ditëlindjen e burrit tim. Faleminderit!”
Një tjetër mik afrohet për të uruar Bashkimin. Prezantohet dhe nis të flasë: “Jam Ëngjell Pole, nga zona e Tomorricës së Gramshit, me tradita të njëjta me Tomorricën e Skraparit. Është kënaqësi të takohesh me miq të fëmijërisë, me persona, që kanë të njëjtët zakone e tradita, por mbi të gjitha kanë vlera dhe tradita, besimin bektashian, e cila ka vlera të mëdha të bashkimit të njerëzve, e cila ka në themel idetë e vëllezërve Frashëri se pa atdhe nuk ka fe. Për ne është obligim për të ruajtur dhe transmetuar në breza traditat më të mira të paraardhësve tanë. Ne në radhë të parë kemi kombin dhe atdheun e pastaj vijnë përkatësitë fetare, apo të çfarëdolloj qofshin: politike, ekonomike, kulturore e artistike. Mjaft kemi vuajtur nga dasitë e gjithëllojshme. Fetë tona shkojnë në një kohezion me njëra tjetrën.
Bashkim Sulçe:-“Ndjehem goxha i lumtur. Ma bëtë shumë të bukur këtë ditë. Ardhja nga kryesia e shoqatës e deri nga rrethet ishte madhështore. Gëzim i madh. Është diçka shumë e bukur, kur feston bashkë me kolegët e miq e shokë nga të gjitha moshat. Vjet e festova në Itali, por në një rreth të ngushtë, me familjen e fëmijët, por kjo e sotmja ishte e paparashikuar. Orkestra, këngët e vallet i dhanë jetë aktivitetit. Jam shumë i gëzuar për aktivitetin dhe i falenderoj të gjithë”.
Lulëzim Tushe:-Unë kam lindur e jam rritur në Ballsh të Skraparit dhe banues në Eskaj, njësia administrative Bubullimë, me profesion ushtarak. Punoj në qendrën e mobilizimit në Lushnjë. Kam ardhur sot thjesht të takohem e të shoh miqtë e shoqatës “Tomorri” dhe gëzohem që shikoj se shoqata i bashkon të gjithë njerëzit pa dallim krahine, feje dhe ideje. Unë nusen e kam ortodokse, vet jam bektashian, po feja na bashkon. Në këto takime jetohet dhe çdo minutë të kthehet në adrenalinë frymëzuese, pasi marrim energji e takojmë miq, të cilët bie rrallë të takoheshim. Psh. sot unë takova këtu mësuesen time. Siç mund të them se u çmalla edhe kur takova shkrimtarin që i jep një shtysë bektashizmit, z. Nuri Çuni.
Kristaq Davidhi. –Kam ardhur sot në takimin e shoqatës “Tomorri” si mik i Bashkimit dhe si koleg pasi kemi punuar një jetë të tërë si mësues dhe e ruajmë shoqërinë. Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” ka aktivitete të larmishme që e bëjnë më të gjallë jetën e anëtarëve. Ndjejmë kënaqësi që shoqata ka në gjirin e saj njerëz nga fe të ndryshme, burra e gra, të rinj e të reja që nuk kanë dallim, por i bashkon ndjenja e miqësisë së sinqertë. E vlerësoj përkushtimin e shoqatës. Bashkim Sulçe bën shumë për shoqatën”.
Rexhep Murrizi:-“Ishte kënaqësi të bashkoheshim sot në takimin e radhës të shoqatës “Tomorri”. Banoj në lagjen Loni Dhamo. Gruan e kam të besimit bektashian dhe anëtare të shoqatës Tomorri. Këtu ishte një mrekulli, sepse u takuam më njëri-tjetrin. Kaluam shumë bukur në miqësi me shok të ardhur nga larg. Nga takimi zgjerova njohjen time mbi historikun e forminit të kësaj shoqate e cila është krijuar më 1906 në Bukuresht nga patriotët shqiptarë.
Hysen Flamuri, mes të tjerash tha:”Jam nga Gjerbësi i Tomorricës. Banoj në Tiranë. Jam n/kryetar i shoq. “Tomorri” për degën e Tiranës. Është kënaqësi të bashkoheshim me rastin e 81 vjetorit të mikut tim të ngushtë Bashkim Sulçes. Si kryetar i degës ai e ka një rol të madh në organizime të tilla. Jam frymëzuar për gjithçka pashë dhe dëgjova këtu nga shoqata juaj. Këto aktivitete e forcojnë bashkëpunimin tonë, e forcojnë shoqatën dhe ndikojnë në unitetin e shoqatës mbarëkombëtare, që shoqata “Tomorri” të shkëlqejë mbi të gjitha shoqatat e tjera të vendit”.
Sajmir Hoxha.”Ishte një aktivitet i shkëlqyer në funksion të misionit të shoqatës për promovimin e vlerave kulturore atdhetare, të trevës së Tomorrit dhe tërë zonës përreth malit të bujar, vendit të perëndive, siç thoshte poeti Çajupi. Uruam një nga miqtë tanë të vjetër me rastin e ditëlindjes, por sebepet për t’u bashkuar janë të shumta, vetëm duhet pak vullnet dhe bashkë me urimet për Bashkimin, ne gëzuam, festuam, kënduam e kërcyëm, pra u kënaqëm. Është gjë e bukur që brenda identitetit kombëtar, shoqata të ruaj veçanësitë e saja në: këngët, zakonet, traditat, veshjen, sjelljen, cilësi që e dallojnë nga një trevë tjetër. Gjithçka këtu kaloi në mënyrë të shkëlqyer dhe argëtuese që do të na rrijë gjatë në kujtesë. Shoqata Kombëtare është një model i funksionimit dhe meritë për këtë ka drejtuesi i saj, z. Ëngjëll Musai.
Rustem Demir Zyko:-Jam nga Gjerbësi i Skraparit. Jetoj në Tiranë dhe vij sërish në Lushnjë me dëshirë për të marrë pjesë në këtë aktivitet të bukur. Jam djali i vogël i këngëtarit Demir Zyko, që ju e njihni. Rrofshi e gëzofshi të gjithë. Ne jemi bijë të rritur nën hijen e malit të bekuar e të madh të “Babatomorrit”.Treva jonë ka personalitete të shquar në të gjitha fushat, ka patriotë që ditën të luftojnë për lirinë e atdheut e të japin jetën për mëmëdhenë, për mësimin dhe edukimin e dashurisë për atdheun dhe shkollën shqipe, apo të kulturës e shkrimtarisë etj. Do t’ju them diçka që ma ka thënë në një bisedë poeti ynë Xhevahiri, djali i Skraparit dhe poeti i kombit, Xhevahir Spahiu: ”Rustem. Më gjej një mal në botë që i thonë “Babamal”. “Babamali” = “Baba-Tomorri”, i bashkon të gjithë skraparllinjtë, sepse në themel, ndër shekuj ka qënë mali që i kanë kënduar këngë patriotët dhe vitet e shekujt ikin e vijnë, Tomorri mbetet i patundur para gjithë suferinave të kohës, se shqiptaria mbetet shtylla që na bashkon veri-jug.
Estref Cullhaj, kryetar i SH.A.K.Tomorri, Dega Lushnje. Sot dega jonë e shoqatë “Tomorri” u mblodh në një aktivitet të veçant për të përkujtuar njëherësh me përvjetorin e shoqatës dhe ditëlindjen e kolegut tonë kryetar i degës sonë, Bashkim Sulçe. Falenderoj kryesinë e shoqatës, kryetarin e madh Ëngjëll Musai që na është gjendur kurdoherë në aktivitetet tona, Kryetarin e asamblesë Nuri Çuni, sekretarin e shoqatës Rustem Demir Zyko, Kryetarin e degës së Tiranës Zagoll Gjoni, intelektualin Sajmir Hoxha dhe të gjithë të tjerët e në veçanti ata të ardhur nga rrethet. Shoqata jonë bën një jetë aktive dhe së afërmi do të ketë të tjera aktivitete me karakter kulturor e mëmëdhetar. Të jemi të ndërgjegjshëm se vetëm nëpërmjet aktiviteteve ne do të mbajmë të gjallë shoqatën dhe të thithim të rinjtë në gjirin e shoqatës.
Zagoll Gjoni, kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore Tomorri, Dega Tiranë: Kënaqësi të isha sot në këtë eventë të shoqatës sonë Tomorri , për Degën e Lushnjes. Shkëmbimi I eksperiencave dhe takimet e mallit dhe zemrës ,janë një vleë e jashtëzakonshme që tregojnë se madheshtia e Shoqatës A.K.Tomorri shkonë në lartësinë e Tomorrit të bekuar nga perëndia.
Gëzim Xhaxhaj: Unë jam përmetar. Sa herë që kthej kokën nga lindja më del parasysh madhështor mali me dëborë i Tomorrit, aty ku buron ndjenja e patriotizmit e shoqatës me të njëjtin emër “Tomorri”. Më duket se aty janë fijet që lidhin krahinat, zakonet, gjuhën shqipe. Më pëlqen bashkimi i miqve të trevës së Skraparit në aktivitete të tilla si ky i sotmi. Rëndësinë shoqatës nuk ia jep emri, por ia japin njerëzit, drejtuesit, angazhimi i tyre për ta vënë në lëvizje shoqatën. Kur bashkohen njerëzit, aty ka miqësi, mendime, komunikojmë, shkëmbejmë eksperiencat e jetës. Kam qënë gjithmonë pranë aktiviteteve të kësaj shoqate ku këndoj me shpirt dhe inkurajoj këngëtarët për të sjellë koloritin e folkut të trevës. Jam i lumtur që më nderuan me “Çertifjkatë Mirënjohjeje” dhe i falenderoj shumë. Unë jam profesionist, këngëtar karriere. Mua zoti më ka dhënë zërin dhe nuk përtoj për të argëtuar njerëzit. Për shumë arsye ishte një kënaqësi për mua të këndoja me rastin e këtij aktiviteti të shoqatës “Tomorri”. Jam përmetar, por jam edhe lushnjar e mbi të gjitha, jam shqiptar dhe ajo që na basjkon eshtë “Tomorri” i shenjtë. Nuk do të rresht së kënduari për njerëzit tanë, për atdheun tonë”.
Nuk mund të kalonte ky aktivitet i bukur pa bërë disa vlerësime për anëtarët e shoqatës:
E merr fjalën z. Ëngjëll Musai, i cili tha: “Me propozimin e degës së Lushnjës, Kryesia e Shoqatës A K “Tomorri” vlerëson me “ÇERTIFIKATË E MIRËNJOHJES” : Sotir Dhima, Gëzim Xhaxhaj dhe Demir Korita. Motivacioni është specifik për secilin nga zotërinjtë… Ju faleminderit për pritjen dhe mirutakofshim në veprimtari të tjera më të bukura. Zoti i bekoftë familjet tuaja dhe të gjithë anëtarët e Shoqatës A.K.Tomorri, në Shqipëri dhe kudo në botë. Zoti e bekoftë Shqipërinë!”