Ne kemi numrin më të madh të poetëve (popullorë) për frymë në rajon e më gjerë, kemi romancierë popullorë, që shkruajnë pafund si komplekse telegramesh
-Ne kemi shkrues që magjepsen nga fshati i vet, nga përroi i kujtimeve ose lodrojnë në pasqyrën e qytetit apo lagjes
–Kiçi është armik i së bukurës, e kundërta e estetikës dhe ka efekte të pallogaritshme në çoroditjen e shijeve të njerëzimit.
– Piktori më i mirë do të ishte aparati fotografik dhe piktura si art do të kishte kryer punë atë ditë kur u shpik fotografia,
-Kur hedhurina shitet për art
Voody Allen thotë: “Amerikanët nuk i hedhin zhumilet; i bëjnë spektakle televizive.
Siç dihet, fjala “kiç” (kitsch)= hedhurinë, vjen nga gjermanishtja dhe është përdorur në gjysmën e shek. XIX për prodhimin e objekteve me cilësi të ulët ose false. Më vonë ky nocion u përdor nga intelektualët për të shprehur raportin e artit me shoqërinë. Tani përdoret qartësisht si tregues i vulgaritetit dhe i shijes së ulët. Pra kiçi është armik i së bukurës; është e kundërta e estetikës dhe me efekte të pallogaritshme në çoroditjen masive të shijeve të njerëzimit. Shkrimtari dhe mendimtari i madh çek Milan Kundera, në digresionet e tij tek “Valsi i lamtumirave” (“La valse aux adieux”, bën një përsiatje mbi kiçin. Gjuha që përdor është radikale dhe leksiku me fjalë gati të pabotueshme. Me neverinë që ka ndaj shijes së ulët dhe banalitetit gjasme artistik, Kundera shprehet pak a shumë se kiçi ose m… mbahet gjallë kur nuk i themi në emrin që ka. Pra, siç thotë idioma e popullit tonë: me i ba m… marshalla. Tani, po të kalojmë në përditshmërinë tonë shoqërore, kulturore artistike, intelektuale do ta shohim kiçin të ulur këmbëkryq edhe si prodhimtari objektesh utilitare, por, dhe sidomos, si një prani e palëvizshme e të gjithë ekzistencës sonë gjasme artistike. Ne bëjmë histori popullore, gjuhësi popullore, etimologji popullore, dialektologji popullore, stilistikë popullore, kritikë letrare popullore dhe pasioni për folk-shkencën është përvëlues. Ne kemi numrin më të madh të poetëve (popullorë) për frymë të popullsisë në rajon e më gjerë, kemi romancierë popullorë, që shkruajnë “romane” pafund si komplekse telegramesh, letërsi vetëpërtypëse bazuar në narrativa lineare, regjistruese realitetesh të largëta ose të afërta, pa u distiluar në aparatin konjitv dhe kompozicional të autorit, larg çdo fiksioni, apo çasti digresiv; shkrues që magjepsen nga fshati i vet, nga përroi i kujtimeve ose lodrojnë në pasqyrën e qytetit apo lagjes në perpetum mobile-n e tyre dhe, të magjepsur e të mallëngjyer nga vetja, nuk dalin kurrë nga qerthulli, për të mbetur krijesa kafazi. Letërsia e vërtetë moderne, është klasike; dhe letërsia e vërtetë klasike është letërsia më moderne. “Iliada”, “Komedia hyjnore”, “Hamleti” janë po aq moderne sa edhe “Uliksi” i Xhojsit, “Godoja” i Beketit, “Kështjella” e Kafkës etj. Kur flasim për dëmin që kiçi (kitsch) i bën shijes së masave, duhet ta shohim kiçin jo vetëm si prodhim të dobët estetik, por edhe si mendim banal, materializuar në shprehjen bajate e të venitur, si: “Kjo ndodh në të gjithë botën”. Kjo shprehje disfatiste dhe mjerane treguese e një realiteti pa rrugëdalje dhe e një mendimi apo vizioni të topitur dhe inert e steril ka efekte po aq negative sa edhe prania e atij “plehut” që përmend Kundera. Dhe ironia e fatit është se shprehja “Ndodh kudo në botë” përdoret për të justifikuar të këqijat që ndodhin tek ne. Por në botë ndodhin edhe gjëra të mrekullueshme që tek ne nuk ndodhin. Një tjetër mendësi kiç shprehet kur dikush jep një mendim për pikturën. Për ta lavdëruar një pikturë peizazhi, portret, natyrë të qetë apo vegim thonë: “Sa e bukur, krejt si e gjallë, krejt reale”, duke menduar se qëllimi i piktorit është riprodhimi me besnikëri i realitetit dhe duke harruar interpretimin që artisti duhet dhe kërkon t’i bëjë objektit ku është frymëzuar, i cili, i hedhur në telajo, nuk është më objekt, por është subjekti artistik i tij. Sa për pasqyrim objektiv, piktori më i mirë do të ishte aparati fotografik dhe piktura si art do të kishte kryer punë atë ditë kur u shpik fotografia. Në gjykimin mbi veprat letrare ekziston një formë kiçi e tillë nganjëherë, jo gjithmonë, sidomos te romanet dhe dramat klasike. Thonë: “Shumë i/e bukur! Unë për vete kam qarë!” Është ajo që Eko e quan- të qash për Ana Kareninën. Por dihet që melodramat, apo dramat e ndjenjave kanë vlerat e tyre dhe një autor që e ka ndarë mendjen t’i bëjnë njerëzit të derdhin lot, do t’i bëjë se s’bën. Megjithatë kjo nuk duhet të bëhet qëllim në vetvete as nga një autor ideal dhe as të merret si kriter vlerësimi nga një lexues ideal. Ndryshe ndodh puna me autorët dhe lexuesit empirikë. Gëte fliste dikur për “letërsi spitalesh”. Sepse ta zëmë: si mund ta vlerësojmë “Emri i trëndafilit” “Lavjerrësi i Fukoit”, “Në kërkim të kohës së humbur”, “Duke pritur Godonë”, “Gjashtë personazhe në kërkim të autorit”, “Gruaja me flatra”, “Uliksi”, “Metamorfoza”, “Qytetet e padukshme” etj., që nuk të bëjnë të derdhësh lot?