Vranë me plumb në kokë Indrit Çelën që po u rregullonte kondicionerin, Apeli lë në fuqi dënimin për vëllezërit Kusi

130
Sigal

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e marrë nga gjykata e Tiranës për vëllezërit Albano dhe Griseldo Kusi për vrasjen e Indrit Çelës, ngjarje e ndodhur në muajin gusht të vitit 2019.

Vendimi është bërë publik pas seancës së mbajtur ditën e sotme në Gjykatën e Tiranës. Griseldo Kusi është dënuar me 12 vite burg, pasi është personi që ka shkrepur armën e zjarrit ndërsa vëllai i tij Albano me dy vite, pasi akuzohet si bashkëpunëtor.

Si ndodhi ngjarja e rëndë ku mbeti i vrarë Indrit Çela?

Indrit Çela, 26 vjeç u vra mëngjesin e 22 gushtit pasi u qëllua me një plumb në kokë. I punësuar si teknik kondicioneri, bashkë me shokun e tij, Lorenc Veliaj, Çela kryente punën e tij si teknik, tek biznesi i Bujar Kusit, babait të dy vëllezërve Albano dhe Griseldo, për instalimin e rrjetit të kondicionimit.

Por pas një konflikti banal për rrjedhjen e ujit nga tubi i kondicionerit, Griseldo Kusi e qëlloi Çelën me plumb në kokë duke i shkaktuar vdekjen. Së bashku me vëllain, Albanon dhe dy shokë, ata u munduan të fshehin dhe manipulojnë ngjarjen e rëndë.