Tiranë: Qëlloi mjeken me pistoletë lodër dhe përplasi tri makina policie, arrestohet 42-vjeçari

Një ngjarje e pazakontë dhe shqetësuese ka ndodhur mëngjesin e sotëm në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ (QSUT), ku një 42-vjeçar me probleme të dyshuara të shëndetit mendor ka rrezikuar jetën e një mjekeje dhe më pas edhe të efektivëve të Policisë së Shtetit.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, rreth orës 09:00, shtetasi E. V., 42 vjeç, ka qëlluar me një pistoletë lodër që funksionon me gogla plastike, në drejtim të një mjekeje të QSUT-së.

Sigal

Pas këtij veprimi, autori ka tentuar të largohet me automjet nga ambientet e spitalit, duke nxitur menjëherë ndërhyrjen e forcave të Policisë. Gjatë ndjekjes nga patrullat e Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, 42-vjeçari ka përplasur tre automjete policie.

Si pasojë e përplasjeve, dy efektivë policie janë lënduar lehtë dhe po marrin trajtim mjekësor.

Autori është neutralizuar dhe shoqëruar në ambientet e Policisë, ku po i nënshtrohet veprimeve të mëtejshme procedurale dhe një vlerësimi të gjendjes së tij mendore.

Pistoleta lodër që u përdor për incidentin është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.

Grupi hetimor po vijon punën për rrethanat e ngjarjes.